Postuar më: 20 Mars 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2019:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT/ PARTNERITET PUBLIK PRIVAT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË DHE BASHKIMIT TË OPERATORËVE EKONOMIKË “GLOBAL TECHNICAL MECHANICS”, SH.P.K. DHE “BAMI”, SH.P.K., SI KONCESIONARI DHE SHOQËRISË KONCESIONARE “KUKËS INTERNATIONAL AIRPORT”, SHPK, PËR REHABILITIMIN, OPERIMIN, TRANSFERIMIN E AEROPORTIT TË KUKËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë “Global Technical Mechanics”, sh.p.k. dhe “Bami”, sh.p.k., si koncesionari dhe shoqërisë koncesionare “Kukës International Airport”, sh.p.k., për rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Teuta Vodo, zëvendësministër i Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Fjoralba Caka emërohet zëvendësministër i Drejtësisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: RRJETET E TRANSPORTIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 2, shkronja “ë”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri -Tema: Rrjetet e transportit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: GJEOLOGJIA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “j”, të pikës 2, të nenit 11, dhe të pikës 1, të nenit 16, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri –Tema: Gjeologjia”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.867, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E BASHKËPUNIMIT NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në kreun II, të vendimit nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Institucionet e administratës shtetërore, nëpërmjet kësaj procedure, kanë të drejtë:

a) të kërkojnë nga institucionet e tjera të administratës shtetërore që t’u sigurohen të dhëna, informacione apo çdo lloj ndihme tjetër, të cilat janë të nevojshme për realizimin e detyrave funksionale të tyre;
b) të krijojnë rrjete profesionale ndërinstitucionale të nëpunësve për fusha të caktuara, të cilat kontribuojnë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe komunikimit, me synimin e:

i. shkëmbimit të eksperiencave më të mira, njohurive dhe praktikave për procese pune të ngjashme;
ii. shkëmbimit/krahasimit të informacionit apo të të dhënave në fushën përkatëse;
iii. diskutimit të çështjeve apo problematikave;
iv. adresimit të kërkesave pranë institucioneve përgjegjëse për të bërë rregullime të posaçme nëpërmjet akteve rregullatore që mbulojnë fushën përkatëse.”.
2. Paragrafi i parë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Bashkëpunimi, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, mund të shfaqet në një nga format e mëposhtme:”.

3. Pas pikës 22, shtohen pikat 23, 24 e 25, me këtë përmbajtje:

“23. Rrjetet profesionale ndërinstitucionale të nëpunësve, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, krijohen për të trajtuar çështje, të cilat lidhen me qëllimin e ekzistencës dhe/ose fushën e përgjegjësisë së institucionit që i krijon. Në to marrin pjesë nëpunës/punonjës të institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë të punësuar në njësitë organizative të ngarkuara me ekzekutimin e detyrave që lidhen me fushën për të cilën krijohet rrjeti dhe kanë njohuri e aftësi më të mira në këtë fushë.

24. Rrjetet profesionale ndërinstitucionale të nëpunësve ngrihen me urdhër të Kryeministrit, ministrit përkatës apo titullarit të institucionit, që ka në fushë përgjegjësie fushën për të cilën ngrihet rrjeti. Në urdhrin e ngritjes së rrjetit përcaktohen qëllimi, synimet e përfitimet, struktura udhëheqëse, struktura të tjera në përbërje të tij, nëse është rasti, anëtarët, detyrat e përgjegjësitë, mënyra e organizimit e funksionimit të tij dhe numri maksimal i anëtarëve. Si rregull, në përbërje të rrjetit nuk mund të ketë më shumë se 30 (tridhjetë) anëtarë.

25. Si rregull, struktura udhëheqëse e rrjetit profesional ndërinstitucional të nëpunësve është institucioni/njësia organizative, që ka kompetencat më të larta sa i takon fushës në të cilën ngrihet rrjeti.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË KLASIFIKIMIT NDËRKOMBËTAR TË SËMUNDJEVE, ICD-10

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e zbatimit të nomenklaturës së klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, ICD-10, të miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas lidhjes 1, vëllimet 1 e 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Nomenklatura e klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, ICD-10, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare për llojet e sëmundjeve.

3. Instituti i Statistikave kryen përditësimin e informacionit statistikor zyrtar duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Instituti i Statistikave, agjencitë statistikore, ministritë e linjës dhe institucionet qendrore e vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË STATISTIKAVE TË TRANSPORTIT, NST–2007

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e zbatimit të nomenklaturës së statistikave të transportit, NST–2007, të miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Nomenklatura e statistikave të transportit, NST–2007, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare për konsumin e familjeve.

3. Instituti i Statistikave kryen përditësimin e informacionit statistikor zyrtar duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Instituti i Statistikave, agjencitë statistikore, ministritë e linjës, dhe institucionet qendrore e vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E PARAQITJES, TË FORMËS DHE TË SHENJAVE DALLUESE TË UNIFORMËS, NË NJËSI TË VEÇANTA TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 33, të ligjit nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e paraqitjes, të formës dhe të shenjave dalluese të uniformave për njësi të veçanta të Shërbimit Informativ të Shtetit (njësisë përgjegjëse për sigurimin fizik të objekteve dhe informacionit të klasifikuar), që përdoren vetëm gjatë ushtrimit të detyrës.

2. Shenjat dalluese të Shërbimit Informativ të Shtetit janë logoja, numri i identifikimit dhe shiriti me fjalën “SIGURIA”, në uniformë. Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të shenjave dalluese të shërbimit, që do të vendosen në uniformë, janë të përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Llojet e uniformës, që do të ketë në përdorim kjo njësi, janë:

a) uniforma dimërore;
b) uniforma verore.

4. Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të uniformës së shërbimit janë të përcaktuara në aneksin 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, me urdhër, miraton:

a) normat e furnizimit me veshmbathje të punonjësve të kësaj njësie;
b) rregulloren e përdorimit të uniformës së kësaj njësie;
c) specifikimet dhe kushtet teknike të zbatimit të uniformës, të shenjave dhe të elementeve të tjera.

6. Shenjat dalluese të Shërbimit Informativ të Shtetit, të miratuara sipas këtij vendimi, për nga qëllimi i përdorimit, janë pronë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe përdoren vetëm gjatë ushtrimit të detyrës.

