Postuar më: 26 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Dhjetor 2018:

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES  HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD),  PËR FINANCIMIN SHTESË TË PROJEKTIT “SIGURIA E DIGAVE”,  TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.40/2012”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me  ligjin nr.40/2012”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*** 

P R O J E K T L I GJ 

PËR

RATIFIKIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN SHTESË TË PROJEKTIT “SIGURIA E DIGAVE”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.40/2012

 

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, dhe të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me  ligjin nr.40/2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

NXITJEN E PUNËSIMIT

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

                     

Ky ligj përcakton rregullat dhe mënyrën e funksionimit të sistemit publik të shërbimeve të punësimit, të programeve aktive e pasive të tregut të punës si dhe organet përgjegjëse për menaxhimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur rregullohen me legjislacion specifik.

 

Neni 2

Qëllimi

 

Ky ligj ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimit profesional.

 

Neni 3

Përkufizime

 

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

 

  1. “Ministri”, ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.
  2. “Ministria”, ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.
  3. “Fondi”, Fondi Social i Punësimit, i krijuar sipas këtij ligji.
  4. “Punëdhënës”, të gjithë personat, fizikë ose juridikë, që punësojnë persona të tjerë dhe u paguajnë atyre shpërblimin për punën e kryer, sipas legjislacionit në fuqi.
  5. “Punësueshmëri”, kombinimi i aftësive, njohurive dhe kompetencave që rrisin mundësitë e personit për t’u punësuar, për të qëndruar i punësuar dhe për të përparuar në karrierë.
  6. “Punësim i përshtatshëm”, punësimi i paguar i një personi, në përputhje me moshën, gjininë, kushtet shëndetësore, arsimimin, formimin profesional, vendbanimin, kohëzgjatjen e punësimit të mëparshëm, përvojën e fituar, ndikimin e punës në fjalë në gjendjen personale e familjare dhe në gjendjen e tregut të punës.
  7. “Person i vetëpunësuar”, personi që kryen një veprimtari të ligjshme, në përputhje me legjislacionin shqiptar, për llogari të tij, kundrejt një pagese ose forme tjetër fitimi.
  8. “Punëkërkues”, çdo person me vendbanim në Shqipëri, në moshë pune, që regjistrohet si kërkues pune në strukturën rajonale/vendore dhe është i gatshëm për punë.
  9. “Punëkërkues i papunë, i regjistruar”, punëkërkuesi, i cili deklaron në strukturën përkatëse, që nuk është në marrëdhënie pune ose i vetëpunësuar dhe është i gatshëm menjëherë për punësim.
  10. “Punëkërkues i punësuar, i regjistruar”, punëkërkuesi, i cili është i punësuar apo i vetëpunësuar, por që në momentin e regjistrimit deklaron në strukturën përkatëse se kërkon një punë të re.
  11. “Struktura rajonale/vendore e punësimit”, pjesë e rrjetit të shërbimeve publike të punësimit, në varësi të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
  12. “Struktura përkatëse rajonale/vendore e punësimit”, që ka kompetencën territoriale në zonën e vendbanimit të personit apo selisë/degës së punëdhënësit, i cili pretendon të përfitojë nga një ose disa shërbime apo programe të ofruara nga kjo strukturë.
  13. “Shërbime punësimi”, shërbimet që kanë për qëllim të ndihmojnë klientët që kërkojnë punë të punësohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, nëpërmjet ndihmës së shënjestruar, të zhvillojnë konkurrueshmërinë në tregun e punës.
  14. “Aftësim dhe rehabilitim për punë për personat me aftësi të kufizuara”, shërbimet mbështetëse dhe asistenca për vlerësimin e aftësisë për punë të personit me aftësi të kufizuara; informimi, këshillimi profesional, vlerësimi i aftësive profesionale dhe gjetja e punës; vlerësimi i mundësisë për aftësim, dhe hartimi i programeve përkatëse; aftësimi profesional, kualifikimi plotësues, rikualifikimi me programet e mbajtjes dhe përmirësimit të aftësive të punës deri në momentin e punësimit.
  15. “Përshtatje e arsyeshme”, çdo ndryshim ose rregullim i domosdoshëm e i përshtatshëm, që nevojitet në një rast të veçantë dhe nuk imponon një barrë të tepruar, me qëllim që të sigurohet gëzimi dhe ushtrimi, në baza të barabarta, i të drejtave dhe lirive themelore për personat me aftësi të kufizuara, sipas legjislacionit në fuqi.
  16. “Programe pasive të tregut të punës”, programet e të ardhurave nga papunësia, e cila jepet në zbatim të legjislacionit për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
  17. “Grupe të veçanta”, të disavantazhuara në tregun e punës, janë punëkërkuesit si:

 

  1. jetimë;
  2. kryefamiljarë të vetëm, me fëmijë në ngarkim;
  3. persona me aftësi të kufizuara;

ç) persona me moshë mbi 55 vjeç;

  1. persona nga komuniteti rom dhe egjiptian;
  2. dh) persona që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim;
  3. persona nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura;

ë) punëkërkues të papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti);

  1. punëkërkues të papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni;
  2. të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin;
  3. gj) të rinjtë me moshë nën 29 vjeç;
  4. viktima të trafikut e të dhunës me bazë gjinore dhe në familje.

 

Neni 4

Përfituesit

  1. Çdo punëkërkues i regjistruar në strukturën rajonale/vendore përfiton nga shërbimet që kjo strukturë ofron.

 

  1. Çdo punëdhënës i regjistruar në strukturën rajonale/vendore përfiton nga shërbimet që ofron kjo strukturë.

 

  1. Të drejtën e përfitimit të shërbimeve që ofrohen në strukturën rajonale/vendore e kanë të gjithë shtetasit e huaj dhe ata pa shtetësi, të cilët hyjnë e qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, për qëllime punësimi.

 

  1. Të drejtën e përfitimit të këtyre shërbimeve e kanë edhe të huajt, të cilët kanë përfituar statusin e refugjatit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për azilin.

 

  1. Shërbimet e punësimit i ofrojnë mundësinë të huajve të pajisen me leje pune, në zbatim të legjislacionit në fuqi për të huajt.

 

 

KREU II

POLITIKAT PUBLIKE TË PUNËSIMIT

 

Neni 5

Kompetencat e ministrisë në lidhje me politikat e punësimit

 

  1. Politikat publike të punësimit përfshijnë shërbimet e punësimit dhe programet aktive e pasive të tregut të punës, të cilat synojnë nxitjen e punësimit të punëkërkuesve të papunë, integrimin dhe përfshirjen sociale të grupeve të veçanta.

 

  1. Në lidhje me politikat e punësimit, ministria:

 

  1. analizon, sistematikisht, dinamikat e tendencat e tregut të punës dhe parashikon zhvillimet e tij;
  2. harton programe dhe merr masa për nxitjen e punësimit e të vetëpunësimit;
  3. harton programe për mbështetjen e ofruesve të arsimit e të formimit profesional, duke përfshirë ofrimin e kualifikimit fillestar dhe të vazhduar;

ç)  rregullon dhe ndërhyn në punësimin e të huajve në Republikën e

Shqipërisë dhe mbështet punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit;

  1. zbaton marrëveshjet ndërkombëtare për punësimin.

 

  1. Zbatimi i politikave publike të punësimit kryhet nëpërmjet institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

 

KREU III

PROGRAMET AKTIVE TË TREGUT TË PUNËS

 

Neni 6

Programet aktive të tregut të punës

 

  1. Programet aktive të tregut të punës përfshijnë mekanizma që kanë si qëllim mirëfunksionimin e tregut të punës, për të rritur punësueshmërinë e forcave të punës, integrimin dhe përfshirjen sociale e profesionale të grupeve të veçanta.

 

  1. Programet aktive të tregut të punës përfshijnë:

 

  1. shërbimet e punësimit;
  2. programet e nxitjes së punësimit;
  3. programet e formimit profesional.

