Postuar më: 7 Mars 2018

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Mars 2018

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Mars 2018:

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.475, DATË 8.6.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E NJË TOGE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË NATO-S NË LETONI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, e 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.475, datë 8.6.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 1, numri “…18 (tetëmbëdhjetë)…” ndryshohet dhe bëhet “…21 (njëzet e një)…”.

b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2019, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit, për çdo togë, të jetë 6 (gjashtë) muaj, së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën e radhës.”.

2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

METODOLOGJINË PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TAKSUESHME TË PASURISË SË PALUAJTSHME “NDËRTESA”, E BAZËS SË TAKSËS PËR KATEGORI SPECIFIKE, NATYRËN DHE PRIORITETIN E INFORMACIONIT DHE TË DHËNAVE PËR PËRCAKTIMIN E BAZËS SË TAKSËS, SI DHE TË KRITEREVE DHE RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN ALTERNATIV TË DETYRIMIT TË TAKSËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, 22/1, 22/3 e 22/4, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Përkufizime

Për qëllim të zbatimit të metodologjisë për përcaktimin e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”, termat e mëposhtëm kanë kuptimin, si më poshtë vijon:

1. “Çmim vlerësues”, njësia matëse e vlerës për metër katror të sipërfaqes së ndërtimit të pasurisë së paluajtshme. Ky çmim mund të jetë çmimi i tregut ose çmimi i vlerësuar i përcaktuar me këtë metodologji.

2. “Ndarje/nënndarje zonale”, një rajon territorial brenda njësisë së vetëqeverisjes vendore me emër dhe numër kadastral unik. Këto ndarje/nënndarje paraqiten në parcela tokësore me kufij të përcaktuar, që i ndajnë ato nga njëra-tjetra.

3. “Ndërtesë”, objekti/objektet e ndërtuara mbi/nën sipërfaqen e tokës ose të lidhura me tokën dhe që përfaqëson një strukturë ndërtimore me një ose më shumë njësi pronësore, e cila është objekt i taksës mbi ndërtesën sipas përcaktimit të dhënë në ligj.

4. “Ndërtesë e papërfunduar”, objekti ndërtimor në tërësi ose/edhe ajo pjesë e ndërtesës ekzistuese, për të cilin zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi, por që nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

5. “Njësi pronësore”, ndërtesa ose pjesë e saj, e cila është në pronësi/përdorim të individit, të një personi fizik apo të një personi juridik, dhe që është e ndarë ligjërisht nga pronat e tjera të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”. Njësia pronësore mund të përdoret për qëllim banimi ose/edhe për qëllim veprimtarie ekonomike etj.

6. “Ndarje e njësisë pronësore për banim”, pjesa e njësisë pronësore që përdoret për qëllim banimi.

7. “Ndarje e njësisë pronësore për veprimtari ekonomike”, pjesa e njësisë pronësore që përdoret për qëllim veprimtarie ekonomike.

8. “Përdorues”, individi, personi fizik ose personi juridik, që ka në përdorim ndërtesën/njësinë pronësore për qëllime banimi, veprimtarie ekonomike apo për veprimtari joekonomike, pavarësisht nga fakti nëse kjo ndërtesë/njësi pronësore ka titull pronësie ose jo.

9. “Regjistër qendror i bazës të të dhënave të pasurisë së paluajtshme” (Kadastra fiskale), sistemi qendror i bazës të të dhënave, i cili shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave, të cilat lidhen me pasurinë e paluajtshme dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues. Ky regjistër ofron informacion për përdoruesit.

10. “Taksapagues”, çdo individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, pronar apo përdorues i pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave. Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

11. “Vlerë e pasurisë”, vlera aktuale e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore e njohur me dokumente ligjore, ose vlera e përcaktuar me një nga metodat e përshkruara në këtë metodologji. Vlera e pasurisë është baza e taksueshme mbi të cilën aplikohet shkalla e taksës së pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore. Vlera e pasurisë llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore.

12. “Veprimtari ekonomike”, çdo veprimtari e kryer nga prodhuesit, tregtarët, personat që furnizojnë mallra dhe shërbime, përfshirë veprimtaritë nxjerrëse, industriale, tregtare, të shërbimit, bujqësore dhe veprimtaritë profesionale. Veprimtari ekonomike konsiderohet, gjithashtu, shfrytëzimi i pasurisë së trupëzuar ose të patrupëzuar, me qëllim realizimin e të ardhurave me karakter të vazhdueshëm.

Neni 2
Metodologjia për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”

1. Përcaktimi i çmimit vlerësues dhe i sipërfaqes së ndërtesës/njësisë pronësore

Përcaktimi i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore bazohet mbi prioritetet e vlerësimit, duke ndjekur një radhë të caktuar. Baza e vlerësimit mbështetet te vetëdeklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetëdeklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për efekt të përcaktimit të bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë, ndjekin këtë radhë vlerësimi:

1.1. Vetëdeklarimi

Çdo taksapagues duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që ka në pronësi apo në përdorim.

Vetëdeklarimi bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore apo çdo institucioni të autorizuar nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të marrë dhe për të përpunuar informacionin e vetëdeklarimit të taksapaguesit, për qëllim të zbatimit të legjislacionit përkatës të taksës mbi pasurinë e paluajtshme.

Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar me këtë metodologji, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë.

Në fazën fillestare të zbatimit të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, mund të merren në konsideratë dhe të përdoren të dhënat e siguruara nga institucione të autorizuara nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat shërbejnë për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe përcaktimin e bazës së taksës.

1.2. Përcaktimi i çmimit të vlerësuar dhe i sipërfaqes së ndërtesës, bazuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të mbajtur nga zyrat vendore (ZVRPP)

Për përcaktimin e bazës së taksës për ndërtesën/njësinë pronësore, si referencë, në këtë rast, do të shërbejë vlera e përcaktuar nga rivlerësimi i pasurisë të regjistruar pranë ZVRPP-ve.

Nëse në informacionin e marrë nga ZVRPP-ja konstatohet se për ndërtesën/njësinë pronësore është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 vjetëve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës të regjistruar në ZVRPP.

1.3. Përcaktimi i çmimit të vlerësuar sipas çmimeve mesatare të shitblerjes së ndërtesave/njësive pronësore

Kur vlerësimi sipas pikave 1.1 dhe 1.2 më lart është i pamundur, çmimi i vlerësuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore do të korrespondojë me çmimin mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi sipas qyteteve, të përcaktuara në aneksin 1, që i bashkëngjitet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

Për nënkategorizime të ndërtesave, që nuk shërbejnë për banim, sipas qëllimit të përdorimit, zbatohen çmimet mesatare për metër katror sipërfaqe ndërtimi të përcaktuara në aneksin 2, që i bashkëngjitet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Nëse çmimi për metër katror për banesë/njësi pronësore, i vënë në dispozicion nga ZVRPP-ja, dhe çmimet minimale fiskale janë të ndryshme, atëherë merret si çmim vlerësues ai çmim që ka vlerën më të lartë.

2. Vlera e pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”, referuar verifikimeve në terren

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me kompetencat e kuadrit ligjor në fuqi, kryejnë korrektime në regjistrin e bazës të të dhënave. Korrektimet kryhen bazuar në verifikimet periodike në terren për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore.

Verifikimi në terren shërben edhe për të regjistruar për herë të parë ndërtesa/njësi pronësore ose nënndarje të saj. Në këtë rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë informacion nga burime zyrtare, nëse ka, për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore apo nënndarjen dhe e krahasojnë me verifikimin e kryer. Nëse nuk sigurojnë informacione lidhur me sipërfaqen e ndërtesave të identifikuara, njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë vetë vlerësimin e ndërtesës/njësisë pronësore mbi sipërfaqen e verifikuar në terren.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas procedurave të përcaktuara në këtë metodologji, në çdo rast, pasi bëjnë vlerësimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme, hedhin të dhënat në regjistrin e bazës të të dhënave, për efekt të përcaktimit të bazës së taksës dhe llogaritjes së shumës së taksës për t’u paguar nga taksapaguesi.

2.1. Sipërfaqja e prezumuar

Nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e ndërtesës/njësisë pronësore, përdoren vlerat referuese për sipërfaqe, si më poshtë vijon:

a) 100 (njëqind) metër katror sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim.

b) 70 (shtatëdhjetë) metër katror sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim, të privatizuara me ligjin nr.7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar.

Për ndërtesat e tjera, të cilat nuk shërbejnë për qëllime banimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë verifikimin në terren, për të përcaktuar sipërfaqen dhe për të llogaritur bazën e taksës.

Kur gjatë verifikimeve në terren, konstatohen dëmtime të ndërtesave për shkaqe të fatkeqësive natyrore (tërmet/zjarr/përmbytje etj.), të cilat ndryshojnë vlerën e kësaj pasurie, njësia e vetëqeverisjes vendore, sipas rastit që i paraqitet, ngre një komision, i cili vlerëson dhe korrekton vlerën e ndërtesës. Vlerësimi bëhet sipas gjendjes fizike, në të cilën paraqitet ndërtesa e dëmtuar.

3. Nënndarja zonale/nënzonale brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të miratojnë nënndarje zonale/nënzonale të territorit, brenda juridiksionit të tyre, për zbatimin e niveleve të shkallës së taksës brenda kufijve plus 30 (tridhjetë) për qind ose minus 30 (tridhjetë) për qind.

Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, jo më shpesh se një herë në vit, për banesat në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.115/2014, mund të reduktojë çmimin mesatar referues të përcaktuar në aneksin 1, deri në masën minus 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 (tridhjetë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale.

Nivelet e miratuara sipas zonave/nënzonave të territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore i bëhen të ditura zyrtarisht edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë.

