Postuar më: 9 Maj 2019

Rregulla strike për rritjen e sigurisë ushqimore

Thertore “Shushica”, në Vlorë, është një pikë e mirënjohur për blegtorët e zonës, e cila nga një thertore publike, e rikthyer në funksion pas 30 viteve, falë investimit privat, sot është një pikë ku teknologjia bashkëkohore në përdorim rrit garancinë për produkte të sigurta për konsumim.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, ishin sot në mjediset e thertores, e cila falë edhe ndërtimit të rrugës së re në atë zonë, është lehtësisht e aksesueshme nga fermerët. “Plani është për një agrobiznes të madh në të gjithë territorin. E rikthyem thertoren pas 30 viteve, ishte thertore e shtetit. Dua t’u falenderojmë edhe për rrugën, e cila është një vepër konkrete dhe gjithë Labërisë i sjell një zhvillim shumë të madh,”- shprehet sipërmarrësi.

Kontrolli i produktit dhe garancia për ruajtjen dhe tregtimin e tij mundësohen nga veterinerët e pranishëm aty, si dhe mjediset moderne frigoriferike ku theret dhe ruhet mishi për konsumim. “Në thertore është zyra e veterinerit të bashkisë, zyra e veterinerit tonë të cilët të dy e kontrollojnë mishin. Më pas procesi përfundon automatikisht me ngarkimin në kamionë. Procesi është  i modernizuar dhe investim i yni,” – shpjegon sipërmarrësi.

Kryeministri Edi Rama tha se sfida mbetet garantimi i standardeve për produktin që i shkon konsumatorëve, në mënyrë që ai të jetë i sigurt. E për këtë vjen në ndihmë paketa me ndryshimet ligjore në Kodin Penal. “I gjithë problemi ynë është që në raport me sigurinë ushqimore duhet të garantojmë që mishi të jetë i sigurt. Ju e dini shumë mirë që para se të vihej rregulli në thertore ishte hata. Të investoje në thertore ishte të investoje në falimentim. Kundërshtojnë shpeshherë edhe ta që bëjnë sikur qajnë për popullin, që “pse po ju mbyllni fshatarëve rrugën e ekonomisë”, “pse nuk i lini të therin vetë” që është një çmenduri. Ndërkohë që për sigurinë ushqimore kjo është A-ja e padiskutueshme dhe ne me këtë paketën e re do të vendosim rregulla shumë strikte. Kush do i shkeli rregullat do të përballet me ndëshkime shumë të mëdha.”

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se rritja e sigurisë ushqimore, do të inkurajojë edhe eksportin, në rastin konkret të mishit, duke bërë që blegtoria të kthehet në ekonomi eksporti. “Sa i përket eksportit, në raport me BE, të gjitha vendet përpara nesh, p.sh. Bullgaria dhe Rumania që janë anëtare të BE, kanë patur një luftë të madhe dhe një situatë shumë të ngatërruar për të zgjidhur me therjet e paligjshme dhe do të kërkojë kohë. Por, ndërkohë ne po përpiqemi me këto tregjet e Lindjes së Mesme se ata konsumojnë shumë mish qingji dhe kemi disa si të  thuash negociata për disa marrëveshje në mënyrë që blegtoria nga një përpëlitje e madhe për shkak të tregjeve të vogla për shkak të mungesë së sistemit, të kthehet në një ekonomi eksporti.”