Postuar më: 17 Prill 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2019:

V E N D I M

PËR

KATEGORITË E SHËRBIMEVE TË OFRUARA NGA ENTET SHTETËRORE DHE SUBJEKTE TË TJERA, TË CILAT PËRFITOHEN ME ÇMIME TË REDUKTUARA PËRMES PËRDORIMIT TË KARTËS SË STUDENTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 100, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe të kulturës, të shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.

2. Ministrat, sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, miratojnë, me urdhër të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për arsimin, listën e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuara për studentët. Në urdhrin e përbashkët përcaktohen çmimet e reduktuara për shërbimet që do të ofrohen. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i secilës ministri, ofruese e shërbimit për studentët, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

3. Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera publike apo private, që kanë objekt të fushës së veprimtarisë së tyre shërbime për studentët, në bazë të marrëveshjeve përkatëse, pa efekte financiare për buxhetin e shtetit, të nënshkruara me ministrinë përgjegjëse për arsimin.

4. Në nivel vendor, marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit nënshkruhen ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore.

5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshje me subjekte të tjera publike dhe private për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.

6. Çdo institucion i arsimit të lartë mund të nënshkruajë marrëveshje, pa efekte financiare, me subjekte publike apo private, për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, në nivel qendror apo vendor, me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.

7. Marrëveshjet e lidhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e arsimit të lartë marrin miratimin paraprak në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Ministria përgjegjëse për arsimin konfirmon miratimin brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga njoftimi i marrëveshjes. Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, miratimi konsiderohet i dhënë.

8. Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë të gjitha shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi nëpërmjet paraqitjes së kartës së studentit si dokument unik. Shërbimet e ofruara, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhen publike nga të gjitha institucionet qendrore e vendore, si dhe nga subjektet publike e private në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ministria përgjegjëse për arsimin publikon të gjitha shërbimet e siguruara me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.

9. Karta e studentit mund të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Kjo pjesëmarrje mundëson që shërbimet e ofruara nga këto projekte të përfitohen nga të gjithë përfituesit e kartës së studentit në shtetet anëtare të projektit apo të marrëveshjeve ndërkombëtare. Efektet financiare të pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtare përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin.

10. Shpenzimet për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i ministrive sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

11. Në rast se njësitë e vetëqeverisjes vendore paraqesin kërkesë për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit, ministria përgjegjëse për arsimin nënshkruan një marrëveshje dypalëshe me këto njësi për delegimin e këtyre përgjegjësive e kompetencave. Në këtë rast, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i këtyre njësive.

12. Qendra e Shërbimeve Arsimore konfirmon, për çdo vit akademik, studentët e regjistruar në vitin përkatës akademik, për çdo institucion të arsimit të lartë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, në rastin e delegimit të prodhimit dhe të administrimit të kartës së studentit.

13. Ngarkohen ministritë sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet shtetërore, si dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E REHABILITIMIT TË KONVIKTEVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS SIPAS PARIMIT TË EFIÇENCËS SË ENERGJISË, FAZA III

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiҫencës së energjisë, faza III, me një grant në shumën 2 927 765.96 (dy milionë e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e gjashtë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRGATITJEN, SHTYPJEN, BOTIMIN DHE SHPËRNDARJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE TË ARSIMIT BAZË PËR NXËNËSIT E INSTITUCIONEVE ARSIMORE PUBLIKE PARAUNIVERSITARE, KU MËSOJNË NXËNËS TË PAKICAVE KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 13, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministria përgjegjëse për arsimin siguron shtypjen, botimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të arsimit bazë për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare.

2. Lista e teksteve shkollore të arsimit bazë për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, përcaktohet nga ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me nevojat e evidentuara për çdo vit shkollor.

3. Tekstet shkollore të arsimit bazë për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, të përgatitura e që janë gjendje pranë strukturave shtetërore, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila i riboton këto tekste, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik, duke respektuar të drejtat e detyrimet lidhur me këto tekste.

4. Ministria përgjegjëse për arsimin siguron përkthimin e teksteve të katalogut zyrtar të teksteve shkollore, nga gjuha shqipe në gjuhën e pakicës kombëtare, në përputhje me lëndët mësimore që zhvillohen në arsimin bazë, të cilat nuk janë gjendje, sipas përcaktimit të pikës 3, të këtij vendimi.

5. Për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, për secilën prej gjuhëve amtare të pakicave kombëtare përkthehet vetëm një alternativë nga katalogu zyrtar i teksteve shkollore. Alternativa që do të përkthehet do të jetë teksti shkollor më i përzgjedhur nga mësuesit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare. Teksti i përzgjedhur dhe i përkthyer nuk ndryshon deri në ndryshimin e programit mësimor.

6. Të drejtën për përkthimin, botimin dhe shpërndarjen e tekstit shkollor, sipas pikës 5, të këtij vendimi, e ka shtëpia botuese që gëzon të drejtat për tekstin shkollor.

7. Procedura për përkthimin, botimin dhe shpërndarjen e tekstit shkollor të përcaktuar në pikat 5 e 6, të këtij vendimi, realizohet sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik.

8. Në rastet kur shtëpia botuese nuk mund të realizojë përkthimin, botimin dhe shpërndarjen e tekstit shkollor, sipas pikës 5, të këtij vendimi, të drejtat i kalojnë ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila përkthen, shtyp, boton dhe shpërndan tekstet shkollore, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

9. Për hartimin e teksteve shkollore të reja në gjuhën amtare të pakicave kombëtare, të cilat nuk janë gjendje, sipas përcaktimit të pikave 2 e 3, të këtij vendimi, dhe nuk janë pjesë e katalogut zyrtar të teksteve shkollore, institucioni përgjegjës për zhvillimin e metodologjive dhe të standardeve për tekstet mësimore apo sigurimin e cilësisë së arritjeve në arsimin parauniversitar, në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për secilin tekst shkollor, formon grupet e autorëve dhe komisionet e posaçme për përgatitjen, diskutimin dhe miratimin e teksteve. Anëtarët e grupeve dhe të komisioneve paguhen sipas akteve nënligjore në fuqi.

10. Tekstet e miratuara nga komisionet e posaçme të ngritura nga institucioni përgjegjës për zhvillimin e metodologjive dhe të standardeve për tekstet mësimore apo sigurimin e cilësisë së arritjeve në arsimin parauniversitar, në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i paraqiten ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila i boton këto tekste, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik, duke respektuar të drejtat e detyrimet lidhur me këto tekste.

11. Kërkesat për pajisjen me tekste shkollore për nxënësit e pakicave kombëtare, që mësojnë në institucionet arsimore publike të arsimit bazë, dërgohen në ministrinë përgjegjëse për arsimin nga institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, brenda muajit janar të çdo viti. Përjashtimisht, për vitin shkollor 2019-2020, kërkesat paraqiten brenda muajit prill 2019.

