Postuar më: 6 Mars 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2019:

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.590, DATË 18.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË UJIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.590, datë 18.10.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Ujit”, fjalët “Ministrin e Brendshëm” zëvendësohen me “Ministrin e Mbrojtjes”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

U DH Ë Z I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË UDHËZIMIN NR.4, DATË 12.12.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E MASËS SË SHPENZIMEVE DHE PAGESAVE TË EKSPERTËVE DHE DËSHMITARËVE GJATË PROCESIT GJYQËSOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 105/a, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në udhëzimin nr.4, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në ndarjen I, pikat 2, 3 dhe 4 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“2. Gjykata thërret ekspertë që ofrojnë ekspertizë në një proces gjyqësor, mbështetur në të dhënat e Regjistrit Elektronik të Ekspertëve, që administron dhe vë në dispozicion Ministria e Drejtësisë.
3. Gjykata, pa cenuar administrimin e drejtësisë, bën përzgjedhjen e ekspertëve në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke konsideruar që çdo eksperti nuk mund t’i caktohet për të ofruar ekspertizën e tij më shumë se 30% e numrit të çështjeve gjyqësore për të cilat është kërkuar e njëjta lloj ekspertize, brenda një viti kalendarik. Kjo mënyrë caktimi nga gjykata siguron një nivel transparence të përshtatshme lidhur me përzgjedhjen e ekspertëve përmes mjeteve informatike.
4. Gjykata thërret një ekspert jashtë Regjistrit Elektronik të Ekspertëve, vetëm kur, për nevoja të procesit, eksperti nevojitet nga fusha të veçanta ekspertize, për të cilat ligji nuk parashikon licencimin e tyre.”.
2. Në ndarjen V, pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pagesat për ekspertët dhe dëshmitarët, në rastet kur gjykata ka vendosur përjashtimin nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore në kuptim të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, kryhen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, sipas rregullave dhe procedurës së përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Drejtësisë.”.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË RREGULLAVE TË PËRZGJEDHJES SË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, TË AUTORIZUARA PËR OFRIMIN E NDIHMËS JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI, QË PËRFITOJNË FINANCIME NGA BUXHETI I SHTETIT DHE MËNYRA E FINANCIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Organizatat jofitimprurëse, të autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti (në vijim “organizata jofitimprurëse të autorizuara”) përfitojnë financime nga buxheti i shtetit, pas një procesi konkurrues dhe transparent përzgjedhjeje, bazuar në procedurat dhe rregullat e përcaktuara në këtë vendim.
2. Procedurat e përfitimit të financimit të organizatave jofitimprurëse të autorizuara bëhen duke u bazuar në parimet e mëposhtme:
a) Konkurrueshmërisë;
b) Trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të organizatave jofitimprurëse të autorizuara, aplikuese për përfitimin e financimit;
c) Transparencës të të gjitha fazave që lidhen me shqyrtimin, vendimmarrjen dhe përzgjedhjen e organizatave jofitimprurëse të autorizuara;
ç) Kritereve të mirëpërcaktuara dhe publike, të cilat do të mundësojnë vlerësimin e propozimeve të organizatave jofitimprurëse të autorizuara në raport me objektivat dhe prioritetet e mbështetjes financiare;
d) Efektivitetit dhe ekonomizimit në shfrytëzimin e fondeve publike, duke siguruar që të arrihen objektivat dhe prioritetet e përcaktuara me një kosto sa më të favorshme për realizimin e shërbimit të synuar;
dh) Respektimit të plotë të parimeve të llogaridhënies dhe raportimit në përdorimet e fondeve publike;
e) Financimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore për kategoritë e përfitueseve që janë me prioritet për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas dhe në interes të përfituesve të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti;
ë) Ruajtjes së pavarësisë së organizatës jofitimprurëse të autorizuar;
f) Parandalimit të konfliktit të interesit, si dhe të çdo aktiviteti tjetër që rrezikon ofrimin me integritet të ndihmës juridike të garantuar nga shteti.
3. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas planifikon në buxhetin e saj një zë të veçantë për financimin e organizatave jofitimprurëse të autorizuara dhe harton, në bazë të shumës së miratuar, planin vjetor të financimit.
4. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, brenda 1 muaji nga miratimi i buxhetit, bën publike në faqen zyrtare të saj planin vjetor të financimit që përmban:
a) shumën e përfitimit financiar për vitin fiskal;
b) objektivat e përfitimit financiar, sipas nevojave të identifikuara;
c) numrin e përafërt të organizatave jofitimprurëse të autorizuara që mund të përfshihen në procesin e përzgjedhjes;
ç) kohën e hapjes së thirrjes për aplikime; dhe
d) kohën e fillimit të zbatimit të ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti.
5. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas njofton, në faqen zyrtare të institucionit dhe pranë Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, çdo fillim viti kalendarik, thirrje të përgjithshme ose gjatë vitit, në raste të veçanta ose të paparashikuara, për përmbushjen e nevojave të kategorive të caktuara të popullsisë për ndihmë juridike parësore, duke caktuar:
a) shumën e fondeve financiare në dispozicion;
b) numrin e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që mund të përfitojnë financimin e caktuar;
c) kriteret e përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësojnë organizatat jofitimprurëse të autorizuara;
ç) listën e dokumenteve të nevojshme për t’u paraqitur;
d) afatin e përfundimit të thirrjes;
dh) të dhëna për mënyrën e dorëzimit të aplikimeve;
e) udhëzime të tjera të nevojshme për plotësimin e aplikimit, të cilat përcaktohen me urdhër të drejtorit të Ndihmës Juridike Falas dhe që publikohet së bashku me thirrjen.
6. Për t’u kualifikuar për të përfituar financime, organizatat jofitimprurëse të autorizuara duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe të veçanta, si më poshtë vijon:
a) Kritere të përgjithshme:
i. të kenë marrë autorizimin nga ministri i Drejtësisë për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti;
ii. të mos kenë dy burime të njëjta financimi për të njëjtin aktivitet;
iii. të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi që cenon zhvillimin e drejtë të procesit të përzgjedhjes me drejtorin e Ndihmës Juridike Falas.
b) Kritere të veçanta:
i. projektpropozimin, i cili përmban të dhënat teknike–financiare për ofrimin e shërbimit, qëllimin, objektivat specifikë, aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë;
ii. të dhëna për personelin, duke specifikuar detyrat dhe siguruar jetëshkrimin e tyre;
iii. të dëshmojnë se kanë përvojë në realizimin e shërbimeve të ngjashme, duke siguruar dokumente dhe të dhëna të realizimit të shërbimeve të ngjashme në të kaluarën, nëse kjo është e domosdoshme, sipas thirrjes përkatëse;
iv. kërkesa të tjera specifike që mund të jenë të nevojshme për ofrimin e ndihmës juridike parësore, sipas thirrjes publike të veçantë.
7. Dokumentacioni për vërtetimin e plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta depozitohet pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Organizata jofitimprurëse e autorizuar duhet të dëshmojë se i plotëson kriteret e veçanta duke dorëzuar dokumentet përkatëse sipas pikës 6, të këtij vendimi, dhe thirrjes publike. Në rast të mosplotësimit të një prej kritereve të veçanta, aplikimi konsiderohet i paplotë dhe, si i tillë, nuk kualifikohet për përfitimin financiar.
8. Pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas ngrihet dhe funksionon, me kohë të pjesshme:
a) Komisioni vlerësues për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve për financim të organizatave jofitimprurëse të autorizuara;
b) Komisioni i ankimit për shqyrtimin e ankesave për shkelje të qëllimshme të procedurës së shqyrtimit, të vendimeve për përzgjedhjen e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që përfitojnë financim, si edhe të masës së financimit.
9. Komisioni vlerësues përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 2 (dy) përfaqësues nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, që mbulojnë çështjet juridike;
b) 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, që mbulon çështjet e financës dhe buxhetit;
c) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, që mbulon çështjet e të miturve;
ç) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, që mbulon çështjet e financës dhe buxhetit.
10. Komisioni i ankimit përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, prej të cilëve 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas dhe 2 (dy) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë. Në komisionin e ankimit nuk mund të marrin pjesë anëtarët të cilët kanë marrë pjesë në shqyrtimin e aplikimeve, në kuadër të komisionit vlerësues.
11. Komisioni vlerësues dhe komisioni i ankimit krijohen gjatë kohës që thirrja publike për aplikim është e hapur dhe emrat e anëtarëve nuk bëhen publikë deri para shpalljes së rezultateve të shqyrtimit të ankesave. Në komisione nuk mund të marrin pjesë subjekte që gëzojnë statusin e funksionarit politik.
12. Për të siguruar nevojat administrative dhe mbështetjen organizative për veprimtarinë e komisionit vlerësues dhe të komisionit të ankimit, me urdhër të drejtorit të Ndihmës Juridike Falas, ngrihet sekretariati teknik, i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.