4. Vlera e pasurisë së paluajtshme për ndërtesat e papërfunduara në shkelje të afatit të lejes së ndërtimit

Për ndërtesat e pajisura me leje ndërtimi, por që nuk kanë arritur të përfundojnë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi, përcaktimi i bazës së taksueshme bazohet mbi koston e parashikuar të ndërtimit, sipas lejes së ndërtimit të miratuar nga njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore apo KKT-ja. Në këtë rast, vlera e bazës së taksës së ndërtesës llogaritet për të gjithë ndërtesën, kur është një njësi e vetme dhe e destinuar për një qëllim të vetëm përdorimi, pavarësisht fazës në të cilën gjendet ndërtesa e papërfunduar. Baza e taksës së ndërtesës llogaritet në masën 30 (tridhjetë) për qind të shkallës së taksës të përcaktuar me ligj, shumëzuar me koston e ndërtimit të parashikuar në lejen e miratuar të ndërtimit.

Në rast kur ndërtesa përbëhet nga më shumë se një njësi pronësore, të parashikuara për t’u përdorur për qëllime të ndryshme apo për t’u tjetërsuar në pronësi të më shumë se një pronari/përdoruesi, si bazë e taksës do të shërbejë kostoja e plotë e ndërtimit të të gjitha njësive përbërëse të ndërtesës, pavarësisht fazës në të cilën gjendet e gjithë ndërtesa e papërfunduar. Në qoftë se njësitë e ndërtesës, bazuar në lejen e miratuar të ndërtimit, janë parashikuar për qëllime të ndryshme përdorimi (për shembull, disa për banim dhe disa për veprimtari ekonomike/joekonomike), vlera e pasurisë së paluajtshme për përcaktimin e bazës së taksës së ndërtesës llogaritet në masën 30 (tridhjetë) për qind të shkallës së taksës së përcaktuar me ligj, sipas llojit të përdorimit, shumëzuar me koston e ndërtimit për njësi të ndërtesës.

Në rast se zhvilluesit kanë lidhur kontratë shitjeje për tjetërsimin e pronësisë së ndërtesës së papërfunduar apo të njësive të veçanta të saj, si bazë e vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, për efekt të llogaritjes së taksës së ndërtesës, do të shërbejnë kontratat e shitjes. Në qoftë se nga krahasimi rezulton se vlera e kontratave të shitjes është e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmimin vlerësues, atëherë si bazë e taksës përcaktohet vlera më e lartë.

Kur nga verifikimi në terren rezulton se ndërtesa apo njësi të veçanta të saj janë vënë në përdorim/shfrytëzim, pavarësisht se ndërtesa në tërësi nuk ka përfunduar, taksa llogaritet e plotë për pjesën në përdorim/shfrytëzim. Në këtë rast, baza e taksueshme llogaritet me kostot e ndërtimit për pjesën e papërfunduar dhe me çmimet vlerësuese për pjesët e vëna në përdorim. Për pjesë të ndërtesës të vëna në përdorim, baza e taksës do të jetë e plotë. E njëjta situatë vlen edhe kur nuk është dhënë leja e shfrytëzimit të ndërtesës apo nuk është bërë regjistrimi në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në të gjitha rastet e përmendura në pikën 4 të këtij neni, personi që ka për detyrim pagesën e taksës së llogaritur është zhvilluesi. Në rastin kur njësi të veçanta të ndërtesës janë vënë në përdorim dhe taksa paguhet e plotë, paguesi i taksës së llogaritur është përdoruesi.

5. Llogaritja e shumës së taksës së ndërtesës/njësisë pronësore

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke përdorur të dhënat e mbledhura për ndërtesën/njësinë pasurore, përcaktojnë bazën e taksës dhe llogarisin shumën e taksës vjetore të ndërtesës për t’u paguar nga çdo taksapagues. Baza e llogaritjes së taksës së ndërtesës është vlera e ndërtesës/njësisë pronësore, përcaktuar me një nga metodat e parashikuara në këtë metodologji.

Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë:

a) 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim;
b) 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

6. Procedura e mbledhjes së informacionit nga verifikimi në terren

6.1. Verifikimi në terren për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bëhet, në çdo rast, me urdhër të titullarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, në territorin e së cilës gjendet ndërtesa/njësia pronësore që do të vlerësohet. Urdhri i verifikimit përmban:

a) të dhënat identifikuese për ndërtesën/njësinë pronësore (adresën, njësinë administrative, vendndodhjen, pronarin/përdoruesin etj.) dhe taksapaguesin (emrin e individit, personin fizik, personin juridik);
b) qëllimin e kryerjes së procesit të vlerësimit të ndërtesës/njësisë pronësore;
c) kohën kur do të kryhet verifikimi dhe afatin e mundshëm për procesin e verifikimit;
ç) emrin/emrat e punonjësve të njësisë së vetëqeverisjes vendore, që do të kryejnë verifikimin;
d) datën dhe orën kur punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore do të paraqiten për të kryer verifikimin.

Në qoftë se procesi i verifikimit kërkon plotësimin e formularëve përkatës, këta formularë i dërgohen paraprakisht personit të taksueshëm, së bashku me kopjen e urdhrit për verifikim.

Urdhri për njoftimin e kryerjes së procesit të verifikimit dërgohet me postë ose dorazi, kundrejt firmës së personit të taksueshëm, që e ka marrë në dorëzim. Në rast të dërgimit me rrugë postare, konsiderohet se urdhri është marrë në dorëzim pas 10 (dhjetë) ditëve të dorëzimit të tij në zyrën postare.

6.2. Paraprakisht, në njoftimin për kryerjen e verifikimit, taksapaguesi duhet të njihet me objektin e procedurës së verifikimit në vend, arsyet për të cilat kërkohet të kryhet ky verifikim, të drejtat e taksapaguesit për të shprehur mendimet, vërejtjet apo kundërshtitë lidhur me procesin e verifikimit të kryer nga punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore në përfundim të këtij procesi, si dhe të informohet se, në rast moskryerjeje të këtij procesi, njësia e vetëqeverisjes vendore ka të drejtën të bëjë vlerësimin me metoda alternative dhe të përcaktojë shumën e taksës vjetore për t’u paguar mbi bazën e këtij vlerësimi.

6.3. Në rast të mosgjendjes së personit të taksueshëm në ditën dhe orën e caktuar për kryerjen e procesit të verifikimit, njësia e vetëqeverisjes vendore bën njoftim të dytë dhe, nëse përsëritet e njëjta situatë, punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore bëjnë vlerësimin, duke përdorur metodat alternative të përcaktuara në këtë metodologji.

6.4. Në rastin e verifikimit në terren, punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore janë të detyruar të hartojnë aktin e verifikimit, si dhe të shënojnë datën e përfundimit të procesit të verifikimit, emrin, mbiemrin bashkë me firmën në fund të aktit të plotësuar prej tyre.

6.5. Punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore janë të detyruar të informojnë taksapaguesin mbi rezultatin e verifikimit, duke e lexuar me zë të qartë dhe në prani të tij përmbajtjen e materialit të shkruar në aktin e verifikimit dhe, në përfundim, të kërkojnë edhe kundërfirmën prej taksapaguesit, për sa përmban akti i verifikimit. Taksapaguesi ka të drejtë të bëjë shënimet e veta përkatëse, nëse dëshiron, lidhur me përmbajtjen e aktit të verifikimit, vërejtjet apo kundërshtitë që ka. Gjithashtu, taksapaguesi, krahas emrit, mbiemrit dhe firmës, vendos dhe datën kur ai ka bërë nënshkrimin e tij.

6.6. Kur taksapaguesi pengon punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore të ushtrojnë detyrën e tyre, sipas urdhrit të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore për këtë qëllim, ndaj tyre do të llogaritet taksa e plotë. Në këtë rast, sipërfaqet do të vlerësohen, duke përdorur metodat alternative të vlerësimit, siç përcaktohet në këtë metodologji.

6.7. Në rastet kur nga verifikimi në terren konstatohen ndërtesa/njësi pronësore për të cilat nuk ka informacion paraprak të plotë ose të pjesshëm, atëherë punonjësi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, me anë të një procesverbali, merr masa për plotësimin e të dhënave identifikuese, si më poshtë:

a) Adresën, koordinatat e vendndodhjes gjeografike, sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore;
b) Qëllimin e përdorimit të ndërtesës/njësisë pronësore;
c) Të dhënat identifikuese të siguruara për taksapaguesin;
ç) Emrin/emrat e punonjësve të njësisë së vetëqeverisjes vendore që kanë bërë verifikimin;
d) Datën dhe orën kur punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore kanë bërë verifikimin;
dh) Çdo informacion tjetër të nevojshëm, që shërben për identifikimin e ndërtesës/njësisë pronësore, taksapaguesin dhe përcaktimin e bazës së taksueshme.

Në këtë rast, taksapaguesi duhet të njoftohet për detyrimin e taksës së llogaritur.

6.8. Afati kohor i hedhjes të të dhënave të siguruara nga verifikimi në terren në sistemin e bazës të të dhënave të pasurisë së paluajtshme nuk duhet të jetë më vonë se 30 ditë kalendarike nga dita e mbajtjes së aktit të verifikimit.

Në çdo rast të ndryshimit të të dhënave në sistemin e bazës të të dhënave, qoftë nga verifikimi në terren, qoftë dhe si rezultat i korrektimit apo i vendimit të strukturës vendore të apelimit apo pas një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative, hedhja e të dhënave nuk duhet të jetë më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga marrja e vendimit.

6.9. Hedhja e të dhënave në sistemin e bazës të të dhënave nuk duhet të dëmtojë funksionalitetin e sistemit. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, nëse konstaton se hedhja e të dhënave mund të dëmtojë sistemin, ndërhyn dhe realizon hedhjen e të dhënave në sistem.

7. Verifikimi periodik në terren i pasurive të paluajtshme “ndërtesa”

Njësia e vetëqeverisjes vendore gëzon të drejtën të bëjë çdo vit verifikime në terren deri në 20 (njëzet) për qind të territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Në këtë rast, procesi i verifikimit shërben për verifikimin e ndryshimeve të mundshme në ndërtesat/njësitë pronësore ekzistuese, të cilat ndikojnë në ndryshimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme dhe, për rrjedhojë, edhe të shumës së taksës për t’u paguar. Të tilla ndryshime lidhen me zgjerim të sipërfaqes së ndërtesës/njësisë pronësore, shtesat në kate, përmirësime strukturore, tjetërsim të pronësisë, ndryshim të përdorimit dhe që kërkon ndryshimin e shkallës së taksës, përjashtimin nga taksa apo të humbjes të së drejtës së përjashtimit nga taksa etj. Gjithashtu, ky proces shërben dhe për identifikimin e ndërtesave/njësive pronësore të reja, të pahedhura në sistem.