12. Kostoja e përgatitjes, shtypjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore të arsimit bazë, për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, mbulohet nga fondet buxhetore të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

13. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucioni përgjegjës për zhvillimin e metodologjive dhe të standardeve për tekstet mësimore apo sigurimin e cilësisë së arritjeve në arsimin parauniversitar, në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, PËR SHËRBIMET AJRORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shërbimet ajrore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NË BUXHETIN E VITIT 2019, PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Masa e financimit prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2019, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 824 000 (tridhjetë e një milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekë, të ndarë në:

i. 11 544 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 74 (shtatëdhjetë e katër) punonjës të administratës;
ii. 20 280 000 (njëzet milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 130 (njëqind e tridhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 132 (njëqind e tridhjetë e dy) punonjës të administratës;
ii. 5 148 000 (pesë milionë e njëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 (tridhjetë e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 240 000 (gjashtë milionë e dyqind e dyzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 19 500 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 125 (njëqind e njëzet e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 696 000 (njëzet e pesë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 4 056 000 (katër milionë e pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 (njëzet e gjashtë) punonjës të administratës;
ii. 14 640 000 ( katërmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e dyzet mijë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit. Shuma do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë – preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2019, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet njëherësh, brenda muajit prill të vitit 2019.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN, KATEGORIZIMIN DHE EMËRTIMIN E PORTIT TË LLOJIT MBM, NË PORTO-ROMANO, DURRËS, “PORT I HAPUR PËR TRAFIK NDËRKOMBËTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 18, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpalljen, kategorizimin dhe emërtimin e portit detar të llojit MBM (Multi Buoy Mooring), në Porto-Romano, Durrës, si “Port i hapur për trafik ndërkombëtar”, i cili i ka specifikat, si më poshtë vijon:

a) Koordinatat gjeografike Pika A: N- 41o 22’18.532” E- 19 o23’31.052”
Pika B: N- 41o 21’48.277” E- 19 o23’46.517”
Pika C: N- 41o21’36.625” E- 19 o23’6.361”
Pika D: N- 41o22’6.877” E- 19 o22’50.891”
Pika P1: N- 41o22’32.520” E- 19o25’19.200”
b) Veprimtaria detare Ngarkim-shkarkim i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre;
c) Operativiteti Port i hapur për trafik ndërkombëtar, 24 orë;
ç) Shfrytëzimi Faza I: Sipas marrëveshjes koncesionare gjatë kohëzgjatjes së koncesionit miratuar me ligjin nr.104/2015;
Faza II: Pronë e shtetit shqiptar dhe e lirë për t’u shfrytëzuar sipas vullnetit të shtetit, pas përfundimit të koncesionit;
d) Menaxhimi Faza I: Shoqëria koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” sipas marrëveshjes koncesionare miratuar me ligjin nr.104/2015, gjatë kohëzgjatjes së koncesionit;
Faza II: Shteti shqiptar, përfaqësuar nga organet qendrore përgjegjëse, në fushën e porteve dhe zhvillimit ekonomik;
dh) Pronësia Shteti shqiptar, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave.
Kufizime: Në përdorim të shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” Porto Romano, Durrës, gjatë kohëzgjatjes së koncesionit;
e) Marrëdhënia me institucionet përgjegjëse për transportin dhe energjinë Raportim periodik për vëllimin e punës së kryer në port;
ë) Detyrime të tjera Person kontakti dhe adresë kontakti në çdo kohë.
Faqe zyrtare në gjuhën shqipe dhe në anglisht që përmban informacion të plotë për rregullat e funksionimit të portit, tarifat dhe normat ditore të ngarkim-shkarkimit, si dhe informacion për situatën e anijeve në port.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të marrin masa që në bashkëpunim me drejtuesit e portit të bëjnë funksionale të gjitha strukturat përkatëse shtetërore, përfshirë komunikimin nominal të personave që do t’i ushtrojnë këto funksione në port.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja””.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

10. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.

11. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË TË PATENTË SHOFERËVE/ LEJEVE TË DREJTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve/lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ PROTOKOLLIT QË AMENDON MARRËVESHJEN PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RASTIT TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS (MARRËVESHJA INTERBUS), DUKE I DHËNË MUNDËSINË PËR ADERIM EDHE MBRETËRISË SË MAROKUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, nё parim, të protokollit që amendon marrëveshjen për transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (Marrëveshja Interbus), duke i dhënë mundësinë për aderim edhe Mbretërisë së Marokut, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.686, DATË 22.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 112, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të neneve 9 e 15, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në rregulloren e miratuar me vendimin nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 37, të nenit 2, shtohet pika 38, si më poshtë vijon:

“38. “Korrigjim i dokumentit të planifikimit”, procesi i korrigjimit të dokumentit të planifikimit në fuqi, për rastet kur konstatohen: gabime drejtshkrimore; dy ose më shumë parashikime të ndryshme për të njëjtën zonë/njësi strukturore në dokumente të ndryshme përbërëse të planit; mospërputhje e treguesit të lartësisë në kate me atë të lartësisë në metra; mospërputhje të përcaktimeve në dokumentin e planifikimit me gjendjen faktike të zhvillimeve në territor.”.

2. Pas pikës 2, të nenit 10, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Nëse, gjatë zbatimit të dokumenteve të planifikimit, lind nevoja e korrigjimit të dokumenteve të planifikimit, sipas rasteve të përcaktuara në pikën 38, të nenit 2, të këtij vendimi, autoriteti përgjegjës për planifikimin e territorit përgatit një relacion shpjegues dhe njofton Agjencinë për konstatimet. Agjencia, në bashkëpunim me autoritetin përgjegjës për planifikimin, shqyrton dhe vlerëson rastet e konstatuara. Në përfundim të këtij procesi, Agjencia dërgon në KKT kërkesën për miratimin e vendimit për korrigjimin e dokumentit të planifikimit, shoqëruar nga një relacion shpjegues. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Regjistrin Kombëtar të Planifikimit të Territorit.”.

3. Nënndarja “ii”, e shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ii. Dokumenti i rishikuar i PPV-së miratohet sipas përcaktimeve të nenit 62, të kësaj rregulloreje;”.

4. Referenca ligjore cituar në shkronjën “ç”, të pikës 4, të nenit 52, “… përcaktimet e nenit 8, të kësaj rregulloreje …”, ndryshohet dhe bëhet “… përcaktimet e nenit 6, të kësaj rregulloreje …”.

5. Pika 3, e nenit 76 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Zona mund të përmbajë disa kategori përdorimi toke, të cilat duhet të jenë pjesë të një sistemi territorial, në përputhje me nenin 79, të kësaj rregulloreje.”.

6. Pika 3, e nenit 77 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“3. Njësia mund të përmbajë disa kategori/nënkategori përdorimi toke, të cilat duhet të jenë pjesë të një sistemi territorial, në përputhje me nenin 79, të kësaj rregulloreje. Në raste specifike, në një njësi ku mbizotëron një sistem i vetëm territorial, kur, për zhvillimin homogjen të njësisë nuk është e rekomandueshme ndarja e saj, mund të lejohen edhe përdorime që u përkasin sistemeve të tjera territoriale.”.

7. Pika 3, në nenin 86, shfuqizohet.

8. Neni 88 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 88
Zona bujqësore

1. Procesi i planifikimit dhe i zhvillimit në zona bujqësore si dhe ndryshimi i kategorisë përkatëse bazë të përdorimit të tokës në kategori të tjera rregullohet nga legjislacioni i posaçëm për tokën bujqësore.

2. Propozimi për ndryshimin sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet nëpërmjet dokumenteve të planifikimit dhe akteve përkatëse të detyrueshme nga legjislacioni i posaçëm.”.