 

Neni 7

Shërbimet e punësimit

 

  1. Shërbimet e punësimit, të ofruara nga struktura rajonale/vendore, përfshijnë modelin e shërbimeve në tri nivele:

 

  1. Shërbimet e informimit për punëkërkuesit, punëdhënësit dhe personat e interesuar;
  2. Ndërmjetësimin për punësim;
  3. Këshillimin dhe orientimin për karrierë, punësim e profesion.

 

  1. Shërbimet e punësimit, sipas pikës 1, të këtij neni, ofrohen pa pagesë, si për punëkërkuesit ashtu dhe për punëdhënësit.

 

  1. Ministria merr të gjitha masat për të krijuar infrastrukturën e nevojshme fizike, burimet njerëzore e materiale për ofrimin, në strukturën rajonale/vendore, të shërbimeve të specializuara për grupet e veçanta, të cilët kërkojnë ndihmë për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

 

  1. Ministria, në bashkëpunim me aktorë të tjerë publikë apo privatë, mbështet pajisjen dhe përgatitjen e posaçme të stafit të strukturës rajonale/vendore për të ofruar nivele cilësore të ndërmjetësimit për punësim.

 

  1. Procedurat, kriteret dhe rregullat për ofrimin e shërbimeve të punësimit, sipas pikës 1, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Veprimtaritë e ndërmjetësimit për punësim dhe këshillim profesional nga subjektet private, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë X.2 të shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat.

 

Neni 8

Informimi i punëkërkuesve dhe punëdhënësve

 

  1. Struktura rajonale/vendore e punësimit siguron dhe ofron informacion për kërkesën e ofertën në tregun e punës, si për punëkërkuesit ashtu dhe për punëdhënësit. Shërbimi përfshin informacion për:

 

  1. tregun kombëtar dhe lokal të punës;
  2. shërbimet e punësimit dhe programet për punëdhënësit e punëkërkuesit;
  3. mundësitë e punësimit;

ç) ofertat arsimore e kualifikuese të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional;

  1. orientimin për profesion dhe karrierë;
  2. dh) të drejtën për të përfituar nga programet e mbështetjes, të ardhurat dhe procedurat e aplikimit;
  3. legjislacionin e punës.

 

  1. Informacioni ofrohet në forma dhe formate që janë të arritshme e të kuptueshme për punëkërkuesit e papunë me aftësi të kufizuara.

 

Neni 9

Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës

 

  1. Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës synon gjetjen e një vendi të përshtatshëm pune për punëkërkuesin, formimi, aftësitë e cilësitë e të cilit përputhen me kërkesat e deklaruara nga punëdhënësi për këtë vend pune, si dhe ndërmjetësime për programet aktive të tregut të punës.

 

  1. Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës përfshin edhe shërbime këshilluese për punëdhënësit, me qëllim që të punësojnë kandidatët më të përshtatshëm, sipas kërkesave e tyre, dhe në kohën e duhur, si dhe ndërmjetësime për programet aktive të tregut të punës. Në rastin e një punëkërkuesi të papunë me aftësi të kufizuara, procesi i ndërmjetësimit shoqërohet me vlerësim të detajuar të punëkërkuesit, këshillim për punëdhënësit dhe të vendit e të proceseve të punës të vlefshme në tregun e hapur të punës.
  2. Ndërmjetësim për punësim vlerësohet edhe rasti kur, në zbatim të marrëveshjeve ose lejeve të posaçme për punë, mundësohet punësimi i punëkërkuesve shqiptarë jashtë vendit dhe i të huajve brenda vendit.

 

Neni 10

Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim dhe profesion

 

  1. Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim e profesion ofrohet nga struktura rajonale/vendore e punësimit nëpërmjet shërbimeve këshilluese të posaçme për punëkërkuesit dhe nxënësit, në lidhje me zgjedhjen dhe formimin e tyre në një profesion të përshtatshëm, me cilësitë individuale dhe orientimin në tregun e punës.

 

  1. Këshillimi i specializuar ofron shërbime më të thelluara, të arritshme, të kuptueshme për grupet e veçanta, të cilat kanë pengesa për t’u përfshirë në punësim dhe profili i të cilëve kërkon mbështetje intensive.