13. Rregulla më të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e komisionit vlerësues dhe komisionit të ankimit përcaktohen në rregulloren e brendshme të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, që miratohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
14.Komisioni vlerësues shqyrton aplikimet dhe vlerëson përmbushjen e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta, si dhe cakton masën financiare përfituese brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e mbylljes së thirrjes publike.
15. Rezultatet e verifikimit publikohen në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, brenda 3 (tri) ditëve nga dita e përfundimit të procesit të shqyrtimit.
16. Vendimi i komisionit vlerësues mund të ankimohet pranë komisionit të ankimit, brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i rezultateve për shkelje të procedurave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
17. Ankesa shqyrtohet nga komisioni i ankimeve, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes.
18. Komisioni i ankimit nxjerr vendim të arsyetuar për pranimin ose mospranimin e ankesës. Vendimi i arsyetuar i komisionit të ankimit i njoftohet organizatës jofitimprurëse të autorizuar që ka bërë ankimin, jo më vonë se 2 (dy) ditë nga marrja e vendimit dhe publikohet në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në gjykatën administrative kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.
19. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas lidh kontratën e shërbimit të ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike parësore me organizatën jofitimprurëse të autorizuar të përzgjedhur, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i procesit të përzgjedhjes.
20. Kontrata e shërbimit lidhet për një periudhë 1 (një)-vjeçare dhe përmban:
a) të dhëna lidhur me vlerën e financimit të përfituar;
b) shtrirjen territoriale të shërbimit të ofruar të ndihmës juridike parësore;
c) target – grupet e përfituesve të ndihmës juridike të synuar;
ç) mënyrën dhe mekanizmat e monitorimit të zbatimit të kontratës së shërbimit;
d) përcaktime të qarta lidhur me:
i. qëllimin e përfitimit financiar dhe ndalimin e përdorimit të vlerës së përfituar për qëllime të tjera jashtë kontekstit të ndihmës juridike parësore;
ii. mënyrën e kryerjes së pagesës dhe të transaksioneve financiare nëpërmjet institucioneve bankare, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi;
iii. shmangien e konfliktit të interesit gjatë përdorimit të masës financiare të përfituar.
dh) rastet kur kontrata e shërbimit mund të zgjidhet para përfundimit të saj;
e) mënyrën e kthimit të vlerës financiare në rast të ndërprerjes së kontratës së shërbimit për shkaqe që lidhen me mospërmbushjen e detyrimeve nga organizata jofitimprurëse e autorizuar.
21. Çdo organizatë jofitimprurëse e autorizuar e përzgjedhur nuk mund të përfitojë më shumë se 20% të buxhetit të planifikuar për financimin e dhënies së ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti nga organizatat jofitimprurëse.
22. Organizata jofitimprurëse e autorizuar, përfituese e financimit, raporton pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas periodikisht çdo 3 (tre) muaj mbi përdorimin e fondeve të financuara dhe përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në kontratën e shërbimit.
23. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas kryen mbikëqyrje nëpërmjet vizitës në terren të paktën 1 (një) herë në vit gjatë kohëzgjatjes së kontratës së shërbimit për të verifikuar standardet e shërbimit të ofruar nga organizata jofitimprurës e autorizuar, përfituese e financimit.
24. Në rast të konstatimit të shkeljes së kontratës së shërbimit nga organizata jofitimprurëse e autorizuar përfituese e financimit, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon rastin dhe merr masa në raport me shkeljen e kryer, duke urdhëruar deri në zgjidhjen e parakohshme të kontratës së shërbimit dhe revokimin e autorizimit nga ministri i Drejtësisë.
25. Në përfundim të zbatimit të kontratës së shërbimit për ofrimin e ndihmës juridike parësore, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas harton raportin e monitorimit të përdorimit të fondeve nga organizata jofitimprurëse gjatë periudhës 1-vjeçare. Raporti i monitorimit i përcillet ministrit të Drejtësisë dhe përmban:
a) të dhënat e organizatës jofitimprurëse të autorizuar që ka përfituar financim;
b) masën financiare të përfituar;
c) mënyrën e alokimit të masës financiare të përfituar;
ç) kohëzgjatjen dhe statusin e zbatimit të kontratës së shërbimit;
d) shërbimet e ndihmës juridike parësore të ofruara;
dh) numrin dhe kategorinë e përfituesve të shërbimeve të ofruara;
e) shtirjen gjeografike/territoriale të shërbimeve të ofruara;
ë) rezultatet e arritura përmes shërbimeve të ofruara;
f) ndikimet në përmirësimin e trajtimit të përfituesve nga ndihma juridike parësore e ofruar.