7. Shenjat dalluese të Shërbimit Informativ të Shtetit janë të patjetërsueshme. Ndalohet shumëfishimi dhe realizimi i modeleve e i ngjyrave të tyre, për përdorues të institucioneve apo të subjekteve të tjera.

8. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për programin buxhetor të Shërbimit Informativ të Shtetit.

9. Ngarkohet Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në aneksin 1 hiqen nënndarjet me kodet tarifore të mëposhtme:

84244100; 84244910; 84248210; 84289071; 84322100; 84322930; 84321000; 84322910; 84322990; 84322950; 84323100; 84323911; 84323919; 84323990; 84368010; 84324100; 84324200; 84328000; 84335100; 84335200; 84334000; 84332010; 84332050, 84332090; 84331110; 84331159; 84331190; 84331959; 84331970; 84331990; 84333000; 84335310; 84335330; 84335911; 84335919; 84341000; 84335100; 84361000; 84371000; 87011000; 87019110; 87019210; 87019310; 87019410; 87019510; 84193100.

Neni 2

Pas aneksit 1, shtohet aneksi 1/A, “Lista e makinave bujqësore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Neni 3

Fjalia e parë, e pikës 3, të nenit 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Lista e makinerive dhe pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, është e përcaktuar në anekset 1 e 2, ndërsa lista e makinave bujqësore, sipas shkronjës “n”, të nenit 51, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përcaktuar në aneksin 1/A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

Neni 4

Në aneksin 4, “Lista e kategorive të inputeve bujqësore”, shtohen inputet bujqësore sipas kodeve tarifore, të përcaktuara në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Neni 5 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR 

METODOLOGJINË E LLOGARITJES SË FONDEVE PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 48, pika 2, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. RREGULLA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për qëllim hartimin e metodologjisë së llogaritjes së fondeve të financimit të shërbimeve sociale e të shpërndarjes së tyre nëpërmjet vendosjes së kritereve e hapave që do ndjekë procesi.

2. Procesi i realizimit të procedurave të financimit nga buxheti i shtetit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në nivel vendor, do të kryhet si në kuadrin e Fondit Social, ashtu dhe të transfertave të tjera, përfshirë këtu dhe financimin e shërbimeve të specializuara e unike të ofruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në nivel qarku, si dhe linjat kombëtare të këshillimit telefonik për gratë e fëmijët, që kanë marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale.

3. Në kuptim të këtij vendimi, shërbime të specializuara të kujdesit shoqëror përfshijnë shërbimet në komunitet, ato rezidenciale dhe ditore, të specializuara, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 6 e 7, të nenit 3, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror”, si dhe në pikën 12, të vendimit nr.518, datë 4.9.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror komunitar dhe rezidencial, kriteret, procedurat për përfitimin e tyre dhe masën e shumës për shpenzime personale për përfituesit e shërbimit të organizuar”.

II. PROCEDURA E LLOGARITJES SË FINANCIMIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR

4. Drejtoria përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë njësive të vetëqeverisjes vendore mbledh e analizon këto të dhëna bazë:

a) Të dhënat demografike bazë;
b) Profilin dhe karakteristikat e kategorive në nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror;
c) Shërbimet ekzistuese në territorin e bashkisë ose në qarkun ku bën pjesë bashkia përkatëse;
ç) Listën e shërbimeve dhe shpërndarjen e tyre në territor;
d) Financimin e shërbimeve aktuale;
dh) Të dhënat për strukturat që mbështesin apo ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror të ngritura në bashki dhe njësi administrative, në përputhje me ligjin;
e) Të dhëna krahasuese për buxhetin e bashkisë për shërbimet e kujdesit shoqëror dhe shpërndarjen e tij në territorin e bashkisë;
ë) Listën e shërbimeve shoqërore të munguara në territor.

5. Mbi bazën e të dhënave të mbledhura dhe të analizuara në pikën 3, të këtij vendimi, struktura përgjegjëse e shërbimeve të kujdesit shoqëror në bashki harton raportin e nevojave për shërbime të kujdesit shoqëror (në vijim, “raportin e nevojave”), si dhe planin social për periudhën trivjeçare.

6. Plani social përfshin:

a) qëllimet specifike;
b) objektivat;
c) aktivitetet/shportën e shërbimeve/shërbimet specifike që ofrohen në territor;
ç) aktorët përgjegjës/njësitë zbatuese për secilin aktivitet;
d) afatet e zbatimit për çdo shërbim;
dh) treguesit që mundësojnë matjen e realizimit me sukses të aktivitetit/shërbimit;
e) referencat ligjore, ku e ka bazën aktiviteti specifik i parashikuar;
ë) financimin e aktivitetit/shërbimit që specifikon burimin që e mbështet (buxheti i bashkisë/buxheti kombëtar/donator etj.);
f) metodologjinë e monitorimit dhe njësinë e ngarkuar me monitorimin e zbatimit të aktivitetit dhe treguesit e matjes së performancës së shërbimeve të kujdesit shoqëror; si dhe
g) kostimin/koston për secilin prej aktiviteteve të përfshira në planin social.
7. Struktura përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në bashki bashkërendon planet sociale të njësive administrative në territorin e saj dhe, nëse vlerëson që ekzistojnë kushtet që një apo disa shërbime mund të përmbushin nevojat e dy apo më shumë njësive administrative, kryen përllogaritjen e kostos së aktiviteteve dhe i paraqet këshillit bashkiak propozimin për miratim të planit social, pas konsultimit të tij me grupet e interesit dhe me Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

8. Plani social vendor i çdo njësie të vetëqeverisjes vendore përfshin shërbimet shoqërore ekzistuese dhe shërbimet e reja të kostuara, sipas standardeve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe burimet përkatëse të financimit të tyre.

9. Kostoja e çdo shërbimi indeksohet çdo vit, në bazë të inflacionit zyrtar të llogaritur nga Instituti i Statistikave.

10. Këshilli bashkiak miraton planin social trevjeçar të buxhetuar, si dhe kërkesën për financim (fonde) nga buxheti i shtetit, brenda muajit shkurt të çdo viti, për atë pjesë të planit që mbetet i pambështetur nga buxheti i bashkisë.

11. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në planet sociale vendore të miratuara nga këshillat bashkiakë, përgatisin kërkesat për financim të Fondit Social nga buxheti i shtetit i vitit të ardhshëm, në kuadër të programit buxhetor afatmesëm. Kërkesat për financim të Fondit Social nga buxheti i shtetit, shoqëruar me planin social vendor të miratuar, i dërgohen ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale brenda muajit mars të çdo viti.

12. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, duke u bazuar në planet sociale vendore të buxhetuara dhe në prioritetet kombëtare për shtrirjen e shërbimeve shoqërore, parashikon në buxhetin e saj të vitit të ardhshëm, fonde për financimin e Fondit Social.

13. Fondi Social i alokuar nuk mund të transferohet në programe të tjera apo të përdoret për financimin e aktiviteteve të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi. Në të kundërt, njësia e vetëqeverisjes vendore nuk përfiton fonde për shërbime shoqërore për vitin pasardhës.

14. Bashkitë mund të mbartin në buxhetin e vitit pasardhës mjetet financiare të Fondit Social të papërdorura në vitin fiskal ushtrimor, përjashtuar financimin nga buxheti i shtetit.

15. Këshilli i qarkut, bazuar në planin social rajonal të bashkërenduar me planet sociale të bashkive, vendos ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe unike të kujdesit shoqëror të ofruara në nivel qarku.

16. Struktura përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror, në nivel qarku, çdo fund viti, mbledh kërkesat për mundësi financimi nga buxheti i shtetit, të sjella nga organizatat jofitimprurëse, që ofrojnë shërbime të specializuara të kujdesit shoqëror, në nivel bashkie/qarku.

17. Kërkesa për mundësi financimi, sipas pikës 16, të këtij vendimi, shoqërohet me projektpropozimin për ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe unike të kujdesit shoqëror, bazuar në standardet kombëtare të miratuara. Në projekt përcaktohen të gjithë komponentët e nevojshëm, si: ambientet, personeli, numri i mundshëm i përfituesve, masa e kërkuar për financimin, raportin e përdorimit të financimit nga buxheti i shtetit apo buxheti lokal apo nga donatorë të ndryshëm, raporte monitorimi ose vlerësimi të brendshme, të institucioneve publike ose të pavarura të cilësisë së ofrimit të shërbimit, kur bëhet fjalë për vazhdimësi financimi.

18. Strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në nivel qarku, brenda 10 (dhjetë) ditëve pas marrjes së kërkesës, fillojnë procedurat e vlerësimit, sipas përcaktimeve të bëra në nenet 36-38, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, të cilat konsiderohen si parësore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, por që nuk mund të ofrohen prej tyre në kuadër të Fondit Social.

19. Strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror, në nivel qarku, nisur nga vlerësimi i bërë, sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi, përgatisin dokumentacionin dhe propozimin për mundësinë e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit për miratim nga këshilli i qarkut.

20. Vendimi i këshillit të qarkut i paraqitet, shoqëruar me kërkesë për financim nga buxheti i shtetit, brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës, ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale.

21. Ministri përgjegjës për çështjet sociale ngre komisionin për vlerësimin e kërkesave për mundësitë e financimit nga buxheti i shtetit, për organizatat jofitimprurëse, që ofrojnë shërbime të specializuara të kujdesit shoqëror, në nivel qarku.

22. Komisioni/grupi i punës shqyrton dhe vendos për propozimet e ardhura nga qarqet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, për mundësinë e vazhdimit të financimit të shërbimeve ekzistuese apo të ngritjes së shërbimeve të reja të specializuara dhe unike të kujdesit shoqëror nga buxheti i shtetit, si dhe shkallën e mbulimit të financimit, në bazë të vlerësimit rast pas rasti dhe të kriterit të nevojës më të madhe.

23. Në përfundim, komisioni/grupi i punës përgatit dhe dorëzon, për miratim, pranë ministrit përgjegjës për çështjet sociale, relacionin me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse për garantimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve të specializuara të kujdesit shoqëror, për grupet në nevojë, në nivel qarku.

24. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale parashikon në buxhetin e saj fondin e nevojshëm për financimin e tyre në formën e transfertave të kushtëzuara, në kuadër të programit buxhetor afatmesëm, të cilat i transferohen pushtetit vendor, ku funksionojnë/do të funksionojnë këto shërbime.

25. Ministri përgjegjës për çështjet sociale, pas miratimit të kërkesave të paraqitura, autorizon njësinë përgjegjëse për shërbimet shoqërore, në nivel qarku, të lidhin kontratën me organizatat jofitimprurëse për financimin e shërbimeve shoqërore pa pagesë në territorin e qarkut.

III. METODOLOGJIA E SHPËRNDARJES SË FONDEVE BUXHETORE

26. Shpërndarja e fondeve buxhetore për financimin e Fondit Social të njësive të vetëqeverisjes vendore kryhet nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, duke u bazuar në:

a) kriterin e nevojës më të madhe;
b) impaktin dhe prioritetet e çdo njësie të qeverisjes vendore në ofrimin e këtyre shërbimeve sipas planeve përkatëse sociale;
c) mundësitë e financimit nga buxheti i shtetit;
ç) shkallën e mbulimit të financimit të Fondit Social nga burime të tjera nga buxheti i shtetit;
d) qëndrueshmërinë financiare të modelit të financimit të shërbimeve.

27. Për përcaktimin e kriterit të nevojës më të madhe (pika III.1.a, e këtij vendimi), për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore, ministria përgjegjëse për çështjet sociale bazohet në të dhënat e disponueshme nga vetë institucioni, si dhe nga Instituti i Statistikave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Shërbimi Social Shtetëror për parametrat e mëposhtëm:

a) Numrin e popullsisë (10%);
b) Shkallën e papunësisë (15%);
c) Numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike (15%);
ç) Numrin e personave me aftësi të kufizuar (20%);
d) Numrin e kërkesave për strehim social (10%);
dh) Numrin e shërbimeve sociale të ofruara (10%);
e) Numrin e përfituesve të shërbimeve sociale të ofruara (10%);
ë) Numrin e organizatave që ofrojnë shërbime sociale (5%);
f) Ofrimin e shërbimeve të reja sipas shportës së miratuar të shërbimeve (5%).

28. Financimi i shërbimeve të përkujdesjes shoqërore nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Fondit Social, do të mbështesë propozimet për krijimin e shërbimeve të reja bazuar në planet sociale të miratuara, duke garantuar qëndrueshmërinë e tyre në kohë dhe duke synuar reduktimin gradual të mbështetjes së tyre nga buxheti i shtetit.