 

  1. Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim dhe profesion realizohet nëpërmjet këshillimit për:

 

  1. karrierë, që ndihmon punëkërkuesit dhe orienton nxënësit në zgjedhjen e një profesioni të përshtatshëm me cilësitë individuale dhe për të kërkuar në tregun e punës;
  2. profesion, që ndihmon punëkërkuesit e nxënësit për identifikimin e aftësive të munguara dhe ofrimin e mjeteve të përshtatshme për plotësimin e tyre;
  3. për punësim, që ndihmon punëkërkuesit dhe nxënësit për të identifikuar qëllimin e punësimit, qasjen në punësim dhe mundësitë e kualifikimeve, si dhe të kuptojnë aftësitë e nevojshme për të kërkuar e mbajtur një vend pune.

 

Neni 11

Programet e nxitjes së punësimit

 

  1. Politikat publike të punësimit mbështesin punëkërkuesit si dhe punëdhënësit, për të krijuar vende të reja pune të qëndrueshme, nëpërmjet programeve të posaçme të nxitjes së punësimit.

 

  1. Programet e nxitjes së punësimit përfshijnë angazhimin e punëkërkuesve të papunë në programe të ndryshme punësimi, punësh publike, vetëpunësimi, praktikash profesionale apo trajnimi, për të cilat parashikohet subvencionim, në përqindje të caktuar, i kostove për:

 

  1. sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;
  2. pagat;
  3. formimin profesional;

ҫ)  formimin nëpërmjet punës;

  1. d) vetëpunësimin;
  2. dh) mbështetjen për bizneset e reja dhe inkubatorët e biznesit;
  3. e) pajisjen e vendit të punës dhe përshtatjen e arsyeshme;

ë)  zbatimin e programeve për mbështetjen e kualifikimit profesional në formën e dyfishtë të arsimit dhe formimit profesional;

  1. punësimin e të diplomuarve/certifikuarve në arsimin e formimin profesional;
  2. praktikat profesionale;
  3. gj) programin e garancisë rinore;
  4. programet e riintegrimit social;
  5. transport për në vendin e punës;
  6. të tjera.

 

  1. Programet e nxitjes së punësimit zbatohen dhe administrohen nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, në bashkëpunim me institucione të tjera publike, përgjegjëse për zhvillimin ekonomik e kualifikimin, si dhe në bashkëpunim me sektorin privat dhe shoqërinë civile. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë mund të kontraktojë subjekte të tjera publike, private apo shoqëri civile për të bërë të mundur zbatimin me cilësi dhe në kohë të programeve të nxitjes së punësimit.

 

  1. Procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 12

Programet e formimit profesional

 

  1. Formimi profesional u shërben si punëkërkuesve ashtu dhe punëdhënësve, dhe realizohet nëpërmjet kurseve të mësimit teoriko-praktik.

 

  1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë zbaton programet e formimit profesional dhe ofron:

 

  1. kurse pa pagesë, për punëkërkuesit e papunë;
  2. kurse me pagesë, për persona që e kërkojnë një gjë të tillë;
  3. mjedise dhe mjete logjistike, kundrejt qirasë, për subjekte që ofrojnë formimin profesional.

 

  1. Strukturat rajonale/vendore të punësimit mbështesin financiarisht, në bazë procedurash konkurrimi, kurse të formimit profesional, të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private.

 

  1. Punëkërkuesit e papunë, të cilët marrin pjesë në programet e formimit profesional, të ofruara nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, mund të përfitojnë një pagesë për pjesëmarrje në kurs.

 

  1. Parimet, mënyrat e veprimit dhe metodat e përgatitjes profesionale, të zbatuara, përgjithësisht, në programet e formimit profesional të personave jo me aftësi të kufizuara, zbatohen në rastin e personave me aftësi të kufizuara. Për këtë grup zbatohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa i përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, trajnerëve/mësuesve të përgatitur për të ofruar trajnim të posaçëm për personat me aftësi të kufizuara.

