Postuar më: 15 Maj 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Maj 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Maj 2019:  

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJËS  DHE HERCEGOVINËS, QEVERISË SË MALIT TË ZI, QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, PËR MASAT E SHTETIT PRITËS PËR STATUSIN E ORGANIZATËS MBËSHTETËSE TË TASK-FORCËS MJEKËSORE TË BALLKANIT DHE PERSONELIN E SAJ 

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për masat e shtetit pritës për statusin e Organizatës Mbështetëse të Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit dhe personelin e saj, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të pikave 2 e 3, të nenit 45, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 16.5.2019, në nderim të major Klodian Nikolla Tanushi, rënë në krye të detyrës, gjatë përmbushjes së misionit ushtarak, jashtë vendit.

 

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12:00 të mbahet një minutë heshtje.

 

Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes të ndjekë organizimin e ceremonialit dhe të përballojë shpenzimet e varrimit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

 

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Gledian Llatja, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT  TË SHKODRËS

 

 

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të  ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

Valdrin Pjetri, prefekt i Qarkut të Shkodrës, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË SHKODRËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Çesk Millja emërohet prefekt i Qarkut të Shkodrës.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

 PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.78, DATË 12.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMINE KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT E TË PROCEDURËS PËR PAJISJEN, REFUZIMIN, RIPËRTËRITJEN DHE ANULIMIN  E LEJES SË PUNËS TË TIPIT “C””

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 71, pika 8, 86, pika 2, dhe  132, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Shkronja “c”, e pikës 4, të vendimit nr.78, datë 12.2.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“c) kopjen e pasaportës, për kategoritë e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c” e “d”, të nenit 101, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, ose në mungesë të saj një dokument identifikimi, të verifikuar dhe të konfirmuar nga Ministria e Brendshme.”.

 

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe strukturat në varësi të tyre për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), OPERATORIT  TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE, SH.A.) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E INVESTIMIT NË SHPËRNDARJEN E ENERGJISË I, MASAT SHOQËRUESE 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.) (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e programit të investimit në shpërndarjen e energjisë I, masat shoqëruese, me një grant në shumën 2 000 000  (dy milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR 

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR FILLIMIN E PROCEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË PASURIVE “OBJEKTE DHE TRUALL TË AGJENCISË SË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT LABINOT, ELBASAN”, DHËNË ME KONTRATA ME ÇMIMIN 1 EURO/KONTRATA SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K.

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 32, të kreut III, të vendimit nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurive shtetërore të dhëna me qira me kontratën me çmimin 1 euro/kontrata, njësi në administrim të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit, Labinot, Elbasan, miratuar me vendimin nr.873, datë 30.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa” sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit”.

 

Dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurive shtetërore të dhëna me qira me kontratën me çmimin 1 euro/kontrata, njësi në administrim të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit, Labinot, Elbasan, miratuar me vendimin nr.266, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k, si qiramarrës, për pasurinë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur)”, të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

 

Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.873, datë 30.10.2015, dhe nr.266, datë 29.3.2017, shfuqizohen në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitjes së pasurive shtetërore të përmendura në këtë vendim.

 

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

 

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE TË VITIT 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 86, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, t’i shtohet fondi prej 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore të          datës 30 qershor 2019.

 

