Postuar më: 20 Mars 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2019:

P R O J E K T L I GJ

PËR

KORPORATËN E INVESTIMEVE SHQIPTARE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (në vijim, Korporata), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin e funksionimin e veprimtarisë së saj.

Neni 2
Objektivat e Korporatës

Korporata ka këto objektiva kryesorë:

a) Nxit zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet projekteve të investimit në nivel qendror, vendor e rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit;
b) Vënien në përdorim me efiçencë të pronave shtetërore;
c) Kryen investime, duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.

Neni 3
Parimet e përgjithshme

1. Në përmbushjen e funksioneve të saj, Korporata udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:
a) përparësia e zhvillimit ekonomik e social në nivel qendror, vendor e rajonal, si dhe lidhja me politikat shtetërore të zhvillimit;
b) pavarësia në vendimmarrje, në kryerjen e funksioneve dhe në propozimin e projekteve;
c) trajtimi në mënyrë të drejtë e të barabartë i palëve me të cilat bashkëpunon;
ç) zbatimi me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet i funksioneve dhe detyrave;
d) nevojshmëria dhe proporcionaliteti për marrjen e masave për realizimin e objektivave;
dh) respektimi i parimit të konkurrencës së lirë e efektive në procedura dhe treg;
e) zbatimi i procedurave transparente, të thjeshta e të kontrollueshme;
ë) integriteti dhe ndalimi i konfliktit të interesave në kryerjen e funksioneve dhe marrëdhëniet me partnerët e palët e treta;
f) përgjegjësia ndaj palëve të interesuara dhe partnerëve;
g) përgjegjësia për zhvillimin e politikave sociale.

2. Përveç parimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, Korporata udhëhiqet edhe nga parime e kritere të tjera, të përcaktuara statut dhe në aktet e tjera të saj, si dhe në marrëveshjet respektive me institucionet dhe/ose palët e treta.

Neni 4
Statusi juridik

1. Korporata krijohet si person juridik, e organizuar në formën e një shoqërie aksionare, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare dhe këtij ligji.

2. Autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës është ministri përgjegjës për ekonominë.

3. Institucionet financiare ndërkombëtare të zhvillimit mund të zotërojnë aksione të Korporatës. Procedura, kriteret dhe formula e pjesëmarrjes së institucioneve financiare ndërkombëtare të zhvillimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Korporata vepron për përmbushjen e qëllimeve të saj bazuar në parimet e përcaktuara në këtë ligj, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me statutin e saj.
5. Korporata ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare, të cilat miratohen nga Asambleja e Përgjithshme, me propozimin e Këshillit mbikëqyrës.

6. Korporata ka selinë në Tiranë dhe ka të drejtën të krijojë struktura të tjera, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi.

Neni 5
Burimet financiare

1. Kontributi fillestar nga buxheti i shtetit shërben si kapital fillestar i Korporatës.

2. Korporata mund të financohet nga:

a) kontributi i buxhetit të shtetit me vendim të Këshillit të Ministrave, kontributi i institucioneve publike dhe/ose kontributi i institucioneve financiare ndërkombëtare;
b) transferimi i pronave shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të Korporatës;
c) fonde dhe/ose kontribute në natyrë të investitorëve për zhvillimin dhe realizimin e projekteve, në përputhje me marrëveshjet përkatëse;
d) donacionet dhe/ose dhuratat, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
e) të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e saj dhe shërbimet e ofruara;
f) burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi dhe aktet e saj të brendshme.

3. Korporata gëzon të drejtën e marrjes së kredive. Përgjegjësia për shlyerjen e detyrimeve financiare është detyrim i Korporatës.

4. Detyrimet financiare të Korporatës nuk i transferohen buxhetit të shtetit.

KREU II
FUNKSIONET

Neni 6
Objekti i veprimtarisë

1. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është zhvillimi i projekteve, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e tyre.

2. Të drejtat e detyrimet e Korporatës ndaj institucioneve partnere dhe organeve shtetërore përcaktohen në aktet dhe në marrëveshjet përkatëse.

