Postuar më: 12 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Dhjetor 2018

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Dhjetor 2018:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

SKEMAT E CILËSISË SË PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE USHQIMORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë:
1. rregullat për funksionimin e sistemit të cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, për të siguruar:
a) konkurrencë të drejtë për fermerët dhe prodhuesit e produkteve bujqësore dhe ushqimore me karakteristika dhe tregues të vlerës së shtuar të cilësisë;
b) informacionin e nevojshëm për konsumatorin, për cilësinë e këtyre produkteve.
2. detyrat dhe kompetencat e organeve përgjegjëse për:
a) vlerësimin e aplikimeve për regjistrimin e emërtimit “Specialitet tradicional i garantuar”;
b) verifikimin e përputhshmërisë me specifikimet e produktit për kërkesat për regjistrim të emërtimeve të origjinës dhe të treguesve gjeografikë për produktet bujqësore dhe ushqimore, siç përcaktohet në shkronjën “a”, të pikës 5, të nenit 178, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”;
c) verifikimin e përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara, si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet e produktit, para vendosjes së tyre në treg;
ç) kryerjen e kontrolleve zyrtare për të verifikuar përputhshmërinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara, si STG, EOM dhe TGJM me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 2
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për produkte bujqësore dhe ushqimore për konsum njerëzor, të përcaktuara sipas listës së miratuar me urdhër të ministrit.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Emërtim origjine”, sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për pronësinë industriale;
2. “EO”, shkurtimi i shprehjes emërtim origjine;
3. “EOM”, shkurtimi i shprehjes emërtim origjine i mbrojtur;
4. “Grup”, sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për pronësinë industriale;
5. “Karakter specifik”, karakteristikat e veçanta të prodhimit, që e dallojnë qartë një produkt nga produktet e tjera të ngjashme të së njëjtës kategori;
6. “Ministria”, ministria përgjegjëse për çështjet e bujqësisë;
7. “Ministri”, ministri përgjegjës për çështjet e bujqësisë;
8. “Operator ushqimor”, sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për ushqimin;
9. “Tradicional”, përdorimi i provuar i një produkti në tregun e brendshëm për një periudhë kohe që lejon transmetim ndërmjet brezave, e cila të jetë të paktën 30 vjet;
10. “Tregues gjeografik”, sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për pronësinë industriale;
11. “TGJ”, shkurtimi i shprehjes tregues gjeografik;
12. “TGJM”, shkurtimi i shprehjes tregues gjeografik i mbrojtur;
13. “STG”, shkurtimi i shprehjes specialitet tradicional i garantuar.

KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE PËR REGJISTRIMIN E STG-VE DHE VLERËSIMIN E SPECIFIKIMEVE PËR EO-TË DHE TGJ-TË

Neni 4
Organet përgjegjëse

1. Ministria është autoriteti kompetent për përcaktimin dhe vlerësimin e skemave të cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore.
2. Në ministri ngrihet dhe funksionon Komisioni për Skemat e Cilësisë (KSC) për vlerësimin e aplikimeve për emërtimin STG dhe vlerësimin në substancë të specifikimeve të produktit për EO-të dhe TGJ-të. Komisioni kryen vlerësimin për:
a) aplikimet për regjistrim të emërtimit STG;
b) aplikimet për ndryshimin e specifikimeve të produktit me emërtimin STG;
c) kundërshtimet e aplikimeve për regjistrim për emërtimin STG dhe kundërshtimet për specifikimet e produktit për emërtimet EOM, TGJM;
ç) përputhshmërinë me specifikimet e produktit për kërkesat për regjistrim të EO-ve dhe TGJ-ve për produktet bujqësore dhe ushqimore.
d) kundërshtimet e ndërsjella në BE.
3. Struktura përgjegjëse për skemat e cilësisë (më poshtë struktura përgjegjëse) në ministri kryen:
a) marrjen dhe shqyrtimin e formaliteteve të kërkesave për regjistrim të emërtimit STG dhe marrjen e kërkesave nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale për vlerësimin e përputhshmërisë me specifikimet e produktit për regjistrim të EO-së dhe TGJ-së;
b) paraqitjen e aplikimit te Komisioni Evropian, me kërkesë të grupit, për regjistrim në BE të produkteve të regjistruara si STG në Shqipëri;
c) marrjen dhe shqyrtimin e formaliteteve të kundërshtimit nga një vend tjetër në lidhje me produktet shqiptare që aplikojnë për regjistrim në BE të emërtimit STG;
ç) marrjen dhe shqyrtimin e formaliteteve të kundërshtimit nga Republika e Shqipërisë për aplikimet për regjistrimin e emërtimit STG të paraqitur nga një vend tjetër.