  1. Efekti financiar prej 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekësh, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, SI DHE PËRCAKTIMIN  E RREGULLIMEVE SPECIFIKE LIDHUR ME STRUKTURËN DHE ORGANIKËN E QENDRËS SË PARANDALIMIT TË KRIMEVE TË TË MITURVE DHE TË RINJVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 133, të ligjit nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  • DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  1. Organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, si person juridik publik, në varësi të ministrit përgjegjës për drejtësinë, me seli në Tiranë.
  2. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve ka si mision kryesor realizimin e veprimtarisë rehabilituese dhe riintegruese nëpërmjet mbikëqyrjes dhe mbrojtjes të të miturit/të rinjve pas kryerjes së dënimit.
  3. Qendra financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.
  4. Qendra si fushë përgjegjësie ka parandalimin e krimeve të të miturve dhe të rinjve.
  5. RREGULLAT PËR ORGANIZIMIN DHE PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË QENDRËS
  6. Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit. Ajo organizohet në nivel qendror dhe ushtron këto funksione e përgjegjësi:
  7. a) Bashkëpunon me Shërbimin e Provës dhe/ose me administratën e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale për të mitur në :
  • përgatitjen e dokumentit për lirimin me kusht, vlerësimin e rrezikut familjar dhe shoqëror/mjedisor dhe të nevojave të të miturit jashtë IEVP-së;
  • përgatitjen e planit individual të rishoqërizimit dhe të rehabilitimit, sipas programeve të shërbimeve;
  • përgatitjen e planit të menaxhimit të riskut, në rast të identifikimit të rrezikut të mesëm apo të lartë për recidivizëm;
  • ndjekjen, mbikëqyrjen dhe ofrimin e mbështetjes psikologjike, arsimore, shëndetësore dhe situatën sociale të të miturit pas dënimit;
  • administrimin në dosje të posaçme të kopjes së dokumentacionit individual të të miturit, të lëshuara nga Shërbimi i Provës dhe administrata e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale për të miturin;
  • administrimin e Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Miturit, me qëllim evidentimin e të dhënave që lidhen me datat e fillimit dhe të mbarimit të dënimit.
  1. Bashkëpunon me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, për:
  2. miratimin e planit të rehabilitimit dhe të rishoqërizimit të të miturit;
  3. koordinimin e masave që do të merren për zbatimin e planit të rehabilitimit dhe të rishoqërizimit;
  • mbikëqyrjen e ecurisë së zbatimit të planit për rishoqërizimin e të miturit;
  1. organizimin dhe zhvillimin e takimeve me të miturit, familjen dhe institucionet e tjera që mundësojnë përfshirjen sociale të të miturit;
  2. sigurimin e përmbushjes dhe të rishqyrtimit të programeve në mjediset e burgimit, nëse kjo është e nevojshme.
  3. c) Bashkëpunon me organet e vetëqeverisjes vendore për:
  • nxitjen e marrjes së masave për strehimin e përshtatshëm për të miturin që nuk ka strehim;
  • sigurimin për të miturin:

– të veshjeve të përshtatshme;

– të mbështetjes psikologjike;

– të shpenzimeve të udhëtimit për në banesë;

– të mundësisë së ndjekjes së kurseve të formimit profesional, arsimit apo punësimin, pas lirimit;

– të kujdesit të nevojshëm nga autoritetet shëndetësore, përfshirë edhe në rastet e aftësisë së kufizuar, varësisë nga droga, të sëmundjeve mendore, si dhe në raste të tjera;

iii.           mbikëqyrjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit ndaj të miturit.

ç)   Ndjek procesin e programimit dhe të koordinimit të trajnimit e të specializimit të profesionistëve për drejtësinë për të miturit, si dhe i propozon institucioneve kompetente tema dhe metodika të nevojshme për zhvillimin e specializimeve.

  1. Struktura dhe organika e Qendrës miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
  2. Qendra drejtohet nga drejtori, i cili është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e saj dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
  3. Marrëdhëniet e punës së drejtorit dhe të nëpunësve të Qendrës rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
  4. Qendra ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
  5. Vula e Qendrës ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  6. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit miratohet nga ministri përgjegjës për drejtësinë, me propozim të drejtorit.

III. DISPOZITË KALIMTARE DHE E FUNDIT

  1. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME         QË PREKEN PREJ TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 15/1, dhe të shkronjës  “ç”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006,  “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994,  “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015,  “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të          shkronjës  “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 1 205 (një mijë e dyqind e pesë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Numri i parcelave ndërtimore për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:

 

  1. Për Qarkun Berat (ZVRPP Berat, Kuçovë, Çorovodë), numri i parcelave ndërtimore është 35 (tridhjetë e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 279 (shtatë mijë e dy qind e shtatëdhjetë e nëntë) m²;
  2. Për Qarkun Elbasan (ZVRPP Elbasan, Peqin, Librazhd), numri i parcelave ndërtimore është 372 (tre qind e shtatëdhjetë e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 93 442 (nëntëdhjetë e tre mijë e katërqind e dyzet e dy) m².
  3. Për Qarkun Durrës (ZVRPP Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 85 (tetëdhjetë e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 28 954 (njëzet e tetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e katër) m²;

