Postuar më: 2 Maj 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 02 Maj 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 02 Maj 2019:

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I OBORRIT TË SHKOLLËS “ALI DEMI”, VLORË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë të paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i oborrit të shkollës “Ali Demi”, Vlorë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronari i pasurisë të paluajtshme që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën përfundimtare, me të dhënat e pronarit që shpronësohet, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me vlerë 8 796 650 (tetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasurinë “ndërtesë”, prej 8 796 650 (tetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë, për vitin 2019.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronari në tabelën përfundimtare, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të këtë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Vlorë.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasurinë e shpronësuar, në favor të shtetit, përfaqësuar nga Bashkisë Vlorë.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet mbi pasurinë e shpronësuar, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR KATEGORIZIMIN E OBJEKTEVE SHTETËRORE, SIPAS MËNYRËS SË RUAJTJES E TË SIGURIMIT FIZIK TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të shkronjës “gj”, të pikës 1, të nenit 18, të ligjit nr.75/2014, “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Objektet në pronësi, administrim apo përdorim të subjekteve publike, në vijim “objektet”, kategorizohen në objekte, ruajtja dhe sigurimi i të cilave realizohet:

a) nga shërbime të specializuara për ruajtjen dhe sigurinë fizike;
b) nga punonjës të trajnuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike të vetë subjektit publik;
c) me sisteme vëzhgimi dhe/ose sinjalizimi.

Nuk janë objekt i këtij vendimi objektet e rëndësishme shtetërore, që ruhen dhe sigurohen nga Policia e Shtetit apo Garda e Republikës.

2. Nevoja dhe mënyra e ruajtjes dhe sigurimit fizik të objekteve përcaktohet, kryesisht, nga rëndësia dhe lloji i objektit, vendndodhja, veçoritë specifike, dokumentacioni që administrohet, rreziqet e mundshme si dhe cilësitë e veçanta të personave që ushtrojnë veprimtarinë në këto objekte.

3. Objektet sigurohen nga shërbime të specializuara për këtë qëllim kur:

a) kanë qenë objekt i ngjarjeve kriminale, që kanë cenuar ushtrimin e veprimtarisë gjatë pesë viteve të fundit;
b) në mjediset e tyre administrohen vlera monetare;
c) në mjediset e tyre administrohet dokumentacion i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm;
ç) në to zhvillohet veprimtari, e cila mund të jetë objekt sulmi nga elementë kriminalë;
d) në mjediset e tyre ushtrojnë veprimtarinë persona, të cilët, për shkak të funksionit, mund të jenë subjekt sulmi nga elementë kriminalë;
dh) ndodhen larg qendrave të banuara dhe mundësia e reagimit të shërbimeve të Policisë së Shtetit në një kohë të shpejtë është e kufizuar;
e) cenimi i sigurisë së tyre mund të sjellë rrezik të shtuar për shëndetin e njerëzve dhe sigurinë publike, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, përmbytje, shpërthime, zjarre masive, përhapjen e lëndë radioaktive apo toksike.

4. Objektet sigurohen me punonjës shërbimi të subjektit kur:

a) në mjediset e tyre nuk administrohen vlera monetare ose arkiva të rëndësishme;
b) ushtrojnë veprimtari, e cila nuk përbën burim rreziku për ngjarje kriminale;
c) në mjediset e tyre ushtrojnë veprimtarinë persona, të cilët nuk kryejnë funksione që mund të përbëjnë rrezik potencial sulmi nga elementë kriminalë;
ç) ndodhen në qendrat e banuara;
d) nevoja për siguri apo ruajtje është e domosdoshme vetëm gjatë orareve zyrtare të ushtrimit të veprimtarisë.

5. Objektet sigurohen me sisteme vëzhgimi dhe/ose sinjalizimi kur:

a) fushëpamja e mjedisit/sipërfaqes ku zhvillon veprimtarinë subjekti mbulohet tërësisht nga sistemet e vëzhgimit me kamera;
b) ushtrojnë veprimtari, e cila nuk përbën burim rreziku për ngjarje kriminale;
c) në mjediset e tyre zhvillohet veprimtari e kufizuar;
ç) kanë akses në infrastrukturë rrugore dhe reagimi i grupeve të gatshme të shërbimeve të specializuara është i shpejtë;
d) stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit ndodhen larg tyre;
dh) ndodhen brenda territorit të komplekseve të objekteve që sigurohen nga shërbime të specializuara.