Neni 5
Komisioni për Skemat e Cilësisë

1. Komisioni për Skemat e Cilësisë (KSC) përbëhet nga 7 anëtarë, si më poshtë vijon:
a) dy përfaqësues nga ministria;
b) pesë ekspertë nga fusha akademike, institucionet kërkimore-shkencore apo të pavarura, me njohuri të gjera për çështjet që lidhen me STG-të, TGJ-të, EO-të, me profesione si: specialist kulinarie, etnograf/ historian, teknolog ushqimor dhe agronom.
Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë zgjidhet kryetar i komisionit, me urdhër të ministrit.
2. Anëtarët e komisionit emërohen e shkarkohen me urdhër të ministrit dhe zgjidhen bazuar në arsimin, profesionin dhe eksperiencën, e cila duhet të jetë, të paktën, 10-vjeçare në profesion.
3. Pagesa e komisionit bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
4. Funksionimi, kohëzgjatja, organizimi dhe detyrat e komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

KREU III
EMËRTIMI SPECIALITET TRADICIONAL I GARANTUAR

Neni 6
Kriteret e regjistrimit

1. Një emër regjistrohet si STG nëse përshkruan një produkt bujqësor ose ushqimor të veçantë, i cili:
a) përftohet nga një metodë prodhimi, përpunimi apo ka një përbërje që korrespondon me praktikën tradicionale për këtë produkt bujqësor ose ushqimor, të paktën prej 30 vjetësh;
b) është prodhuar nga lëndë të para ose përbërës që janë përdorur tradicionalisht.
2. Një emër, që të regjistrohet si STG, duhet:
a) të jetë përdorur tradicionalisht për t’iu referuar produktit të veçantë;
b) të identifikojë karakterin tradicional apo të veçantë të produktit.
3. Një emër nuk mund të regjistrohet nëse i referohet vetëm termave të përgjithshëm, që përdoren për një grup produktesh, ose termave të parashikuara nga një legjislacion i veçantë.

Neni 7
E drejta për të paraqitur një aplikim

1. Kërkesa për regjistrimin e emrave si STG mund të paraqitet vetëm nga një grup që punon me produktet, emrat e të cilave do të regjistrohen.
2. Një person i vetëm fizik ose juridik mund të trajtohet si një grup kur vërtetohet se personi është i vetmi prodhues që dëshiron të paraqesë një kërkesë.

KREU IV
PROCEDURAT PËR REGJISTRIMIN E EMËRTIMIT STG

Neni 8
Paraqitja dhe përbërja e aplikimit

1. Aplikimi për regjistrimin e një emërtimi STG paraqitet në ministri.
2. Aplikimi për regjistrimin e emërtimit STG bëhet vetëm për një emërtim STG dhe vetëm për një produkt bujqësor ose ushqimor.
3. Aplikimi përfshin:
a) emrin dhe adresën e grupit të prodhuesve ose të personit që vepron në emër të grupit;
b) specifikimet e produktit, të cilat përfshijnë:
i. emrin që do të regjistrohet si emërtim STG, ashtu siç përdoret në treg ose në gjuhën e zakonshme;
ii. një përshkrim të produktit, përfshirë karakteristikat e tij kryesore fizike, kimike, mikrobiologjike apo organoleptike, që tregojnë karakterin e veçantë të produktit;
iii. një përshkrim të metodës së prodhimit, që prodhuesit duhet të ndjekin, duke përfshirë, kur është e përshtatshme, natyrën dhe karakteristikat e lëndëve të para ose përbërësve të përdorur apo mënyrën e veçantë të prodhimit të tyre;
iv. vetitë kryesore, që krijojnë karakterin tradicional të produktit.
c) kategorinë e produktit bujqësor ose ushqimor;
ç) informacionin mbi procedurën dhe shpeshtësinë e kontrollit për përputhshmërinë e produktit me specifikimet;
d) një përmbledhje të specifikimeve të produktit, në veçanti, të dhënat e përcaktuara në nënndarjet “i”-“iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij neni;
dh) listën e dokumenteve të paraqitura, së bashku me aplikimin për regjistrim;
e) dokumentin që konfirmon pagesën e tarifës për regjistrim.