 

  1. Procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional, sipas pikave 2, 3, 4 dhe 5, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

KREU IV

PROGRAMET PASIVE TË TREGUT TË PUNËS

Neni 13

Pagesa e të ardhurave nga papunësia

 

Punëkërkuesit e papunë, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e të ardhurave nga papunësia, në zbatim të legjislacionit për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, regjistrohen në strukturën rajonale/vendore si punëkërkues të papunë dhe paraqiten çdo muaj në këtë strukturë.

 

 

KREU V

INSTITUCIONI PËRGJEGJËS PËR PUNËSIMIN DHE AFTËSITË

Neni 14

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë

 

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë krijohet me vendim të Këshilli i Ministrave.

 

Neni 15

Këshilli Konsultativ Tripalësh

 

  1. Këshilli Konsultativ Tripalësh është organ këshillimor i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, ku janë të përfaqësuara organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe institucionet shtetërore. Këshilli përbëhet nga 11 anëtarë dhe kryesohet nga ministri përgjegjës për çështjet e punësimit.

Anëtarë të tjerë të këshillit janë, si më poshtë vijon:

 

– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;

– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;

– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;

– 1 përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Punës;

– 1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

– 1 përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;

– 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve;

– 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.

 

  1. Mandati i anëtarëve të këshillit është trevjeçar dhe miratimi i tyre, pas propozimit nga institucionet/organizatat e sipërpërmendura, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.

 

  1. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore duhet të jenë në nivel zëvendësministri ose nëpunës të kategorisë së lartë drejtuese.

 

  1. Këshilli ka këto kompetenca:

 

  1. Këshillon për projektbuxhetin për vitin në vazhdim;
  2. Këshillon për investimet e fondeve;
  3. Këshillon për kontrata dhe marrëveshje më të rëndësishme;

ç)  Të tjera.

 

Neni 16

Këshilli Vendor Tripalësh

 

  1. Këshilli Vendor Tripalësh ngrihet pranë strukturës rajonale/vendore si organ konsultativ.

 

  1. Këshilli ka të drejtë të propozojë ide për përmirësimin e shërbimeve të punësimit në nivel qarku, të shqyrtojë dhe të miratojë në parim dobishmërinë social-ekonomike të programeve dhe projekteve të paraqitura në strukturat rajonale/vendore.

 

  1. Këshilli Vendor Tripalësh ka për detyrë të shqyrtojë dhe të miratojë në parim dobishmërinë social-ekonomike të programeve dhe projekteve të paraqitura nga strukturat rajonale/vendore.

 

  1. Këshilli Vendor Tripalësh përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore si edhe organizatave më të përfaqësuara të punëdhënësve dhe të punëmarrësve.

Këshilli përbëhet nga 7 anëtarë gjithsej, prej të cilëve:

 

  • 3 (tre) anëtarë nga institucionet shtetërore,  ku një anëtar është drejtori i strukturës rajonale/vendore.
  • 2 (dy) anëtarë nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve.
  • 2 (dy) anëtarë nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.

 

  1. Mandati i anëtarëve të Këshillit Vendor Tripalësh është trevjeçar dhe miratimi i tyre, pas propozimit nga institucionet/organizatat e sipërpërmendura, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

 

KREU VI

SISTEMI I INFORMACIONIT PËR TREGUN E PUNËS

Neni 17

Të drejtat dhe detyrimet e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për informacionin e tregut të punës

 

  1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë mbledh dhe përpunon informacion nëpërmjet sistemit të informacionit të institucioneve të varësisë ose nëpërmjet studimeve specifike apo anketimeve, që kanë të bëjnë me dinamikat dhe tendencat e tregut të punës apo të segmenteve të tij. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përpunon, analizon dhe raporton në ministri dhe në institucione të tjera publike e private, që e kërkojnë një informacion të tillë.

 

  1. Për sigurimin e këtij informacioni, institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ka si detyrim:

 

  1. mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e informacionit për punëkërkuesit e papunë si dhe për vendet e lira të punës të shpallura në strukturën rajonale/vendore;
  2. kryerjen e studimeve periodike mbi tregun e punës apo të një pjese të tij, në nivel rajonal dhe kombëtar;
  3. kryerjen e monitorimit dhe vlerësimit të efikasitetit të programeve aktive të tregut të punës, si dhe ndjekjen në vazhdimësi të tyre.