29. Për të mundësuar vazhdimësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve, krijimin e shërbimeve të tjera dhe shtrirjen e tyre në të gjithë territorin e vendit, financimi nga buxheti i shtetit do të mbështesë:

a) jo më shumë se 90% të kostos për vitin e parë të ofrimit të shërbimeve;
b) jo më shumë se 60% të kostos për vitin e dytë të ofrimit të shërbimeve;
c) 30% në vitet në vijim.

30. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikat 28 e 29, të këtij vendimi, bëjnë qendrat kombëtare të përkujdesit social, qendrat që ofrojnë shërbime të specializuara dhe unike, në nivel qarku, dhe linjat kombëtare të këshillimit telefonik për gratë dhe fëmijët, që kanë marrëveshje bashkëpunimi/kontratë me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale.

IV. OFRIMI DHE MONITORIMI I SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR

31. Shërbimet e përkujdesjes shoqërore, të parashikuara në vendimin nr.518, datë 4.9.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror komunitar dhe rezidencial, kriteret, procedurat për përfitimin e tyre dhe masën e shumës për shpenzime personale për përfituesit e shërbimit të organizuar”, të cilat konsiderohen si parësore nga njësia e vetëqeverisjes vendore, por që nuk mund të ofrohen prej saj, mund të ofrohen nga organizata jofitimprurëse, që operojnë në këtë fushë.

32. Njësia e vetëqeverisjes vendore harton specifikimet teknike, bazuar në standardet e miratuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, për të organizuar dhe për të hapur tenderin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, kur ato ofrohen nga persona juridikë privatë.
33. Njësia e vetëqeverisjes vendore prokuron shërbimet e kujdesit shoqëror, në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe lidh kontratat me ofruesit jopublikë/organizatat jofitimprurëse.

34. Ofruesit jopublikë/organizatat jofitimprurëse të kontraktuara nga njësia e vetëqeverisjes vendore ofrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, si pjesë e kontratës ose e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palëve.

35. Njësia e vetëqeverisjes vendore raporton, çdo katër muaj, lidhur me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, financuar nga Fondi Social, pranë drejtorive rajonale të shërbimit social shtetëror.

36. Njësia e vetëqeverisjes vendore monitoron ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, sipas standardeve e treguesve të performancës, të përcaktuara në marrëveshjen e bashkëpunimit/kontratën me organizatat jofitimprurëse/ofruesit jopublikë.

37. Shërbimi Social Shtetëror monitoron zbatimin e standardeve kombëtare nga njësitë e qeverisjes vendore dhe ofruesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror, që financohen pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i shtetit dhe informon ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, si dhe jep rekomandime për njësitë e qeverisë vendore përgjegjëse.

38. Inspektorati që mbulon fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror, në përputhje me funksionet dhe kompetencat e parashikuara në nenin 35, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, siguron zbatueshmërinë e standardeve të shërbimeve shoqërore të ofruara nga subjektet e kontraktuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

39. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, nëpërmjet strukturave përgjegjëse, siguron auditimin financiar të shërbimeve të kujdesit shoqëror, që financohen pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i shtetit.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

40. Deri në miratimin e standardeve kombëtare të shërbimeve të përkujdesit social, llogaritja e kostove për shërbime bëhet në bazë të standardeve ekzistuese apo rast pas rasti, nëse për shërbimin nuk ekzistojnë standarde.

41. Deri në kalimin e shërbimeve rezidenciale kombëtare në administrim të njësive të vetëqeverisjes vendore, ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale, gjatë procesit të hartimit të programit buxhetor afatmesëm dhe buxhetit vjetor, parashikon fondet e nevojshme për këto shërbime dhe i propozon ministrisë përgjegjëse për financat shumën financiare për vijimin e aktivitetit të tyre.

42. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për financat, të udhëzojnë njësitë e qeverisjes vendore për financimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror.

43. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit në njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË KLASIFIKIMIT TË LLOJEVE TË NDËRTIMIT (KN)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e zbatimit të nomenklaturës së klasifikimit të llojeve të ndërtimit (KN), të miratuar, paraprakisht, nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Nomenklatura e klasifikimit të llojeve të ndërtimit zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore, zyrtare, për aktivitetin e ndërtimit.

3. Instituti i Statistikave kryen përditësimin e informacionit statistikor, zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Instituti i Statistikave, agjencitë statistikore, ministritë e linjës dhe institucionet qendrore e vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, GJYKATËN E LARTË, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në fund të pikës 1/3/a shtohet emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar”;
b) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3:
i. emërtesat “Instituti i Zhvillimit të Arsimit” dhe “Inspektorati Shtetëror i Arsimit” shfuqizohen;
ii. shtohet emërtesa “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar”.

c) Pas pikës 9/13 të shtohet pika 9/14, si më poshtë vijon:

“9/14. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar i institucionit” në Drejtorinë Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar janë sipas lidhjes nr.6/14, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

ç) Pika 12/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“12/1. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” në drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar janë sipas lidhjes nr.9/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2019, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe të fillojnë nga momenti i transferimit apo emërimit të nëpunësve në pozicionet e reja, pas miratimit të strukturave dhe organikave përkatëse.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA TIRANË, TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL DHE OBJEKTI, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.42, ME EMËRTIM “INSTITUTI I STUDIMEVE DHE PROJEKTIMEVE TË MBROJTJES”, ME VENDNDODHJE BULEVARDI “ZHAN D’ARK”, TIRANË, DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.572, DATË 3.9.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TË OBJEKTIT NR.42, ME EMËRTIM “INSTITUTI I STUDIMEVE DHE PROJEKTIMEVE TË MBROJTJES”, PËR SHKOLLËN SHQIPTARE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE, DHE SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.786, DATË 14.11.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, DHE NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe objekti, me sipërfaqe të përgjithshme 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m², nga trualli funksional i pronës nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, me vendndodhje bulevardi “Zhan D’Ark”, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për ndërtim rruge publike.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, hiqet sipërfaqja 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m², nga trualli funksional i pronës nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, me vendndodhje bulevardi “Zhan D’Ark”, Tiranë, sipas planvendosjes, dhe shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore që i kanë kaluar në pronësi ose përdorim Bashkisë Tiranë.

3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronës, para fillimit të punimeve, Bashkia Tiranë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës dhe portën hyrëse, me kangjella metalike dhe me bazament betonarme, duke i kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike, që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, dhe për këtë të hartohet aktmarrëveshje ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të përfaqësuar nga Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake.

