Postuar më: 19 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2018:

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 11, i ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11
Ripajisja me pasaportë biometrike e shtetasve

1. Shtetasi ripajiset me pasaportë biometrike:

a) në rastet e përcaktuara në nenin 9, të këtij ligji;
b) kur pasaportës i ka mbaruar afati i vlefshmërisë;
c) 6 (gjashtë) muaj përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë, kur udhëton apo qëndron përkohësisht në shtete që kushtëzojnë hyrjen ose qëndrimin me afatin 6-mujor (gjashtëmujor) të vlefshmërisë së pasaportës.

2. Procedura për ripajisjen me pasaportë biometrike të zakonshme dhe dokumentacioni që paraqitet përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.”.

Neni 2

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet ministri i Brendshëm, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzimin, në zbatim të nenit 1, të këtij ligji.

Neni 3

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.64, DATË 31.5.2012, “PËR PESHKIMIN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Kudo në ligj, emërtimi “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës” zëvendësohet me “Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës.”.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 63 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“63. “Peshkim tregtar artizanal ose peshkim bregdetar artizanal” është peshkimi tregtar që zhvillohet nga anije më të vogla se 12 metra dhe që nuk përdorin vegla peshkimi fundor, me ose pa timon, vegla peshkimi me tërheqje të peshkimit pelagjik me timon ose çift pelagjik, rrjeta binjake me timon dhe draga hidraulike.”.

2. Pas pikës 64 shtohet pika 64/1, me këtë përmbajtje:

“64/1. “Peshkim pa përdorimin e mjeteve lundruese”, janë të gjitha format e peshkimit për zënien apo grumbullimin e peshqve dhe të organizmave detare/ujore, të cilat kryen pa përdorimin e mjeteve lundruese.”.

3. Pas pikës 83 shtohet pika 83/1, me këtë përmbajtje:

“83/1. “Sistem i monitorimit të anijes”, janë pajisjet hardware & software dhe pajisjet MTU (Mobile Transceiver Unit) të instaluara në bordin e anijeve të peshkimit, të cilat realizojnë identifikimin e një anijeje, pozicionin e saj gjeografik, datën, orën, kursin, shpejtësinë dhe që mundësojnë transmetimin e të dhënave ndërmjet saj, Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) dhe ministrisë, sipas përcaktimeve të nenit 67, të këtij ligji.”.

Neni 3

Shkronja “h”, e pikës 3, të nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“h) autorizimin e organeve administrative ose të enteve të tjera për dhënien e së drejtës së peshkimit, të parashikuara në këtë ligj.”.

Neni 4

Pas pikës 6, të nenit 30, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:

“7. E drejta e peshkimit për format e tjera të peshkimit në det, pa përdorimin e mjeteve lundruese, me përjashtim të rasteve kur ndalohet nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, fitohet nëpërmjet konkurrimit publik dhe përfshihet në kategorinë III.5 të shtojcës së ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, me kodin III.5.A.2. Procedurat e konkurrimit publik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 5

Pas nenit 34 shtohet neni 34/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 34/1
Peshkimi bregdetar artizanal

1. Me qëllim që të kenë të drejtë të hyjnë në burime, anijet e peshkimit bregdetar artizanal duhet të jenë të përfshira në një nga format e organizimit të përcaktuara në pikën 1, të nenit 58, të këtij ligji, me qëllim bashkërendimin dhe menaxhimin e peshkimit artizanal në shkallë të vogël.

2. Organizatat, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të jenë të vetme ose të përfshira në kuadër të organizimeve më të gjera dhe që veprojnë në nivel kombëtar ose rajonal.

3. Aplikimi për leje peshkimi, sipas pikës 1, të nenit 30, të këtij ligji, bëhet në përputhje me planin e menaxhimit të zonës në fjalë.”.

Neni 6

Pika 1, e nenit 44, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Mjetet që përdoren për peshkimin çlodhës – argëtues dhe mënyra e lëshimit të autorizimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 7

Pas shkronjës “ç”, të nenit 60, shtohen shkronjat “d”, “dh”, dhe “e”, me këtë përmbajtje:

“d) kryejnë aktivitete të mbrojtjes së resurseve dhe mbikëqyrjes, duke caktuar personel për këtë qëllim;
dh) zhvillojnë struktura mbështetëse tokësore për aktivitetet prodhuese (tregjet e vogla të peshkut, qendrat e grumbullimit dhe të depozitimit të produkteve, mjetet e transportit etj.);
e) promovojnë nisma për të rritur cilësinë e zënieve nga ana e anëtarëve, duke ruajtur vlerat natyrore të zonave.”.