Neni 9
Verifikimi i formaliteteve

1. Struktura përgjegjëse verifikon nëse aplikimi është në përputhje me kërkesat formale, të përcaktuara në nenin 8, të këtij ligji. Verifikimi kryhet brenda 5 ditëve pune, nga marrja e tij.
2. Nëse aplikimi për regjistrim i plotëson kërkesat formale, ministria e publikon atë siç përcaktohet në shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 10, të këtij ligji.
3. Nëse kërkesa për regjistrim nuk i plotëson kërkesat formale, aplikuesit i kërkohet nga struktura përgjegjëse të plotësojë mangësitë brenda 10 ditëve pune nga marrja e njoftimit.
4. Nëse mangësitë nuk plotësohen brenda afatit, aplikimi për regjistrim refuzohet dhe njoftohet aplikanti.

Neni 10
Njoftimi dhe publikimi

1. Në rastin kur aplikimi plotëson kërkesat formale, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 9, të këtij ligji, struktura përgjegjëse në Ministri duhet:
a) të njoftojë aplikantin që aplikimi plotëson kërkesat formale;
b) të paraqesë aplikimin te komisioni për vlerësim, brenda 3 ditëve pune nga verifikimi i aplikimit;
c) të publikojë të dhënat për pranimin e aplikimit për regjistrim në faqen e internetit të ministrisë.
2. Të dhënat që publikohen sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, përmbajnë:
a) datën e paraqitjes së aplikimit;
b) përmbledhjen e specifikimeve, të përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 3, të nenit 8.

Neni 11
Procedura e kundërshtimit

1. Çdo person fizik ose juridik, që ka një interes të ligjshëm, mund të paraqesë në ministri një kundërshtim ndaj aplikimit për regjistrim me emërtimin STG brenda 20 ditëve pune, nga dita e publikimit, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse.
2. Kundërshtimi përmban:
a) emrin dhe adresën e personit që paraqet kundërshtimin;
b) të dhëna që justifikojnë interesin ekonomik ose juridik të personit që paraqet kundërshtimin.
3. Struktura përgjegjëse verifikon nëse kundërshtimi është në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni. Verifikimi kryhet brenda 5 ditëve pune nga marrja e tij.
4. Nëse kërkesat e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, nuk plotësohen, struktura përgjegjëse refuzon kërkesën për kundërshtim dhe njofton paraqitësin e kundërshtimit.
5. Nëse kërkesat e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, plotësohen, struktura përgjegjëse njofton aplikantin që ka paraqitur kërkesën për regjistrim dhe i jep atij mundësinë të paraqesë vërejtje, oponencë, shpjegime ose dokumente shtesë brenda 10 ditëve pune, nga data e njoftimit.