5. Në vendimin nr.572, datë 3.9.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në titullin e vendimit, fjalët “… Ministrisë së Punëve të Brendshme …” shfuqizohen;
b) Pika 1, e vendimit, riformulohet, si më poshtë vijon:

“1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, për një periudhë 40-vjeçare, të objektit nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, nga Ministria e Mbrojtjes te Shkolla Shqiptare e Administratës Publike”, të truallit funksional dhe objektit me sipërfaqe të përgjithshme 1077.28 (një mijë e shtatëdhjetë e shtatë pikë njëzet e tetë) m², sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevojat e administratës së këtij institucioni.”.

c) Në pikën 2, të vendimit, fjalët “… Ministrisë së Punëve të Brendshme …”, zëvendësohen me “… Shkollës Shqiptare të Administratës Publike …”.

6. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Tiranë, drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS UNAZA PATOS”, NË BASHKINË PATOS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës unaza Patos”, në Bashkinë Patos.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Patos.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me sipërfaqe 19 m², me vlerë të përgjithshme 566 827,15 (pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e shtatë presje pesëmbëdhjetë) lekë, si dhe për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 19 m², me vlerë 54 112 (pesëdhjetë e katër mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 620 939, 15 (gjashtëqind e njëzet mijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë presje pesëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Patos, planifikuar në buxhetin e saj.

5. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Bashkisë Patos certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit si dhe kartelën e pasurisë.

7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Patos të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Patos, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të Bashkisë Patos.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier dhe Bashkia Patos për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 12 HA, QË DO TË PËRDORET NGA “DEVOLL HYDROPOWER”, SH.A. PËR SHFRYTËZIMIN E GURIT GËLQEROR NË OBJEKTIN “POPÇISHT”, BASHKIA MALIQ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 12 ha, që do të përdoret nga “Devoll Hydropower”, sh.a. për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në objektin “Popçisht”, Bashkia Maliq, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja nr.1, me të dhënat për sipërfaqet pyjore që zvogëlohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor publik, si dhe harta topografike me koordinatat e poligonit të sipërfaqes objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor, të produkteve të tjera pyjore dhe kullosore dhe të investimeve të kryera në vite, në sipërfaqen objekt minerar, paguhen nga “Devoll Hydropower”, sh.a., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Maliq, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.

3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, “Devoll Hydropower”, sh.a. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore dhe të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 12 ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Bashkinë Maliq.
4. Bashkia Maliq dhe “Devoll Hydropower”, sh.a. nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 ditë, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes, së bashku me projektin e miratuar për pyllëzimin, dërgohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, jo më vonë se 10 ditë, nga data e nënshkrimit të saj.

5. Sipërfaqet pyjore, sipas lidhjes nr.1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar sipas lidhjes nr.1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.

7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit sipas lejes mjedisore nga “Devoll Hydropower”, sh.a., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Maliq.

8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia Maliq dhe “Devoll Hydropower”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, KARAKTERISTIKAT E PËRDORIMIT E AKSESIMIT, TË DHËNAT PARËSORE E DYTËSORE DHE DHËNËSIN E INFORMACIONIT TË SISTEMIT TË INTEGRUAR TË TË DHËNAVE TË DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 137, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin e rregullave lidhur me krijimin, organizimin, funksionimin dhe karakteristikat e përdorimit e aksesimit, të dhënat parësore e dytësore dhe dhënësin e informacionit të Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur.

2. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur përmban të dhëna elektronike të përditësuara mbi çdo fazë të procedimit penal, përfshirë edhe ekzekutimin e vendimit penal, ku përfshihen të miturit në konflikt me ligjin penal, të mitur viktima dhe dëshmitarë të veprave penale.

3. Përdorimi dhe aksesimi i Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Miturit mbështetet në:

a) parimin e respektimit të jetës private, të dinjitetit dhe personalitetit të të miturit;
b) parimin e konfidencialitetit, duke mos bërë publike asnjë të dhënë ose informacion të marrë për shkak të detyrës/gjatë kryerjes së detyrës dhe pas përfundimit të saj, që mund të lidhet me dënimet e mëparshme të të miturit, në respektim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
c) parimin e interesit më të lartë të të miturit.

4. Krijimi, funksionimi dhe administrimi i Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur bëhet në formatin “web-based”.

5. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur, si bazë të dhënash shtetërore, hostohet në serverët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (në vijim, AKSHI).

6. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur përmban rubrika të posaçme për anonimizimin e të dhënave, që identifikojnë të miturin në konflikt me ligjin, të miturin viktimë ose dëshmitar të një vepre penale, të dhëna sensitive të lidhura me emrat, adresat, vendet e shkollimit dhe/ose të punës, të profesioneve ose çdo informacion tjetër që mund të përdoret për të identifikuar të miturin.

7. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur ka për qëllim, si më poshtë vijon:

a) mbledhjen e të dhënave dhe harmonizimin e statistikave të rasteve të drejtësisë penale për të mitur në kohë reale, nëpërmjet gjurmimit të të dhënave të ndjekjes penale e procedurave gjyqësore;
b) përmirësimin e cilësisë së statistikave të harmonizuara, të gjeneruara nga institucionet e parashikuara nga ky vendim;
c) unifikimin dhe kompjuterizimin e të dhënave për rastet e drejtësisë penale për të mitur, me qëllim krijimin e një baze statistikore, që ndihmon analizën e orientimin e përmirësimit të politikave lidhur me drejtësinë penale për të mitur;
ç) ofrimin e zgjidhjeve të menjëhershme për rastet kur i mituri është subjekt i abuzimeve ose shkeljeve të garancive procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

8. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur është një sistem unik digjital, që gjeneron tregues bazë në mënyrë sintetike për:

a) gjendjen e kriminalitetit për të miturit;
b) numrin e përsëritësve nga grupmoshat e mitura;
c) shkallën e riintegrimit apo rehabilitimit të të miturve pas kryerjes së dënimit me burgim ose në rastet kur nuk janë dënuar me burg;
ç) numrin e të miturve në konflikt me ligjin të proceduar në gjendje lirë, të arrestuar, të ndaluar;
d) numrin e të miturve në konflikt me ligjin, të trajtuar me procedurën e shmangies nga ndjekja penale dhe nga dënimi përmes masave alternative;
dh) numrin e të miturve në konflikt me ligjin, të gjykuar e të dënuar;
e) llojin e veprave penale të kryera nga të mitur;
ë) numrin e viktimave të mitura dhe llojin e veprave penale të kryera ndaj tyre; si dhe
f) të dhëna të tjera që lidhen me të miturit në konflikt me ligjin.

9. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur përbëhet nga tërësia e të dhënave që burojnë nga fashikujt e dokumente të krijuara, të dërguara dhe të përpunuara gjatë veprimtarisë së institucioneve shteterore ose joshtetërore, të personave juridikë e fizikë privatë, gjatë procedurave që ndiqen në hetimin ose gjykimin e çështjeve që lidhen me të miturit në konflikt me ligjin, të miturin viktimë dhe/ose dëshmitar. Në të dhënat e detyrueshme, që organet kompetente duhet të hedhin në version elektronik, të jenë:

a) vendimet e gjykatave;
b) vendimi i prokurorit për fillimin, mosfillimin ose shmangien nga ndjekja penale;
c) marrëveshja e shmangies nga ndjekja penale;
ç) raportet e vlerësimit individual të të miturit;
d) vendimet për ekzekutimin e vendimeve penale;
dh) dokumentet që vërtetojnë përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër nga i mituri me marrëveshje, si: dëftesa shkollore, vërtetime për ndjekjen e programeve, si dhe akte të tjera;
e) lloji i veprës penale të evidentuar, si dhe të dhëna për identitetin, gjininë, arsimin dhe vendbanimin për të miturit në konflikt me ligjin, të miturit viktima dhe/ose dëshmitarë;

10. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur përmban të dhëna që ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e administruara nga institucioni përgjegjës dhe që kanë të bëjnë me:

i) të miturit autorë, viktima apo dëshmitarë të një vepre penale; si dhe
ii) çdo të dhënë tjetër që lidhet me të miturit në konflikt me ligjin.

b) Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që kanë të bëjnë me:

i) veprat penale të evidentuara nga strukturat qendrore e vendore të Policisë së Shtetit për të miturit në konflikt me ligjin, duke përfshirë: llojin e veprës penale, datën e evidentimit, strukturën policore që e ka evidentuar dhe/ose trajtuar rastin, masën e marrë ndaj të miturit (gjendje e lirë, arrestuar, ndaluar, shpallur në kërkim);
ii) njoftimet dhe kallëzimet e kryera pranë organeve të ndjekjes penale për një vepër penale të dyshuar se është kryer nga një i mitur, duke përfshirë: datën e kallëzimit, prokurorinë ku bëhet kallëzimi, numrin e të miturve, veprën penale të dyshuar se është kryer nga i mituri, vendimin e prokurorisë;
iii) të dhënat që merren nga institucionet e ekzekutimit të vendimit, duke përfshirë: dënimin/masën e dhënë, afatin për kryerjen e dënimit/masës, institucionin/zyrën që do ta ndjekë, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me procesin;
iv) të dhënat referenciale të gjendjes civile, si: numri personal, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia/njësia administrative, adresa;
v) procesin gjyqësor të kryer nga gjykata, duke përfshirë: të dhënat mbi akuzën e ngritur nga prokuroria, datën e numrin e regjistrimit të çështjes, llojin e gjykimit, vendimin e gjykatës, numrin të miturve të dënuar, llojin e dënimit;
vi) të dhënat e marra nga baza të tjera të dhënash, ku ato janë të dhëna parësore.

11. Subjektet përgjegjëse të Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur janë, si më poshtë vijon:

a) Institucioni administrues i sistemit është Ministria e Drejtësisë;

b) Institucionet përgjegjëse si dhënës për popullimin me të dhëna sipas fazave të procesit janë:

i) Ministria e Brendshme;
ii) Prokuroria e Përgjithshme;
iii) Të gjitha gjykatat/seksionet në nivel rrethi dhe apeli, që gjykojnë çështje penale me të mitur;
iv) Gjykata e Lartë;
v) Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve;
vi) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës.

12. Përdoruesit e Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur janë hedhësit e informacionit, si më poshtë vijon:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, drejtoritë vendore të policisë dhe/ose drejtoritë vendore për kufirin dhe migracionin;
b) Zyrat/seksionet e prokurorisë në nivel rrethi dhe apeli, që hetojnë çështje penale me të mitur;
c) Gjykatat/seksionet në nivel rrethi dhe apeli, që gjykojnë çështje penale me të mitur;
ç) Gjykata e Lartë;
d) Prokuroria e Përgjithshme;
dh) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ku ndodhen të miturit e dënuar ose të paraburgosur;
e) Zyrat vendore të shërbimit të provës që trajtojnë rastet e të miturve me masë shmangieje ose masë alternative të dënimit me burgim.

13. Subjekte të interesuara janë:

a) Këshilli i Lartë Gjyqësor;
b) Këshilli i Lartë i Prokurorisë;
c) Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
ç) ministria përgjegjëse për arsimin;
d) çdo subjekt tjetër, që paraqet kërkesën e argumentuar pranë ministrit të Drejtësisë dhe i përcaktuar shprehimisht me vendim të Këshillit të Ministrave.

14. Të dhënat lidhur me të miturin dhe procedurën që parashikon ky vendim mbahen në përputhje me rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

15. Pas lirimit të të miturit, për fashikullin e tij personal elektronik zbatohen rregullat për ruajtjen dhe asgjësimin e fashikujve, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për arkivat.

16. Niveli i aksesit në Sistemin e Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur është, si më poshtë vijon:

a) Subjektet e përcaktuara në pikën 11, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi dhe gjenerimi të të dhënave të hedhura nga përdoruesit e tyre në sistem;
b) Subjektet e përcaktuara në pikën 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi, shkrimi e modifikimi mbi të dhënat e hedhura prej tyre;
c) Subjektet e përcaktuara në pikën 13, të këtij vendimi, kanë akses në nivelin “vizitor” mbi të dhënat që gjenerohen nga sistemi dhe dokumentet e prodhuara, që tregojnë ecurinë procedurale të çështjes, me përjashtim të të dhënave e dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale të të miturit të mbrojtura nga ligji;
ç) Ministria e Drejtësisë ka të drejta të plota administrative në sistem në këto role:
i) administrator;
ii) raportues;
iii) auditues;
iv) zhvillues.

17. Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur ndërvepron me bazat e të dhënave ku ato ekzistojnë si të dhëna parësore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

18. Institucionet e varësisë dhe/ose drejtoritë rajonale të institucioneve, të cilat nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në sistem, sigurojnë që informacioni t’i dërgohet menjëherë organit epror, i cili ka llogari në sistem. Organi epror, nëpërmjet llogarisë së tij, plotëson sistemin në emër të institucionit që ka dërguar të dhënat. Institucionet e varësisë dhe/ose drejtoritë rajonale dhe institucionet eprore marrin të gjitha masat që komunikimi i të dhënave mes tyre dhe hedhja e të dhënave në sistem të përfundojë brenda 24 (njëzet e katër) orëve, po jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga momenti i krijimit të informacionit nga institucioni dërgues. Për raste të veçanta, hedhja e informacionit nuk mund jetë përtej 72 (shtatëdhjetë e dy) orëve nga momenti i krijimit.

19. Ministria e Drejtësisë kujdeset që të mundësohet grumbullimi i të dhënave, përpunimi i tyre statistikor, analiza dhe përgatitja e raporteve për përmirësimin dhe parandalimin e kriminalitetit, ofrimi i zgjidhjeve të menjëhershme për rastet kur të miturit i mohohet aksesi në drejtësi ose kur nuk zbatohen garancitë procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe:

a) të vendosë në dispozicion të përdoruesve të sistemit programin për hedhjen e të dhënave në formatin “web-based”;
b) të bashkëpunojë dhe të bashkërendojë punën me AKSHI-n për hostimin e sistemit;
c) të mbikëqyrë dhe të ofrojë asistencë teknike për përdorimin e sistemit;
ç) të vendosë në dispozicion të organeve shtetërore mundësinë e gjenerimit automatik të statistikave nga sistemi për të dhënat e hedhura nga secili institucion;
d) të trajnojë përdoruesit e sistemit lidhur me raportimin, hedhjen e të dhënave dhe përditësimin e tyre, si dhe për administrimin e përshtatshëm të sistemit, sipas qëllimit të përcaktuar në pikën 7, të këtij vendimi;
dh) të propozojë masa për rritjen e efikasitetit të sistemit dhe përmirësimin e tij në të ardhmen.

20. Të gjithë përdoruesit janë përgjegjës për saktësinë dhe përditësimin e të dhënave të hedhura nëpërmjet llogarisë së tyre në Sistemin e Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur.

21. Subjekti përgjegjës për administrimin e sistemit në cilësinë e “kontrolluesit”, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet të dokumentojë masat tekniko-organizative të përshtatura e të zbatuara për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

22. AKSHI, si autoriteti rregullator koordinues i bazave të të dhënave shtetërore, regjistron, auditon dhe koordinon ndërveprimin me bazat e të dhënave shtetërore.

23. Përdorimi i Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur fillon nga data e vënies në funksionim e tij.

24. Ngarkohen institucionet shtetërore, që hedhin të dhënat sipas fushave të veprimtarisë, për miratimin e rregullave të detajuara për përdorimin e sistemit nga institucionet e tyre të varësisë.

25. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 1.1833 HA, NË OBJEKTIN “MAJA E MIDHËS”, TË BASHKISË FUSHË-ARËS, QË DO TË PËRDORET NGA MINISTRIA E MBROJTJES PËR NDËRTIMIN E RADARIT SIVHA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Sipërfaqja pyjore publike, prej 1.1833 (një pikë një mijë e tetëqind e tridhjetë e tre) ha, që do të përdoret për kryerjen e punimeve civile nga kompania “Lockheed Martin Global, Incorporated, USA”, për ndërtimin e radarit SIVHA, në objektin “Maja e Midhës”, në Bashkinë Fushë-Arës, të hiqet nga fondi pyjor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja nr.1, me të dhënat për sipërfaqen pyjore që zvogëlohet në volum dhe hiqet nga fondi pyjor publik, si dhe harta topografike me koordinatat e poligonit të sipërfaqes objekt ndërtimi, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vlera përkatëse e volumit të materialit drusor, produkteve të tjera pyjore dhe investimeve të kryera në vite, në sipërfaqen objekt ndërtimi, kompesohet nga Ministria e Mbrojtjes për Bashkinë Fushë-Arës, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.

3. Bashkia Fushë-Arës dhe Ministria e Mbrojtjes, si përfituese e ndërtimit të radarit SIVHA, nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

4. Sipërfaqet pyjore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Publike çregjistron sipërfaqen pyjore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt ndërtimi i radarit SIVHA”.

6. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bashkia Fushë-Arës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

PROCEDURËN QË ZBATON SHËRBIMI I PROVËS NË RAST TË MOSPËRMBUSHJES SË MASËS ALTERNATIVE TË SHMANGIES NGA NDJEKJA PENALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 72, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurës që zbatohet nga Shërbimi i Provës në rastet e mospërmbushjes së kushteve dhe detyrimeve që burojnë prej masës alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturit.

2. Shërbimi i Provës, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, udhëhiqet nga parimi i interesit më të lartë të të miturit dhe masa alternative e shmangies nga ndjekja penale u shërben më mirë qëllimeve të rishoqërizimit, rehabilitimit të të miturit dhe parandalimit të shkeljeve të ligjit përkundrejt vendosjes së tij nën përgjegjësinë penale dhe zbatimit të dënimit penal.

3. Kompetencat e Shërbimit të Provës, në rast mospërmbushjeje të kushteve dhe detyrimeve që burojnë prej masës së shmangies nga ndjekja penale për të miturit, janë, si më poshtë vijon:

a) ndjek dhe mbikëqyr detyrimet që rrjedhin nga masa e shmangies, si organ kompetent që zbaton edhe procedurën e përcaktuar në këtë vendim, për mospërmbushjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturit;
b) informon menjëherë me shkrim prokurorin, duke i vënë në dispozicion raportin e vlerësimit, sipas pikës 5 të këtij vendimi, i cili ka dhënë vendimin e masës së shmangies nga ndjekja penale për të miturin lidhur me kohën, vendin, mënyrën dhe rrethanat e mospërmbushjes së masës së shmangies, si dhe situatën personale të të miturit, vlerësuar në përputhje me pikat 1 e 2, të nenit 22, të ligjit nr.37/2017, dhe të japë mendimin e tij.
c) informon menjëherë me shkrim të miturin me masën alternative të shmangies nga ndjekja penale, prindërit ose, sipas rastit, kujdestarin/përfaqësuesin ligjor lidhur me pasojat e moszbatimit të kushteve dhe detyrimeve të masës së shmangies dhe rregullat e shqyrtimit në rast mospërmbushjeje.