Neni 8

Neni 61 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 61
Organizatat e prodhuesve
1. Organizatat prodhuese të peshkimit krijohen me nismën e prodhuesve të produkteve të peshkimit dhe që njihen sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj.

2. Kur është e nevojshme, në momentin e themelimit të organizatës prodhuese, duhet të mbahet parasysh gjendja specifike e prodhuesve të vegjël.”.

Neni 9

Pas nenit 61 shtohen nenet 61/1 dhe 61/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 61/1
Objektivat e organizatave të prodhuesve

1. Organizatat prodhuese, në sektorin e peshkimit, ndjekin këto objektiva:

a) Nxisin ushtrimin e aktiviteteve të peshkimit fitimprurës e të qëndrueshëm nga anëtarët e tyre, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Peshkimit dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, duke respektuar politikën sociale dhe pjesëmarrjen në menaxhimin e burimeve peshkore, nëse është e nevojshme;
b) Parandalojnë dhe zvogëlojnë sa më shumë zëniet e mundshme jo objekt peshkimi të popullatave tregtare dhe, kur është e nevojshme, bëjnë përdorimin më të mirë, pa krijuar treg për zëniet që janë nën dimensionet minimale, të përcaktuara për mbrojtje, sipas akteve nënligjore;
c) Kontribuojnë në gjurmueshmërinë e produkteve të peshkimit, me qëllim që konsumatori të ketë një qasje dhe informacion të qartë e të plotë;
ç) Kontribuojnë në eliminimin e praktikave të peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar.

2. Përveç objektivave të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, organizatat prodhuese ndjekin dy ose më shumë objektiva, si më poshtë vijon:

a) Përmirësojnë kushtet për vendosjen në treg të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës të anëtarëve të tyre;
b) Përmirësojnë performancën ekonomike;
c) Stabilizojnë tregjet;
ç) Kontribuojnë në furnizimin me ushqim, promovojnë standarde të larta të cilësisë e sigurisë ushqimore dhe, në të njëjtën kohë, promovojnë punësimin në zonat bregdetare dhe rurale;
d) Zvogëlojnë ndikimin mjedisor të peshkimit, duke përfshirë masat për përmirësimin e selektivitetit të mjeteve të peshkimit.

3. Organizatat prodhuese mund të ndjekin objektiva plotësues.

Neni 61/2
Objektivat e organizatave të peshkimit bregdetar artizanal

1. Organizatat e peshkimit bregdetar artizanal organizohen në një nga format e parashikuara në këtë ligj dhe kanë këto objektiva:

a) Hartojnë dhe zbatojnë një plan menaxhimi për resurset dhe kategoritë ujore, duke mbajtur parasysh edhe specifikat lokale, me ndihmën e kërkimit shkencor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe interesat e kategorive të tjera të peshkatarëve ose grupeve të tjera të interesit, që veprojnë në bregdet. Gjithashtu, kryejnë mbikëqyrjen e pajtueshmërisë me standardet e vetërregullimit;
b) Kryejnë aktivitete të mbrojtjes së resurseve dhe mbikëqyrjes, duke caktuar personel për këtë qëllim;
c) Promovojnë iniciativa që synojnë eliminimin e konflikteve me aktivitetet e tjera të peshkimit të kryera në zonën në fjalë;
ç) Zhvillojnë struktura mbështetëse tokësore për aktivitetet prodhuese (tregjet e vogla të peshkut, qendrat e grumbullimit dhe të depozitimit të produkteve, mjetet e transportit etj.);
d) Promovojnë nisma për të rritur cilësinë e zënieve nga ana e anëtarëve.

2. Plani i menaxhimit, sipas pikës 1, më sipër, miratohet nga ministri.”.

Neni 10

Në nenin 64 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Infrastrukturat e peshkimit mund t’i transferohen në menaxhim një organizate peshkimi, me kërkesën e kësaj të fundit.”.