6. Për përcaktimin e nevojës dhe të mënyrës së ruajtjes e sigurimit fizik të objekteve, brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, me urdhër të ministrit të Brendshëm krijohet Komisioni i Sigurisë së Objekteve, i përbërë nga punonjës të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

7. Titullarët e ministrive, të institucioneve, agjencive apo njësive/strukturave të tjera shtetërore/publike, brenda 30 ditëve, nga krijimi i Komisionit të Sigurisë së Objekteve, paraqesin pranë tij kërkesë për vlerësimin e nevojës për ruajtje dhe sigurim për objektet shtetërore në pronësi, administrim apo përdorim të tyre.

8. Kërkesa përmban përshkrimin e objekteve, arsyetimin për përmbushjen e kritereve dhe për përfshirjen e objektit specifik për ruajtje dhe sigurim në një nga kategoritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

9. Komisioni i Sigurisë së Objekteve shqyrton kërkesën për vlerësimin e nevojës për ruajtje dhe sigurim të objekteve dhe në përfundim, me vendim të arsyetuar, miraton ose kundërshton kërkesën. Në rast miratimi, komisioni kategorizon objektet në një nga kategoritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi. Kategorizimi i kryer mund të jetë i ndryshëm nga ai i kërkuari.

10. Titullarët e ministrive, të institucioneve, agjencive apo njësive/strukturave të tjera shtetërore/publike marrin të gjitha masat për zbatimin e vendimeve të Komisionit.

11. Ngarkohen ministritë, agjencitë dhe institucionet e tjera publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.413, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME (DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE TË SHTETIT)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, e 8, pika 3, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.413, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Kudo, në titull dhe në përmbajtjen e vendimit, fjalët “… Ministrisë së Brendshme …” zëvendësohen me “… Ministrisë së Mbrojtjes …”;
b) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët dhe planrilevimet që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Lista e inventarit përbëhet nga 99 (nëntëdhjetë e nëntë) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.611, DATË 11.6.2009, NR.677, DATË 18.6.2009, NR.1038, DATË 14.10.2009, NR.1283, DATË 23.12.2009, NR.125, DATË 17.2.2010, NR.646, DATË 28.7.2010, NR.118, DATË 17.2.2011, NR.472, DATË 30.5.2013, NR.615, DATË 7.7.2015, NR.757, DATË 5.9.2013, NR.1094, DATË 28.12.2015, NR.235, DATË 30.3.2016, NR.714, DATË 1.12.2017, “PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 113 e vijues të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, dhe të neneve 17, pika 1, dhe 39, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.611, datë 11.6.2009, të Këshillit të Ministrave, në listat emërore për kalim pronësie, që i përkasin Bashkisë Tiranë, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.6, zona kadastrale 3866, numrat rendorë 26, 74, 126, 142, 143, 146, 215, 222, 229, 230, 233, 234, 235, 236, 247, 248, 252, 272, 273, 305, 314 shfuqizohen;
b) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 2679, numrat rendorë 168, 184, 184, 186, 194, 200 shfuqizohen;
c) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 8210, blloku 7, numri rendor 5 shfuqizohet.

2. Në vendimin nr.677, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave në listat emërore për kalim pronësie që i përkasin Bashkisë Tiranë, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 8210, blloku 7, numrat rendorë 3, 18, 85, 86 shfuqizohen;
b) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 2679, numrat rendorë 142, 181 shfuqizohen.

3. Në vendimin nr.1038, datë 14.10.2009, të Këshillit të Ministrave, në listat emërore për kalim pronësie, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën për Bashkinë Tiranë, Njësia Bashkiake nr.6, zona kadastrale 8220, numrat rendorë 4, 15, 28, 55, 69 shfuqizohen;
b) Në listën për Bashkinë Tiranë, Njësia Bashkiake nr.7, zona kadastrale 8210, numri rendor 2 shfuqizohet;
c) Në listën për Bashkinë Tiranë, Njësia Bashkiake nr.11, zona kadastrale 8310, numri rendor 13 shfuqizohet;
ç) Në listën për Bashkinë Fier, zona kadastrale 8534, numri rendor 16 shfuqizohet;

4. Në vendimin nr.1283, datë 23.12.2009, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie që i përket Bashkisë Tiranë, Njësia Bashkiake nr.1, zona kadastrale 3976, numri rendor 50 shfuqizohet.