Formati i raportit të monitorimit miratohet me urdhër të drejtorit të Ndihmës Juridike Falas.

26. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, GJYKATËN E LARTË, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1/2:
i. shtohen emërtesat “Qendra e Botimeve për Diasporën” dhe “Avokatura e Shtetit”;
ii. emërtesa “Komiteti Shtetëror i Minoriteteve” zëvendësohet me “Komiteti për Pakicat Kombëtare”.
b) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, emërtesat “Avokatura e Shtetit” dhe “Sekretariati Kombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri)”, shfuqizohen;
c) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3:
i. emërtesa “Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Falimentimit”;
ii. emërtesa “Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike” zëvendësohet me “Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas”;
iii. shtohet emërtesa “Sekretariati Kombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri)”;
iv. emërtesa “Shtëpia Botuese e Librit Universitar” shfuqizohet.
ç) Në shkronjën “c”, të pikës 1/3:

i. emërtesat “Qendra e Realizimit të Veprave të Artit” dhe “Klubi Shumësportësh Partizan” shfuqizohen;
ii. shtohet emërtesa “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”.
d) Në lidhjen nr.2, që përmendet në pikën 2/a, në rreshtin e parë të kolonës së dytë, pas emërtimit “Master i Arteve” shtohet “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike”.
dh) Në lidhjen 3, që përmendet në pikën 3, shtohet, si më poshtë vijon:
Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi Inspektor III-a
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme Koordinator në Sekretariatin (Drejtorinë e Përgjithshme) e BE-së III-a
e) Pika 4/14 shfuqizohet.
ë) Në pikën 6:
i. pas paragrafit “Zëvendësministër” shtohet paragrafi “- Kryetar i Komitetit për Pakicat Kombëtare – 153 300 lekë”;
ii. paragrafët e Prefektit të Qarkut Tiranë, prefektëve të qarqeve të tjera dhe nënprefektëve ndryshohen, si më poshtë vijon:
“- Prefekt 153 300 lekë;
– Nënprefekt 123 000 lekë.”.
f) Pas pikës 8/9 shtohet pika 8/10, me këtë përmbajtje:
“8/10. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës në administratën e Avokaturës së Shtetit janë sipas lidhjes nr.5/10, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Nëpunësit e Avokaturës së Shtetit, të cilët deri në datën 10.2.2012 përfitonin një pagë më të lartë sesa parashikohet në lidhjen nr.5/10, do të vazhdojnë të përfitojnë pagën e mëparshme. Nëpunësit e tjerë përfitojnë pagat sipas përcaktimit në lidhjen nr.5/10.
Nëpunësi i emëruar jashtë vendit, në pozicionin “Jurist pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, i cili është përfaqësues i përhershëm pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka statusin financiar të përfaqësuesit të ministrisë së linjës në përfaqësinë tonë diplomatike pranë BE-së.”.
g) Paragrafi i dytë i pikës 9 shfuqizohet.
gj) Në lidhjen nr.6/6, që përmendet në pikën 9/6, pas emërtesës “Inspektor auditi” shtohen emërtesat “Këshilltar në kabinetin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve” dhe “Shef zyre në zyrën e zëvendëshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve”.
h) Pika 9/9 dhe lidhja 6/9 shfuqizohen.
i) Në pikën 10 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Nëpunësit e Sekretariatit Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI – Shqipëri), të cilët sipas organizimit të mëparshëm kanë pasur emërtesën “koordinator” dhe një nivel page më të lartë se përcaktimi i këtij vendimi, do të vazhdojnë të përfitojnë pagën që kanë pasur sipas organizimit të mëparshëm.”.
j) Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
“14/1. Punonjësit në projektet me tituj “Projekte me KfW”, “Projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe”, “Projekti i shërbimeve esenciale”, në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, deri në përfundimin e projektit përkatës të trajtohen me pagë:
– Drejtues projekti (koordinator) – kategoria II-a;
– Specialist – kategoria III-b.
Punonjësit në projektet e programeve IPA në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, deri në fund të vitit 2019, të trajtohen me pagë, si më poshtë vijon:
– Drejtues projekti (koordinator) – kategoria II-a;
– Specialistët – kategoria III-b.