 

  1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë kryen hulumtime periodike në tregun e punës, për mbledhjen e të dhënave për numrin e të punësuarve, për kushtet e punës, procesin e rekrutimit, mungesën e aftësive apo të nevojave për trajnim, sipas metodologjive kombëtare dhe ndërkombëtare, të testuara e të miratuara.

 

Neni 18

Mbledhja e të dhënave, shpërndarja dhe bashkëpunimi me institucione të tjera

 

  1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punës i siguron Institutit të Statistikave (INSTAT) statistikat e papunësisë së regjistruar, përveç atyre që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë dhe vëzhgimet statistikore të autorizuara nga INSTAT-i, si anketa e forcave të punës.

 

  1. Ministria administron informacionin e mbledhur, në koordinim me INSTAT-in, në mënyrë që të ketë një sistem të harmonizuar të sistemit të mbledhjes të të dhënave dhe analizave.

 

  1. Të gjitha organet shtetërore, qendrore apo vendore, si edhe entet, institucionet dhe strukturat e varura prej tyre, kanë detyrimin ligjor, sipas legjislacionit në fuqi, të japin informacionin e nevojshëm, të kërkuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, si dhe kanë të drejtën që të kërkojnë e të marrin informacion prej saj.

 

KREU VII

BASHKËPUNIMI ME PUNËDHËNËSIT

 

Neni 19

Të drejtat e punëdhënësve

 

  1. Çdo punëdhënës ka të drejtë të informohet për politikat e tregut të punës, legjislacionin e punës, programet e nxitjes së punësimit dhe programet e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet strukturave rajonale/vendore të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

 

  1. Punëdhënësi ka të drejtë të publikojë në këtë strukturë vendet e lira të punës, nëpërmjet sistemit të informacionit të strukturave rajonale/vendore, për të përfituar nga shërbimet e ndërmjetësimit dhe të përputhjes me vendin e punës që ato ofrojnë.
  2. Punëdhënësi ka të drejtë të aplikojë në strukturën përkatëse rajonale/vendore për të përfituar nga programet e nxitjes së punësimit dhe të kualifikimeve që zbaton institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

 

Neni 20

Detyrimi i punëdhënësve

 

  1. Në rastet e falimentimit të pritshëm, punëdhënësi informon strukturën përkatëse rajonale/vendore për falimentimin e mundshëm të tij, jo më vonë se një muaj nga data e pritshme e mbylljes së veprimtarisë.

 

  1. Çdo punëdhënës, përfitues i fondeve publike, është i detyruar të punësojë një numër të caktuar punëkërkuesish të papunë, të regjistruar në strukturat rajonale/vendore, duke i dhënë përparësi punësimit të punëkërkuesve të papunë afagjatë.

 

  1. Mënyra e funksionimit, sipas pikës 2, të këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 21

Punësimi i personave me aftësi të kufizuara

 

  1. Çdo punëdhënës, i cili punëson më shumë se 49 punonjës, duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 punonjës të personelit të tij.

 

  1. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave me aftësi të kufizuara, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara që ai duhet të kishte punësuar, sipas këtij neni. Procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.

 

  1. Punëdhënësit bëjnë kërkesë pranë strukturës përkatëse rajonale/vendore për të plotësuar vendet e punës me persona me aftësi të kufizuara, sipas pikës 1, të këtij neni. Ndërmjetësimi bëhet me qëllim përputhjen e vendit të punës me mundësitë e personave me aftësi të kufizuara, pjesë të listës së punëkërkuesve të papunë që ka struktura rajonale/vendore. Punëdhënësit, përveç kërkesës në strukturën rajonale/vendore, bëjnë përpjekje individuale për plotësimin e vendeve të lira të punës me persona me aftësi të kufizuara.