5. Në vendimin nr.125, datë 17.2.2010, të Këshillit të Ministrave, në listat emërore për kalim pronësie, që i përkasin Bashkisë Tiranë, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 8210, blloku 7, numri rendor 1 shfuqizohet;
b) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.6, zona kadastrale 8310, numri rendor 6 shfuqizohet.

6. Në vendimin nr.646, datë 28.7.2010, të Këshillit të Ministrave, në listat emërore për kalim pronësie, që i përkasin Bashkisë Tiranë, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.6, zona kadastrale 3866, numrat rendorë 4, 47, 64, 170, 244, 405, 622 shfuqizohen;
b) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.11, zona kadastrale 8310, numrat rendorë 23, 30, 58, 317, 452 shfuqizohen;
c) Në listën për Njësinë Bashkiake nr.7, zona kadastrale 8210, numrat rendorë 4, 91 shfuqizohen.

7. Në vendimin nr.472, datë 30.5.2013, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie për Bashkinë Kukës, zona kadastrale 8283, numri rendor 501 shfuqizohet.

8. Në vendimin nr.615, datë 7.7.2015, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie për Bashkinë Durrës, zona kadastrale 8514, numri rendor 513 shfuqizohet.

9. Në vendimin nr.757, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie për Bashkinë Shkodër, zona kadastrale 2363, numri i pasurisë 139/125 shfuqizohet.

10. Në vendimin nr.235, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie për Bashkinë Fier, zona kadastrale 3538, numri rendor 517 shfuqizohet.

11. Në vendimin nr.714, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, në listën emërore për kalim pronësie për Bashkinë Korçë, zona kadastrale 8563, numrat rendorë 80, 87, 89 shfuqizohen.

12. Të dhënat e parcelave ndërtimore, që u shfuqizohet kalimi i pronësisë, janë sipas evidencës dhe listës bashkëlidhur këtij vendimi.

13. Ngarkohet Agjencia Shtetërorë e Kadastrës për kthimin e pagesave, në favor të poseduesve që kanë shlyer detyrimet financiare, të parcelave ndërtimore që u shfuqizohet kalimi i pronësisë sipas këtij vendimi.

14. Ngarkohet Agjencia Shtetërorë e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, KOMPETENCAT DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË MENAXHIMIT TË PASURIVE KULTURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 37, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITË E PËRGJITHSHME

Ky vendim ka për qëllim të rregullojë përbërjen, mënyrën e funksionimit, ushtrimin e kompetencave dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore.

II. PËRBËRJA E KËSHILLIT KOMBËTAR TË MENAXHIMIT TË PASURIVE KULTURORE

1. Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore (në vijim KKMPK) është organi kolegjial vendimmarrës pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

2. KKMPK-ja ka në përbërje 11 anëtarë, kryesohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe 10 anëtarë që emërohen prej tij.

3. KKMPK-ja përbëhet nga:

a) ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
b) 2 përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK);
c) 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për kulturën;
ç) 1 përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK);
d) 5 personalitete të cilët kanë një eksperiencë të pasur profesionale në fushën e jurisprudencës, ekonomisë ose menaxhimit.

4. Anëtarët e KKMPK-së përmbushin detyrën dhe përgjegjësitë e tyre dhe deklarojnë çdo rast të konfliktit të mundshëm të interesit, në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.

5. Mandati i anëtarit të KKMPK-së është 2 vjet, me të drejtë riemërimi. Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri.

6. Anëtar i KKMPK-së emërohet individi që:

a) zotëron diplomë të nivelit “Master profesional” apo “Master shkencor” dhe eksperiencë 5-vjeçare në fushat e jurisprudencës, menaxhimit ose ekonomisë;
b) nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprës penale.

7. Mandati i anëtarit të KKMPK-së mbaron kur:

a) përfundon afati i emërimit;
b) lirohet nga funksioni zyrtar, përveç personaliteteve;
c) jep dorëheqjen;

8. Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore liron nga detyra anëtarin, para mandatit, në rastet kur:

a) nuk paraqitet pa shkak të justifikuar në 5 mbledhje të njëpasnjëshme të KKMPK-së;
b) ka pengesë objektive për ushtrimin e funksioneve për më shumë se 6 muaj;
c) nuk përmbush detyrimet si anëtar i KKMPK-së;
ç) dënohet me vendim penal të formës së prerë;
d) kur veprimet apo mosveprimet e tij kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë dhe emrin e KKMPK-së.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË MENAXHIMIT TË PASURIVE KULTURORE

1. KKMPK-ja mblidhet jo më pak se një herë në 2 muaj. Mbledhjet e KKMPK-së thirren nga kryetari dhe njoftimi përcillet nga sekretaria teknike, të paktën 3 (tre) ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen. Në raste të veçanta, mbledhja mbahet edhe në një ditë të ndryshme nga njoftimi kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët dhe bien dakord për zhvillimin e mbledhjes në atë ditë dhe atë orë. Vendimi reflektohet në procesverbalin e mbledhjes.