ç)   Për Qarkun Tiranë (ZVRPP Tiranë dhe Kavajë), numri i parcelave ndërtimore është 257 (dyqind e pesëdhjetë e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 70 094 (shtatëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e katër) m²;

  1. d) Për Qarkun Fier (ZVRPP Fier, Lushnjë), numri i parcelave ndërtimore është 9 (nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 051 (katër mijë e pesëdhjetë e një) m²;
  2. dh) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 64 (gjashtëdhjetë e katër), me sipërfaqe të përgjithshme 18 115 (tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë) m²;
  3. e) Për Qarkun Vlorë (ZVRPP Vlorë), numri i parcelave ndërtimore është 162 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 41 984 (dyzet e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër) m²;

ë)   Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP Gjirokastër), numri i parcelave ndërtimore është 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 23 038 (njëzet e tre mijë e tridhjetë e tetë) m²;

  1. f) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP Lezhë), numri i parcelave ndërtimore është                     20 (njëzet), me sipërfaqe të përgjithshme 4 042 (katër mijë e dyzet                            e dy) m²;
  2. g) Për Qarkun Kukës (ZVRPP Kukës, Tropojë, Has), numri i parcelave ndërtimore është 57 (pesëdhjetë e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 17 478 ( shtatëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m²;
  3. gj) Për Qarkun Korçë (ZVRPP Korçë, Pogradec), numri i parcelave ndërtimore është 29 (njëzet e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 192 (shtatë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e dy) m².

 

  1. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-së, është 33 964,81 (tridhjetë e tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër presje tetëdhjetë e një) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 229 092 338,97 (dyqind e njëzet e nëntë milionë e nëntëdhjetë e dy mijë e treqind e tridhjetë e tetë presje nëntëdhjetë e shtatë) lekë.

 

  1. Vlera e miratuar e kompensimit financiar, për numrat rendorë dhe pasuritë e mëposhtme, vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, sipas kushteve vijuese:

 

  1. Për numrin rendor nr.5, pasuria nr.4/414, në zonën kadastrale 8501, dhe për numrin rendor nr.48, pasuria nr.214/47, në zonën kadastrale 3976, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas paraqitjes së miratimit apo marrëveshjes me palën kontraktore (kreditorin), sipas pikave 12 e 14, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
  2. Për numrin rendor nr.64, pasuria nr.1/348, në zonën kadastrale 8330, për numrin rendor nr.93, pasuria nr.1/406, në zonën kadastrale 3101, për numrin rendor nr.624, pasuria nr.4/108, në zonën kadastrale 2282, për numrin rendor nr.648, pasuria nr.49/13, në zonën kadastrale 1726, për numrin rendor nr.891, pasuria nr.12/111, në zonën kadastrale 3396, për numrin rendor nr.897, pasuritë nr.23/134, nr.23/133, nr.23/147 dhe nr.23/148, në zonën kadastrale 8512, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave;
  3. Për numrin rendor nr.47, pasuria nr.213/40, në zonën kadastrale 3976, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Berat, Elbasan, Librazhd, Durrës, Tiranë, Lushnjë, Shkodër, Korçë, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Kavajë dhe Kukës të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.

 

  1. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

 KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482,  datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese, për 413 (katërqind e trembëdhjetë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.

 

  1. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:

 

  1. Për Qarkun Berat (DRASHK-të Berat, Kuçovë) numri i parcelave ndërtimore është 40 (dyzet), me sipërfaqe të përgjithshme 8 552 (tetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) m².
  2. Për Qarkun Tiranë (DRASHK -të Tiranë, Kavajë) numri i parcelave ndërtimore është 88 (tetëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 23 278 (njëzet e tre mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) m².
  3. Për Qarkun Lezhë (DRASHK-ja Lezhë) numri i parcelave ndërtimore është 14 (katërmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 918 (dy mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) m².