Neni 7
Funksionet e Korporatës

Funksionet kryesore të Korporatës janë, si më poshtë vijon:

a) Zhvillon dhe menaxhon pronat shtetërore;
b) Harton projekte të investimit në pronat shtetërore dhe, sipas rastit, merr përsipër zbatimin e tyre;
c) Analizon, shqyrton dhe rekomandon projekte të investimit të paraqitur nga institucione vendase ose të huaja, publike ose private;
ç) Financon apo bashkëfinancon projektet e investimeve në prona shtetërore dhe/ose private;
d) Hyn në marrëdhënie bashkëpunimi me institucione financiare vendase dhe/ose ndërkombëtare për të siguruar investime;
dh) Vepron si pronar i pronave të fituara nga Korporata ose i pronave shtetërore të transferuara tek ajo;
e) Vepron si palë kontraktuese me palë të treta.

Neni 8
Transferimi i pronave shtetërore

1. Prona shtetërore, në kuptim të këtij ligji, janë pronat e luajtshme, të paluajtshme shtetërore, të drejtat reale mbi to, të drejtat e shfrytëzimit, si dhe titujt e pronësisë̈ së shtetit mbi kapitalin e shoqërive tregtare dhe/ose të ndërmarrjeve shtetërore. Kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë, transferimin e tyre te Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i së drejtës së përdorimit dhe/ose i së drejtës së pronësisë së pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor te Korporata.

2. Kriteret dhe procedurat për dhënien e pronës, e cila ka kaluar te Korporata, sipas pikës 1, të këtij neni, me qira, enfiteozë, leasing, të përdorimit, transferimit, shitjes, përdorimit si kolateral ose të përdorimit në forma të tjera, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 9
Dhënia e autorizimeve

Me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, Këshilli i Ministrave, me vendim, mund të autorizojë Korporatën:

a) të kontraktojë, të ndërmjetësojë ose të zbatojë projekte zhvillimi;
b) të funksionojë si autoritet kontraktues bashkëpjesëmarrës në projektet e investimeve strategjike, sipas legjislacionit për investimet strategjike;
c) të marrë rolin e zhvilluesit/operuesit në zonat teknologjike dhe të zhvillimit ekonomik, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) të gëzojë statusin e investitorit strategjik të veçantë, sipas legjislacionit në fuqi;
d) të ushtrojë funksione të tjera, të deleguara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 10
Format e pjesëmarrjes së Korporatës në investime

1. Pjesëmarrja e Korporatës në investime mund të realizohet në format, si më poshtë vijon:

a) Korporata vepron si investues i vetëm në projekt investimi;
b) Korporata vepron si bashkëzhvilluese e investimit;
c) Korporata vepron si bashkëzhvilluese e një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime;
ç) Korporata vepron si bashkëpjesëmarrëse në investim në forma të tjera.

2. Procedurat dhe format e pjesëmarrjes së korporatës në investime përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU III
MASA MBËSHTETËSE

Neni 11
Mbështetja me infrastrukturë ndihmëse

1. Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga institucionet shtetërore me infrastrukturë ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike e telekomunikacion.

2. Ministria përgjegjëse për ekonominë̈, në bashkëpunim me ministritë̈ e tjera, shqyrton dhe verifikon nevojat e kërkesat për infrastrukturë ndihmëse, si dhe vlerëson koston e përafërt për realizimin e saj, kosto kjo që nuk duhet të jetë disproporcionalisht e lartë në raport me vlerën dhe rëndësinë̈ e projektit të investimit.

3. Mbështetja me infrastrukturë ndihmëse miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë.

Neni 12
Marrja e licencave/lejeve/autorizimeve

1. Kur autorizohet nga Këshilli i Ministrave për realizimin e një projekti, Korporata përgatit dokumentacionin e nevojshëm për finalizimin e projektit. Korporata dorëzon, për miratim, në organet kompetente dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga legjislacioni sektorial për miratimin e licencave/lejeve/autorizimeve së bashku me mandatpagesat e tarifave respektive.