9. Në shtojcën I, nënkategoria “Aktivitete Sportive” ndryshohet në “Aktivitete Sportive dhe Rekreative”.

10. Në shtojcën II bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Kodi për “ZONËN” ndryshon në: “[Kodi i Bashkisë_Kodi i Sistemit Territorial_Kodi i Kategorisë Bazë të përdorimit të tokës_Nr. rendor i zonës]”;
b) Kodi për NJËSINË ndryshon në: “[Kodi i Bashkisë_Kodi i Sistemit Territorial_Kodi i Nënkategorisë kryesore të përdorimit të tokës_Nr. rendor i zonës / Nr. rendor i njësisë]”;
c) Kodi për NËNNJËSINË ndryshon në: “[Kodi i Bashkisë_Kodi i Sistemit Territorial_Kodi i Funksionit kryesor_Nr. rendor i zonës / Nr. rendor i njësisë / Nr. rendor i nënnjësisë]”;
ç) Përkufizimi nr.1 ndryshohet në: “Kodi unik për territorin, sipas çdo niveli të nënndarjes, në përputhje me shtojcën I, të kësaj rregulloreje”;
d) Referenca ligjore, cituar në nr.5, “Sistemi Territorial”/Zonë/ Njësi/ Nënnjësi, me përmbajtje “sipas nenit 72”, ndryshohet në “sipas nenit 75”;
dh) Referenca ligjore cituar në nr.6, “Kategori përdorimi toke”/Zonë/ Njësi/ Nënnjësi, me përmbajtje “sipas nenit 77”, ndryshohet në “sipas nenit 80”;
e) Referenca ligjore cituar në nr.6, “Kategori përdorimi toke”/ Përkufizimi”, me përmbajtje “në përputhje me nenet 76 e 77” ndryshohet në “në përputhje me nenet 79 dhe 80”;
ë) Referenca ligjore cituar në nr.8, “Përdorime të lejuara”/Zonë/ Njësi/ Nënnjësi, me përmbajtje “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 77”, ndryshohet në “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 80 ”;
f) Referenca ligjore cituar në nr.8, “Përdorime të lejuara”/Përkufizimi, me përmbajtje “në përputhje me nenet 76 dhe 77”, ndryshohet në “në përputhje me nenet 79 dhe 80”;
g) Referenca ligjore cituar në nr.9,“Përdorime të ndaluara”/Zonë/Njësi/ Nënnjësi, me përmbajtje “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 77”, ndryshohet në “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 80 ”;
gj) Referenca ligjore cituar në nr.9, “Përdorime të ndaluara”/Përkufizimi, me përmbajtje “Në përputhje me nenet 76 dhe 77”, ndryshohet në “Në përputhje me nenet 79 dhe 80”;
h) Referenca ligjore cituar në nr.10, “Përdorime të kushtëzuara”/Zonë/ Njësi/Nënnjësi, me përmbajtje “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 77”, ndryshohet në “Sipas rastit, duke ndjekur përcaktimet e nenit 80”;
i) Referenca ligjore cituar në nr.10, “Përdorime të kushtëzuara”/ Përkufizimi, me përmbajtje “në përputhje me nenet 76 dhe 77”, ndryshohet në “në përputhje me nenet 79 dhe 80”;
j) Referenca ligjore cituar në nr.11, “Nënkategori përdorimi toke”/ Njësi/ Nënnjësi, me përmbajtje “Sipas nenit 76”, ndryshohet në “Sipas nenit 79”;
k) Referenca ligjore cituar në nr.12, “Funksion”/Nënnjësi, me përmbajtje “Sipas nenit 76”, ndryshohet në “Sipas nenit 79”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 27, dhe të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përjashtimisht, për vitin 2019, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.

2. Për vitin 2019, pranimi në TND të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet një konkursi kombëtar.

3. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 8 (tetë).

4. Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, janë, si më poshtë vijon:

a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlefshme në:

⦁ institucione të administratës publike;
⦁ institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
⦁ shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
⦁ organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.

Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:

⦁ në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
⦁ në profesion jashtë vendit;
⦁ pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
⦁ avokatë, noterë apo kontabilistë të miratuar brenda ose jashtë vendit,

duhet të kenë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune, përkatësisht në këto institucione ose në profesion.

ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative, të cilat janë në proces, si dhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.

5. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLIMEVE TË VEÇANTA LIDHUR ME FUNKSIONIMIN E MJEDISEVE, TË NIVELIT TË SIGURISË SË TYRE DHE STANDARDET E PROGRAMEVE TË EDUKIMIT E TË REHABILITIMIT, NË RASTET E KUFIZIMIT TË LIRISË SË TË MITURVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 98, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. RREGULLA TË PËRGJITHSHME

1. Kufizimi i lirisë për të miturin në konflikt me ligjin zbatohet vetëm për qëllimin për të cilin është vendosur dhe në mënyrë që nuk e përkeqëson gjendjen e tij.

2. Të miturit me liri të kufizuar i garantohen aktivitete dhe programe me karakter edukues dhe riintegrues, në përputhje me shëndetin e tij fizik e mendor, respektin për veten dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë e komunitetit.

3. I mituri me liri të kufizuar duhet të mbështetet e nxitet për të marrë pjesë në këto aktivitete e programe dhe për të diskutuar çështje që lidhen me mënyrën e trajtimit dhe kushtet e institucionit.

4. Për të garantuar vazhdimësinë e kujdesit, të miturit duhet të ndiqen e mbështeten, me qëllim rehabilitimin e tyre.

5. Duke qenë se të miturit e privuar nga liria janë veçanërisht vulnerabël, drejtuesit dhe personeli i institucionit duhet të mbrojnë integritetin e tyre fizik e mendor dhe duhet të kujdesen për mirëqenien e tyre.

6. Kujdes i veçantë duhet të tregohet për nevojat e të miturve që kanë përjetuar abuzime fizike, mendore apo seksuale.

II. RREGULLA PËR FUNKSIONIMIN E MJEDISEVE

1. Struktura institucionale

1.1. Institucioni i kufizimit të lirisë duhet të ofrojë lehtësitë dhe kushtet për të përmbushur nevojat e veçanta të të miturve që vendosen në të.

1.2. Institucioni i kufizimit të lirisë siguron kushte dhe masa të një niveli të ulët sigurie e kontrolli të nevojshëm për mbrojtjen e të miturve nga dëmtime që mund t’i bëjnë vetes, të miturve të tjerë, personelit apo komunitetit jashtë institucionit.

1.3. Jetesa në institucion duhet të përafrojë, sa më shumë të jetë e mundur, me aspektet pozitive të jetesës në komunitet.

1.4. Numri i të miturve në një institucion të kufizimit të lirisë duhet të jetë i kufizuar, me qëllim që të bëhet i mundur kujdesi individual.

1.5. Institucioni i kufizimit të lirisë vendoset në vende që janë lehtësisht të aksesueshme dhe që lehtësojnë kontaktin ndërmjet të miturve dhe familjeve të tyre, duke u integruar në mjedisin social, ekonomik e kulturor të komunitetit.

2. Vendosja në institucion

2.1. Vendosja e kategorive të ndryshme të të miturve në institucionin e kufizimit të lirisë udhëhiqet, në veçanti, nga dhënia e llojit të kujdesit më të përshtatshëm për nevojat e tyre të veçanta si dhe mbrojtja e integritetit e mirëqenies së tyre fizike e mendore.

2.2. Të miturit vajza dhe djem, zakonisht, mbahen në institucione të veçanta ose në njësi të veçanta brenda një institucioni. Pavarësisht ndarjes, atyre u lejohet të marrin pjesë bashkërisht në aktivitetet e organizuara në institucion.

2.3. Brenda institucioneve duhet të funksionojë një sistem i përshtatshëm vlerësimi për vendosjen e të miturve, sipas nevojave të tyre arsimore, zhvillimore dhe të sigurisë.