Për vitin 2020 e në vijim, punonjësit e projekteve të programeve IPA në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve të trajtohen me pagë njësoj si nëpunësit e tjerë të kësaj agjencie.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2019, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe,:

a) për prefektët dhe nënprefektët, të fillojnë nga data 1 janar 2019;
b) për përcaktimin në shkronjën “d” të fillojnë nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
c) për të gjitha parashikimet e tjera të fillojnë nga momenti i transferimit apo emërimit të nëpunësve në pozicionet e reja, pas miratimit të strukturave dhe organikave përkatëse.
3. Pika 19/1, e vendimit nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

VENDOSJEN E STANDARDEVE NË KRYERJEN E DISA AKTIVITETEVE ME PUNONJËS TË PËRKOHSHËM, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Aktivitetet që nuk mund të realizohen nga punonjësit organikë, në kuadër të veprimtarisë së tyre vjetore në njësitë e qeverisjes qendrore, konsiderohen si shërbime dhe realizohen me sipërmarrje (nëpërmjet të tretëve), duke zbatuar legjislacionin në fuqi për prokurimin. Në rastet kur nuk mund të realizohen me sipërmarrje dhe/ose sipërmarrja ka kosto më të lartë, këto aktivitete realizohen nëpërmjet marrjes së punonjësve me kontratë të përkohshme.
2. Për efekt të këtij vendimi, aktivitet në fushën e konsulencës, ekspertizës, inspektimit, auditimit, këshillimit, sigurisë fizike dhe teknologjisë së informacionit nuk realizohen nëpërmjet marrjes së punonjësve me kontratë të përkohshme. Shërbimi i ofruar prej tyre i nënshtrohet procedurave përkatëse të prokurimit publik apo akteve të veçanta ligjore në fuqi.
3. Punonjës me kontratë të përkohshme pune, në njësitë e qeverisjes qendrore, konsiderohen punonjësit e kontraktuar jashtë organikës së njësisë, të cilët realizojnë:
a) një aktivitet që realizohet në një periudhë kohore jo më shumë se 6 muaj;
b) një aktivitet që, pavarësisht se mund të shtrihet gjatë gjithë vitit ushtrimor, nuk zgjat më shumë se 6 orë në ditë;
c) një aktivitet që realizon të ardhura dytësore, përdorimi i të cilave parashikohet në ligjin vjetor të buxhetit, për këtë qëllim.
4. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për çdo ministri dhe institucion, miratohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Në këtë numër nuk përfshihen kategoritë e punonjësve, si më poshtë vijon:
a) Instruktorët e qendrave/shkollave të formimit profesional;
b) Punonjësit e anketave statistikore;
c) Punonjësit e kontraktuar në proceset zgjedhore/ paszgjedhore;
ç) Pedagogët e jashtëm/trajnerë të angazhuar në formimin profesional të magjistratëve;
d) Punonjësit e Qendrave të Transferimti të Tekonologjisë së Informacionit, të Agjencisë Kombëtare të Duhan-Cigareve dhe Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve.
Rregullat për marrjen e këtyre punonjësve, afatet kohore dhe të tjera specifikime për kontraktimin me kohë të pjesshme të tyre bëhen sipas udhëzimit të përbashkët të institucionit qendror përgjegjës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
5. Kërkesa për punonjës me kontratë të përkohshme bëhet vetëm kur institucioni disponon fondet e nevojshme financiare për mbulimin e shpenzimeve të këtyre punonjësve dhe, si rregull, kjo kërkesë paraqitet pas miratimit të ligjit të buxhetit të vitit pasardhës kalendarik. Kërkesa paraqitet pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e argumentuar dhe e shoqëruar me informacion të detajuar mbi numrin e punonjësve, pozicionin e punës dhe afatin kohor të kontraktimit. Pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i dërgon për miratim në Këshillin e Ministrave.
6. Punonjësi me kontratë të përkohshme merren në punë në përputhje me kriteret e parashikuara për atë vend pune.
7. Paga e punonjësit me kontratë të përkohshme përcaktohet në referencë të vendimit përkatës Këshillit të Ministrave, për pozicionin për të cilin ai kontraktohet. Për pozicionin “specialist”, paga e punonjësit me kontratë të përkohshme përcaktohet referuar kategorisë më të ulët të pagës së këtij pozicioni, në institucionin në të cilin ai kontraktohet.
8. Vendimi nr.1703, datë 24.12.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/të përkohshme, për ministritë dhe institucionet buxhetore”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

– RREGULLAT – RIATDHESIMI I FEMIJES

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.