2. Organet kompetente, nëse konstatojnë që dokumentacioni është i paplotësuar, i kërkojnë Korporatës plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike.

3. Institucionet/entet/autoritetet publike, me marrjen e dokumentacionit nga Korporata, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, kthejnë përgjigje për kërkesën për miratim të licencave/lejeve/autorizimeve, sipas legjislacionit në fuqi. Përjashtimisht, nga sa parashikohet më lart, për shkaqe të arsyeshme që lidhen me kompleksitetin e licencave/lejeve/autorizimeve, afati shtyhet vetëm një herë, për një periudhë kohore prej 30 (tridhjetë) ditësh pune.

4. Nëse organet kompetente nuk njoftojnë vendimin e arsyetuar lidhur me kërkesën për marrjen e licencave/lejeve/autorizimeve brenda periudhës së parashikuar në pikën 3, të këtij neni, ato konsiderohen të miratuara në heshtje, në ato raste kur parashikohet nga legjislacioni i fushës në fuqi.

Neni 13
Regjimi i prokurimit dhe/ose i konkurrimit

Korporata, si operator me karakter ekonomik e tregtar, u nënshtrohet rregullave të posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit. Rregullat e posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit dhe rastet, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të institucioneve financiare ndërkombëtare të zhvillimit.

KREU IV
STRUKTURA ORGANIZATIVE

Neni 14
Organet drejtuese të Korporatës

Organet e Korporatës janë, si më poshtë vijon:

a) Asambleja e Përgjithshme;
b) Këshilli mbikëqyrës;
c) Drejtori ekzekutiv;
d) Bordi këshillimor.

Neni 15
Asambleja e Përgjithshme

Asambleja merr vendime për çështjet, si më poshtë vijon:

a) Miratimin e statutit të Korporatës;
b) Miratimin e strategjisë;
c) Miratimin e projekteve të investimit, kur kërkohet transferimi i pronave shtetërore;
ç) Miratimin e pasqyrave financiare vjetore dhe të raporteve të ecurisë së veprimtarisë së Korporatës;
d) Çështje të tjera të parashikuara shprehimisht nga ky ligj, ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe statuti i Korporatës, përveç atyre që i janë dhënë me këtë ligj Këshillit mbikëqyrës.

Neni 16
Këshilli mbikëqyrës

1. Këshilli mbikëqyrës përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë.

2. Një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike.

3. Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës emërohen e lirohen nga Asambleja e Përgjithshme.

4. Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës udhëhiqen nga parimi i mirëbesimit, duke përfshirë detyrimin për kujdesin, besnikërinë, konfidencialitetin, integritetin dhe pavarësinë në raport me Korporatën.

5. Anëtarët e Këshillit mbikëqyrës janë shtetas shqiptarë ose të huaj.

6. Procedura e emërimit dhe e lirimit, si dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës, përcaktohen në statutin e Korporatës.

