Postuar më: 27 Shkurt 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Shkurt 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Shkurt 2019:

 

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 25, 70 e 71, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (në vijim, DPAP), si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin (në vijim, ministri), me seli në Tiranë. DPAP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
2. DPAP-ja është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve arsimore parauniversitare, pjesë integrale e sistemit të ministrisë përgjegjëse për arsimin, që kontribuon në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për shërbim arsimor cilësor.
3. Misioni i DPAP-së është ofrimi dhe sigurimi i shërbimit arsimor cilësor në të gjitha institucionet arsimore të sistemit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë e në përputhje me politikat, strategjitë kombëtare dhe kurrikulën e arsimit parauniversitar, me qëllim zhvillimin dhe edukimin e plotë e të gjithanshëm të nxënësit, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes.
4. DPAP-ja ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit dhe ka fushë përgjegjësie ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor cilësor në të gjitha institucionet arsimore të sistemit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
DPAP-ja ka këto përgjegjësi:
1. Të ofrojë shërbim cilësor në sistemin arsimor parauniversitar nëpërmjet monitorimit, vlerësimit dhe inspektimit.
2. Të organizojë punën për menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
3. Të koordinojë administrimin e burimeve njerëzore në sistemin arsimor parauniversitar publik, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Të sigurojë se funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar për institucione publike të arsimit parauniversitar të kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Të vlerësojë përmbushjen e kritereve të licencimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve arsimore private në fushën e arsimit parauniversitar, si dhe t’i propozojë ministrit dënimin administrativ plotësues të pezullimit apo heqjes së licencës për ushtrimin e veprimtarisë.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
1. DPAP-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në:
a) nivel qendror, nëpërmjet drejtorisë qendrore;
b) nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar;
c) njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore të sistemit parauniversitar publik.
2. Drejtoritë rajonale krijohen kur mbulojnë jo më pak se 4 000 (katër mijë) punonjës. Ministri propozon numrin e drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar, shtrirjen territoriale dhe qarkun ku do të ngrihet drejtoria rajonale.
3. Drejtoritë rajonale raportojnë te drejtori i Përgjithshëm i DPAP-së dhe kanë në varësinë e tyre njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve.
4. DPAP-ja ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të sistemit arsimor parauniversitar në varësi të ministrit.
5. DPAP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e drejtorisë përkatëse dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga ministri.
6. Struktura dhe organika e drejtorisë së përgjithshme në nivel qendror dhe e drejtorive rajonale miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore.
7. Struktura dhe organika e zyrave vendore të arsimit miratohen më urdhër të ministrit, ndërsa organika e institucioneve të arsimit parauniveristar publik miratohet nga drejtoria rajonale, sipas propozimeve të secilës zyrë vendore të arsimit, brenda numrit të përgjithshëm të punonjësve të miratuar nga ministria për secilën zyrë vendore arsimore.
8. Drejtoria qendrore kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Bashkërendon zbatimin e politikave, strategjive të zhvillimit, programeve, kuadrin rregullator dhe kurrikulën në fushën e arsimit parauniversitar nëpërmjet monitorimit, vlerësimit dhe inspektimit.
b) Analizon dhe përcakton kostot e realizimit të shërbimeve arsimore, duke mbledhur e përpunuar të dhëna nga drejtoritë rajonale, zyrat vendore dhe institucionet arsimore.
c) Mbështet institucionin përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar për zbatimin e dokumenteve kurrikulare, për zhvillimin profesional, për organizimin e kualifikimit të punonjësve arsimorë dhe për mbledhjen e të dhënave statistikore në sistemin e arsimit parauniversitar.
ç) Në përputhje me analizat e kryera, planifikon organizimin dhe shtrirjen e shërbimit arsimor, programon punën, siguron dhe optimizon burimet për ofrimin e shërbimeve arsimore parauniversitare, si dhe planifikon buxhetin në terma afatshkurtër e afatmesëm për institucionet publike të arsimit parauniversitar.
d) Siguron mbledhjen, plotësimin, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore për institucionet arsimore, sipas udhëzimeve të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
dh) Mbështet ministrinë dhe institucionin përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar me të dhëna, ekspertizë teknike dhe propozime në hartimin e politikave të zhvillimit në fushën e arsimit parauniversitar, duke marrë parasysh veçoritë demografike, të terrenit, të zhvillimit ekonomik e të infrastrukturës vendore.
e) Monitoron përzgjedhjen, shpërndarjen dhe pajisjen e institucioneve arsimore me tekste shkollore.
9. Drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar janë përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve arsimore brenda juridiksionit të tyre, duke siguruar cilësinë e shërbimit arsimor parauniversitar në nivel rajonal dhe kryejnë këto detyra:
a) Menaxhojnë, mbikëqyrin, vlerësojnë dhe kontrollojnë institucionet arsimore parauniversitare për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
b) Sigurojnë zbatimin e kurrikulës, metodologjive dhe standardeve.
c) Mbikëqyrin veprimtarinë e përditshme dhe funksionimin e institucioneve arsimore, përmbushjen e detyrave administrative dhe rregullsinë e procesit mësimor.
ç) Vlerësojnë nevojat dhe problematikat gjatë ofrimit të shërbimit arsimor dhe propozojnë zgjidhjen e tyre.
d) Ofrojnë ekspertizë teknike në hartimin e metodologjive mësimore, praktikave dhe teknikave që përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies.
dh) Monitorojnë kualifikimet e personelit mësimdhënës për kurrikulën, metodologjitë dhe standardet e përcaktuara nga institucioni përgjegjës.
e) Garantojnë miradministrimin e burimeve njerëzore për institucionet publike të arsimit parauniversitar, si dhe shpërndarjen e tyre në varësi të aftësive, kontributit të gjithsecilit dhe parimeve të drejtësisë e meritokracisë.
ë) Garantojnë ngritjen e rrjeteve profesionale të mësuesve, si dhe përhapin praktika e përvoja të suksesshme të mësuesve.
f) Janë përgjegjëse për rekrutimin e mësuesve nëpërmjet portalit kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, ndjekjen e procedurave përkatëse të konkurrimit, përpunimin e analizimin e të dhënave dhe shpalljen e rezultateve.
g) Garantojnë miradministrimin e burimeve financiare dhe alokimin e tyre, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe nevojat e institucioneve arsimore.
gj) Organizojnë dhe mbështesin shërbimin psikosocial në institucionet arsimore parauniversitare publike.
h) Kërkojnë nga njësitë e vetëqeverisjes vendore mirëmbajtjen e infrastrukturës së institucioneve arsimore.
i) Monitorojnë procedurat për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe pajisjen e nxënësve me tekste shkollore.
j) Mbështesin dhe administrojnë zhvillimin e provimeve dhe vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin parauniversitar.
k) Grumbullojnë dhe përpunojnë të dhënat statistikore nga institucionet arsimore nën juridiksionin e tyre.
l) Vlerësojnë dhe shqyrtojnë kërkesat e ministrisë përgjegjëse për arsimin për përmbushjen e kritereve infrastrukturore për hapjen e institucioneve arsimore dhe ushtrimin e veprimtarisë në fushën e arsimit parauniversitar.
ll) Ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve.
10. Drejtoritë rajonale sigurojnë, për zyrat vendore të arsimit që kanë nën juridiksion, asistencë juridike dhe përfaqësimin gjyqësor, si dhe shërbimet financiare e mbështetëse që nuk u janë deleguar zyrave vendore të arsimit nga DPAP-ja.
11. Drejtorët e drejtorive rajonale emërojnë drejtorët e institucioneve arsimore publike, sipas udhëzimit përkatës të ministrit.
12. Ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm, miraton rregulloren që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të DPAP-së.
13. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe nëpunësve të DPAP-së, në nivel qendror e rajonal, si dhe në njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Pranimi dhe lirimi nga detyra i punonjësve bëhet nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur, mbi bazën e rregullave të miratuara me urdhër të ministrit.
14. Drejtorët e drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar emërohen dhe lirohen nga ministri. Drejtuesit e zyrave vendore, si dhe nëpunësit/punonjësit e drejtorive rajonale e të zyrave vendore emërohen dhe lirohen nga drejtori i Përgjithshëm, sipas përcaktimeve në urdhrin përkatës të ministrit.
15. DPAP-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e DPAP-së ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Qendrore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
16. Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar kanë stemat, logot dhe vulat zyrtare. Stema e secilës drejtori rajonale ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (emri i qarkut ku ka selinë drejtoria)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës.
17. Vula e DPAP-së, e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore të arsimit, ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të DPAP-së, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas numrit faktik në përputhje me strukturat dhe organikat e miratuara.