Neni 12
Vendimet e komisionit

1. Nëse kundërshtimi në lidhje me aplikimin për regjistrim nuk është paraqitur brenda 20 ditëve pune, nga data e afatit për dorëzimin e një kundërshtimi, komisioni merr vendim për aplikimin lidhur me përmbushjen ose jo të kërkesave të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji, brenda 20 ditëve pune, i cili i dërgohet për miratim ministrit.
2. Nëse kundërshtimi në lidhje me aplikimin për regjistrim është paraqitur brenda 20 ditëve pune, nga data e afatit për dorëzimin e kundërshtimit, komisioni shqyrton dhe merr vendim brenda 25 ditëve pune për ligjshmërinë ose jo të kundërshtimit të depozituar, lidhur me plotësimin e kërkesave të aplikimit, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji.
3. Nëse aplikimi për regjistrim dhe kundërshtimi janë të justifikuara, struktura përgjegjëse thërret për konsultim aplikuesin dhe kundërshtuesin, që, brenda një kohe të caktuar, të bien dakord ose jo për aplikimin. Kur palët bien dakord, aplikimi i rishikuar paraqitet për regjistrim si aplikim i përbashkët, Ndërsa, kur palët nuk bien dakord, aplikimi refuzohet me urdhër të ministrit.
4. Vendimi i refuzimit të aplikimit për regjistrim mund të ankimohet në gjykatën kompetente, brenda 20 ditëve pune, nga data e marrjes së njoftimit.

Neni 13
Ndryshimi i specifikimeve

Dispozitat e përcaktuara në nenet 8 deri në 12 zbatohen edhe për aplikimin për ndryshimin e specifikimeve.

Neni 14
Tarifat

Tarifat e shërbimeve për regjistrimin e STG-së, sipas shkronjës “e”, të pikës 3, të nenit 8, dhe të kundërshtimeve, sipas pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, paguhen nga aplikanti dhe përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat.

KREU V
MBROJTJA DHE LOGOJA

Neni 15
Mbrojtja

1. Emërtimet STG quhen të mbrojtura në territorin e Republikës së Shqipërisë me marrjen e vendimit për regjistrim dhe regjistrimin në regjistër.
2. Struktura përgjegjëse mban regjistrin e përditësuar të emrave të miratuar si STG, i cili është publik.
3. Forma dhe përmbajtja e regjistrit miratohet me udhëzim të ministrit.

Neni 16
Përdorimi i emërtimit dhe logos STG

1. Emri i regjistruar si STG mund të përdoret nga çdo operator ushqimor që vendos në treg një produkt bujqësor ose ushqimor, i cili është në përputhje me specifikimet përkatëse, të përcaktuara në këtë ligj.
2. Çdo produkt bujqësor ose ushqimor, i certifikuar për përputhshmërinë me specifikimet për emërtimin STG në përputhje me kërkesat e këtij ligji, duhet të etiketohet me shprehjen “Specialitet tradicional i garantuar” dhe logon STG.
3. Logoja STG duhet të përmbajë elemente të trashëgimisë kulinare dhe të traditës së produkteve bujqësore e ushqimore shqiptare.
4. Logoja kombëtare për produktet STG përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 17
Qëllimi i mbrojtjes

Emrat e regjistruar si STG duhet të mbrohen nga çdo keqpërdorim, imitim apo çdo praktikë tjetër që keqinformon konsumatorin, të tilla si:
a) përdorimi i këtyre emrave për produkte që nuk janë të certifikuara si STG edhe nëse ky përdorim nuk ka qëllim të tregojë që janë STG;
b) përdorimi i emrave të mbrojtur, të shprehur me fjalë të ngjashme, të përkthyera nga origjinali apo të shoqëruar me shprehje “stil”, “tip”, “metodë”, “prodhuar si”, “imitim”;
c) përdorimi i treguesve, shenjave ose simboleve që keqinformojnë konsumatorin për vendin e origjinës, natyrën ose cilësitë thelbësore të produktit në ambalazhim ose dokumentet që shoqërojnë produktin në fjalë.