Neni 17
Kompetencat e Këshillit mbikëqyrës

1. Këshilli mbikëqyrës siguron që Korporata gëzon autonomi operacionale në veprimtarinë e saj dhe ka këto kompetenca:

a) Propozon për miratim pranë Asamblesë statutin e Korporatës dhe ndryshimet në të;
b) Propozon për miratim pranë Asamblesë strategjinë e Korporatës;
c) Miraton planin e biznesit dhe planet vjetore të punës;
ç) Miraton dhe më pas propozon pranë Asamblesë projektet e investimit kur kërkohet transferimi i pronave shtetërore;
d) Miraton ngritjen e strukturave të tjera të Korporatës;
dh) Kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e politikave dhe projekteve të investimit të Korporatës;
e) Miraton treguesit e performancës dhe monitoron performancën e saj;
ë) Kujdeset që Korporata të respektojë ligjin dhe standardet e kontabilitetit;
f) Siguron që pasqyrat financiare vjetore, raportet e ecurisë së veprimtarisë, si dhe detyrimet e tjera të raportimit e publikimit, të detyrueshme në bazë të ligjit apo statutit, kryhen me saktësi nga Korporata;
g) Siguron që auditimi i librave dhe i regjistrimeve kontabël kryhet të paktën një herë në vit nga një komitet i specializuar i pavarur;
gj) Zhvillon, zbaton, monitoron dhe komunikon kontrollet e brendshme, programet për përputhshmërinë ligjore, etike, si dhe masa të tjera, përfshirë edhe ato që kontribuojnë në parandalimin e mashtrimit dhe të korrupsionit;
h) Emëron dhe liron drejtorin ekzekutiv;
i) Përcakton pagat dhe shpërblimin e organeve dhe administratës së Korporatës;
j) Krijon komitete të posaçme lidhur me kontrollet e brendshme, përputhshmërinë ligjore dhe etike në Korporatë;
k) Miraton kriteret dhe procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të bordit këshillimor.

2. Këshilli mbikëqyrës bashkëpunon me bordin këshillimor për marrjen e vendimeve.

3. Këshilli mbikëqyrës miraton ngritjen e komiteteve të specializuara për përmbushjen e detyrave të tij.

4. Këshilli mbikëqyrës miraton procedurat dhe kriteret për shqyrtimin e miratimin e projekteve.

5. Këshilli mbikëqyrës përmbush edhe detyra të tjera të parashikuara nga ky ligj, ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe statuti i Korporatës.

Neni 18
Drejtori ekzekutiv

1. Drejtori ekzekutiv është përfaqësuesi ligjor i Korporatës.

2. Drejtori ekzekutiv përgjigjet përpara Këshillit mbikëqyrës.

3. Drejtori ekzekutiv emërohet dhe lirohet nga Këshilli mbikëqyrës. Kushtet, afatet dhe rregullat e emërimit, performancës dhe të lirimit përcaktohen në aktet e brendshme të Korporatës dhe në kontratën me drejtorin ekzekutiv.
4. Drejtor ekzekutiv emërohet personi që:

a) nuk ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre ose kundërvajtjeje penale;
b) zotëron të paktën master shkencor ose më lart, në fushën e ekonomisë, financave, biznesit, drejtësisë ose fusha të ngjashme, si dhe të paktën 7 (shtatë) vite pune, në pozicionin drejtues i nivelit të lartë në sektorin publik ose privat, në fushat e tregjeve financiare ndërkombëtare, investimeve bankare, të së drejtës, infrastrukturës dhe/ose qeverisjes së korporatave;
c) është shtetas shqiptar ose i huaj.

Neni 19
Kompetencat e drejtorit ekzekutiv

1. Drejtori ekzekutiv ka të drejtë dhe detyrohet, por pa u kufizuar:

a) të administrojë veprimtarinë e Korporatës;
b) të përfaqësojë Korporatën në marrëdhënie me të tretët;
c) të kujdeset për mbajtjen saktë e të rregullt të dokumenteve e të librave kontabël të Korporatës;
ç) të përgatisë e të nënshkruajë bilancin vjetor, bilancin e konsoliduar dhe raportin e ecurisë së veprimtarisë, së bashku me propozimet për investimin e fitimeve;
d) të krijojë një sistem monitorimi e njoftimi të hershëm për rrethanat që kërcënojnë menaxhimin, performancën dhe ekzistencën e Korporatës;
dh) të kryejë regjistrimet e publikimet e detyrueshme të të dhënave të Korporatës, sipas legjislacionit në fuqi;
e) të raportojë përpara Këshillit mbikëqyrës dhe bordit këshillimor për zbatimin e politikave dhe të projekteve të investimit të Korporatës;
ë) të sigurojë zbatimin e vendimeve të Asamblesë, Këshillit mbikëqyrës, legjislacionit dhe të akteve të brendshme të Korporatës.

2. Drejtori ekzekutiv bashkëpunon me bordin këshillimor për të propozuar projekte investimi për miratim në Këshillin mbikëqyrës.

