Postuar më: 27 Shkurt 2019

Shtyhet deri në fund të vitit afati për makinat e vjetra

Deklarata e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Jam këtu përpara jush sot për t’ju komunikuar disa ndryshime të bëra gjatë mbledhjes së  Qeverisë, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 633, i datës 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror, apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.

Kërkesat për këto ndryshime kanë ardhur fillimisht nga qytetarët përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi një dëgjesë publike me përfaqësues të grupeve të interesit.

Ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha pretendimet e grupeve të interesit, duke vlerësuar dhe interesin primar për mbrojtjen e mjedisit nga shkarkimet e gazrave në ajër.

Po ashtu janë konsultuar praktikat më të mira europiane që janë aktualisht në fuqi për të bërë të mundur gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, e cila, nga njëra anë, do të siguronte kushtet e duhura për mbrojtjen e mjedisit dhe nga ana tjetër, nuk do të cenonte aktivitetin ekonomik në këtë fushë.

Ndryshimet e miratuara sot në mbledhjen e Qeverisë në VKM 633 konsistojnë në:

  1. Shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të kësaj vendimmarrjeje. Nga data 28 shkurt 2019 që ishte në VKM 633, afati shkon në datën 31 dhjetor 2019.
  2. Zhdoganimin e automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të VKM 633. Me ndryshimin e bërë sot parashikohet që do të lejohet zhdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018.
  3. Standardizimin sipas parametrave matës për emetimin e gazrave me standardet e BE-së. Automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson punën konsistente dhe serioze që ka bërë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë që kemi pasur në trajtimin e të gjithë problematikave që kërkojnë bashkërendim institucional.

Faleminderit!