Në rast të verifikimit të ndërtesave/njësive pronësore që nuk rezultojnë në sistemin qendror të të dhënave, njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të realizojë regjistrimin e plotë të tyre, duke plotësuar të gjitha elementet e informacionit të kërkuar nga sistemi.

Në të gjitha rastet e mësipërme, njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të bëjë me dije subjektin taksapagues për detyrimin e lindur.

8. Verifikimi i të dhënave nga ana e nëpunësit përgjegjës në bashki për taksën e pasurisë së paluajtshme ndërtesë

Nëpunësi përgjegjës, për taksën mbi ndërtesën në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ka të drejtën dhe detyrimin të bëjë rishikimin dhe verifikimin e të gjithë dokumentacionit të mbledhur gjatë procesit të verifikimit në terren, të aktit të verifikimit të mbajtur, si dhe të konfirmojë saktësinë e tyre.

Në rast se dokumentacioni përmban gabime, mangësi apo pasaktësi, ai u kërkon punonjësve, që kanë plotësuar dokumentacionin, rishikimin e tij, si dhe, nëse është e nevojshme, përsëritjen e procedurës së verifikimit.

9. Korrigjimi i të dhënave në lidhje me llogaritjen e taksës në rastet e saktësimit të informacionit për sipërfaqen, vendndodhjen zonale dhe çmimet përkatëse

Taksapaguesi, në çdo kohë, kur gjykon se vlerësimi i pasurisë së tij të paluajtshme ndërtesë, objekt taksimi, është jo i saktë, ka të drejtë të kërkojë korrigjimin e detyrimit.

Taksapaguesi, pas marrjes së njoftimit të detyrimit për taksën e pasurisë, kur nuk është dakord me këtë vlerësim, ka të drejtë të bëjë kërkesë për korrigjimin e vlerës:

a) në zyrën tatimore vendore të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, në territorin e së cilës gjendet pasuria e paluajtshme “ndërtesë”, të shoqëruar dhe me dokumentacionin justifikues; ose
b) në zyrën e agjentit të mbledhjes së taksës, për rastet kur në këto zyra, shërbimi i korrigjimit ofrohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore me punonjësit e saj.

E drejta ose jo e korrigjimit të vlerës përfundimtare të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë” do të përcaktohet pas shqyrtimit të ankimimit nga struktura e autorizuar pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe marrjes së një vendimi përfundimtar.

Zyra tatimore vendore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, bën shqyrtimin e kërkesës së subjektit në lidhje me marrjen ose jo në konsideratë të saj, bën korrigjimin, nëse vlerësimi fillestar ka pasur gabime dhe i kthen përgjigje me shkrim taksapaguesit.

10. Ankimimi administrativ dhe ankimimi gjyqësor

Nëse, edhe pas marrjes së përgjigjes në lidhje me të drejtën e korrigjimit, taksapaguesi nuk bie dakord me qëndrimin e zyrës tatimore pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, ai ka të drejtë që, bazuar në nenin 7, “Ankimimi”, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, t’i drejtohet strukturës vendore të apelimit tatimor të ngritur për këtë qëllim pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Struktura vendore e apelimit tatimor jep qëndrimin e saj brenda afatit ligjor të parashikuar në legjislacionin tatimor.

Nëse taksapaguesi përsëri nuk bie dakord me vendimin e dhënë nga struktura vendore e apelimit tatimor, i drejtohet Gjykatës Administrative. Vendimi i Gjykatës Administrative konsiderohet përfundimtar dhe do të shërbejë për korrektimin e vlerës së bazës së taksueshme, për rrjedhojë, edhe të shumës së taksës për t’u paguar nga taksapaguesi.

11. Lindja e detyrimit për taksën e pasurisë ndërtesë/njësi pronësore pas konstatimit të ndryshimeve nga verifikimi në terren

Në rastet kur nga verifikimet në terren rezulton ndryshim në vlerën e bazës së taksës, shuma e taksës së llogaritur reflektohet në shumën e taksës për t’u paguar, nisur nga dita e konstatimit në terren të mbajtur në aktin e verifikimit përkatës. Në çdo rast, akti i verifikimit duhet të jetë i firmosur nga taksapaguesi, të cilit i është konstatuar ky ndryshim gjatë verifikimit të kryer.

12. Ndryshimi i përdorimit të ndërtesës nga sa është regjistruar në sistemin e bazës të të dhënave

Në qoftë se njësitë e vetëqeverisjes vendore konstatojnë ndryshime të përdorimit të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore apo pjesë të njësisë pronësore, të cilat sjellin, për pasojë, edhe ndryshimin e vlerës së bazës së taksës, për rrjedhojë, edhe të shumës të taksës për t’u paguar nga taksapaguesi, shuma e taksës për t’u paguar, pas ndryshimit të konstatuar për pjesën e mbetur të vitit, korrigjohet dhe mbledhja e taksës bëhet për shumën faktike të taksës së korrigjuar.

Ndryshimet për detyrimin për t’u paguar fillojnë nga data e konstatimit të mbajtur në aktin e verifikimit.

Në çdo rast, akti i verifikimit duhet të jetë i firmosur nga taksapaguesi, të cilit i është konstatuar ky ndryshim gjatë verifikimit të kryer.

Neni 3
Nënkategori specifike ndërtesash dhe qëllimi i përdorimit

Nënkategorizimi i ndërtesave/njësi pronësore që nuk përdoren për banim, sipas qëllimit të përdorimit dhe shfrytëzimit të tyre, përcaktohen në aneksin 2, bashkëngjitur këtij vendimi.

Nënkategoritë e ndërtesave/njësive pronësore, që shfrytëzohen për banim/strehim, jepen si më poshtë:

1. Ndërtesa, e cila u shërben njerëzve për nevoja themelore banimi, duke përfshirë shtëpitë, apartamentet, banesat dhe ndërtesat e ngjashme;

2. Garazhet e mbyllura;

3. Bodrumet;

4. Çdo ndërtesë tjetër e ngjashme, mbi apo nën tokë, që nuk përdoret apo shfrytëzohet për qëllime të tjera veç atij të banimit.

Neni 4
Natyra e informacionit dhe e të dhënave që përdoret për përcaktimin e bazës së taksës mbi ndërtesat dhe informimi i publikut

1. Burimet e informacionit (të dhënat parësore)

Burimet e mundshme të informacionit, për efekt të administrimit të taksës mbi ndërtesat, janë:

a) Të dhënat e vetëdeklaruara nga taksapaguesi mbi ndërtesën/njësinë e ndërtesës në pronësi/përdorim të tij;
b) Të dhënat e disponuara nga ZVRPP-të lidhur vlerësimin dhe rivlerësimin e ndërtesave, si dhe titujt e pasurisë mbi to;
c) Të dhënat e zyrave të urbanistikës për lejet e dhëna të ndërtimit;
ç) Të dhënat e zyrave të noterisë për transaksionet e shitblerjeve të ndërtesave;
d) Të dhënat e ALUIZNI-t për ndërtesat në proces legalizimi;
dh) Të dhënat e siguruara nga verifikimi në terren nga vetë njësitë e vetëqeverisjes vendore;
e) Të dhënat nga Regjistri qendror i gjendjes civile;
ë) Të dhënat nga subjekte ekonomike që kanë kontakte me konsumatorët, si: Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve apo dhe institucione të tjera të papërmendura më lart, të cilat disponojnë informacion mbi pasurinë ndërtesë/njësi ndërtese, tituj pronësie apo statusin juridik të marrëdhënies së taksapaguesit në marrëdhënien e tij me pasurinë e paluajtshme, objekt taksimi, si dhe për vetë taksapaguesin.
f) Të dhënat nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për pasuri të trajtuara me vendime të KKKP-së.

2. Informacioni për të dhënat parësore duhet të përmbajë:

2.1. Të dhënat identifikuese për pasurinë e paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore;

2.2. Destinacionin apo destinacionet e përdorimit të ndërtesës/njësi pronësore apo njësive të veçanta të tyre;

2.3. Të dhënat identifikuese për taksapaguesin;

2.4. Të dhënat mbi statusin juridik të taksapaguesit në lidhje me pasurinë objekt taksimi dhe pjesën e tij për t’u taksuar.

3. Të dhënat parësore për ndërtesat për efekt identifikimi dhe vlerësimi

Të dhënat për ndërtesat përfshijnë:

3.1. Njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe njësinë administrative në territorin në juridiksion të të cilave ndodhet ndërtesa/njësia pronësore;

3.2. Zonën kadastrale ku përfshihet ndërtesa, të përcaktuar sipas legjislacionit specifik të fushës;

3.3. Adresën e saktë të ndërtesës/njësisë pronësore, ku përfshihet rruga, numri i ndërtesës (hyrja dhe apartamenti, kur ndërtesa është njësi pronësore në bashkëpronësi), si dhe të dhëna të tjera, që identifikojnë vendndodhjen e saktë të ndërtesës/njësisë pronësore;

3.4. Llojin i ndërtesës:

a) Ndërtesë e veçantë;
b) Ndërtesë në bashkëpronësi (e përbërë nga njësi pronësore, secila me pronar më vete);

3.5. Kufizimet e ndërtesës në të gjitha anët e saj;

3.6. Numrin e kateve të ndërtesës, i cili përfshin:

a) Numrin e përgjithshëm të kateve mbi sipërfaqen e tokës;
b) Numrin e përgjithshëm të kateve nën sipërfaqen e tokës;

3.7. Vitin e ndërtimit dhe sipërfaqen e ndërtuar;

3.8. Elemente të tjera identifikuese.

4. Sistemi qendror i llogaritjes së vlerës së bazës së taksueshme për pasuritë e paluajtshme duhet të përmbajë të dhënat për njësi pronësore, si më poshtë:

4.1. Numrin unik identifikues të pasurisë së paluajtshme;

4.2. Numrin e hyrjes, të apartamentit, të njësisë së veçantë të ndërtesës/njësisë pronësore dhe që i bashkëngjitet emrit të rrugës dhe numrit të hyrjes;

4.3. Katin ku ndodhet njësia pronësore;

4.4. Sipërfaqen në metër katror, që jep sipërfaqen e destinuar/shfrytëzuar për një qëllim të caktuar, të shprehur në metra katrorë gjithsej. Matja e sipërfaqes së njësisë pronësore bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara për këtë qëllim në legjislacionin e fushës.