3. Drejtori ekzekutiv përmbush edhe detyra të tjera të parashikuara nga ky ligj, detyra të tjera që kryen administratori, sipas përcaktimeve të ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe statuti i Korporatës.

Neni 20
Bordi këshillimor

1. Bordi këshillimor përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë që zgjidhen nga Këshilli mbikëqyrës.

2. Një anëtar zgjidhet nga radhët e institucioneve qendrore, dy anëtarë përfaqësojnë institucionet ndërkombëtare financiare të zhvillimit dhe gjashtë anëtarë të tjerë janë të pavarur, nga të cilët tre janë përfaqësues të biznesit dhe tre nga fusha akademike.

3. Anëtarët e bordit këshillimor janë shtetas shqiptarë ose të huaj.

4. Bordi këshillimor ka funksion këshillues në raport me Këshillin mbikëqyrës dhe drejtorin ekzekutiv.

5. Këshilli mbikëqyrës dhe drejtori ekzekutiv kanë për detyrë informimin dhe bashkëpunimin me bordin këshillimor për iniciativat, projektet e propozuara për Korporatën dhe aktivitetet e tjera të saj.

6. Bordi këshillimor rregullisht informon Këshillin mbikëqyrës dhe drejtorin ekzekutiv për zhvillimin dhe zbatimin e planit të punës së Korporatës.

7. Bordi këshillimor mund të krijojë komitete të specializuara për të kryer detyrat e tij.

Neni 21
Administrata

1. Struktura dhe organika e Korporatës miratohen nga Këshilli mbikëqyrës.

2. Marrëdhëniet e punës së personelit të Korporatës rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe akteve të brendshme të Korporatës.

KREU V
KONTABILITETI DHE AUDITIMI I PASQYRAVE FINANCIARE

Neni 22
Kontabiliteti dhe llogaritë vjetore

1. Korporata mban kontabilitetin e veprimtarisë së saj ekonomike në përputhje me ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

2. Drejtori ekzekutiv dhe Këshilli mbikëqyrës përgatisin raportin e veprimtarisë, inventarët dhe llogaritë vjetore, në përputhje me ligjin nr.25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Neni 23
Auditimi i pasqyrave financiare

1. Auditimi i pasqyrave financiare të Korporatës kryhet sipas legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
2. Këshilli mbikëqyrës krijon një komitet të specializuar për auditimin financiar me anëtarë të pavarur. Rregullat specifike për krijimin dhe funksionimin e komitetit të auditit përcaktohen në aktet e brendshme të Korporatës.

KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 24
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 8, të pikës 2, të nenit 10, dhe të nenit 13, të këtij ligji.

Neni 25
Dispozita kalimtare

1. Ministria përgjegjëse për ekonominë, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) miratimin e statutit të Korporatës;
b) regjistrimin e Korporatës pranë regjistrit tregtar;
c) zgjedhjen e anëtarëve të organeve drejtuese të Korporatës;
ç) sigurimin e kapitalit fillestar;

2. Këshilli mbikëqyrës, nga momenti i konstituimit të tij, formon një komitet të specializuar, edhe me pjesëmarrjen e ekspertëve të jashtëm, për të organizuar rekrutimin e drejtorit ekzekutiv të parë nëpërmjet një konkursi. Këshilli mbikëqyrës, për rekrutimin e drejtorit ekzekutiv, merr në konsideratë edhe opinionin e bordit këshillimor.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KORPORATËN E INVESTIMEVE SHQIPTARE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

AKT NORMATIV

PËR 

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

Neni 1

Pjesëmarrjen e 2 (dy) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS), në Republikën e Sudanit të Jugut.

Neni 2

Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është mbështetja dhe dhënia e kontributit në Shtabin Rajonal të Forcës Mbrojtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Juba, kryeqytet i Republikës së Sudanit të Jugut.

Neni 3

Ushtarakët, të cilët do të marrin pjesë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS), për ditët e qëndrimit në këtë mision do të marrin, veç pagës mujore, edhe dietë ditore për vështirësi shërbimi, në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 4

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.