 

  1. Punëdhënësit, publikë dhe privatë, me kërkesën e tyre të arsyetuar, mund të lejohen për të marrë, në një njësi prodhimi, një numër më të madh punonjësish me aftësi të kufizuara se ajo e parashikuar me ligj, që sjell kompensimin e tepricave të numrit më të vogël të punonjësve të punësuar në njësi tjetër të këtij subjekti, në të njëjtin rajon apo në rajone të tjera.

 

  1. Një punëdhënës mund të punësojë një person me aftësi të kufizuara të rënda dhe të thella, në vend të pesë personave me aftësi të kufizuara të lehta.

 

  1. Punëdhënësit, publikë apo privatë, janë të detyruar të sigurojnë ruajtjen e vendit të punës për ata individë, të cilët, në kohën e punësimit nuk kanë qenë me aftësi të kufizuara, por e kanë fituar aftësinë e kufizuar nga aksidentet në punë ose nga sëmundjet profesionale.

 

Neni 22

Fondi Social i Punësimit

 

  1. Për të siguruar nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara, krijohet “Fondi i Social i Punësimit”, në vijim Fondi, në formën e një fondi financiar publik.

 

  1. Fondi krijohet nga:

 

  1. kontributet e derdhura në llogari të Fondit, sipas pikës 2, neni 21, të këtij ligji;
  2. të ardhura të tjera të krijuara nga burime të tjera të ligjshme, përfshirë:
  • financime dhe grante;
  1. fondet e përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të ndryshëm;
  2. buxheti i shtetit.

 

  1. Të ardhurat dhe kontributet për llogari të Fondit derdhen tek institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe janë zë më vete në buxhetin e saj. Fondi Social i Punësimit i papërdorur në vitin korrent mbartet në vitin buxhetor pasardhës.

 

  1. Fondi Social i Punësimit përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuara, programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara.

 

  1. Punëdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë subvencion nga struktura përkatëse rajonale/vendore, për rikonstruksion dhe përshtatjen e vendit të punës, për çdo person me aftësi të kufizuara të punësuar nga ata.

 

  1. Fondi Social i Punësimit administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit, sipas legjislacionit në fuqi. Përbërja, kriteret dhe detyrat e Bordit të Administrimit të Fondit si dhe mënyra e përdorimit të Fondit, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU VIII

SANKSIONET

 

Neni 23

Sanksionet

 

Punëdhënësi, që nuk derdh kontribute, sipas  pikës 2, të nenit 21, të këtij ligji, dënohet për kundërvajtje administrative nga Inspektorati Shtetëror i Punës, sipas ligjit nr.9634, datë 30.10.2006, “Për inspektimin e punës”, të ndryshuar.

 

 

KREU IX

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Neni 24

Shfuqizime

Ligji nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, shfuqizohet.

 

 

Neni 25

Dispozita kalimtare

 

  1. Deri në momentin e krijimit të institucioni përgjegjës funksionet e saj do t’i kryejë Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

 

  1. Aktet nënligjore, në zbatim të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, qëndrojnë në fuqi deri në daljen e akteve të reja, për aq sa ato nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

 

Neni 26

Miratimi i akteve nënligjore

 

  1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në zbatim të neneve: 7,              pika 5; 11, pika 4; 12, pika 6; 14; 20, pika 3; 22, pika 6.

 

  1. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e punësimit për nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 21, të këtij ligji, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 27

Hyrja në fuqi

  Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUҪI

***

V E N D I M

PËR  

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NXITJEN E PUNËSIMIT”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për nxitjen e punësimit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.124/2015, “PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË”

 

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë” bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

 

Neni 1

 

Pika 2, e nenit 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“2. Auditues energjetik” është një person fizik ose juridik, që kryen auditime energjetike, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, dhe që ka të regjistruar në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e kësaj veprimtarie.”.

 

Neni 2

 

Pika 1, e nenit 16, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Auditimet energjetike kryhen nga auditues energjetikë të certifikuar ose nga persona juridikë, që kanë të punësuar auditues energjetikë të certifikuar, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.”.

 

Neni 3

 

Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“1. Audituesi energjetik është një person fizik i certifikuar ose person juridik, që ka të punësuar auditues energjetikë të certifikuar.