3. Pranimi në institucion

3.1. Menjëherë, me pranimin në institucionin e kufizimit të lirisë, kryhet regjistrimi për çdo të mitur, duke përfshirë:

a) informacion lidhur me identitetin e të miturit dhe prindërit e tij ose kujdestarët ligjorë;
b) arsyet e urdhrit zyrtar dhe autoritetin përgjegjës, që e ka dhënë;
c) datën dhe kohën e pranimit;
ç) një inventar të sendeve personale të të miturit, që do të mbahen në ruajtje;
d) çdo dëmtim të dukshëm apo pretendim për keqtrajtim të mëparshëm;
dh) çdo informacion dhe çdo raport mbi të kaluarën e të miturit, edukimin dhe nevojat për mirëqenie të tij/saj;
e) çdo informacion në lidhje me rrezikun për vetëdëmtim të të miturit dhe/ose të gjendjes shëndetësore, që është i rëndësishëm për mirëqenien fizike e mendore të të miturit ose të të tjerëve, duke iu nënshtruar kërkesave të konfidencialitetit mjekësor.

3.2. Në pranim, rregullat e institucionit dhe të drejtat e detyrimet e të miturit shpjegohen në një gjuhë e mënyrë që i mituri i kupton dhe në prani edhe të psikologut.

3.4. Njoftimi për vendosjen e të miturit, informacioni për rregullat e institucionit dhe çdo informacion tjetër përkatës u jepen menjëherë prindërve të të miturit ose kujdestarëve ligjorë.

3.5. Brenda 5 (pesë) ditëve, nga pranimi, i mituri duhet të ekzaminohet nga pikëpamja mjekësore, t’i hapet një dosje mjekësore dhe të fillojë trajtimin e çdo sëmundjeje ose dëmtimi.

3.6. Brenda 10 (dhjetë) ditëve, nga pranimi, i mituri duhet të:

a) intervistohet dhe duhet të bëhet një raport i parë psikologjik, arsimor e social, që identifikon çdo faktor relevant për llojin dhe nivelin specifik të kujdesit e ndërhyrjes;
b) informohet për planin e programeve arsimore e trajnuese, në përputhje me karakteristikat individuale të tij. Në çdo rast, për zhvillimin e programeve duhet të merret mendimi i të miturit.

4. Sistemimi në institucion

4.1. Sistemimi i miturit në institucionin e kufizimit të lirisë duhet të respektojë dinjitetin njerëzor e, për aq sa është e mundur, privatësinë, dhe të plotësojë kërkesat e shëndetit dhe të higjienës, duke i kushtuar vëmendje kushteve klimatike dhe, veçanërisht, hapësirës së katit, ajrit, ndriçimit, ngrohjes e ventilimit.

4.2. Të miturit, si rregull, vendosen gjatë natës në dhoma gjumi individuale, përveç rasteve kur është e preferueshme që ata të ndajnë hapësirën e fjetjes. Hapësira ndahet vetëm nëse është e përshtatshme dhe kërkohet nga i mituri.
.
4.3. Për të siguruar mbrojtjen e secilit të mitur, në institucionin e kufizimit të lirisë duhet të ketë mbikëqyrje të rregullt. Institucioni i kufizimit të lirisë duhet të ketë një sistem alarmi efektiv, që mund të përdoret në rast emergjence.

4.5. Kërkesat minimale, specifike, në lidhje sistemimin e të miturit në institucionin e kufizimit të lirisë, përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit.

5. Higjiena

5.1. Të gjitha ambientet e institucionit të kufizimit të lirisë mbahen të pastra, në çdo kohë.

5.2. Të miturit duhet të kenë akses të menjëhershëm në objektet sanitare, që janë higjienike dhe që respektojnë jetën private.

5.3. Duhet të sigurohen lehtësira të përshtatshme, në mënyrë që të miturit të kenë mundësi të bëjnë dush çdo ditë.

5.4. Personeli i institucionit të kufizimit të lirisë kujdeset për sigurimin e higjienës personale të të miturit, veshjet dhe vendin e fjetjes, si dhe siguron mjetet e nevojshme për këtë qëllim.

6. Veshjet dhe shtrojat

6.1. Të miturit duhet të lejohen të veshin rrobat e tyre, nëse është e përshtatshme.

6.2. Të miturit, të cilët nuk kanë veshje të përshtatshme e të mjaftueshme, duhet të pajisen me veshje nga institucioni.

6.3. Veshjet nuk duhet të jenë degraduese ose poshtëruese, duhet të jenë të përshtatshme për klimën dhe të mos paraqesin rrezik për sigurinë e mirëqenien.

6.4. Të miturit, që ka leje për të dalë jashtë institucionit, nuk duhet t’i kërkohet të mbajë rroba që e identifikojnë atë si person me liri të kufizuar.

6.5. I mituri pajiset me një shtrat dhe me shtroja të përshtatshme, të cilat mbahen në rregullta dhe ndryshohen shpesh, për të siguruar pastërtinë e tyre.

7. Ushqimi

7.1. Të miturit i sigurohet një dietë ushqyese që merr parasysh moshën, shëndetin, gjendjen fizike, fenë, kulturën dhe aktivitetet, në të cilat përfshihet në institucion.

7.2. Ushqimi duhet të përgatitet e të shërbehet në mënyrë higjienike, në tri vakte në ditë, me intervale të arsyeshme ndërmjet tyre.

7.3. Ujë i pijshëm e i pastër duhet të jetë i disponueshëm për të miturin në çdo kohë.

8. Shëndeti

8.1. Të miturit me liri të kufizuar i sigurohen standardet e duhura mjekësore dhe të aplikuara për të gjithë të miturit.

8.2. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet trajtimit të rreziqeve shëndetësore, të lidhura me kufizimin e lirisë.

8.3. Të miturit me liri të kufizuar i jepet kujdes shëndetësor parandalues ​​dhe edukim shëndetësor.

8.4. Ndërhyrjet mjekësore, përfshirë përdorimin e ilaçeve, duhet të bëhen vetëm me rekomandimin e mjekut të institucionit dhe jo për qëllime të ruajtjes së rendit ose si formë ndëshkimi. Ndërhyrjet mjekësore duhet të udhëhiqen nga të njëjtat parime etike si dhe parimi i pëlqimit, që aplikohen gjerësisht. Çdo trajtim mjekësor ose çdo lloj bari i administruar duhet të dokumentohet me nënshkrimin e mjekut të institucionit.

8.5. I mituri me liri të kufizuar nuk duhet t’i nënshtrohet përdorimit eksperimental të barnave ose trajtimit.

8.6. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet nevojave të të miturit:

a) me moshë të vogël;
b) shtatzënë ose nënë me fëmijë të mitur;
c) me varësi nga drogat dhe alkooli;
ç) me probleme të shëndetit fizik e mendor;
d) me liri të kufizuar për periudhë të gjatë;
dh) që ka përjetuar abuzime fizike, mendore ose seksuale;
e) vulnerabël.

8.7. Shërbimet e kujdesit shëndetësor, të ofruara për të miturin, duhet të jenë pjesë përbërëse e një programi shumëdisiplinor përkujdesjeje.

8.8. Për të siguruar një mbështetje të pandërprerë të terapisë, pa paragjykim për konfidencialitetin profesional dhe rolin e secilit profesion, puna e mjekëve dhe infermierëve duhet të koordinohet ngushtë me punonjësit socialë, psikologët, mësuesit, profesionistët e tjerë dhe personelin, të cilët kanë kontakt të rregullt me ​​shkelësit e mitur.

8.9. Kujdesi shëndetësor nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtimin e pacientëve të sëmurë, por duhet të përfshijë edhe respektimin e normës së të ushqyerit.
9. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë

9.1. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë së të miturit duhet të respektohet.