ç)   Për Qarkun Durrës (DRASHK-ja Durrës) numri i parcelave ndërtimore është 39 (tridhjetë e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 13 907 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatë) m².

  1. d) Për Qarkun Fier (DRASHK-të Fier, Lushnjë dhe ZVASHK-ja Divjakë) numri i parcelave ndërtimore është 210 (dyqind e dhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 60 360 (gjashtëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) m².
  2. dh) Për Qarkun Vlorë (DRASHK -ja Sarandë) numri i parcelave ndërtimore është 22 (njëzet e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 5 283 (pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre) m².

 

  1. Drejtoritë rajonale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Berat, Kuçovë, Tiranë, Kavajë, Lezhë, Durrës, Fier, Lushnjë, Sarandë dhe Zyra Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Divjakë të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 dhe 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.

 

  1. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

 PËR      

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRDORIMIN E QËNDRUESHËM TË PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE DHE KRITERE E KUALIFIKIMIT PËR PËRDORUESIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 23, të  ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e rregullave për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe kriteret e kualifikimit për përdoruesit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Krerët V, VI e VIII, si dhe shtojcat 10, 11 e 12, të vendimit nr.1188, datë 8.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për importimin, tregtimin, transportin, ruajtjen, përdorimin dhe asgjësimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve”, të ndryshuar, shfuqizohen.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.61, DATË 3.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TE RIMBURSUESHME”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Pika 9/1, e vendimit 61, datë 3.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“9/1. Lista e pajisjeve mjekësore që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2019, për pacientët e grupmoshës 0-25 vjeç, është sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

 

  1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2019.

 

 

  1. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

STATUSIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOORDINUES TË DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe ushtrimit të aktiviteteve të tyre, gëzojnë status të veçantë në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

 

  1. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, në funksion të përmbushjes së detyrave për mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, kanë të drejtë:

 

  1. a) të kërkojnë informacion me interes në fushën e përgjegjësisë që mbulojnë nga institucionet shtetërore përgjegjëse;
  2. b) të propozojnë akte administrative pranë institucioneve shtetërore që lidhen me interesat e komuniteteve shqiptare në diasporë;
  3. c) të marrin pjesë në seanca dëgjimore në Komitetin Shtetëror të Diasporës ose komisionet e Kuvendit të Shqipërisë për çështje që kanë të bëjnë me interesat e diasporës shqiptare;

ç)  të pajisen me një adrese zyrtare nga domain-i @diaspora.gov.al.

 

  1. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës gëzojnë të drejtën e trajtimit me prioritet të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë nga ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë si dhe nga drejtuesit e misioneve diplomatike në vendet përkatëse, sa herë që është e domosdoshme për mbarëvajtjen e punës.

 

  1. Përgjegjësitë profesionale të përdorimit të fondeve dhe ato administrative për Këshillin do të ushtrohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.

 

  1. Agjencia Kombëtare e Diasporës kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Koordinues të Diasporës shqiptare.

 

  1. Shpenzimet për udhëtimin, akomodimin dhe dietat për realizimin e mbledhjeve zyrtare të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës mbulohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare për Diasporën, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

  1. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

FINANCIMIN  E PROJEKTIT “DIASPORA SHKENCORE SI NJË FAKTOR NDRYSHIMI NË PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN TË SHQIPËRISË” DHE ZBATIMIN E TIJ NGA FONDI SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Financimin e projektit “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, me kohëzgjatje 30 (tridhjetë) muaj, me fond total prej 40 984 477 (dyzet milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh, sipas dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

  1. Për vitin 2019, për kryerjen e studimit të projektit “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës i shtohet fondi prej 4 214 895 (katër milionë e dyqind e katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.

 

  1. Fondi i parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2019.

 

  1. Fondet për vitet 2020 e 2021, për projektin bashkëlidhur këtij vendimi, parashikohen në planin buxhetor afatmesëm të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, për vitet 2020-2022.

 

  1. Projekti “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, bashkëlidhur këtij vendimi, do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

 K R Y E M I N I S T R I

 EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.