2. Njoftimit për thirrjen e mbledhjes përmban vendin, datën, orën e mbledhjes dhe rendin e ditës. Njoftimit i bashkëlidhen materiale të tjera lidhur me çështjet e rendit të ditës. Rendi i ditës miratohet nga kryetari.

3. Mbledhja e KKMPK-së mund të kërkohet edhe nga 1/3 e anëtarëve, duke i drejtuar kërkesë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Zhvillimi i mbledhjes në këtë rast miratohet nga kryetari dhe i njoftohet të gjithë anëtarëve.

4. Mbledhjet e KKMPK-së zhvillohen, gjithmonë, në prani të kryetarit dhe janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Në rast të mosarritjes së kuorumit të kërkuar, kryetari thërret mbledhjen pasardhëse.

5. Anëtarët e KKMPK-së, të cilët janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë.

6. KKMPK-ja vendos me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm.

7. Vendimet e KKMPK-së merren me votim të hapur.

8. Kryetari i KKMPK-së voton i fundit. Në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.

9. Vendimet e KMPK-së nënshkruhen nga kryetari dhe siglohen nga sekretari i KKMPK-së.

IV. KOMPETENCAT E KËSHILLIT KOMBËTAR TË MENAXHIMIT TË PASURIVE KULTURORE

Kompetencat e Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore janë, si më poshtë vijon:

a) Miratimi i strategjisë për administrimin e qëndrueshëm ekonomik dhe format e bashkëpunimit në trashëgiminë kulturore;
b) Miratimi i programit të zhvillimit në territor të trashëgimisë kulturore;
c) Këshillimi i ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore për çështjet, si më poshtë vijon:

i. Tipologjinë e aktiviteteve tregtare që zhvillohen në ambientet e pasurive kulturore dhe në zonat e mbrojtura, si dhe kërkesat e subjekteve të veçanta për ushtrimin e aktiviteteve tregtare në zona me pasuri kulturore;
ii. Termat e referencës dhe planet për menaxhimin e pasurive kulturore të paluajtshme;
iii. Revokimin e licencës së veprimtarisë tregtare të pasurive kulturore për subjekte të veçanta;
iv. Hapjen e procedurës së konkurrimit për dhënien në rijetëzim;

ç) Miratimi i kritereve për licencimin e subjekteve tregtare të dedikuara në fushën e promovimit e të prezantimit të vlerave kulturore, në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare;
d) Miratimi i kritereve për dhënien e licencave për ekspert vlerësues të pasurive kulturore;
dh) Miratimi i metodologjisë për vlerësimin, pikëzimin dhe dhënien e bonusit në procedurat publike të kalimit në administrim indirekt të pasurive kulturore;
e) Hartimi, miratimi e propozimi te ministri i marrëveshjeve të partneritetit publik privat në lidhje me pasuritë kulturore;
ë) Përcaktimi i kufijve minimalë dhe maksimalë të tarifave të përdorimit të pasurive kulturore në pronësi publike, me përjashtim të pasurive kulturore që janë në administrim të:

i. ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe institucioneve të saj të varësisë, të cilat rregullohen sipas pikës 4, të nenit 178, të ligjit nr.27/2018;
ii. Fondacioneve të posaçme të krijuara sipas nenit 172, të ligjit nr.27/2018, të cilat rregullohen sipas pikës 5, të nenit 178, të ligjit nr.27/2018; dhe
iii. Organeve të pushtetit vendor, që rregullohen sipas ligjit dhe akteve nënligjore për vetëqeverisjen vendore.