4. Në rastet kur Shërbimi i Provës konstaton se i mituri nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga masa alternative e shmangies nga ndjekja penale, merr masat, si më poshtë vijon:

a) verifikon faktet dhe rrethanat që ndikojnë në mospërmbushjen prej të miturit të detyrimeve nga masa alternative e shmangies nga ndjekja penale;
b) fton të miturin, prindërit e tij ose kujdestarin/përfaqësuesin ligjor në takim, me qëllim diskutimin e rrethanave të mospërmbushjes së detyrimeve që burojnë nga masa alternative e shmangies, i cili mbahet brenda 3 (tri) ditëve nga data e dërgimit dhe njoftimit të ftesës për takim. Në njoftim tregohet vendi, data dhe ora e takimit, emri i punonjësit të Shërbimit të Provës, si dhe numri i telefonit dhe adresa e Shërbimit të Provës. Njoftimi kryhet me mjete teknike të përshtatshme që garantojnë njoftimin, si: telefoni, telegrafi, telegrami, faksi apo posta elektronike. Njoftimi ka vlerë kur i mituri dhe prindërit e tij konfirmojnë marrjen e tij;
c) kur, për arsye objektive, i mituri dhe prindërit ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor nuk mund të jetë i pranishëm në takim, ai njofton paraprakisht punonjësin e Shërbimit të Provës, duke parashtuar arsyet e mungesës. Në këtë rast punonjësi i Shërbimit të Provës cakton një takim të dytë, jo më vonë se 4 (katër) ditë nga takimi i parë. Në rast se i mituri dhe prindërit e tij ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor nuk paraqiten edhe në takimin e dytë, atëherë punonjësi i Shërbimit të Provës njofton menjëherë prokurorin;
ç) mbajtjen e procesverbalit, i cili përshkuan në mënyrë të hollësishme shkaqet e mbajtjes së tij, tregimin e fakteve dhe rrethanave që Shërbimi i Provës ka për mospërmbushjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale nga i mituri dhe prapësimet e bëra nga i mituri, prindërit ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor dhe evidentimin e pranisë së psikologut. Procesverbali nënshkruhet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në takim, përfshirë edhe psikologun.

5. Brenda 5 (pesë) ditëve nga zhvillimi i takimit, punonjësi i Shërbimit të Provës ka detyrimin të kryejë të gjitha verifikimet e mundshme të shkaqeve dhe rrethanave të mospërmbushjes së detyrimeve që burojnë nga masa alternative e shmangies nga ndjekja penale për të miturin dhe, mbi këtë bazë, harton raportin e vlerësimit. Raporti i vlerësimit përmban:

a) urdhrin e lëshuar nga organi procedues për masën alternative të shmangies nga ndjekja penale dhe kopje të marrëveshjes me detyrimet përkatëse, që janë urdhëruar për t’u përmbushur nga i mituri;
b) kohën, vendin dhe rrethanat e mospërmbushjes së detyrimit të masës alternative për shmangie nga ndjekja penale e të miturit, përshkrimin dhe analizën e të miturit, duke përfshirë informacionin për gjendjen e tij sociale, historinë personale, arsimimin, punësimin apo trajnimet, strehimin, shëndetin fizik apo mendor, vështirësitë personale, gjendjen financiare, qëndrime të përgjithshme shoqërore dhe çdo faktor tjetër që punonjësi i Shërbimit të Provës e konsideron të rëndësishëm;
c) përmbledhje të të gjithë informacionit dhe fakteve të rastit të paraqitura në formën e një analize për shkakun e mospërmbushjes së detyrimeve të masës alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturit;
ҫ) analizën, nëse kjo shmangie e këtyre detyrimeve është kryer me apo pa qëllim nga ana e të miturit;
d) burimet e informacionit të përdorura për të përgatitur raportin, duke përfshirë personat e intervistuar dhe dokumentet e konsultuara;
dh) përfundimet dhe rekomandimet e Shërbimit të Provës për prokurorin, në referim të pikës 1, të nenit 71, të ligjit nr.37/2017.

6. Kundër veprimeve të punonjësit të Shërbimit të Provës të caktuar me mbikëqyrjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale, i mituri, prindërit ose kujdestari/përfaqësuesi ligjor i tij ka të drejtën e ankimit tek eprori i punonjësit ose tek prokurori i çështjes që ka caktuar masën alternative të shmangies.

7. Raporti i vlerësimit për mospërmbushjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturit përpilohet sipas modeleve të miratuara nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.

8. Raportit të vlerësimit për mospërmbushjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale nga i mituri i bashkëlidhet edhe kopje e procesverbalit të mbajtur sipas pikës 4, të këtij vendimi, dhe çdo dokument apo e dhënë tjetër që punonjësi i Shërbimit të Provës e gjykon të nevojshme.

9. Nëse i mituri, për të cilin është kërkuar raporti i vlerësimit për mospërmbushjen e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale, nuk bashkëpunon, punonjësi i Shërbimit të Provës e përmend refuzimin e bashkëpunimit në raportin e vlerësimit.
10. Kopja e raportit të vlerësimit për mospërmbushjen e masës së alternative të shmangies nga ndjekja penale u dërgohet edhe të miturit, prindërve ose kujdestarit/përfaqësuesit ligjor të të miturit.

11. Të dhënat për të miturin, që nuk përmbush masën alternative të shmangies nga ndjekja penale, mbahen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

12. Të dhënat për procedurën e ndjekur për mospërmbushjen nga ana e të miturit të masës alternative të shmangies nga ndjekja penale mund t’u jepen ministrit të Drejtësisë, drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, të miturit, prindërve të tij, kujdestarit/përfaqësuesit ligjor, në përputhje me legjislacionin në fuqi për klasifikimin e akteve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

13. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE NDËRKOMBËTARE KËSHILLIMORE PËR MENAXHIM PËR MASA SHOQËRUESE NË KUADËR TË PROGRAMIT “LINJA UNAZORE 110 KV E SHQIPËRISË SË JUGUT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve ndërkombëtare këshillimore për menaxhim për masa shoqëruese në kuadër të programit “Linja unazore 110 kv e Shqipërisë së Jugut”, me një grant në shumën prej 2 000 000 (dy milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2018 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI SEKTORIAL I UJËRAVE/ FURNIZIMI ME UJË I ZONAVE RURALE IV”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi sektorial i ujërave/ furnizimi me ujë i zonave rurale IV”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.