 

  1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë, miraton kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit dhe të eksperiencës profesionale për personin, të cilit i lëshohet certifikata e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

 

  1. Audituesi energjetik detyrohet të regjistrojë në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e veprimtarisë së audituesit energjetik.

 

  1. Audituesi energjetik, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, është i detyruar që, para fillimit të këtij aktiviteti, të njoftojë Agjencinë për Efiçencën e Energjisë.

 

  1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban regjistrin kombëtar për personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet si auditues energjetikë.

 

  1. Auditimi energjetik nuk kryhet nga një auditues energjetik, i cili:

 

  1. a) zotëron aksione ose kuota në një shoqëri, që ka kërkuar të auditohet, ose së cilës i bëhet auditimi;
  2. b) është anëtar i një organi drejtues të entitetit, që ka kërkuar, ose të cilit i bëhet auditimi, ose është i punësuar nga personi që ka kërkuar auditimin;
  3. c) është i afërm i shkallës së dytë i personit, që, për shkak të pozitës së tij në personin e audituar, mund të ndikojë mbi audituesin energjetik.

 

  1. Audituesi energjetik mban konfidenciale të gjitha të dhënat lidhur me personin fizik ose juridik, të përftuara në kuadrin e auditimit të kryer në objektet energjetike të këtij personi. Audituesi energjetik nuk duhet të përfitojë nga këto të dhëna dhe nuk duhet t’i përdorë në interes ose në dëm të subjektit të audituar apo të një pale të tretë. Detyrimi i konfidencialitetit mund të hiqet me miratimin me shkrim nga personi fizik ose juridik, objekt i auditimit energjetik, ose nëse bërja publike e tyre parashikohet nga një ligj tjetër.

 

  1. Ministri përgjegjës për energjinë, me iniciativën e tij ose me propozimin e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, pas një procedure në përputhje me legjislacionin në fuqi, që i garanton audituesit të certifikuar të drejtën për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për t’u ankuar lidhur me shkeljen, vendos ndërprerjen e ushtrimit të këtij aktiviteti nga audituesi energjetik përkatës, në rast se:

 

  1. a) provohet se në procesin e auditimit energjetik janë shkelur dispozitat e këtij ligji dhe kërkesat e përcaktuara në aktet nënligjore;
  2. b) provohet se audituesi bën publik informacionin dhe të dhënat e shoqërisë, si dhe sekretet tregtare të konsumatorëve, me të cilat ai është njohur për shkak të auditimit, me kusht që publikimi i tyre të jetë ankimuar nga subjekti i audituar.

 

  1. Ministri njofton me shkrim audituesin energjetik për vendimin e tij për revokimin e certifikatës, sipas pikës 8, të këtij neni.

 

  1. Një person fizik ose juridik, të cilit i është ndërprerë e drejta e ushtrimit të kësaj veprimtarie, sipas pikës 8, të këtij neni, ka të drejtë të rifillojë ushtrimin e aktivitetit, nëse përmbush kriteret për të qenë auditues, jo më herët se një vit nga data e marrjes së vendimit të mësipërm.”.

 

Neni 4

 

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Pika 2, e këtij neni, ndryshohet, me këtë përmbajte:

 

“2. Shërbimet energjetike ofrohen nga subjekte, që kanë të regjistruar në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e kësaj veprimtarie dhe në përputhje me përcaktimet e këtij ligji. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban, përditëson dhe publikon në faqen e saj zyrtare një listë të ofruesve të shërbimeve energjetike.”.

 

  1. Pas pikës 5 shtohen pikat 6 e 7, si më poshtë vijon:

 

“6. Agjencia për Efiçencën e Energjisë mban regjistrin kombëtar për personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet si ofrues të shërbimeve energjetike.

  1. Ofruesi i shërbimeve energjetike, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, është i detyruar që, para fillimit të këtij aktiviteti, të njoftojë Agjencinë për Efiçencën e Energjisë.”.

 

Neni 5

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

***

V E N D I M

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.124/2015, “PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË””

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.