4.5. Bodrumet dhe nënçatitë e ndërtesave/njësive pronësore, që, nga verifikimi në vend, rezultojnë se janë të destinuara apo shfrytëzohen për:

a) magazinim të sendeve familjare, pa pasur ndonjë qëllim fitimi, regjistrohen me komentin “bodrum/nënçati (sipas rastit) për mbajtjen e sendeve familjare”;
b) qëllime banimi, regjistrohen me komentin “për qëllim banimi”;
c) qëllime fitimprurëse, regjistrohen me komentin “për qëllime fitimprurëse”.

Në rastet e shkronjave “a”, “b” dhe “c”, më lart, llogaritja e vlerës së njësisë pronësore bëhet më vete, kur pjesa e ndërtesës është si njësi më vete e veçuar e ndërtesës, edhe pse nuk është në pronësi të një personi të identifikuar, por është në përdorim dhe përdoret prej tij për një nga këto qëllime. Kur kjo njësi pronësore është në përdorim të përbashkët nga disa pronarë/përdorues të njësive të tjera pasurore të të njëjtës ndërtesë, shuma e llogaritur e vlerës së bazës së taksës, si dhe pjesa takuese e taksës së llogaritur, përpjesëtohet në mënyrë të barabartë për të gjithë përdoruesit e saj.

4.6. Vitin e ndërtimit;

4.7. Zonën kadastrale të vlerësimit;

4.8. Kategorinë e vlerësimit sipas çmimeve minimale fiskale (vlerësuese);

4.9. Destinacionin e përdorimit:
a) Banim;
b) Tregti, shërbime;
c) Prodhim, përpunim, magazinim, mbajtje apo mbarështim të gjësë së gjallë;
ç) E braktisur;
d) E papërfunduar;
dh) Të tjera, të paspecifikuara në klasifikimet si më sipër.

4.10. Koordinatat GPS-së.

5. Sistemi qendror i llogaritjes së vlerës së bazës së taksueshme për pasuritë e paluajtshme duhet të përmbajë të dhënat për taksapaguesin, si më poshtë:

5.1. Numrin personal identifikues të pronarit/përdoruesit të pasurisë së paluajtshme (taksapaguesit);
5.2. Emrin, atësinë, mbiemrin e personit taksapagues, pronarit/përdoruesit të pasurisë së paluajtshme;

5.3. NIPT-in/NUIS-in (për individët, personat fizikë apo personat juridikë që ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në pasurinë e paluajtshme, objekt taksimi);

5.4. Emrin e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) të veprimtarisë ekonomike;

5.5. Emrin e përfaqësuesit juridik të subjektit të taksueshëm;

5.6. Adresën e vendndodhjes së pasurisë së paluajtshme ndërtesë, objekt taksimi;

5.7. Emrin e njësisë së vetëqeverisjes vendore (bashkisë), si dhe të njësisë administrative në territorin e së cilës gjendet pasuria e paluajtshme ndërtesë, objekt taksimi;

5.8. Çdo të dhënë tjetër identifikuese, që plotëson identifikimin e saktë të personit të taksueshëm dhe vendndodhjen e pasurisë së paluajtshme, objekt taksimi.

6. Sistemi qendror i llogaritjes së vlerës së bazës së taksueshme për pasuritë e paluajtshme

Akti i krijimit të sistemit qendror të llogaritjes së taksueshme për pasuritë e paluajtshme bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

7. Informimi i publikut

7.1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës.

7.2. Informimi i publikut i shërben transparencës së njësive të vetëqeverisjes vendore, por, njëkohësisht, shërben edhe për të mundësuar marrjen e informacionit në dobi të lehtësimit të procesit të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe objektivitetit të vlerës së llogaritur, nëpërmjet informacionit që vetë taksapaguesit duhet t’u japin njësive të vetëqeverisjes vendore për pasurinë e paluajtshme në pronësi/përdorim.

7.3. Informimi i publikut bëhet nëpërmjet mjeteve të informimit elektronik, medias, njoftimeve publike dhe çdo forme tjetër komunikimi me publikun, e cila mund të shfrytëzohet për këtë qëllim.

7.4. Njoftimet kanë për qëllim të informojnë publikun për:

a) regjistrimin e objekteve të reja të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore;
b) objektet e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që kanë pësuar ndryshime në përdorim apo destinim;
c) pasurinë e paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore të rrënuar, të braktisur apo të papërdorshme.
ç) rezultatet nga verifikimet e kryera në terren.
d) vendimet e marra nga njësia e vetëqeverisjes vendore për taksën e pasurisë së paluajtshme, nivelet e vendosura për shumën e taksës për t’u paguar sipas ndarjeve/nënndarjeve zonale apo nënzonale etj.

Neni 5
Institucionet dhe organet që ngarkohen për zbatim

Ngarkohen ministria përgjegjëse për financat, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1 prill 2018.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1037, DATË 16.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E VLERËSIMIT TË NËPUNËSVE CIVILË PËR PËRFITIMIN DHE PËRDITËSIMIN E NJOHURIVE SHTESË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 62, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.1037, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 2, të kreut I, fjalët “… dhe intervistimi i tyre me gojë …” hiqen.

2. Kreu II ndryshohet, si më poshtë vijon:

KREU II
PLANIFIKIMI DHE GRUPIMI I NËPUNËSVE CIVILË

1. Çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nështrohet, periodikisht, testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit çdo 4 vjet. Kur nuk është e mundur, ky vlerësim mund të shtyhet deri në 6 vjet. Përjashtimisht, nëpunësit civilë në njësitë teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj procedure çdo 2 vjet.

2. Nuk i nënshtrohen kësaj procedure:

a) nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese;
b) nëpunësit civilë në periudhë prove;
c) nëpunësit civilë, të cilët janë të pezulluar;
ç) nëpunësit civilë, të cilët janë me leje lindjeje;
d) nëpunësit civilë, të cilët kanë kryer procedurën e lëvizjes paralele apo atë të ngritjes në detyrë në vitin e fundit, përpara zhvillimit të procedurës;
dh) nëpunësit civilë në vitin e fundit të punës, përpara mbushjes së moshës së pensionit;
e) diplomatët e karrierës.

3. Nëpunësit civilë sipas shkronjave “c”, “ç” e “d”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, i nënshtrohen kësaj procedure, përkatësisht, 1 vit pas sistemimit të tyre në një pozicion pune, 1 vit pas përfundimit të lejes së lindjes apo 1 vit pas emërimit, si pasojë e lëvizjes paralele/ngritjes në detyrë.

4. Mosparaqitja e nëpunësve civilë në testimin paraprak apo testimin në përfundim të trajnimit, pa shkaqe të arsyeshme, konsiderohet shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligjin e nëpunësit civil dhe përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore.

5. Në kuptim të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi, shkaqe të arsyeshme konsiderohen:

– rastet e sëmundjeve të nëpunësit civil apo fëmijëve të mitur, vërtetuar me raport mjekësor;
– martesa e nëpunësit civil;
– martesa e fëmijës së tij;
– vdekja e prindërve, gjyshërve, bashkëshortit/es, fëmijës, vëllezërve, motrave;
– sëmundjet e rënda të fëmijëve, prindërve, bashkëshortit/es, të vërtetuara me raport mjekësor;
– rastet e trajnimit jashtë vendit të nëpunësve civilë, për një periudhë me të gjatë se 1 muaj, të organizuar nga institucioni.

6. Nëpunësit civilë, të cilët nuk paraqiten në testimin paraprak apo në testimin në përfundim të trajnimit për shkaqet e arsyeshme të përcaktuara sipas pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, janë të detyruar t’i nënshtrohen procedurës së testimit, si më poshtë vijon:

– Në rastet e testimit paraprak, brenda 3 muajve, nga data e rikthimit në punë;
– Në rastet e testimit në përfundim të trajnimit, brenda 1 muaji, nga data e rikthimit në punë.
7. Grupet e pozicioneve dhe fushat e njohurive, për të cilat do të zhvillohet procesi i vlerësimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, përcaktohen brenda muajit shkurt të çdo viti, nga:

a) Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve, për institucionet e administratës shtetërore;
b) njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavarura, për secilin institucion të pavarur.

8. Brenda muajit mars të çdo viti, ASPA, në bashkëpunim dhe bazuar në rekomandimet e DAP-it, për institucionet e administratës shtetërore dhe të njësive përgjegjëse të institucioneve të pavarura, harton programet e trajnimit për fushat e përcaktuara, sipas pikës 7, të kreut II, të këtij vendimi, për këto institucione. Programet dhe mënyra e zhvillimit të tyre miratohen nga bordi i ASPA-s dhe duhet të zgjasin 10 deri në 20 ditë.

9. Departamenti i Administratës Publike dhe njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavarura, brenda muajit mars të çdo viti, publikojnë në faqet e tyre zyrtare dhe, për njësitë e vetëqeverisjes vendore ose/edhe në stendat e informimit të publikut, kalendarin vjetor të testimeve paraprake për secilin nga grupet e përcaktuara sipas pikës 7, të kreut II, të këtij vendimi.

10. Brenda muajit prill të çdo viti, DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, hartojnë listat e nëpunësve, të cilët do t’i nënshtrohen kësaj procedure dhe, bazuar në dosjet e nëpunësve e në përshkrimet e tyre të punës, bëjnë ndarjen e tyre në grupe të përbashkëta. Në këto grupe marrin pjesë nëpunësit që kanë përshkrime pune të njëjta/ të përafërta.