KREU VI
PROCEDURA NË RAST TË KUNDËRSHTIMIT TË NDËRSJELLË TË APLIKIMIT NË BE

Neni 18
Kundërshtimi ndaj aplikimit të paraqitur nga një vend tjetër në BE

1. Çdo person fizik ose juridik shqiptar, që ka një interes ligjor për të paraqitur një kundërshtim lidhur me kërkesën për regjistrim të emërtimit STG ose ndryshim të specifikimeve për emërtimin STG për produktet bujqësore ose ushqimore, në përputhje me legjislacionin evropian për skemat e cilësisë, njofton ministrinë me shkrim, brenda 2 muajve, nga data e publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
2. Njoftimi i kundërshtimit duhet të përmbajë një justifikim të përgjithshëm, ku të arsyetohet që aplikimi për regjistrim të emërtimit STG ose ndryshimi i specifikimeve për emërtimin STG mund të cenojë kushtet e përcaktuara në legjislacionin evropian. Struktura përgjegjëse njofton menjëherë Komisionin Evropian për kundërshtimin e paraqitur.
3. Në rast të paraqitjes së njoftimit të kundërshtimit, sipas pikës 2, të këtij neni, kundërshtuesi duhet të paraqesë në ministri, me shkrim, deklaratën e arsyetuar të kundërshtimit.
4. Komisioni merr vendim për pranueshmërinë ose jo të deklaratës së arsyetuar të kundërshtimit, i cili i dërgohet ministrit për miratim.

Neni 19
Paraqitja e aplikimit për regjistrim në BE nga Shqipëria

1. Çdo grup, që ka regjistruar në Shqipëri një produkt bujqësor ose ushqimor si STG, mund të paraqesë kërkesë për regjistrim të këtij produkti në BE.
2. Kërkesa depozitohet në ministri dhe duhet të jetë në një nga gjuhët zyrtare të BE-së, sipas formatit të përcaktuar.
3. Struktura përgjegjëse njofton menjëherë aplikuesin për marrjen nga Komisioni Evropian të:
a) njoftimit për kundërshtim, të paraqitura nga një vend tjetër;
b) deklaratës së arsyetuar për kundërshtimin e paraqitur sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.
4. Aplikanti, brenda 20 ditëve pune, nga data e marrjes së njoftimit, duhet të paraqesë me shkrim në ministri qëndrimin e tij për kundërshtimin dhe të deklaratës së arsyetuar të kundërshtimit.
5. Për deklaratën e arsyetuar të kundërshtimit, të parashtruar nga një vend tjetër, komisioni merr vendim për pranueshmërinë ose jo të saj, i cili i dërgohet ministrit për miratim.
6. Kur aplikimi për regjistrim dhe kundërshtimi janë të justifikuar, struktura përgjegjëse i paraqet vendit që ka paraqitur kundërshtimin propozimin në lidhje me kundërshtimin, të dakordësuar me parë me aplikantin që ka paraqitur kërkesën për regjistrim në BE, si dhe masat e propozuara për të arritur një marrëveshje.
7. Struktura përgjegjëse, pas paraqitjes së këtij propozimi ndërmerr hapat për të arritur një marrëveshje dhe informon Komisionin Evropian për arritjen ose jo të marrëveshjes.
8. Formati i aplikimit dhe i kundërshtimit përcaktohet me urdhër të ministrit.

KREU VII
VLERËSIMI I SPECIFIKIMEVE PËR EO DHE TGJ

Neni 20
Dorëzimi i aplikimeve për EO dhe TGJ në komision

Struktura përgjegjëse, pas marrjes së aplikimit për regjistrim të EO-së ose TGJ-së nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, lidhur me produktet bujqësore dhe ushqimore, e dërgon atë te komisioni brenda 4 ditëve pune.

Neni 21
Vendimi i komisionit

1. Komisioni, brenda 14 ditëve pune, nga marrja e dosjes nga struktura përgjegjëse, shqyrton dhe merr vendimin për aplikimet për EO dhe TGJ, nëse ato përmbushin kërkesat e përcaktuara në nenin 176, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, si dhe referuar kompetencave të specifikuara në pikat 1 e 3, të nenit 182/c, të tij. Vendimi i komisionit i dërgohet ministrit për miratim dhe më pas Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
2. Në rast të paraqitjes së kundërshtimit në lidhje me aplikimin për regjistrimin e EO-së dhe TGJ-së, komisioni, brenda 14 ditëve pune nga marrja e kundërshtimit nga DPPI-ja, shqyrton dhe merr vendim për përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në nenin 176, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, duke iu referuar kompetencave të specifikuara në pikën 7, të nenit 182/ç, të këtij ligji. Vendimi i komisionit i dërgohet ministrit për miratim dhe më pas Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.