9.2. Regjimi institucional duhet të organizohet, për aq sa është e mundur, për të lejuar të miturin të praktikojë e të ndjekë besimin e vet, të marrë pjesë në shërbime ose takime të udhëhequra nga përfaqësues të miratuar të një feje ose besimi të tillë, të ketë vizita nga përfaqësues të fesë apo besimit dhe të ketë në posedim libra ose literaturë që kanë të bëjnë me fenë ose besimet e tij.

9.3. I mituri nuk mund të detyrohet të praktikojë një fe, të ndjekë një besim, të marrë pjesë në shërbesa fetare, takime, praktika fetare ose të pranojë vizita nga përfaqësues të çdo feje apo besimi.

10. Kontakti me shoqërinë dhe komunitetin

10.1. Të miturit i lejohet komunikimi pa kufizim nëpërmjet letrave dhe, sa më shpesh të jetë e mundur, me telefon ose forma të tjera të komunikimit me familjet e tyre, persona të tjerë, përfaqësues të organizatave të jashtme dhe për të marrë vizita të rregullta nga këta persona.

10.2. Rregullimi i vizitave duhet të jetë i tillë që t’i lejojë të miturit të mbajë e të zhvillojë marrëdhëniet familjare në mënyrë sa më normale si dhe të ketë mundësi për riintegrim social.

10.3. Personeli i institucionit të kufizimit të lirisë duhet t’i ndihmojë të miturit në mbajtjen e kontakteve të përshtatshme me botën e jashtme dhe t’u sigurojë mjetet e duhura për ta bërë këtë.

10.4. Komunikimi dhe vizitat mund t’i nënshtrohen kufizimeve dhe monitorimit të domosdoshëm për kërkesat e hetimeve të vazhdueshme penale, të ruajtjes së rendit e sigurisë, parandalimit të veprave penale dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, por kufizime të tilla, duke përfshirë edhe kufizime të urdhëruara nga gjykata, duhet të lejojnë një nivel minimal, të pranueshëm, kontakti.

10.5. Çdo informacion i marrë për vdekjen apo sëmundjen serioze të një të afërmi duhet t’i komunikohet menjëherë të miturit, në prani të psikologut ose punonjësit social.

10.6. Të miturit i lejohen periudha të rregullta lejeje, qoftë të shoqëruar ose vetëm, dhe mund t’i lejohet të largohet nga institucioni për arsye të ligjshme. Kohëzgjatja e kësaj lejeje nuk i kalon 15 (pesëmbëdhjetë) ditë. Në këtë kohë përfshihet edhe koha e nevojshme për udhëtim në familjen e tij ose në destinacion.

11. Paraqitja e ankesave

11.1. I mituri, prindërit ose të afërmit e tij duhet të kenë mundësi të mjaftueshme për të bërë kërkesa ose ankesa te drejtuesi i institucionit.

11.2. Procedurat për të bërë kërkesa ose ankesa duhet të jenë të thjeshta dhe efektive. Vendimet për këto kërkesa ose ankesa duhet të merren në një kohë sa më të shpejtë.

11.3. Prioritet për zgjidhjen e kërkesave apo ankesave i jepet zgjidhjes me ndërmjetësim, si një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve.

11.4. Nëse refuzohet një kërkesë ose ankesë, ajo duhet të shoqërohet me arsyet përkatëse, duhet t’i komunikohet të miturit dhe, atje ku është e mundur, prindit ose të afërmit të tij, i cili e ka bërë atë. I mituri ose, kur është e mundur, prindërit apo i afërmi i tij, kanë të drejtën të ankohen në një autoritet të pavarur e të paanshëm.

11.5. Nëse ankesa ose kërkesa është me shkrim, autoritetet duhet të sigurojnë mundësi për të miturin që të dëgjohet personalisht.

11.6. Ndalohet penalizimi i të miturit për shkak të një kërkese ose ankese.

11.7. I mituri dhe prindi ose të afërmit e tij kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë ligjore lidhur me ankesat dhe procedurat e apelimit.

12. Inspektimi dhe monitorimi

12.1. Veprimtaria e institucionit për kufizimin e lirisë inspektohet rregullisht, për të vlerësuar nëse detyrat e ushtruara jenë në përputhje me ligjin dhe rregullimet e këtij vendimi.

12.2. Kushtet në institucion dhe trajtimi i të miturit me liri të kufizuar mund të monitorohen nga një institucion apo organizëm i pavarur.

12.3. Në monitorimet që kryhen nga institucioni apo organizmi i pavarur, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përdorimit të forcës, kufizimeve, dënimeve disiplinore dhe formave të tjera kufizuese të trajtimit.

12.4. Raportet e monitorimit i bëhen me dije strukturave drejtuese të sistemit penitenciar dhe Ministrisë së Drejtësisë.

13. Personeli i institucionit

13.1. Personeli i institucionit rekrutohet dhe përzgjidhet bazuar në procedurat që ndiqen për përzgjedhjen e personelit administrativ, sipas rregullave të Kodit të Punës.

13.2. Aftësitë profesionale të personelit duhet të forcohen e zhvillohen rregullisht, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme, mbikëqyrjes dhe rishikimeve të performancës dhe vlerësimeve.
13.3. Trajnimet duhet të përqendrohen në dhënien e njohurive lidhur me:

a) etikën dhe vlerat themelore të profesionit në fjalë;
b) mekanizmat mbrojtës kombëtarë dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe mbrojtjen e të miturve ndaj trajtimit të papranueshëm;
c) ligjet për të miturit dhe të drejtën familjare, psikologjinë e zhvillimit, punën sociale e arsimore me të miturit;
ç) udhëzimin e personelit se si të udhëheqin e motivojnë të miturit, të fitojnë respektin dhe të ofrojë modele e perspektivë pozitive për të miturin;
d) krijimin dhe mirëmbajtjen e një marrëdhënieje profesionale me të miturit dhe familjet e tyre;
dh) metodat e provuara të ndërhyrjes dhe praktikat e mira;
e) metodat e trajtimit të diversitetit të të miturve në fjalë;
ë) mënyrat e bashkëpunimit në grupet shumëdisiplinare si dhe me institucionet e tjera të përfshira në trajtimin individual të të miturve.

III. RREGULLI DHE SIGURIA NË INSTITUCION

1. Rregulla të përgjithshme

1.1. Rregulli në institucion do të mbahet duke krijuar një mjedis të shëndetshëm e të sigurt, në të cilin të respektohen dinjiteti dhe integriteti fizik i të miturit me liri të kufizuar dhe përmbushen qëllimet kryesore të tyre zhvillimore.

1.2. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes së të miturve vulnerabël dhe parandalimit të viktimizimit.

1.3. Personeli duhet të zhvillojë aktivitete me qasje dinamike ndaj ruajtjes e sigurisë, duke u bazuar në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive me të miturin.

1.4. I mituri duhet të nxitet që të angazhohet individualisht e kolektivisht në mbajtjen e rregullit në institucion.

2. Kontrolli

2.1. Kontrolli i të miturit ushtrohet vetëm në rast nevoje dhe duhet të kryhet nga personeli i së njëjtës gjini. Ekzaminimet intime duhet të justifikohen mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm, në një rast specifik, dhe duhet të kryhen vetëm nga një mjek i specializuar.

2.2. Vizitorët mund të kontrollohen vetëm nëse ekziston një dyshim i arsyeshëm se ata mund të kenë diçka në posedim të tyre, që kërcënon mirëqenien dhe sigurinë e të miturit në institucionin e kufizimit të lirisë.

2.3. Procedurat e detajuara të ushtrimit të kontrollit përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit të kufizimit të lirisë.