11. Grupet me listat e nëpunësve, të përcaktuar sipas pikës 10, të kreut II, të këtij vendimi, për institucionet e administratës shtetërore, u njoftohen nga DAP-i, brenda muajit maj, njësive të burimeve njerëzore të këtyre institucioneve, të cilat njoftojnë nëpunësit përkatës. Njësitë përgjegjëse për institucionet e pavarura, pas përcaktimit të listave të nëpunësve sipas pikës 10, të kreut II, të këtij vendimi, njoftojnë këta nëpunës brenda muajit maj.”.

3. Në kreun III bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Testimi paraprak duhet të përfshijë të gjitha ndryshimet dhe të rejat që i përkasin fushës përkatëse, sipas grupimit, të cilit i përket nëpunësi civil, dhe të përcaktuara sipas pikës 7, të kreut II, të këtij vendimi.

3. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, në bashkëpunim me ASPA-n, përcaktojnë datën e testimit paraprak për çdo grupim dhe njoftojnë njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve, të paktën, një muaj përpara datës së zhvillimit të testimit.”.

b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Testimi paraprak i nëpunësve civilë realizohet nga komisioni i vlerësimit (KV), me përbërje, si më poshtë vijon:

a) Për institucionet e administratës shtetërore:

– një përfaqësues nga DAP-i, i cili kryeson komisionin;
– një përfaqësues nga ASPA;
– një anëtar nga TND-ja, që zgjidhet nga DAP-i. Në rastin e testimit të nëpunësve civilë të njësive teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore, përfaqësuesi i TND-së do të zgjidhet nga anëtarët e TND-së të ministrisë përgjegjëse për këto sisteme;
– dy ekspertë të fushës.

b) Për institucionet e pavarura:

– një përfaqësues nga njësia përgjegjëse e institucionit të pavarur, që po zhvillon procedurën, i përzgjedhur nga drejtuesi i njësisë përgjegjëse, i cili kryeson komisionin;
– një përfaqësues nga ASPA;
– nëpunësi më i lartë civil i institucionit të pavarur, që po zhvillon procedurën;
– dy ekspertë të fushës.”.

c) Pikat 11 e 12 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“11. Në rast se anëtarët e KV-së, përfaqësues të DAP-it, ASPA-s, njësive përgjegjëse të institucioneve të pavarura, TND-së apo nëpunësi më i lartë civil i institucionit të pavarur janë në kushtet e pamundësisë ligjore për të qenë anëtarë të KV-së ose, në mënyrë të pajustifikuar, nuk marrin pjesë në KV, ata zëvendësohen me nëpunës të tjerë të të njëjtit institucion, nga organet e emërtesës.

12. Vlerësimi i nëpunësve civilë, të cilët i nënshtrohen procedurës, bëhet nëpërmjet testimit me shkrim. Vlerësimi maksimal është 100 pikë.”.

d) Në pikën 13, fjalët “… dhe për intervistën me gojë…” hiqen.

dh) Pas pikës 15 shtohet pika 15/1, me këtë përmbajtje:

“15/1. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për secilin institucion të pavarur, detyrohen të krijojnë listat e nëpunësve civilë që i janë nënshtruar procedurës së testimit paraprak, së bashku me vlerësimet përkatëse.”.

e) Në pikën 20, pas fjalëve “… rekomandimet e DAP-it …”, shtohen fjalët “… për institucionet e administratës shtetërore dhe të njësive përgjegjëse të institucioneve të pavarura, për këto institucione.”.

ë) Pas pikës 22 shtohen pikat 23 dhe 24, me këtë përmbajtje:

“23. Brenda 10 ditëve, nga përfundimi i testimit me shkrim, Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, u njoftojnë nëpunësve civilë, të cilët i janë nënshtruar procedurës, si dhe njësive të burimeve njerëzore të institucioneve, ku këta nëpunës civilë janë të punësuar, rezultatin e testimit me shkrim.

24. Brenda afatit të përcaktuar në pikën 23, të kreut III, të këtij vendimi, Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, i vënë në dispozicion ASPA-s të dhënat për nëpunësit e vlerësuar “kënaqshëm” dhe “jokënaqshëm”.”.

f) Kudo në kreun III, shkurtimi “KVP”, zëvendësohet me “KV”.

4. Në kreun IV bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 1, fjalët “… nga eprori direkt…” hiqen;

b) Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Periudha 3-mujore e vlerësimit fillon 10 ditë pas përfundimit të testimit paraprak.”.

c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Brenda 5 ditëve, nga përfundimi i afatit të përcaktuar në pikën 23, të kreut III, të këtij vendimi, ASPA njofton nëpunësit e vlerësuar “jokënaqshëm” për kalendarin e zhvillimit të trajnimit, duke u vënë në dispozicion programet e trajnimit dhe materialet përkatëse. Në çdo rast, këto trajnime zhvillohen brenda gjysmës së parë të periudhës 3-mujore të vlerësimit.”.

ç) Pikat 4, 5 dhe 6 shfuqizohen.
d) Fjalia e dytë e pikës 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Mosrespektimi i kësaj dispozite pa shkaqe të arsyeshme konsiderohet shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligjin për nëpunësin civil dhe përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore.”.

dh) Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Në rast të mosrespektimit të detyrimit të përcaktuar në pikën 8, të kreut IV, të këtij vendimi, për një nga shkaqet e arsyeshme sipas pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, nëpunësi civil është i detyruar të ndjekë nga fillimi trajnimin përkatës, brenda 3 muajve, nga data e rikthimit në punë.”.

e) Pikat 11, 12 e 13 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“11. Testimi i nëpunësve civilë, të cilët kanë përfunduar trajnimin, realizohet nga i njëjti komision vlerësimi (KV) që ka zhvilluar procedurën e testimit paraprak.

12. Procedurat e rregullat për zëvendësimin e ekspertëve në KV dhe për pagesën e tyre si dhe për zëvendësimin e anëtarëve të tjerë të KV-së janë të njëjta me ato të përcaktuara në pikat 9, 10 e 11, të kreut III, të këtij vendimi.

13. Vlerësimi i nëpunësve civilë, të cilët i nënshtrohen procedurës, bëhet nëpërmjet testimit me shkrim. Vlerësimi maksimal është 100 pikë.”.

ë) Në pikën 14, fjalët “… dhe për intervistën me gojë …” hiqen.

f) Pas pikës 16 shtohen pikat 16/1 dhe 16/2, me këtë përmbajtje:

“16/1. Brenda 10 ditëve, nga përfundimi i testimit me shkrim, ASPA u njofton rezultatin nëpunësve civilë, të cilët u janë nënshtruar procedurave të trajnimit e testimit, Departamentit të Administratës Publike, njësive përgjegjëse të institucioneve të pavarura dhe njësive të burimeve njerëzore të institucioneve ku nëpunësit civilë janë të punësuar.

16/2. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për secilin institucion të pavarur, detyrohen të krijojnë listat e nëpunësve civilë, të cilët i janë nënshtruar testimit, në përfundim të trajnimit, së bashku me vlerësimet përkatëse.”.

g) Në pikën 19, pas fjalëve “… rekomandimet e DAP-it …” shtohen fjalët “… për institucionet e administratës shtetërore dhe të njësive përgjegjëse të institucioneve të pavarura, për këto institucione …”.

gj) Pika 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“22. Në përfundim të procedurave të mësipërme, nëpunësi civil vlerësohet jo i përshtatshëm me vendin e punës në rastin kur si rezultati në përfundim të periudhës së vlerësimit 3-mujor edhe rezultati i testimit me shkrim, në përfundim të trajnimit, janë “jokënaqshëm”.

II. Përjashtimisht për vitin 2018, përcaktimi i fushave, sipas pikës 7, të kreut II, të këtij vendimi, të bëhet brenda muajit qershor 2018.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren zyrtare’.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E INTEGRUAR BIBLIOTEKAR DATABKSH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Baza e të dhënave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë quhet dataBKSH.

2. Institucioni administrues i dataBKSH-së është Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

3. Të dhënat parësore të dataBKSH-së janë, si më poshtë vijon:

a) Përshkrimi bibliografik;
b) Klasifikimi dhjetor;
c) Fjalët kyçe;
ç) Numri i vendit;
d) Numri i inventarit;
dh) ISBN-ja (për librin).

4. Dhënës të informacionit sa i përket dataBKSH-së janë botuesit/entet botuese, institutet, qendrat, fondacionet, institucionet, sistemi ndërkombëtar bibliotekar, sistemi universitar dhe akademik.
5. DataBKSH shkëmben informacione me institucionet publike dhe private, që ushtrojnë funksione publike, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me statusin e standardeve shqiptare dhe fushat që lidhen me to. Në sistemin ndërkombëtar të informacionit ajo ndërvepron edhe me databazat e bibliotekave të sistemit ndërkombëtar bibliotekar, të organizatave ndërkombëtare në fushën e shkencës së bibliotekave dhe të informacionit, të librit, të trashëgimisë kulturore, të portaleve evropiane e botërore, duke u bazuar në të drejtat dhe detyrimet e statusit të anëtarësimit të BKSH-së në këto organizata dhe/ose rrjete rajonale, evropiane e botërore.

6. Të gjitha subjektet e interesuara kanë qasje të lirë në leximin dhe printimin e të dhënave të detajuara rreth materialit bibliotekar që kërkojnë (libra, artikuj, materiale dëgjimore-pamore, periodikë, harta dhe disertacione), si dhe kanë mundësi të krijojnë, të ruajnë e të printojnë lista bibliografike sipas tematikave të caktuara.

7. Përdoruesit e dataBKSH-së janë:

a) lexuesit;
b) bibliotekarët;
c) bibliografët;
ç) klasifikatorët.

Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës, të përcaktuara në procedurat e punës të këtij institucioni dhe të miratuara në rregulloren e brendshme të BKSH-së nga drejtori për secilin nga punonjësit e saj.

8. Subjektet e interesuara për dataBKSH-në janë, si më poshtë vijon:

a) Qytetarët;
b) Institucionet;
c) Qendrat;
ç) Organizatat;
d) Shoqatat;
dh) Fondacionet;
e) Sistemi kombëtar dhe ndërkombëtar bibliotekar;
ë) Sistemi universitar kombëtar;
f) Sistemi akademik kombëtar.

9. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të dataADLIB-së të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe të praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e shkencës së bibliotekave dhe të informacionit, të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

10. Ngarkohet Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STATUTIT TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 2, të nenit 27, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. STATUTI DHE MISIONI I SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR

Shërbimi Social Shtetëror është institucion buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore, më tej “Ministri”, me seli në Tiranë. Shërbimi Social Shtetëror ka si mision zbatimin e politikave të ministrisë përgjegjëse për çështjet e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror.

II. PËRGJEGJËSITË DHE FUNKSIONET E SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR

1. Shërbimi Social Shtetëror organizohet në dy nivele: në nivel qendror dhe rajonal, për çdo qark të vendit.

2. Shërbimi Social Shtetëror drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm është titullar i institucionit, i cili ushtron këto përgjegjësi:
a) Përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin e koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së tij;
b) Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të institucionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit;
c) Nxjerr urdhra dhe udhëzime për veprimtarinë e strukturave të institucionit, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe unifikon praktikat e punës së drejtorive rajonale;
ç) Bashkërendon veprimtarinë e institucionit me organet e tjera qendrore, rajonale dhe vendore në fushën e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
d) Siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme për çështje që lidhen me mirëfunksionimin e institucionit;
dh) Siguron zbatueshmërinë e politikave dhe të legjislacionit që rregullojnë veprimtarinë në fushën e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror në të gjitha nivelet;
e) Është përgjegjës për realizimin e objektivave specifikë vjetorë dhe treguesve të cilësisë së shërbimit, të miratuara nga ministri;
ë) Raporton çdo 6 (gjashtë) muaj për aktivitetin e institucionit te ministri dhe i paraqet brenda muajit të parë të vitit pasardhës raportin vjetor të institucionit;
f) I propozon ministrit për miratim rregullat që përcaktojnë metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Shërbimit Social Shtetëror;
g) I propozon ministrit për miratim rregulloret e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;
gj) Miraton rregulloret e strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe të institucioneve kombëtare të përkujdesjes shoqërore në varësi të Shërbimit Social Shtetëror.

3. Shërbimi Social Shtetëror, sipas fushave të veprimtarisë, në nivel qendror ka këto funksione:

3.1 . Për ndihmën ekonomike:

a) Vlerëson, përgatit dhe propozon nevojat e financimit afatmesëm dhe vjetor për ndihmën ekonomike;
b) Programon dhe detajon në fillim të vitit në bazë të treguesve të njësive të pushtetit vendor dhe në vijim në bazë të realizimit faktik çdo dy muaj fondet për ndihmën ekonomike, në përputhje me vlerësimin e nevojave të familjeve dhe të individëve për çdo bashki, si dhe të burimeve të buxhetit të shtetit;
c) Kontrollon përdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit për ndihmën ekonomike;
ç) Kontrollon zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
d) Merr vendimin për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe të masës së përfitimit për çdo rast individual, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi;
dh) Mbledh, përpunon dhe analizon të dhënat mbi shpërndarjen e ndihmës ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore dhe raporton, periodikisht, në ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale;
e) Raporton në ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, çdo tre muaj, mbi ecurinë e skemës së ndihmës ekonomike dhe rezultatet e kontrolleve të ushtruara në njësitë vendore;
ë) Propozon përmirësimin e programeve dhe të politikave në fushën e ndihmës ekonomike për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale;
f) Ushtron çdo kompetencë tjetër specifike sipas legjislacionit në fuqi për ndihmën ekonomike;
g) Asiston njësitë e qeverisjes vendore dhe trajnon nëpunësit e tyre në ofrimin dhe përmirësimin e shërbimeve për ndihmën ekonomike;
gj) Administron dhe mirëmban Regjistrin Elektronik Kombëtar të ndihmës ekonomike.

3.2 . Për aftësinë e kufizuar:

a) Vlerëson, përgatit dhe propozon nevojat e financimit afatmesëm dhe vjetor për pagesat e personave me aftësi të kufizuar;
b) Programon dhe detajon në fillim të vitit në bazë të treguesve të njësive të pushtetit vendor dhe në vijim në bazë të realizimit faktik çdo dy muaj fondet për pagesat e personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me vlerësimin e nevojave për fonde, të kryer nga çdo bashki, si dhe burimeve të buxhetit të shtetit.
c) Mbledh, përpunon dhe analizon të dhënat satistikore mbi shpërndarjen e pagesave të personave me aftësi të kufizuar nga njësitë e qeverisjes vendore dhe i raporton, periodikisht, ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale dhe INSTAT-it;
ç) Administron procesin e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar në komisionet e vlerësimit në nivel rajonal, kombëtar dhe epror;
d) Trajnon dhe asiston administratorët shoqërorë në njësitë e qeverisjes vendore për procedurat që lidhen me përditësimin e të dhënave të Regjistrit Elektronik Kombëtar për aftësinë e kufizuar;
dh) Raporton në ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, çdo tre muaj, për ecurinë e skemës së aftësisë së kufizuar dhe rezultatet e kontrolleve të ushtruara në njësitë vendore;
e) Propozon përmirësimin e programeve dhe të politikave në fushën e aftësisë së kufizuar për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale;
ë) Ushtron çdo kompetencë tjetër specifike sipas legjislacionit për pagesën e personave me aftësi të kufizuar;
f) Asiston njësitë e qeverisjes vendore dhe trajnon nëpunësit e tyre në ofrimin dhe përmirësimin e shërbimeve të pagesave të personave me aftësi të kufizuar;
g) Administron dhe mirëmban Regjistrin Elektronik Kombëtar të aftësisë së kufizuar.

3.3. Për shërbimet e kujdesit shoqëror:

a) I propozon ministrisë standardet dhe protokollet për menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe ndryshimet në to;
b) Mbledh, përpunon dhe analizon të dhënat satistikore për ecurinë e sistemit të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe raporton, çdo katër muaj, në ministrinë përgjegjëse;
c) Harton raportin vjetor të vlerësimit të nevojave për shërbime të kujdesit shoqëror dhe të kapaciteteve të shërbimeve publike e jopublike;
ç) Kryen vlerësimin periodik të kapaciteteve dhe të nevojave për trajnim dhe i propozon bordit të edukimit të vazhdueshëm objektin e trajnimeve të profesionistëve që ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror;
d) Mbledh kërkesat e njësive të qeverisjes vendore në lidhje me fondin social si dhe vlerëson, përgatit e propozon planin e financimit afatmesëm dhe vjetor për shërbimet sociale;
dh) Monitoron zbatimin e standardeve kombëtare nga njësitë e qeverisjes vendore dhe ofruesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror, që financohen pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i qeverisjes qendrore, dhe informon ministrinë përgjegjëse, si dhe jep rekomandime për njësitë e qeverisë vendore përgjegjëse. Monitorimi realizohet në përputhje me metodologjinë e miratuar;
e) Kontrollon njësitë e qeverisjes vendore për ekzekutimin e pjesës së fondit social të financuar nga buxheti i qeverisjes qendrore (fondet e kushtëzuara) dhe informon, periodikisht, për gjetjet ministrinë përgjegjëse;
ë) Përgatit dhe i propozon ministrisë parashikimet për buxhetin afatmesëm dhe vjetor të institucioneve kombëtare të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
f) Menaxhon burimet njerëzore të institucioneve kombëtare të kujdesit shoqëror;
g) Bashkërendon procesin e hartimit të planeve sociale, duke siguruar që këto plane të përputhen me strategjitë kombëtare;
gj) Siguron asistencë teknike dhe këshillim për njësitë e qeverisjes vendore në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
h) Siguron trajnimin e personelit të administratës të njësive të qeverisjes vendore që mbulon aspektet e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
i) Bashkëpunon me Urdhrin e Punonjësit Social dhe Urdhrin e Psikologut për çështje që lidhen me profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
j) Zotëron të drejtën për vendimmarrje për akomodimin në qendra të shërbimit rezidencial të kujdesit shoqëror të individëve në nevojë, për të cilët nuk janë të mundura zgjidhjet komunitare;
k) Administron dhe mirëmban regjistrat elektronikë kombëtarë të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
l) Ushtron çdo kompetencë tjetër specifike sipas legjislacionit për shërbimet e kujdesit shoqëror.

4. Shërbimi Social Shtetëror, në nivel rajonal, ka këto funksione:

a) Mbledh të dhëna satistikore për ecurinë e sistemit të ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të kujdesit shoqëror në qarkun përkatës;
b) Vlerëson nevojat për ndihmën ekonomike, aftësinë e kufizuar dhe shërbimet e kujdesit shoqëror në territorin e qarkut përkatës;
c) Kontrollon zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të personave me aftësi të kufizuara;
ç) Kontrollon ekzekutimin e pjesës së fondit social, të financuar nga buxheti i qeverisjes qendrore, nga njësitë e qeverisjes vendore;
d) Monitoron zbatimin e standardeve kombëtare nga njësitë e qeverisjes vendore dhe ofruesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror, që financohen pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i shtetit, në qarkun përkatës;
dh) Bashkërendon procesin e hartimit të planeve sociale, duke siguruar që këto plane të përputhen me strategjitë kombëtare;
e) Verifikon të dhënat e regjistruara nga administratori shoqëror në Regjistrin Kombëtar Elektronik të të dhënave dhe nga autoritetet shtetërore përgjegjëse për familjet/individët në nevojë, të cilët janë propozuar me vendim të këshillit bashkiak që të trajtohen me ndihmë ekonomike;
ë) Përditëson arkivin elektronik të përfituesve me aftësisi të kufizuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
f) Zotëron të drejtën për vendimmarrje për miratimin apo refuzimin e kërkesës për ndihmë ekonomike dhe përcaktimin e masës së përfitimit;
g) Njofton vendimarrjen për ndihmën ekonomike në bashkinë përkatëse;
gj) Shqyrton ankimin administrativ ndaj vendimmarrjes, sipas shkronjës “g”, të kësaj pike;
h) Monitoron shërbimin e përkujdesjes alternative për fëmijët pa kujdes prindëror, çdo tre muaj, përfshirë proceset e punës së punonjësit social të njësisë vendore dhe monitoron fëmijët e vendosur në familje kujdestare, në qarkun përkatës;
i) Ushtron çdo kompetencë tjetër specifike sipas legjislacionit për ndihmën ekonomike, aftësinë e kufizuar dhe shërbimet e kujdesit shoqëror.

5. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Shërbimit Social Shtetëror në nivel qendror rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Shërbimit Social Shtetëror në nivel rajonal, si dhe të nëpunësve administrativë të Shërbimit Social Shtetëror në nivel qendror dhe në nivel rajonal rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Procedura e rekrutimit të nëpunësve, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës, të kryhet sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale.

III. STEMA DHE VULA ZYRTARE E SHSSH-SË

6. SHSSH-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.

7. Stema e SHSSH-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë dhe ka shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror”.

8. Vula e SHSSH-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e SHSSH-së përmban dhe shënimin identifikues “Shërbimi Social Shtetëror”. Vula e drejtorisë qendrore përmban shënimin specifikues “Drejtori Qendrore”, ndërsa vulat e drejtorive rajonale përmbajnë dhe shënimin identifikues: “Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoria Rajonale e (emri përkatës i qarkut)”.

9. Vula e SHSSH-së dhe vulat e drejtorive rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT

10. Përveç sa parashikohet më sipër në këtë vendim, Shërbimi Social Shtetëror është përgjegjës për administrimin e shërbimeve ekzistuese kombëtare deri në kalimin e tyre në varësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas afateve të përcaktuara në ligj.

11. Vendimi nr.542, datë 27.7.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e statutit të Shërbimit Social Shtetëror”, i ndryshuar, shfuqizohet.

12. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E ORGANIZATAVE TË PUNËDHËNËSVE DHE TË PUNËMARRËSVE NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË PUNËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Organizatat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve, anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punës, janë, si më poshtë vijon:

A. Për organizatat e punëdhënësve:

a) Bashkimi i Bizneseve Shqiptare (BIZNES ALBANIA) 1 anëtar, 1 kandidat;
b) Shoqata Shqiptare e Bankave (SHSHB) 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Shoqata Shqiptare e Turizmit (SHSHT) 1 anëtar, 1 kandidat;
d) Shoqata e Bizneseve të Ushqim-Pijeve (SHBUP) 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit (SHSHTI) 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Bashkimi i Investitorëve dhe Industrialistëve Shqiptarë (BI&ISH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSHS) 1 anëtar, 1 kandidat;
g) Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) 1 anëtar, 1 kandidat.

B. Për organizatat e punëmarrësve:
a) Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
b) Aleanca e Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë (ASASH) 1 anëtar, 1 kandidat;
c) Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ç) Sindikata e Re e Naftëtarëve të Shqipërisë (SRNSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
d) Sindikata Autonome e UshqimIT, Tregtisë, Turizmit (SAUTT) 1 anëtar, 1 kandidat;
dh) Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
e) Federata e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FPISH) 1 anëtar, 1 kandidat;
ë) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor (FSPSHSH) 1 anëtar, 1 kandidat;
f) Federata e Sindikatave të Punonjësve të Artizanatit dhe Manifakturës (FSPAM) 1 anëtar, 1 kandidat;
g) Federata e Sindikatave të Shërbimeve Financiare, Tregtisë, Bankës e Turizmit, 1 anëtar, 1 kandidat.

2. Emërimi i anëtarëve dhe i kandidatëve të Këshillit Kombëtar të Punës bëhet nga ministri përgjegjës për punën, sipas propozimeve të organizatave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Vendimi nr.1060, datë 14.12.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e numrit të përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 13, të ligjit nr.10093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Emërimin në detyrë të disa anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, si më poshtë vijon:

– Z. Adrian Thano;
– Z. Alban Dudushi;
– Z. Aldo Merkoçi;
– Z. Ismail Ademi;
– Znj. Kozara Kati.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 12.3.2018.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

VENDIM

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR VITIN 2018, PËR PROJEKTET DHE AKTIVITETET NË KUADËR TË VITIT MBARËKOMBËTAR TË GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, t’i shtohet fondi prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2018, për projektet dhe aktivitetet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E WEBGIS PËR MENAXHIMIN E VEPRIMTARISË ARKEOLOGJIKE NË TERREN TË AGJENCISË SË SHËRBIMIT ARKEOLOGJIK
NË MBËSHTETJE TË NENIT 100 TË KUSHTETUTËS DHE TË NENIT 4, TË LIGJIT NR.10325, DATË 23.9.2010, “PËR BAZAT E TË DHËNAVE SHTETËRORE”, ME PROPOZIMIN E MINISTRIT TË KULTURËS, KËSHILLI I MINISTRAVE

V E N D O S I:

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore për Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik (në vijim, ASHA).

2. Baza e të dhënave të ASHA-së quhet “Databaza Gjeografike për Regjistrimin e Aktivitetit në Terren të ASHA-së” (në vijim, DGJRAT).

3. Sistemi WebGIS për menaxhimin e veprimtarisë arkeologjike në terren (në vijim, SWMVAT) të ASHA-së përmban të dhëna për:

a) vëzhgimet arkeologjike të kryera në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) sondazhet arkeologjike të kryera në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) gërmimet arkeologjike të kryera në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ç) zonifikimet arkeologjike të miratuara sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave;
d) proceset arkeologjike në kuadër të projekteve kërkimore-shkencore.

4. Institucioni administrues i sistemit WebGIS të ASHA-së është Agjencia e Shërbimit Arkeologjik.

5. Të dhënat parësore të DGJRAT-së janë, si më poshtë vijon:

a) Shtresë poligon për vëzhgimet e projekteve të zhvillimit;
b) Shtresë pikë për sondazhet arkeologjike;
c) Shtresë poligon për gjetjet arkeologjike/projektet shkencore;
ç) Shtresë pikë për gjetjet arkeologjike/projektet shkencore;
d) Shtresë poligon për zonifikimin arkeologjik;
dh) Të dhëna për projekte (emri i projektit, përshkrimi i gjetjes, të dhëna lidhur me gjetjet, statusi i ndjekjes nga ASHA-ja, të dhëna për subjektin zbatues, të dhëna për aplikantin e ASHA-së).
e) Materiale digjitale (planvendosja e projektit e gjeoreferencuar, koordinata të gjetjes, shtresë GIS me zonat e vëzhgimit, raport arkeologjik).

6. Dhënës i informacionit, sa i përket SWMVAT-së, është Agjencia e Shërbimit Arkeologjik.

7. DGJRAT-ja komunikon me Gjeoportalin Kombëtar, i cili administrohet nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

8. Informacioni i shtresave gjeografike të databazës shërbehet me anë të WMS-së publike, duke e bërë këtë informacion të konsultueshëm nga sisteme të ngjashme të tjera dhe/ose në programe GIS Desktop.

9. Subjektet e interesuara kanë nivel aksesi si lexues e konsultues, lidhur me informacionin e vënë në dispozicion, nëpërmjet aplikimit WebGIS në faqen e internetit të ASHA-së.

10. Për punonjësit e ASHA-së niveli i aksesimit përcaktohet në rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të SWMVAT-së.

11. Baza e të dhënave të DGJRAT-së ka 3 nivele përdoruesish (users, levels):

a) Administratori;
b) Specialisti GIS i ASHA-së;
c) Punonjësi i thjeshtë i ASHA-së.

Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës, të përcaktuara në procedurat e punës, si dhe të miratuara nga drejtori i ASHA-së, për secilin nga punonjësit e saj.

12. Subjektet e interesuara për SWMVAT-në janë, si më poshtë vijon:

a) Institucionet shtetërore të specializuara;
b) Institucionet publike e private (persona juridikë që kanë interes për qëllime informimi);
c) Grupet e interesit (subjekte private të licencuara në fushën e arkeologjisë);
ç) Trupat akademike (Instituti i Arkeologjisë, universitetet, studentët).

13. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të SWMVAT-së të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe të praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e arkeologjisë, të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

14. Ngarkohet Agjencia e Shërbimit Arkeologjik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2019-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2019-2021, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PASURIVE NR.8/638 DHE NR.8/637, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE NR.8270 DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.25, DATË 9.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME TË BASHKISË TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8 dhe 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pasurive nr.8/638, me sipërfaqe 2 400 (dy mijë e katërqind) m2, dhe nr.8/637, me sipërfaqe 23 (njëzet e tre) m2, me vendndodhje në zonën kadastrale nr.8270, indeks harte TR-U-10, sipas formularit dhe hartave treguese bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e aktivitetit social-kulturor të Cirkut të Tiranës.

2. Pika 1, e vendimit nr.25, datë 9.1.2013, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

FUNKSIONIMIN DHE ADMINISTRIMIN E REGJISTRIT ELEKTRONIK KOMBËTAR TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të pikës 5, të nenit 29, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Vënien në funksionim të Regjistrit Elektronik Kombëtar për regjistrimin dhe administrimin e të dhënave të rasteve, individëve/familjeve në nevojë për të përfituar shërbime të kujdesit shoqëror (në tekst “Regjistri Elektronik Kombëtar i Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror”).

2. Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror administrohet e përditësohet nga Shërbimi Social Shtetëror, si institucioni administrues, në kuptim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe aksesohet nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në nivel bashkie e qarku.

3. Regjistri Elektronik Kombëtar i Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror shërben për:

a) ndërtimin e një mekanizmi funksional të referimit, ndjekjes, monitorimit dhe vlerësimit të rastit;
b) identifikimin e rasteve, këshillimin dhe hartimin e planeve individuale të përkujdesjes nga njësia e vlerësimit të nevojave dhe referimit të rastit, në përputhje me ligjin e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
c) referimin në shërbimet specifike sociale të nivelit vendor, rajonal apo kombëtar;
ç) lehtësimin e komunikimit, të verifikimit dhe bashkëpunimit me regjistrat e tjerë elektronikë;
d) unifikimin e kompjuterizimin e të dhënave të rasteve dhe përmirësimin e cilësisë së statistikave të harmonizuara, të gjeneruara nga sistemi;
dh) identifikimin e menaxhimin e rasteve dhe hartimin e planeve individuale të mbrojtjes nga strukturat për mbrojtjen e fëmijës, në përputhje me ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

4. Çdo përdorues i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror pajiset nga institucioni administrues me emrin e përdoruesit “user name”, fjalëkalimin “password” dhe me manualet për hedhjen e të dhënave në sistem, operimin dhe përdorimin e faqes web.