KREU VIII
VERIFIKIMI I PËRPUTHSHMËRISË ME SPECIFIKIMET E PRODUKTIT PËR STG, EOM, TGJM DHE KONTROLLET ZYRTARE

Neni 22
Autoritetet për verifikimin e përputhshmërisë

1. Autoritetet kompetente për kryerjen e verifikimit të përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet përkatëse, para vendosjes së tyre në treg, janë:
a) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU);
b) trupat certifikuese, të miratuara.
2. AKU-ja, për kryerjen e verifikimit të përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet përkatëse, duhet të ketë personel me kualifikimin dhe përvojën e duhur si dhe pajisjet dhe infrastrukturën e duhur.
3. Trupat certifikuese miratohen dhe auditohen nga Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC).
4. Kontrolli për verifikimin e përputhshmërisë me specifikimet e produktit, sipas kërkesave të këtij ligji, kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të kontrollit zyrtar, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushqimin dhe inspektimin.

Neni 23
Trupat certifikuese

1. Trupat certifikuese kryejnë verifikimin e përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore me specifikimet e produkteve dhe në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
2. Trupa certifikuese miratohet nëse është e akredituar në përputhje me standardin ISO/IEC17065, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e akreditimit.
3. Trupa certifikuese i paraqet rregullisht dhe sa herë që i kërkohet KMATC-së rezultatet e kontrolleve të kryera.
4. Kriteret e hollësishme për miratimin dhe kompetencat e trupave certifikuese përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 24
Miratimi i trupave certifikuese

1. Në ministri ngrihet dhe funksionon Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC), i përbërë nga pesë anëtarë, i cili kryesohet nga zëvendësministri.
2. Trupa certifikuese, pas miratimit, pajiset me numër identifikues.
3. Përbërja, funksionimi, organizimi dhe detyrat e KMATC-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 25
Auditimi i trupave certifikuese

1. KMATC-ja, përcaktuar sipas pikës 1, të nenit 24, të këtij ligji, është përgjegjës për auditimin e aktivitetit të trupave certifikuese.
2. KMATC-ja kryen auditimin e trupave certifikuese, duke shmangur mbivendosjen me auditin e kryer nga organizmi akreditues.
3. Pas auditimit të kryer, KMATC-ja informon trupën e certifikimit për konkluzionet dhe veprimet e duhura korrigjuese që duhet të ndërmarrë, nëse është e nevojshme.

4. Çdo vit, KMATC-ja miraton planin e kontrollit të trupave certifikuese për përputhshmërinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore me emërtimet STG, EOM dhe TGJM me specifikimet e tyre.
5. Trupat certifikuese i lejojnë KMATC-së, si autoritet auditues, hyrjen në zyrat dhe ambientet e tyre dhe i sigurojnë çfarëdolloj informacioni dhe ndihme që konsiderohet e nevojshme.

Neni 26
Verifikimi i përputhshmërisë

1. Verifikimi i përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara me emërtimet STG, EOM dhe TGJM me specifikimet e tyre bëhet me kërkesë të operatorit ushqimor.
2. Operatori zgjedh nëse verifikimi i përputhshmërisë do të kryhet nga AKU-ja apo një trupë certifikuese e miratuar. Shpenzimet e kontrollit për verifikimin e përputhshmërisë përballohen nga operatori ushqimor.
3. Nëse verifikimi i përputhshmërisë kryhet nga AKU-ja, tarifat e shërbimit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat.
4. Nëse, pas përfundimit të verifikimit të përputhshmërisë sipas kërkesave të këtij ligji, rezulton që produkti është në përputhje me specifikimet, AKU-ja ose trupa certifikuese lëshon certifikatën e cilësisë, që konfirmon përputhshmërinë e produkteve bujqësore apo ushqimore me specifikimet.
5. Forma dhe përmbajtja e certifikatës së cilësisë, që konfirmon përputhshmërinë e produktit bujqësor dhe ushqimor me specifikimet, përcaktohet me urdhër të ministrit.