3. Përdorimi i forcës, kufizimi fizik dhe armët

3.1. Ndalohet të përdoret forca kundër të miturit nga personeli i institucionit të kufizimit të lirisë, përveçse si mjet i fundit për vetëmbrojtje ose në rastet e rrezikut të drejtpërdrejtë të vetëdëmtimit apo dëmtimit të të tjerëve.

3.2. Niveli i forcës së përdorur duhet të jetë minimumi i nevojshëm dhe të zbatohet për kohën më të shkurtër të mundshme.

3.3. Personeli i institucionit duhet të trajnohet në përdorimin e teknikave që mundësojnë shmangien apo përdorimin minimal të forcës së rastet e shfaqjes së sjelljes agresive.

3.4. Ndalohet përdorimi i prangave, me përjashtim të rastit kur janë të domosdoshme, si një masë paraprake kundër sjelljes së dhunshme.

3.5. Ndalohet përdorimi i instrumenteve kufizuese, duke përfshirë zinxhirët, hekurat dhe mjete të tjera poshtëruese.

3.6. Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i armëve nga personeli i institucionit të kufizimit të lirisë, me përjashtim të rasteve kur një urgjencë operacionale e dikton këtë.

4. Ndarja për arsye mbrojtjeje dhe sigurie

4.1. Një i mitur mund të ndahet nga të tjerët për arsye mbrojtjeje ose sigurie. Nevoja e ndarjes përcaktohet nga vlerësimi i punonjësit social, psikologu dhe mjeku i institucionit. Ndaj kësaj mase i mituri, prindi ose të afërmit kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë drejtuesit të institucionit dhe strukturave drejtuese të sistemit penitenciar.

4.2. Izolimi, si mjet për kufizim të përkohshëm, duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm për disa orë dhe, në çdo rast, nuk duhet të kalojë 24 (njëzet e katër) orë. Në rastet e izolimit duhet të njoftohet menjëherë mjeku, i cili duhet të mbikëqyrë gjendjen e të miturit gjatë kohëzgjatjes së izolimit.

5. Masat disiplinore

5.1. Aplikimi i masave disiplinore është mekanizmi i fundit i zgjidhjes së një situate të shkeljes së rregullave të institucionit të kufizimit të lirisë. Në rast të shkeljes së rregullave i jepet përparësi zgjidhjes restauruese të konflikteve dhe ndërveprimit edukativ, me qëllim vlefshmërinë e normës, në vend të seancave dhe dënimeve formale disiplinore.

5.2. Llojet e masave disiplinore janë:

a) tërheqje vëmendjeje;
b) kufizim, deri në 10 ditë, të përdorimit të sende të lejuara, me përjashtim të ushqimeve, mjeteve mësimore dhe mjekimeve të lejuara nga mjeku;
c) veçimi/ndarje, deri në 15 ditë, nga shoqërimi me të miturit e institucionit.
5.3. Përbën shkelje disiplinore vetëm sjellja që cenon sigurinë e mirëqenies së të miturve të tjerë.

5.4. I mituri që ka kryer një shkelje disiplinore duhet të informohet menjëherë, dhe me një mënyrë dhe gjuhë të qartë, që të kuptojnë natyrën e shkeljes së kryer. Ai ka të drejtë të dëgjohet dhe të mbrohet personalisht, vetë ose me ndihmën e prindërve apo të afërmve të tij.

5.5. Masat disiplinore do të zgjidhen, për aq sa është e mundur, për qëllimin e tyre edukues.

5.6. Veçimi/ndarja, si masë disiplinore, do të vendoset vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kur i mituri shfaq sjellje të dhunshme. Ndarja duhet të jetë për një periudhë të shkurtër kohore, gjatë së cilës të miturit i garantohet komunikimi, aksesi në lexim dhe ushtrimi në natyrë për, të paktën, një orë çdo ditë.

5.7. Periudha e ekzekutimit të masës disiplinore mbikëqyret nga personeli psikolog dhe mjeku i institucionit.

5.8. Masa disiplinor nuk duhet të përfshijë kufizime në kontaktet familjare ose vizitat.

IV. STANDARDET E PROGRAMEVE TË EDUKIMIT E TË REHABILITIMIT

1. Programet e edukimit

1.1. Programet hartohen për të nxitur zhvillimin e të miturve dhe pjesëmarrjen e tyre në to në mënyrë aktive.

1.2. Programet hartohen në përputhje me nevojat individuale të të miturve, duke marrë në konsideratë moshën, gjininë, sfondin shoqëror e kulturor, fazën e zhvillimit, rrethanat dhe llojin e veprës së kryer. Programet duhet të bazohen në gjetjet dhe praktikat më të mira të fushës.

1.3. Programet, në institucionin e kufizimit të lirisë, duhet të synojnë arsimin, zhvillimin personal e shoqëror, trajnimin profesional, rehabilitimin dhe përgatitjen për lirim. Këto mund të përfshijnë:

a) shkollimin;
b) trajnimin profesional;
c) punën dhe terapinë profesionale;
ç) edukimin qytetar;
d) aftësitë sociale dhe trajnimin e aftësive;
dh) menaxhimin e zemërimit;
e) trajtimin e varësive;
ë) terapinë individuale dhe të grupit;
f) edukimin fizik e sportiv;
g) programet e drejtësisë restauruese dhe riparimin e dëmit të shkaktuar;
gj) aktivitete krijuese, gjatë kohës së lirë;
h) aktivitete jashtë institucionit, leje ditore dhe format të tjera lejeje;
i) përgatitjen për lirim dhe kujdes pas lirimit.

1.4. Për të miturin me liri të kufizuar hartohet dhe zbatohet një plan individual, ku renditen aktivitetet në të cilat ai do të marrë pjesë. Objektivi i planit individual është zhvillimi i aftësive të të miturit për të mundësuar riintegrimin në shoqëri dhe përfitimi i treguesve pozitivë të sjelljes së tij në komunitet, pas përfundimit të periudhës së kufizimit.

1.5. Plani individual zbatohet e përditësohet rregullisht, me pjesëmarrjen e të miturve dhe, për sa është e mundur, me prindërit ose të afërmit e tyre.

1.6. Programi duhet të përcaktojë zhvillimin dhe pjesëmarrjen në aktivitete jashtë ambientit të institucionit dhe përfshirjen në shoqërinë e komunitetit. Drejtuesi i institucionit të kufizimit të lirisë merr masa që, në bashkëpunim me drejtuesit e institucioneve të pushteti vendor, të organizojnë aktivitete edukative, argëtuese e sociale, për nxitjen e angazhimit dhe të pjesëmarrjes së të miturve me kufizim lirie.

1.7. Të gjithë të miturit e privuar nga liria duhet të lejohen të ushtrohen rregullisht, për të paktën dy orë çdo ditë, nga të cilat, së paku, një orë duhet të jetë jashtë, nëse moti e lejon.

1.8. Institucioni i kufizimit të lirisë duhet të sigurojë punësim për të miturin dhe shpërblim të arsyeshëm për punën e kryer. Në këtë rast, të miturit i paguhen sigurimet shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Programet e rehabilitimit

2.1. Të miturit, pas përfundimit të periudhës së kufizimit, i ofrohet mbështetje për rehabilitimin dhe riintegrimin e tij në komunitet.

2.2. Programet e rehabilitimit përfshihen në planin individual dhe zbatohen në kohën e duhur, para lirimit.

2.3. Drejtuesit e institucionit të kufizimit të lirisë marrin masat për të siguruar kthimin gradual të të miturit në shoqërinë e lirë. Masat përfshijnë dhënien e lejeve shtesë dhe lirim të pjesshëm ose të kushtëzuar, të kombinuar me mbështetje sociale efektive.