f) Propozimi te ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore i tarifave të përdorimit të pasurive kulturore në administrim të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe muzetë dhe institucioneve të saj të varësisë;
g) Përcaktimi i mënyrës së përdorimit dhe i destinacionit të pasurive kulturore dhe shqyrtimi i kërkesave për ndryshimin e destinacionit të përdorimit të pasurive kulturore;
gj) Përcaktimi i kritereve dhe i formatit të deklaratës së interesit kulturor ose shkencor të ekspozitave apo panaireve dhe të çdo iniciative tjetër me karakter kulturor, me qëllim zbatimin e lehtësirave të parashikuara nga normativat fiskale;
h) Shqyrtimi dhe dhënia e mendimeve ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore mbi projektet e propozuara nga institucionet e fushave përkatëse, që do të financohen nga fondet për trashëgiminë kulturore;
i) Vendosja e afateve, mënyrave, orareve, shpërblimit dhe të drejtave e detyrimeve të pronarit ose të poseduesit për hapjen për publikun të pasurive kulturore, të cilat i janë nënshtruar ndërhyrjeve ruajtëse dhe që nuk përdoren për banim nga pronari ose poseduesi, në rast të mosarritjes së marrëveshjes ndërmjet pronarit ose poseduesit të pasurisë kulturore dhe ministrisë përgjegjëse për kulturën;
j) Përcaktimi i niveleve minimale të unifikuara të cilësisë së veprimtarisë së vlerësimit të pasurive kulturore në pronësi publike;
k) Vendosja e dhënies në administrim të pasurive kulturore personave fizikë ose juridikë publikë ose privatë, sipas procedurave publike të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
l) Çdo kompetencë tjetër të parashikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

V. SHPËRBLIMI

Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

VI. DISPOZITË E FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FINLANDËS DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE DHE AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Finlandës dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve dhe aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit të memorandumit dhe notës bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.932, DATË 18.11.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN PËR DHËNIEN E LICENCAVE TË IMPORTIT, EKSPORTIT DHE PRODHIMIT TË LËNDËVE PIROTEKNIKE DHE FISHEKZJARRËVE PËR PËRDORIM CIVIL”

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 7/1, të ligjit nr.9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.932, datë 18.11.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “e”, e pikës 10, shfuqizohet.

b) Pas pikës 10, shtohen pikat 10/1,10/2, 10/3 e 10/4, me këtë përmbajtje:

“10/1. Subjekti i interesuar për pajisjen me licencë prodhimi për lëndët piroteknike dhe fishekzjarrë për përdorim civil duhet të paraqesë kontratën e punësimit me drejtuesin teknik, i cili:

a) duhet të ketë arsimin e lartë të nivelit “Master i shkencave”, apo ekuivalent me të, në inxhinieri kimie/kimi industriale ose të ketë përfunduar arsimin e lartë të nivelit “Master i shkencave”, apo ekuivalent me të, në fusha akademike ushtarake, me profil kimi / armatim / municion / forca xheniere / piroteknikë / lëndë plasëse;
b) duhet të ketë përvojë pune dyvjeçare në fushën e prodhimit të lëndëve piroteknike dhe të lëndëve plasëse ose të jetë trajnuar e certifikuar pranë një subjekti prodhues për lëndë plasëse dhe piroteknike brenda ose jashtë vendit;
c) duhet të vërtetojë me raport mjekësor që është i aftë nga ana mendore e fizike, të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë nga organet përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë.

10/2. Drejtuesi teknik i subjektit prodhues është përgjegjës për drejtimin, menaxhimin dhe kontrollin e veprimtarisë së prodhimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, si dhe kryen këto detyra:

a) harton e paraqet për miratim, pranë subjektit të licencuar, rregulloren e sigurimit teknik, ku përcaktohen kushtet e sigurisë e shëndetit të punonjësve dhe mjedisit gjatë prodhimit, magazinimit, asgjësimit dhe testimit të produkteve piroteknike, si dhe identifikimin e rreziqeve, kompensimin e rrezikut nga zjarri, menaxhimin e emergjencave, me qëllim zbutjen e rrezikut të mbetur, nëpërmjet organizimit dhe menaxhimit të ekipeve të sigurisë në drejtim të masave parandaluese dhe mbrojtëse, me referencë të veçantë ndaj sjelljes së zjarrit të strukturave (REI);
b) është përgjegjës për njohjen e punonjësve me legjislacionin përkatës, për organizimin e punës dhe për trajnimin e tyre me rregullat e sigurimit teknik;
c) harton dhe afishon në mënyrë të dukshme skemat për reagimin ndaj situatave emergjente dhe parashikon plane të veçanta për përballimin e tyre;
ç) është përgjegjës për planifikimin, kontrollin, si dhe informon për probleme, që lidhen me veprimtarinë e prodhimit të artikujve piroteknikë, autoritetin licencues ose autoritetet e tjera shtetërore, që kanë kompetenca për kontrollin e kësaj veprimtarie;
d) merr masat e plota për sigurimin teknik të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, me qëllim parandalimin e aksidenteve gjatë prodhimit, lëvizjes, magazinimit dhe asgjësimit të tyre;
dh) përmbush, brenda afateve, detyrat e lëna pas inspektimit nga autoriteti licencues dhe autoritetet e tjera shtetërore që kanë kompetenca për kontrollin e kësaj veprimtarie.