Neni 27
Kontrollet zyrtare

1. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është autoriteti kompetent përgjegjës për kryerjen e kontrolleve zyrtare për të verifikuar përputhshmërinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.
2. Kontrollet zyrtare përfshijnë:
a) verifikimin që një produkt është në përputhje me specifikimet për STG, EOM dhe TGJM;
b) monitorimin e përdorimit në treg të emrave të mbrojtur, si STG, në përputhje me nenin 16, të këtij ligji, dhe EOM, TGJM, në përputhje me nenin 178, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, për produktet bujqësore dhe ushqimore;
c) kontrollin dhe monitorimin e produkteve bujqësore ose ushqimore të importuara, që tregtohen me emërtime STG, EOM, TGJM.
3. Të gjithë operatorët që prodhojnë, ruajnë ose vendosin në treg një produkt me emërtimet STG, EOM, TGJM janë objekt i kontrolleve zyrtare.
4. AKU-ja duhet të përfshijë në planin vjetor ose shumëvjeçar të kontrollit edhe kontrollin e produkteve me emërtimet STG, TGJM dhe EOM.
5. Kontrollet zyrtare për kontrollin e produkteve me emërtimet STG, TGJM dhe EOM kryhen bazuar në analizën e riskut.

Neni 28
Raportimi vjetor

1. Çdo trupë certifikuese e miratuar dhe AKU-ja i dërgon KMATC-së, deri më 31 janar të çdo viti,:
a) raportin e inspektimeve të kryera në vitin e kaluar;
b) listën e operatorëve të kontrolluar, duke përfshirë:
i. emrin dhe adresën e operatorit;
ii. llojin e produktit bujqësor ose ushqimor;
iii. sasinë e prodhimit për vitin e mëparshëm.
c) informacione lidhur me procedurat e kontrollit.
2. Raporti paraqitet sipas formatit të përcaktuar nga KMATC-ja, në formë shkresore dhe elektronike.
3. KMATC-ja, deri më 31 mars të çdo viti, harton raportin përmbledhës mbi kontrollet për certifikimin e produkteve bujqësore ose ushqimore të kryera nga AKU-ja dhe/ose trupat certifikuese të miratuara.

Neni 29
Procedurat në rastin e parregullsive

Në rast se gjatë inspektimit rezulton se produkti bujqësor ose ushqimor i certifikuar nuk vazhdon t’i përmbushë specifikimet për STG, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji, dhe në nenin 176, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, për të cilin është certifikuar, AKU-ja ose trupa certifikuese i kërkon operatorit plotësimin e parregullsive brenda një afati të arsyeshëm.

KREU IX
SKEMA TË TJERA CILËSIE

Neni 30
Të përgjithshme

1. Skema të tjera cilësie do të konsiderohen të gjitha skemat që nuk janë STG, EOM dhe TGJM.
Produktet bujqësore dhe ushqimore, për të cilat karakteristikat e veçanta të prodhimit ose të cilësisë vijnë nga:
– përdorimi i metodave tradicionale të prodhimit, të paktën 30 vjet;
– të qenit pjesë e trashëgimisë kulturore të rajonit në të cilin janë prodhuar;
– të qenit pjesë e identitetit të komunitetit lokal mund të konsiderohen pjesë e skemave të tjera të cilësisë.
2. Ministria përcakton me udhëzim të ministrit përkufizimet, procedurat për regjistrim, format e aplikimit, organet përgjegjëse, organet e kontrollit, mënyrën e promovimit si dhe logot përkatëse për skemat e tjera të cilësisë.
3. Kërkesat nga prodhuesit e produkteve bujqësore dhe ushqimore për këto skema do të paraqitet në ministri.