2.4. Programet e rehabilitimit duhet të mundësojnë:

a) mbështetjen e të miturit për kthimin në familjen e tij ose në gjetjen e një familjeje kujdestare dhe lehtësimin në zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore;
b) gjetjen e strehimit;
c) vazhdimin e arsimimit e të trajnimit;
ç) gjetjen e punësimit;
d) referimin te shërbimet e duhura sociale e shëndetësore;
dh) sigurimin e ndihmës dhe mbështetje ekonomike.

3. Programet e edukimit dhe të rehabilitimit për të miturit e grupeve të veçanta

3.1. Për të miturit me shtetësi të huaj:

a) zbatohen programe edukimi dhe rehabilitimi për përgatitjen e tyre për riintegrim në vendet e origjinës. Drejtuesi i institucionit merr masa që në bashkëpunim me institucionet kompetente të garantojnë mbështetjen e nevojshme të të miturit, deri në mbërritjen në vendin e tij të origjinës;
b) lejohen vizita të veçanta dhe forma të tjera komunikimi me përfaqësuesit diplomatikë ose konsullorë të shtetit të tij, për të shmangur izolimin e tyre social;
c) nëse nuk ka përfaqësim diplomatik ose konsullor duhet t’u lejohen lehtësira për të komunikuar me përfaqësuesin diplomatik të shtetit që merr përsipër interesat e tij ose autoritetin kombëtar apo ndërkombëtar, që ka mision për t’u shërbyer interesave të këtyre personave. Drejtuesi i institucionit siguron bashkëpunimin e duhur të drejtuesve të tjerë të institucioneve në nivel vendor me përfaqësuesit diplomatikë ose konsullorë, që përfaqësojnë të miturin, me qëllim plotësimin e nevojave të veçanta të tij.

3.2. Për të miturit, pjesë e pakicave etnike dhe gjuhësore,:

a) zbatohen programe edukimi dhe rehabilitimi në gjuhën e tyre;
b) merren masa të posaçme për të ofruar kurse gjuhësore për ata që nuk zotërojnë mirë gjuhën zyrtare.

3.3. Për të miturit me aftësi të kufizuara:

a) sigurohen programe edukimi dhe rehabilitimi në përputhje me nevojat e tyre të veçanta;
b) merren masa për t’u vendosur në institucione të specializuara, ku këto nevoja mund të përmbushen.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë të planifikojë në buxhetin e saj nevojat financiare për ngritjen dhe funksionimin e institucionit për kufizimin e lirisë për të miturit.

2. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.389, DATË 19.5.2010; NR.378, DATË 25.5.2016; NR.529, DATË 20.7.2016; NR.563, DATË 29.7.2016; NR.230, DATË 21.3.2017; NR.711, DATË. 1.12.2017; NR.712, DATË 1.12.2017; NR.713, DATË 1.12.2017; NR.291, DATË 21.5.2018; NR.294, DATË 21.5.2018; NR.432, DATË 11.7.2018; NR.433, DATË 11.7.2018; DHE NR.737, DATË 12.12.2018, “PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE” 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimet e mëposhtme të Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime:

1. Në lidhjen A, të vendimit nr.389, datë 19.5.2010, në zonën kadastrale 8521, për pasurinë 13/14 zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.

2. Në lidhjen B, të vendimit nr.378, datë 25.5.2016, në zonën kadastrale 8526, për pasurinë 383/1/29 (383/104) zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.

3. Në lidhjen C, të vendimit nr.529, datë 20.7.2016, në zonën kadastrale 8526, për pasurinë 19/33 anulohet kompensimi.

4. Në lidhjen D, të vendimit nr.563, datë 29.7.2016, në zonën kadastrale 1139, për pasurinë 341/1 zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.

5. Në lidhjen E, të vendimit nr.230, datë 21.3.2017, në zonën kadastrale 8230, për pasurinë 6/974 shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve.

6. Në lidhjen F, të vendimit nr.711, datë 1.12.2017:

a) në zonën kadastrale 1604, për pasurinë 512/80 anulohet kompensimi;
b) në zonën kadastrale 8170, në pasurinë 3/264 shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve;
c) në zonën kadastrale 8601, në pasurinë 35/144 shtohen dy emra në listën e bashkëpronarëve.

7. Në lidhjen G, të vendimit nr.712, datë 1.12.2017:

a) në zonën kadastrale 8518, për pasurinë 24/108 anulohet kompensimi;
b) në zonën kadastrale 8180, për pasurinë 340/8 anulohet kompensimi.

8. Në lidhjen H, të vendimit nr.713, datë 1.12.2017, në zonën kadastrale 2441, në pasurinë 3/12 korrigjohet emri i pronarit.

9. Në lidhjen I, të vendimit nr.291, datë 21.5.2018, në zonën kadastrale 8527, në pasurinë 2276/1 shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve.

10. Në lidhjen J, të vendimit nr.294, datë 21.5.2018:

a) në zonën kadastrale 8527, në pasurinë 1421/2 shtohen një emër bashkëpronarësh;
b) në zonën kadastrale 1604, për pasurinë 12/249 korrigjohet numri pasurisë;
c) në zonën kadastrale 8230, në pasurinë 6/1004 shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve.

11. Në lidhjen K, të vendimit nr.432, datë 11.7.2018, në zonën kadastrale 8564, për pasurinë 7/1347 anulohet kompensimi.

12. Në lidhjen L, të vendimit nr.433, datë 11.7.2018, në zonën kadastrale 8526, në pasurinë 327/1 shtohen dy emra në listën e bashkëpronarëve.

13. Në lidhjen M, të vendimit nr.737, datë 12.12.2018, në zonën kadastrale 8320, për pasurinë 14/401 anulohet kompensimi.

II. Tabela nr.1 i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

III. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË VLORË, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “BASHKIA” ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8605

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 3, të nenit 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Vlorë, të pronës me emërtimin “Bashkia”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8605, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për realizimin e funksioneve të saj administrative.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË VLORË, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “BASHKIA” ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8605

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 3, të nenit 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Vlorë, të pronës me emërtimin “Bashkia”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8605, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për realizimin e funksioneve të saj administrative.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

NGARKIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, QË, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, SI AUTORITET KONTRAKTOR, TË KRYEJË PROCEDURAT E PROKURIMIT PËR PROJEKTIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT “VENDOSJA E SISTEMIT TË PLOTË TË KONDICIONIMIT NË DISA MJEDISE BRENDA NDËRTESËS SË KRYEMINISTRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 21.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ngarkimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kryerjen e procedurave të prokurimit, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, si autoritet kontraktor, për projektimin dhe realizimin e projektit “Vendosja e sistemit të plotë të kondicionimit në disa mjedise brenda ndërtesës së Kryeministrisë”.

2. Kryeministria t’i dorëzojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë detyrën e projektimit (projektidenë), së bashku me preventivin dhe fondin limit në dispozicion.