2. Për nëpunësit civilë aktualë të njësive arsimore vendore (drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore) zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
3. Detajimi i numrit të punonjësve, i fondeve të buxhetit të miratuar dhe transferimi i aktiveve të qëndrueshme të realizohet në përputhje me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe të udhëzimeve standarde të ministrit përgjegjës për financat.
4. Vendimi nr.66, datë 3.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË PËRDITËSUAR TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË LISTËS TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË, OBJEKT I KONTROLLIT SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së mallrave ushtarake dhe të listës së artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, përkatësisht, sipas shtojcave I e II, që i bashkëlidhen këtij vendimi, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.
2. Vendimi nr.703, datë 12.10.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së mallrave ushtarake dhe të listës së mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, që i nënshtrohen kontrollit shtetëror të import-eksporteve”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ NDRYSHIMIT TЁ MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT PËR ZHVILLIM ABU DHABI, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I BULEVARDIT VERIOR DHE REHABILITIMI I LUMIT TË TIRANËS”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.150/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit “Ndërtimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, të ratifikuar me ligjin nr.150/2013, me qëllim shtyrjen e afatit të disbursimit, sipas marrëveshjes së huas, deri më 30.6.2020, sipas përmbajtjes së dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE, SH.A.) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E INVESTIMEVE PËR SHPËRNDARJEN E ENERGJISË ELEKTRIKE I, MASAT SHOQËRUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.), (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I, masat shoqëruese, me një grant në shumën 2 000 000 (dy milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, TË SHËRBIMIT DHE PRIVATE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të shërbimit dhe private, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.218, DATË 20.4.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE, QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE MASËS SË MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të neni 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.208, datë 20.4.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikat 1 dhe 2, të projektvendimit, listat I dhe II, ndryshojnë sipas listave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8 Efektet financiare që burojnë nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratuar për vitin 2019, sipas përcaktimeve të nenit 5, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”.”.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në 1 mars 2019.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.378, DATË 12.8.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PËRFAQËSUESIT TË PRONARIT PËR DISA OBJEKTE, PRONË PUBLIKE, ORGANEVE TË QEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2003, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në listën e objekteve, që i bashkëlidhet vendimit nr.378, datë 12.8.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pasuria “Metalike Tirana, Laprakë Tiranë me sipërfaqe prej 13 000 m²” ndryshohet në “Metalike Tirana, Laprakë Tiranë me sipërfaqe prej 8010.6 m²”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.16, DATË 16.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PUNONJËSIT ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2019 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.16, datë 16.1.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1, të vendimit, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 693 punonjës;
b) Në lidhjen nr.1, përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
i. Shtohet ndarja “Gr.11, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, ndarja “Sistemi i Prokurorisë” dhe ndarja “Sistemi i Gjyqësorit”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ii. Në ndarjet: “Gr.06, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”; “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”; “G.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”; “Gr.16, Ministria e Brendshme”; “Gr.63, Kolegji i Posaçëm i Apelimit”; “Gr.63, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit”; dhe “Gr. 87, Institucione të tjera qeveritare” shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet sipas lidhjes nr.1, të pikës 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË SË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR (ASCAP)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 25, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (këtu e më poshtë ASCAP), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin, me seli në Tiranë.
2. ASCAP-i financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
3. Misioni i ASCAP-it është të garantojë performancën e sistemit të arsimit parauniversitar dhe cilësinë e arsimimit parauniversitar publik e privat, në përputhje me qasjen e kurrikulës, të bazuar në zhvillimin e kompetencave.
4. Fushat e përgjegjësisë së ASCAP-it janë:
a) Garantimi dhe vlerësimi i performancës së sistemit arsimor parauniversitar, publik dhe privat;
b) Zhvillimi i kurrikulës dhe zhvillimi profesional i punonjësve në arsimin parauniversitar, publik dhe privat;
c) Sigurimi i cilësisë së arritjeve në arsimin parauniversitar, publik dhe privat.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË SË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar ka përgjegjësi të:
a) organizojë punën për vlerësimin e performancës së sistemit arsimor parauniversitar, publik dhe privat;
b) organizojë zhvillimin profesional dhe kualifikimin e punonjësve arsimorë, publikë dhe privatë;
c) monitorojë sigurimin e cilësisë dhe vlerësimin e institucioneve të arsimit parauniversitar, publik dhe privat, si dhe programet e tyre mësimore;
ç) sigurojë zhvillimin e kurrikulës në arsimin parauniversitar, publik dhe privat.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR
1. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në nivel qendror.
