Postuar më: 13 Shkurt 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Shkurt 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Shkurt 2019: 

 

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Lorena Haxhiu emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Redi Shtino emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t, përkatësisht, Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë, Kukës, Kavajë, Fshatra Turistikë dhe Kamzë, Vorë.
2. Masa e kompensimit është 43 920,53 (dyzet e tre mijë e nëntëqind e njëzet presje pesëdhjetë e tre) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 522 842 426,65 (pesëqind e njëzet e dy milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë e katërqind e njëzet e gjashtë presje gjashtëdhjetë e pesë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
– Për numrat rendorë të pronave (kolona 13) të shtojcës nr.1:
Pronat 12, 13, 46, 60, 65, 80, 88, 90, 99 e 106, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vendoset nga Agjencia e Trajtimit të Pronës në një llogari bankare të posaçme dhe nuk mund të disponohet nga subjekti përfitues pa zgjidhjen e shkakut të kufizimit në rrugë gjyqësore, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës, Kavajë dhe Shkodër të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Ilir Halilaj, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.175, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE MËSIMORË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë, në arsimin parauniversitar”.
b) Në paragrafin e parë të pikës 1, pas fjalëve “… mësuesit/edukatorët …” shtohen “…punonjësit e shërbimit psiko-social, si dhe punonjësit e tjerë jomësimorë që shërbejnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor …”.
c) Në ndarjen me numrin rendor 15, të lidhjes nr.1, që përmendet në pikën 2, të vendimit, emërtimi “psikolog shkolle” hiqet.
ç) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Struktura e pagës për punonjësit e shërbimit psiko-social dhe punonjësit e tjerë jomësimorë në institucionet arsimore, sipas përcaktimit në pikën 1, të këtij vendimi, është sipas lidhjes nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
d) Në pikat 3.a, 3.b dhe 3.ç, pas fjalëve “… e lidhjes nr.1 …”, shtohen “… dhe lidhjes nr.1/1 …”.
dh) Në fund të pikës 3.c) shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Shtesa për kualifikim, (kolona 4 e lidhjes nr.1/1), është 0.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të fillojnë nga data 1 janar 2019 dhe të përballohen nga fondet e parashikuara për sistemin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.789, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË CERTIFIKIMIT PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 33, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të kreut II, të vendimit nr.789, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Nënpika 1.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.2. Ata profesionistë, të cilët mbushin moshën e daljes në pension brenda periudhës së programit të certifikimit dhe nuk kërkojnë rinovimin e lejes së ushtrimit të profesionit nga urdhri profesionist përkatës, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit.”.
2. Nënpikat 1.4 e 3.5 shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT TË REFORMAVE TË INVESTIMEVE 2019-2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e planit të veprimit të reformave të investimeve 2019-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË HOLLËSISHME PËR ADMINISTRIMIN E LLOGARIVE, KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E TË ARDHURAVE TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 3, e 17, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave dhe të procedurave të hollësishme për administrimin e llogarive, krijimin dhe përdorimin e të ardhurave të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në vijim FSHZHD.
2. FSHZHD-ja administron llogaritë, në përputhje me legjislacionin financiar të kontabilitetit dhe të raportimit financiar të parashikuar për institucionet publike.
3. Për financimet nga donatorë të huaj do të zbatohen standardet e raportimit sipas parashikimeve në marrëveshjen e financimit.
4. Burimet e financimit të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës janë përcaktuar në pikën 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”.
5. Të ardhurat e FSHZHD-së janë të përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të ndryshëm për financimin e projekteve të zbatuara nga FSHZHD-ja; fondet nga buxheti i shtetit për projektet e financuara nga Këshilli i Ministrave; individë e institucione, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, sipas marrëveshjeve përkatëse; të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e veta dhe shërbimet e ofruara; kontributet materiale nga programet dy e shumëpalëshe, si dhe nga persona fizikë dhe organizata të ndryshme jofitimprurëse, që ushtrojnë aktivitet filantropik si dhe burime të tjera, të lejuara e të njohura nga legjislacioni në fuqi.
6. FSHZHD-ja mban kontabilitetin në përputhje me specifikat e institucionit, i cili të mundësojë:
a) lehtësimin e auditimit dhe raportimin e projekteve/programeve;
b) identifikimin e grupeve dhe nëngrupeve të kostos për të gjitha shpenzimet, me qëllim krahasimin fizik dhe monitorime të tjera;
c) paraqitjen e shpenzimeve sipas kategorive të kostos, si mirëmbajtje, mallra, shërbime këshillimi, trajnime, kosto operative etj.;
ç) paraqitjen e burimeve financiare, sa herë që kërkohet;
d) regjistrimin e aktiveve, pasiveve dhe fondeve të akumuluara të projektit në grupe të caktuara.
7. FSHZHD-ja ka planin e vet të llogarive, të emërtuar dhe kodifikuar sipas legjislacionit në fuqi, në funksion të regjistrimit të transaksioneve sipas llojit, kategorisë, burimit të financimit dhe destinacionit të përdorimit të fondeve të krijuara.
8. Pasqyrimi në kontabilitet i llogarive bankare bëhet në monedhën bazë dhe në kundërvleftën në lekë ose euro.
9. Rimbushja e llogarive bëhet nga donatori nëpërmjet kërkesës për tërheqje fondesh.
10. Llogaritë bankare, të përfituara sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, për fondet nga buxheti i shtetit për projektet e financuara nga Këshilli i Ministrave, çelen sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për fondet buxhetore.
11. Llogaritë bankare, për të gjitha të ardhurat e tjera të krijuara sipas pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, çelen nga vetë FSHZHD-ja, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në ligj.
12. FSHZHD-ja, në përputhje me marrëveshjen e financimit, çel një llogari bankare të veçantë “Diaspora për diasporën”.
13. Fondet e kësaj llogarie do të përfitohen nga donacione të anëtarëve të diasporës, për shpenzime me karakter ekonomik, social-kulturor, shkencor e shëndetësor.
14. Të ardhurat e krijuara nga këto financime do të administrohen nga FSHZHD-ja, në përputhje me marrëveshjen e financimit, si dhe rregullat e menaxhimit financiar e të kontrollit.
15. Përdorimi i të ardhurave përcaktohet në varësi të burimit të krijimit të tyre, si më poshtë vijon:
a) Të ardhurat e krijuara sipas shkronjave “a” dhe “c”, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, përdoren sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjet përkatëse;
b) Të ardhurat e krijuara sipas shkronjës “b”, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, përdoren nëpërmjet sistemit të thesarit, sipas rregullave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin buxhetor e financiar;
c) Të ardhurat e krijuara sipas shkronjave “ç”, dhe “dh”, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, depozitohen në llogarinë bankare të Fondit.
16. Shpenzimet për auditimin e jashtëm nga shoqëri apo ekspertë të pavarur, të kërkuar nga donatorët, sipas përcaktimeve në marrëveshjen e financimit, do të mbulohen nga vetë donatori.
17. Ngarkohen ninistri i Shtetit për Diasporën dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.