3. Ngarkohen Kryeministria dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË FRANCËS, PËR RINDËRTIMIN E KATEDRALES “NOTRE-DAME” NË PARIS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Republikës së Francës, në masën 100 000 (njëqind mijë) euro, për rindërtimin e Katedrales “Notre-Dame” në Paris, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, në zërin “Shpenzime korente”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 100 000 (njëqind mijë) eurosh, për qëllimin sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR 

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, GJYKATËN E LARTË, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:

a) Në fund të pikës 1/1 shtohen emërtesat “Këshilli i Lartë Gjyqësor” dhe “Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.

b) Në pikën 5, pas fjalëve “… Stenograf, regjistrues audio në Kryeministri …” shtohen fjalët “… dhe “Specialist redaktor në Kuvendin e Shqipërisë”…”.

c) Pas pikës 7/1 shtohet pika 7/2, me këtë përmbajtje:
“7/2. Nivelet e pagave për funksionarët e kabineteve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë sipas lidhjes nr.4/2/a, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë sipas lidhjes nr.4/2/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2019, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe të fillojnë nga:

a) momenti i transferimit apo emërimit të funksionarëve dhe nëpunësve, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë;
b) momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për Kuvendin e Shqipërisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË QENDRЁS KOMBЁTARE TЁ KINEMATOGRAFISЁ

Në mbështetje tё pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 7, të ligjit nr.8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Z. Eduart Makri emërohet kryetar i Qendrës Kombëtare tё Kinematografisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M 

PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË MEMALIAJ, TË PRONËS ME NUMËR RENDOR 264, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.974, DATË 30.9.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË MEMALIAJ, TË QARKUT TË GJIROKASTRËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “gj”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Memaliaj, për njësinë administrative përbërëse Memaliaj, të pronës me numër rendor 264, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur për zgjerimin e varrezave publike të qytetit Memaliaj.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, t’i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme, që i bashkëlidhet vendimit nr.974, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Memaliaj, të Qarkut të Gjirokastrës”.

3. Bashkisë Memaliaj i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) dhe Bashkia Memaliaj për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M 

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.717, DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE DHE TË NËPUNËSVE TË DISA INSTITUCIONEVE BUXHETORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pas lidhjes I/10, të vendimit nr.717, datë 23.6.2009, të Këshilli i Ministrave, të ndryshuar, shtohet lidhja I/11, “Renditja e pozicioneve të veçanta të punës për çdo klasë, për punonjësit mbështetës të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të miratuara për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për vitin 2019, dhe të fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1086, DATË 28.10.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LIBRAZHD, TË QARKUT TË ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.1086, datë 28.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat e pronës me numër rendor 404 zëvendësohen me të dhënat e përcaktuara në formularin që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Prona me numër rendor 404 transferohet në pronësi të Bashkisë Librazhd dhe i shtohet lidhjes 1, në fushën e strehimit e të mbrojtjes civile, për t’u kthyer në fond banese.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Librazhd dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË POLONISË, PËR PUNËSIMIN NË PUNË FITIMPRURËSE TË ANËTARËVE TË FAMILJES SË NJË ANËTARI TË NJË MISIONI DIPLOMATIK APO KONSULLOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për punësimin në punë fitimprurëse të anëtarëve të familjes së një anëtari të një misioni diplomatik apo konsullor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.827, DATË 11.12.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E KODIMIT DHE STRUKTURËN E NUMRIT TË IDENTITETIT TË SHTETASVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8951, datë 10.10.2002, “Për numrin personal të shtetasve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.827, datë 11.12.2003, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për mënyrën e kodimit dhe strukturën e numrit personal të shtetasve shqiptarë, të huaj dhe personave pa shtetësi”.

2. Kudo në vendim, fjalët “… numri i identitetit …” zëvendësohen me “… numri personal …” dhe termi “NISH” zëvendësohet me “NUP”.

3. Në pikën 1, pas fjalës “… shtetasve …” shtohen fjalët “… shqiptarë, të huaj dhe personat pa shtetësi …”.

4. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

5. Në shkronjën “B”, të aneksit 1, pas tabelës 2 shtohen shkronja “B/1” dhe tabela 2.1, si më poshtë vijon:

“B/1. Për shtetasit e huaj, rezidentë në Shqipëri, si dhe për personat pa shtetësi, të gjinisë mashkullore, muajve (nga 01-12) i shtohet numri 30, ndërsa për personat e gjinisë femërore, muajit i shtohet numri 80, sipas tabelës më poshtë:

Tabela 2.1
Muaji Gjinia Mashkullore (shtetas të huaj) Gjinia Femërore (shtetas të huaj)
01 31 81
02 32 82
03 33 83
04 34 84
05 35 85
06 36 86
07 37 87
08 38 88
09 39 89
10 40 90
11 41 91
12 42 92

6. Pika 2, e shkronjës “E”, të aneksit, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Numrat e elementeve 2 deri në 9 shumëzohen, respektivisht, me numrat 1 deri në 8. Kështu, numri aktual në elementin 2 shumëzohet me 1, numri aktual në elementin 3 shumëzohet me 2, …. numri aktual në elementin 9 shumëzohet me 8.”.

7. Për letërnjoftimet elektronike, të lëshuara para vitit 2010, metoda e llogaritjes së karakterit të fundit, për efekt kontrolli të numrit personal, bëhet sipas pikës 2, të shkronjës “E”, të aneksit të vendimit, ndërsa, për letërnjoftimet e lëshuara pas vitit 2010, bëhet sipas pikës 6, të këtij vendimi.

8. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TЁ MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT PËR ZHVILLIM ABU DHABI, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I BULEVARDIT VERIOR DHE REHABILITIMI I LUMIT TË TIRANËS”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.150/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e ndryshimit të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit “Ndërtimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, të ratifikuar me ligjin nr.150/3013, me qëllim shtyrjen e afatit të disbursimit, sipas marrëveshjes së huas, deri më 30.6.2020, sipas përmbajtjes së dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.712, DATË 31.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR TË DREJTËN E PESHKIMIT NË UJËRAT E BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 52, pika 3, e 30, pika 7, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturën”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.712, datë 31.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për përcaktimin e procedurave të konkurrimit publik për të drejtën e peshkimit në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese, dhe zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore”.

2. Në pikat 1; 4, shkronjat “a” e “b”; 5; 12; 13 dhe 18, pas fjalëve “… ujërat e brendshme …” shtohen “… për format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese dhe për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore …”.

3. Në pikën 2, pas fjalëve “… të brendshme …” shtohen “… dhe atyre detare …”.

4. Pas pikës 5/1 shtohet pika 5/2, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:

“5/2. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, para publikimit të konkurrimit publik për të drejtën e peshkimin në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese, dhe për zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore, duhet të marrë miratimin e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, kur zona objekt konkurrimi gëzon statusin si zonë e mbrojtur.”.

5. Në pikën 6, fjalët “… ujërat e brendshme për …” hiqen.

6. Pika 10/1 e vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10/1. Subjektet e interesuara, që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e peshkimit në ujërat e brendshme, për format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese, dhe për zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore, duhet të pajisen me leje, e cila përfshihet në nënkategorinë “të gjitha përdorimet e tjera (peshkim në ujërat e brendshme, peshkim nga organizatat e bashkëmenaxhimit (OMP) dhe dhënien në administrim të lagunave dhe zonave të tjera ujore limitrofe”, me kodin III.5.A.2.”.

7. Në shkronjën “A”, të pikës 11, pas paragrafit “-Për ujëmbledhësit e bujqësisë” shtohen edhe :

“- Për format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese;
– Për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore;”.

8. Në pikën 19, fjalët “… për të gjitha kategoritë ujore në ujërat e brendshme …” hiqen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PULPËN E FRUTIT TË THATË BAOBAB, SI PËRBËRËS I RI USHQIMOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores “Për pulpën e frutit të thatë Baobab, si përbërës i ri ushqimor”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PASURISË ME NR.3/20, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8340

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pasurisë me nr.3/20, me vendndodhje në zonën kadastrale 8340, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e arsimit.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.