2. ASCAP-i ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të sistemit arsimor parauniversitar.
3. ASCAP-i drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë dhe përgjigjet përpara ministrit.
4. Struktura dhe organika e ASCAP-it miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Vlerëson performancën e sistemit arsimor parauniversitar, efektshmërinë dhe efiçencën e masave si dhe përmbushjen e objektivave;
b) Vlerëson mënyrën e organizimit e të funksionimit të sistemit arsimor parauniversitar dhe merr masat e nevojshme në rast mbivendosjeje funksionesh apo mungese ekzekutimi të detyrave funksionale nga institucionet përgjegjëse;
c) Vlerëson si ndërlidhen, koordinohen apo ndërveprojnë institucionet e sistemit arsimor parauniversitar me njëri-tjetrin, duke garantuar nivelin e duhur të integrimit për sigurimin e arsimit parauniversitar cilësor;
ç) Kryen analiza të ndryshme mbi bazën qendrore e të integruar të të dhënave të sistemit të arsimit parauniveritar dhe shpërndan informacionin;
d) Harton dhe i propozon ministrit për miratim standarde, protokolle, rregulla për ofrimin e shërbimeve arsimore si dhe vlerëson impaktin e tyre në këto shërbime;
dh) Analizon, zhvillon e rishikon dokumentet si: korniza kurrikulare, programet lëndore dhe standardet, sipas fushave kurrikulare;
e) Harton dhe boton dokumentet kurrikulare për arsimin parauniversitar si dhe materiale mbështetëse për zbatimin e kurrikulës, në nivel kombëtar;
ë) Harton, analizon dhe rishikon standardet e zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare; vlerëson nevojat për zhvillim profesional, programet kombëtare dhe materialet mbështetëse për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë;
f) Organizon zhvillimin profesional dhe menaxhon procesin e kualifikimit të punonjësve arsimorë në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit parauniversitar, publik dhe privat;
g) Realizon punë kërkimore-studimore, analiza periodike dhe u ofron ekspertizë strukturave politike e vendimmarrëse për politikat arsimore dhe reformat në fushën e arsimit parauniversitar;
gj) Ofron këshillim për institucionet arsimore parauniversitare të të gjitha niveleve në fushat e përmbajtjes kurrikulare, të didaktikës dhe përdorimit të teknologjive moderne në mësimdhënie, si dhe në drejtimin e menaxhimin e shkollës dhe arsimit në tërësi;
h) Vlerëson, mbi bazë risku, veprimtarinë e institucionit përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të arsimit parauniversitar dhe të institucioneve arsimore publike e private të sistemit të arsimit parauniversitar, për respektimin në vazhdimësi të kushteve dhe detyrimeve për ofrimin e shërbimit cilësor, shoqëruar me lënien e detyrave/sugjerimeve/ rekomandimeve për përmirësimin e elementeve të caktuara të institucioneve apo gjithë sistemit të arsimit parauniversitar, si: kurrikul, standarde dhe metodologji;
i) Nënshkruan marrëveshje dhe bashkëpunon me institucione të arsimit të lartë, institucione të tjera apo me organizata kombëtare dhe/ose ndërkombëtare për veprimtari apo aktivitete që lidhen me misionin e saj, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
6. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të ASCAP-it miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
7. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të ASCAP-it rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
8. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
9. Vula e agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me përcaktimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të ASCAP-it, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
2. Për nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe të Institutit të Zhvillimit të Arsimit zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
3. Numri i punonjësve dhe buxheti i planifikuar për Institutin e Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoratin Shtetëror të Arsimit si dhe të gjitha asetet e tyre i kalojnë ASCAP -it.
4. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.67, datë 10.2.2010, “Për krijimin e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA)”, dhe nr.352, datë 3.4.2013, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit”, shfuqizohen.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS QË LIDH RRUGËN ‘DON BOSKO’ ME RRUGËN ‘EGNATIA’, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës që lidh rrugën ‘Don Bosko’ me rrugën ‘Egnatia’, Tiranë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me vlerë të përgjithshme prej 3 496 528 (tre milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall”, prej 3 496 528 (tre milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët që shpronësohen, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Tiranë.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.356, DATË 19.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT ‘RIKUALIFIKIM URBAN NË TERRITORIN E BASHKISË VLORË’, FAZA I”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.356, datë 19.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në tabelën me listën e pasurive që preken nga projekti “Rikualifikim urban në territorin e Bashkisë Vlorë, faza I”, shtohet numri rendor 18 (tetëmbëdhjetë), sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlera shtesë, prej 3 952 337.5 (tre milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy mijë e treqind e tridhjetë e shtatë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme,

V E N D O S I:

1. Në aneksin nr.3, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe çfarë dokumenti duhet të paraqesin”, që i bashkëlidhet vendimit nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të shtohen fjalët “… Rusi, Arabi Saudite, Bjellorusi, Katar, Oman, Tailandë, Bahrejn, me dokumentin pasaportë, për periudhën 1 prill deri më 31 tetor 2019, dhe Kinë, Republika Popullore, me dokumentin pasaportë, për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 31 tetor 2019”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.955, DATË 7.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE, DOKUMENTACIONIT DHE MASËS SË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 1 dhe 6, 20, pika 2, e 43, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.955, datë 7.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në kreun I, pas pikës 4.1.4 shtohet pika 4.1.5, me këtë përmbajtje:
“4.1.5. Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë në moshë aktive pune që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, krahas dokumentacionit të përcaktuar në pikën 4.1, paraqesin edhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni arsimor, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar një herë brenda një viti shkollor.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 9, bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:
i. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional;”.
ii. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.”.
b) Pas pikës 9, shtohen pikat 9/1, 9/2 dhe 9/2.1, me këtë përmbajtje:
“9/1. Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë njëvjeçare, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.146/2015, “Për punëkërkuesit”;
b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit.
9/2. Drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror verifikojnë në familjet me anëtarë në moshë aktive pune dhe hartojnë çdo muaj listën e personave në moshë aktive pune, për t’ia përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
9/2.1. Drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror ndjekin metodologjinë e daljes nga skema e ndihmës ekonomike për familjet me anëtarë në moshë aktive pune dhe mbështesin familjet me programet e shërbimit social, të aftësimit profesional dhe të punësimit me strukturat përgjegjëse. Metodologjia e daljes nga skema e ndihmës ekonomike, për familjet me anëtarë në moshe aktive pune, miratohet nga ministri përgjegjës për çështjet sociale.”.
3. Shtojca 1, e përmendur në shkronjën “a”, të pikës 1, të kreut II, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E TARIFAVE DHE TË PAGESAVE PËR SHËRBIMET NDAJ INSTITUCIONEVE APO PERSONAVE, QË OFROHEN NGA AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kërkesat e subjekteve të parashikuar në pikat 3, 6 dhe 9, të nenit 3, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, për dhënie informacioni dhe/ose vënie në dispozicion të dokumenteve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, plotësohen kundrejt tarifave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij vendimi institucionet për të cilat marrja e shërbimit nga Autoriteti përcaktohet në ligj që të jetë pa pagesë.
3. Tarifa, në kuptim të këtij vendimi, është kostoja e riprodhimit të informacionit dhe/ose dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, të kërkuar dhe, kur është rasti, edhe e dërgimit të tij.
4. Personat e regjistruar në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfituese, sipas ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, e përfitojnë informacionin dhe/ose dokumentacionin pa pagesë deri në 20 fletë, për çdo kërkesë, ose në vlerën ekuivalente, kur informacioni jepet në një format tjetër, pas vërtetimit të statusit përkatës.
5. Riprodhimi i dokumenteve të kërkuara do të bëhet nga drejtoria/sektori përkatës, me mjetet e riprodhimit që disponon Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
6. Institucionet, personat dhe subjektet e interesuara, paguajnë tarifat përkatëse në llogarinë e Autoritetit pranë një banke të nivelit të dytë, sipas faturës së arkëtimit bashkëlidhur këtij vendimi. Me pagesën e tarifës përkatëse dhe paraqitjen e mandatit bankar pranë Autoritetit, dokumentet e kërkuara nga kërkuesi i dërgohen me postë, ose i dorëzohen kërkuesit/subjektit të interesuar.
7. Të ardhurat e realizuara derdhen në buxhetin e shtetit, në përputhje me legjislacionin në fushën e krijimit dhe të administrimit të të ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore.
8. Publikimi i tarifave të përcaktuara në shtojcën nr.1, bëhet në faqen zyrtare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe në mjediset e punës së Autoritetit.
9. Tarifat për fotokopjet dhe/ose kopjet në formë digjitale, regjistrimet me zë, figurë apo regjistrime të tjera, me apo pa të drejta përdorimi, për përdorim privat apo studimor, në kuadër të marrëveshjeve ndërinstitucionale, do të trajtohen sipas këtyre marrëveshjeve.
10. Ngarkohet Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.