5. Institucionet përgjegjëse në proceset e punës janë:

a) njësitë e vlerësimit të nevojave dhe referimit të rasteve në nivel vendor;
b) drejtoritë e shërbimeve të kujdesit shoqëror në bashki;
c) njësitë për mbrojtjen e fëmijëve;
ç) strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në qark;
d) drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror;
dh) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror;
e) institucionet e përkujdesjes shoqërore;
ë) organizatat jofitimprurëse;
f) inspektorati përgjegjës për shërbimet e kujdesit shoqëror;
g) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

6. Dhënës të informacionit në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror janë:

a) aplikantët;
b) punonjësi social i bashkisë/njësisë administrative/njësisë për mbrojtjen e fëmijëve;
c) menaxherët e rastit në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

7. Regjistri Elektronik Kombëtar i Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror përfshin:

a) familjet dhe çdo fëmijë si dhe fëmijën që gëzon mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi për azilin;
b) fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara;
c) të rriturit me probleme sociale, viktimat e dhunës, të trafikimit, varësisë së provuar ndaj drogës e alkoolit;
ç) vajzat shtatzëna apo prindi i vetëm i një fëmije deri në moshën njëvjeçare;
d) të miturit e të rinjtë në konflikt me ligjin, që kanë përfunduar periudhën e dënimit dhe kanë nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror, me qëllim riintegrimin në shoqëri, si dhe ata që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare me vendim të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët në Republikën e Shqipërisë;
dh) të moshuarit në nevojë.

8. Të dhënat që përmban regjistri ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

8.1. Të dhëna parësore për Regjistrin Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, të administruara nga Shërbimi Social Shtetëror, janë të dhënat për:

a) raste të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror;
b) përfitues të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
c) verifikimin e të dhënave të rastit të unifikuar e të referuar për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror në rrugë elektronike, nëpërmjet ndërveprimit të bazës të të dhënave shtetërore ose komunikimit me institucionet/organet e tjera apo intervistës së përfituesit të shërbimit të kujdesit shoqëror;
ç) dosjen elektronike të rastit të unifikuar e të referuar për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror, ku do të skanohet i gjithë dokumentacioni në letër (fizik) i mbledhur;
d) marrjen e vendimit për trajtimin e rastit të unifikuar e të referuar për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror.

8.2. Të dhëna dytësore konsiderohen ato që sigurohen nga këto baza të dhënash:

a) Regjistri Kombëtar i Shtetasve (National Civil Registry – NCR):
i. Nr. personal (ose NID)
ii. Emri;
iii. Atësia;
iv. Mbiemri;
v. Gjinia;
vi. Data e lindjes;
vii. Vendbanimi (në nivel bashkie ose komune);
viii. Lidhja me kryefamiljarin.

b) Sistemi i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB):

i. Të dhënat për regjistrimin e subjekteve në Regjistrin Tregtar dhe Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve:

– Numri Unik i Identifikimit (NUIS ose NIPT);
– Emri i subjektit;
– Emri tregtar;
– Adresa e ushtrimit të veprimtarisë;
– Emri, mbiemri i përfaqësuesit ligjor (administratori);
– Statusi (aktiv/i pezulluar/në likuidim e sipër/i çregjistruar).

ii. Të dhënat në lidhje me licencën/at që zotëron/jnë subjektet:

– Emri dhe stema e QKL-së;
– Seria, numri dhe data e miratimit dhe e hyrjes në fuqi;
– Numri Unik i Identifikimit (NUIS ose NIPT);
– Adresa e ushtrimit të veprimtarisë, ku kryhet veprimi apo përdoret e mira;
– Lloji i veprimtarisë, veprimi apo e mira publike dhe përdorimi i saj;
– Kufizimet në ushtrimin e veprimtarisë, të kryerjes së veprimit apo përdorimit të së mirës publike (nëse ka);
– Afati i vlefshmërisë;
– Statusi i licencës/ave (aktiv/ i pezulluar/ i revokuar).

c) Sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:

Të dhënat për regjistrimin e subjekteve (të regjistruara si Organizata Jofitimprurëse (OJF), të cilat ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror):

– Numri Unik i Identifikimit (NUIS ose NIPT);
– Emri i subjektit;
– Emri tregtar;
– Adresa e ushtrimit të veprimtarisë;
– Emri, mbiemri i përfaqësuesit ligjor (administratori);
– Statusi (aktiv/ i pezulluar/ në likuidim e sipër/ i çregjistruar).
ç) Sistemi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit:

i. Statusi i personit të regjistruar në zyrën e punësimit, për një nga gjendjet e përshkruara më poshtë:

– punëkërkues aktiv;
– person punëkërkues i papunë, me përfitim pagese papunësie ose jo.

ii. Person punëkërkues i çregjistruar:

– refuzon vende pune;
– refuzon pjesëmarrje në programe të tjera shtetërore;
– refuzon formim profesional.

d) Sistemi i Regjistrit Kombëtar të Ndihmës Ekonomike:

i. Nr. aplikimi;
ii. Kategoria e aplikimit;
iii. Masa e përfitimit;
iv. Muaji i përfitimit;
v. Arsyeja e refuzimit (nëse ka).

dh) Sistemi i Regjistrit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar:

i. Nr. aplikimi;
ii. Kategoria e aplikimit;
iii. Masa e përfitimit;
iv. Muaji i përfitimit;
v. Arsyeja e refuzimit (nëse ka).

e) Sistemi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore:

i. Përfitues pensioni;
ii. Lloji i pensionit;
iii. Afati i marrjes së pensionit familjar;
iv. Masa e pensionit.

ë) Sistemi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP):

i. Lloji i pronës;
ii. Sipërfaqja e pronës;
iii. Vendndodhja e pronës;
iv. ID-ja e pronës;
v. Dokumenti i kartelës së pasurisë.

f) Regjistri elektronik shëndetësor i banorëve (pranë FSDKSH, karta e shëndetit):

i. Mjeku i familjes;
ii. Qendra shëndetësore;
iii. Kategoria e sigurimit.

g) Sistemi i gjykatave (ICMIS):
Statusi (psh: në gjykim ose ekzistencë vendimi i formës së prerë për “Urdhër Mbrojtjeje”etj).

gj) Programi SIVET i administrimit të rasteve të viktimave/ viktimave të mundshme të trafikimit:
Statusi (nëse është viktimë/viktimë e mundshme e trafikimit)

9. Ndërveprimi me baza të tjera të të dhënave shtetërore, që nuk janë të përcaktuara në pikën 8.2, të këtij vendimi, por që do të ngrihen me vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave, proceset elektronike të punës në baza të dhënash të tjera të shërbimeve të kujdesit shoqëror si dhe procedurat përkatëse realizohen në përputhje me rregullat e miratuara në zbatim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave”.

10. Niveli i aksesit në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror është, si më poshtë vijon:

a) Punonjësi social i bashkisë/njësisë administrative/menaxheri i rastit në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijës kanë të drejtë shkrimi, leximi, vlerësimi dhe modifikimi mbi të dhënat e aplikantëve/rasteve të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror të njësive të tyre administrative;
b) Punonjësi social në nivel qarku ka të drejtë leximi, vlerësimi dhe modifikimi mbi të dhënat e aplikantëve/rasteve të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror të njësive të tyre administrative;
c) Punonjësit në drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror kanë të drejtë leximi dhe vlerësimi mbi të dhënat e aplikantëve, të drejtë leximi dhe gjenerimi të listave mujore të rasteve të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror në qarkun e tyre;
ç) Përdoruesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror kanë të drejtë leximi mbi të dhënat e aplikantëve dhe gjenerimi të listave mujore të rasteve të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror;
d) Titullari i institucionit të përkujdesjes shoqërore ka të drejtë leximi, vlerësimi dhe modifikimi mbi të dhënat e rasteve të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror;
dh) Menaxheri i rastit në institucionin e përkujdesjes shoqërore/OJF gjeneron nga sistemi detyrat e veta, plotëson aktivitetet e kryera në sistem dhe ka të drejtë modifikimi të planit individual të kujdesit shoqëror;
e) Inspektorët e shërbimeve të kujdesit shoqëror kanë të drejtë gjenerimi të listave mujore të rasteve të unifikuara e të referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit shoqëror;
ë) Përdoruesit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë të drejtë leximi mbi të dhënat e aplikantëve dhe gjenerimin e raporteve statistikore.

11. Rregullorja e përdorimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror dhe niveli i aksesit për përdoruesit përcaktohen në manualin e përdorimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, të miratuar nga administratori i këtij regjistri.

12. Përdorimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

13. Subjektet e tjera, sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave, kanë akses në nivelin raportues apo statistikor për të monitoruar ose raportuar mbi të dhënat e aplikimeve.

14. Administrimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit bëhet nga Shërbimi Social Shtetëror, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në përputhje me pikën 2, të këtij vendimi. Administrimi teknik i infrastrukturës hardware dhe software të sistemit bëhet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në përputhje me shkronjën “y”, të pikës 6, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave.

15. Ngarkohen institucionet shtetërore, përdoruese të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, të përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, të hedhin të dhënat që disponojnë, për përditësimin e regjistrit.

16. Ngarkohen institucionet shtetërore, që administrojnë bazat e të dhënave të përcaktuara në pikën 8.2., të sigurojnë të dhënat e përcaktuara në këtë vendim.
17. Përdoruesit e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë e këtyre të dhënave personale gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, në përputhje me nenin 28, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

18. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e përcaktuara në pikën 8.2. për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.997, DATË 10.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE QË DËRGOHEN ME SHËRBIM JASHTË QENDRËS SË PUNËS, BRENDA VENDIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndarja I e vendimit nr.997, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon:

“I. Punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilët shkojnë me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit, trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit.”.

2. Ngarkohen njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.