10/3. Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, duhet të përmbushë këto detyrime:

a) të krijojë kushtet e përshtatshme (strukturën, bazën materiale, trajnimet e kualifikimet) për zbatimin me korrektësi të detyrave të drejtuesit teknik në këtë fushë;
b) të lajmërojë autoritetin licencues për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me drejtuesit teknikë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga zgjidhja e kontratës së punës;
c) të mos punësojë punonjës të patrajnuar nga drejtuesi teknik lidhur me sigurinë në punë, të cilëve u matet efektiviteti i trajnimeve nëpërmjet testimeve para marrjes në punë dhe monitorimeve periodike gjatë periudhës së marrëdhënieve të punës;
ç) të mos punësojë punonjës, të cilët nuk janë pajisur me raport mjekësor, që janë të aftë nga ana mendore e fizike dhe me vërtetimin e besueshmërisë nga organet përgjegjëse të Policisë së Shtetit, si dhe të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë;
d) të sigurojë punonjësit e tij nga aksidentet personale në punë në vlerën jo më të ulët se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë, sipas një kontrate pranë një shoqërie sigurimi, për mbulimin e rasteve të humbjes së jetës, paaftësisë së përhershme ose të përkohshme në punë.

10/4. Personeli përgjegjës për magazinimin, asgjësimin dhe testimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve për përdorim civil duhet të jetë i pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit nga organi përgjegjës në ministrinë që mbulon çështjet e industrisë dhe të energjetikës.”.

2. Ngarkohen Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS PARALEL ME MURIN RRETHUES TË PORTIT”, NË BASHKINË DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë të paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës paralel me murin rrethues të Portit”, në Bashkinë Durrës.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Durrës.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me sipërfaqe 15 m², me vlerë të përgjithshme 708 750 (shtatëqind e tetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 708 750 (shtatëqind e tetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Durrës, planifikuar në buxhetin e saj me vendim të Këshillit Bashkiak.

5. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Bashkisë Durrës certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit dhe kartelën e pasurisë.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë Durrës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar, në favor të Bashkisë Durrës.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “SUL MISIRI””, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pikat 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës “Sul Misiri””, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

3. Pronarët e pasurisë të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me sipërfaqe 15 m², me vlerë të përgjithshme prej 519 660 (pesëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 519 660 (pesëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Elbasan, planifikuar në buxhetin e saj, me vendim të këshillit bashkiak.

5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Bashkisë Elbasan certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit, si dhe kartelën e pasurisë.

7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Elbasan.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr.1, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr.23/2019, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Shtabin Rajonal të Forcës Mbrojtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Juba, Republika e Sudanit të Jugut, do të ketë një kohëzgjatje deri më 6.4.2020. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.

2. Statusi i personelit pjesëmarrës të Forcave të Armatosura është sipas Marrëveshjes së Statusit të Forcave (SOFA), të datës 8 gusht 2011, ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe qeverisë së Republikës së Sudanit të Jugut.

3. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, të përballojë shpenzimet për:

a) dietat për ditët e qëndrimit, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) transportimin për në atdhe të individëve të shkëputur të misionit në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerje disipline.

4. Transporti për në atdhe i individëve të shkëputur nga operacioni në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerje disipline do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera të marrë/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime.

5. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

7. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018 PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM TË SHQIPËRISË NË BE, NË SEKTORIN EKONOMIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE, në sektorin ekonomik”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

P Ë R

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FEDERATËS SË SHËN KRISTOFERIT (ST. KITTS) DHE NEVISIT, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, ZYRTARE DHE TË ZAKONSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Federatës së Shën Kristoferit (St. Kitts) dhe Nevisit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.