2. Paragrafi i parë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Menaxhimi i infrastrukturës së peshkimit nga një organizatë peshkimi realizohet sipas kritereve dhe kushteve të mëposhtme.”.

3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Kur infrastrukturat e peshkimit i transferohen në menaxhim një organizate peshkimi, kjo e fundit dorëzon në ministri një kopje të bilancit kontabël, së bashku me anekset e tij, të dorëzuar në administratën tatimore.”.

Neni 11

Neni 65 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 65
Menaxhimi i infrastrukturës së peshkimit dhe format e tij

1. Menaxhimi i infrastrukturës së peshkimit kryhet sipas rasteve dhe formave të përcaktuara nga ky ligj.

2. Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës menaxhon infrastrukturën e peshkimit, sipas njërës prej mënyrave të mëposhtme:

a) Menaxhim i drejtpërdrejtë;
b) Menaxhim nëpërmjet shoqatave të peshkimit, konkretisht të organizatave të prodhuesve, kooperativave ose të menaxhimit të peshkimit;
c) Menaxhim i infrastrukturave të lidhura me peshkimin nga subjektet private;
ç) Menaxhim i kombinuar i përcaktimeve të bëra në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

3. Kushtet dhe procedurat e transferimit të menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit te organizatat e peshkimit dhe subjektet private miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Një organizatë menaxhon dhe mirëmban infrastrukturën e peshkimit që i është transferuar në përputhje me parimet e mëposhtme:

a) Menaxhuesi i infrastrukturës së peshkimit përballon kostot e përdorimit e të mirëmbajtjes;
b) Infrastruktura e peshkimit përdoret në mënyrë të drejtë e të barabartë, për të nxitur dhe mbrojtur interesat e përdoruesve;
c) Infrastruktura e peshkimit administrohet në mënyrë racionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm.

5. Në rastin kur infrastruktura e peshkimit i është transferuar një organizate veprohet, si më poshtë vijon:

a) Çdo mjet lundrues, që është pronë ose drejtohet nga një person, i cili nuk është anëtar i organizatës, lejohet të përdorë portin ose qendrën e peshkimit që i është transferuar organizatës;
b) Personat, të cilët nuk janë anëtarë të organizatës, lejohen të hyjnë në port ose në qendrën e peshkimit;
c) Çdo person, i cili hyn ose shfrytëzon portin apo qendrën e peshkimit që i është transferuar një organizate dhe që nuk është anëtar i saj, duhet të veprojë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e portit ose të qendrës së peshkimit dhe me rregulloret e organizatës;
ç) Tarifat që organizata ofron për shërbimet për një mjet lundrues, që është pronë a drejtohet nga një person, i cili nuk është anëtar i organizatës, janë më të larta se tarifat për mjetet lundruese të anëtarëve të saj, por, në çdo rast, jo më shumë se dyfishi i tyre.

6. Niveli i tarifave propozohet nga organizata dhe miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ministrit përgjegjës për financat.”.

Neni 12

Neni 66 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 66
Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës

1. Në varësi të ministrisë krijohet institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës.

2. Përveç sa është përcaktuar në pikën 2, të nenit 65, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës menaxhon qendrat e ripopullimit të kategorive ujore në varësi të ministrisë.

3. Organizimi dhe funksionimi i institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 13

Në nenin 135 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 5, pika 2; 9; 11, pika 1; 18, pika 5; 24, pika 4; 30, pika 7; 37, pika 1; 52, pika 3; 65, pika 3; 66, pika 3; 72, pika 8; 74, pika 4; 77, pika 3; 82, pika 2; 85, pika 2; 93, pikat 4 e 5; 100, pika 1; 101, pika 2; 112, pika 3; 113, pika 1; 116; 118, pika 3, dhe 119, pika 2, të këtij ligji.”.

2. Në pikën 2 hiqen fjalët “… 65, pikat 2 e 4 …”.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Ngarkohet ministri përgjegjës për peshkimin dhe ministri përgjegjës për financat për nxjerrjen e aktit nënligjor në zbatim të pikës 6, të nenit 65.”.

Neni 14 

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I 

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.64, DATË 31.5.2012, “PËR PESHKIMIN”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.