Neni 31
Komiteti për Skemat e Tjera të Cilësisë

1. Në ministri krijohet Komiteti për Skemat e Tjera të Cilësisë, si një trupë konsultimi dhe këshillimi për ministrin, për dhënien e mendimeve e të vlerësimeve për produktet bujqësore dhe ushqimore që do të jenë pjesë e skemave të tjera të cilësisë.
2. Komiteti përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari është përfaqësues i ministrisë dhe anëtarët janë ekspertë me njohuri të gjera për çështjet që lidhen me cilësinë e ushqimit.
3. Rregullorja e funksionimit të komitetit, detyrat, kërkesat, kriteret, afatet, kriteret e emërimit dhe të shkarkimit të anëtarëve përcaktohen me urdhër të ministrit.
4. Pagesa e anëtarëve të komitetit do të bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Neni 32
Mbrojtja kombëtare

1. Skemat e tjera të cilësisë do të jenë subjekt i mbrojtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, në vijim referuar si “mbrojtje kombëtare”.
2. Regjistri i produkteve bujqësore dhe ushqimore nën mbrojtjen kombëtare do të mbahet nga struktura përgjegjëse në ministri dhe do të jetë publik.
3. Verifikimi i përputhshmërisë së produktit bujqësor apo ushqimor me kriteret e përcaktuara, referuar në pikën 1, të nenit 30, të këtij ligji, do të bëhet përpara vendosjes së produktit në treg, nga Autoritetit Kombëtar i Ushqimit.
4. Tarifa e shërbimit do të paguhet nga operatori i biznesit ushqimor

Neni 33
E drejta e përdorimit

Operatori i biznesit ushqimor, që prodhon një produkt bujqësor ose ushqimor në përputhje me kërkesat dhe kriteret e aprovuara, i cili ka hyrë në regjistrin e përmendur në pikën 2, të nenit 32, të këtij ligji, ka të drejtë të përdorë në treg logon, duke e vendosur atë në produktin e tij bujqësor ose ushqimor apo në ambalazhin e tij.

KREU X
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE MASAT

Neni 34
Kundërvajtjet

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative.
2. Çdo operator, që vendos në treg produkte bujqësore ose ushqimore me emrat e regjistruar si STG, TGJM, EOM, simbolet, frazat ose shkurtesat e tyre, të cilat nuk përmbushin specifikimet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji, dhe në nenin 176, të ligjit për pronësinë industriale, ndëshkohet me gjobë nga inspektori i AKU-së, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
3. Nëse operatori nuk plotëson brenda afatit të caktuar parregullsitë, sipas përcaktimeve të nenit 29, të këtij ligji, AKU-ja ose trupa certifikuese i heq certifikatën operatorit dhe:
a) ndalon përdorimin e emërtimeve STG, EOM, ose TGJM, përdorimin e simboleve të tyre apo shprehjeve, shkurtesave në shqip apo anglisht STG, PDO, ose PGI;
b) ndalon vendosjen e produktit bujqësor ose ushqimor në treg;
c) kërkon tërheqjen e produktit bujqësor ose ushqimor, nëse është vendosur në treg.
4. Nëse gjatë auditimit KMATC-ja konstaton që trupa certifikuese nuk vazhdon të përmbushë kriteret e miratimit, të përcaktuara në pikat 2 dhe 4, të nenit 23, të këtij ligji, ajo i propozon ministrit heqjen e miratimit.

Neni 35
Ankimi

1. Kundër vendimit të inspektorit, sipas pikës 2, të nenit 34, të këtij ligji, mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.
2. Kundër masave të përcaktuara në pikat 3 dhe 4, të nenit 34, të këtij ligji, mund të bëhet ankim me shkrim te ministri, brenda 10 ditëve, nga data e marrjes dijeni për masën e vendosur.
3. Ministri i përgjigjet ankimit brenda 15 ditëve, nga data e paraqitjes së ankimit.
4. Ekzekutimi i vendimit bëhet sipas procedurave të përcaktuara në ligjin për kundërvajtjet administrative.

KREU XI
DISPOZITAT E FUNDIT

Neni 36
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim neneve 5, pika 4; 16, pika 4; 23, pika 4; dhe 24, pika 3, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 2; 5; 15, pika 3; 19, pika 8; 26, pika 5; 30, pika 2; dhe 31, pika 3, të këtij ligji.
3. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për financat të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 14 dhe 26, pika 3, të këtij ligji.

Neni 37
Shfuqizimet

Krerët VIII, IX dhe shkronja “j”, e nenit 68, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, shfuqizohen.

Neni 38
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SKEMAT E CILËSISË SË PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE USHQIMORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.