Postuar më: 27 Prill 2019

Për Elbasanin e katër viteve të ardhshme

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë në Elbasan në vijim të ciklit Bashkia që Duam: 

 

Shumë faleminderit!

Më vjen mirë që jemi këtu sot! Më vjen mirë që edhe njëherë tjetër, si gjithmonë në Elbasan, kur takohemi në momente të rëndësishme në prag apo gjatë betejave tona zgjedhore, kemi një mikpritje dhe një mbështetje kaq kuptimplotë, me kaq shumë njerëz!

Më vjen mirë që edhe shiu po i shton, nuk po i pakëson njerëzit!

Më vjen shumë mirë që sa herë vij këtu, dëgjoj fjalë të mira në adresën time, por të jeni të sigurt që gjithçka ne kemi arritur të bëjmë për Elbasanin nuk do të ishte e mundur pa Qazim Sejdinin dhe nga ana tjetër, Qazim Sejdini s’do bënte dot atë që ka bërë pa ne. Ka qëndruar 12 vjet në krye të Bashkisë së Elbasanit. 6 vjet i ka pasur me Saliun, 6 vjet i ka pas me mua. Nëse shikoni sesa investime dhe sesa projekte kanë marrë mbështetje në 6 vitet e para me 6 vitet e dyta, shifra është 10 herë më shumë në 6 vitet e dyta, se në 6 vitet e para.

Më vjen shumë mirë që pasi kemi ardhur këtu për të kërkuar mandatin që tanimë Qazimi po e mbyll me nder dhe me një gjurmë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e qytetit, ju kam thënë, na jepni besimin dhe ne do t’ua shpërblejmë, duke bërë për Elbasanin në 4 vjet, sa nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera, të marra së bashku!

Ka shumë gjëra që mund të thuhen, por unë po ju them dy. Për vite e vite të tëra, të gjithë këtu, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë, si qytetarë në qytet, apo në fshat rreth e rrotull kanë vuajtur dy plagë të tmerrshme: plehrat mu në mes të qytetit, që ngrinin një re të zezë çdo pasdite dhe që helmonin të madh e të vogël dhe mungesën e ujit.

Vetëm 4 vjet na mjaftuan që të zgjidhim edhe problemin e grumbullimit e të trajtimit të mbetjeve dhe jo ta zgjidhim, por ta bëjmë Elbasanin vendin ku u krijua modeli i parë europian i trajtimit të mbetjeve dhe nga ku të prodhohet energji elektrike, edhe t’i japim Elbasanit 24 orë ujë.

Natyrisht që dikush mund të thotë, bota sot po merret me inteligjencën artificiale, ne akoma flasim për ujë e për plehra!

E vërtetë është, por bota nuk pati 30 vjet Saliun. Ne e patëm dhe për fat të keq e kemi akoma, por e kemi në ato grahmat e fundit, kur shfaqet në formën e një pellgu me llum aty te rruga, me 50 ish-deputetë e pijanecë që bllokojnë rrugën, që shtyhen me policinë dhe që kujtojnë se, duke bërë shfaqje të tilla rrugaçërie, do të mund të frenojnë rrugën e transformimit të Shqipërisë, të Elbasanit e të çdo qyteti e të çdo zone tjetër.

Si mundet në shekullin XXI, si mundet në vitin 2019, një parti politike që pretendon të qeverisë Shqipërinë të shfaqet rrugëve, duke bllokuar mijëra e dhjetëra mijëra qytetarë që duan të lëvizin për qëllimet e tyre dhe të pretendojë se me bllokimet e rrugëve po lufton për demokraci!

Kush i beson këto?!

Sa i dehur duhet të jesh, për të shkuar pas këtij berihai, pas këtyre njerëzve, që si ish-deputetë të Elbasanit kanë një llogari për t’iu dhënë atyre që iu dhanë votën, se ju që jeni këtu nuk ua keni dhënë votën besoj, por mund të ketë edhe nga ata që ua kanë dhënë e ata që ua kanë dhënë votën duhet t’iu kërkojnë edhe llogari. Se votën ua dhanë të vijnë në Parlament për të luftuar me ide, për të luftuar me argumente, për të luftuar me programe, duke e vendosur qeverinë me shpatulla për muri dhe jo për ta kthyer Parlamentin në një kopsht pa drekë e për të luftuar me vezë e me bojë, me miell e me çizme, duke i dhënë shembullin më të keq të gjitha klasave të Shqipërisë, ku fëmijët shkojnë për të mësuar dhe ku edukata e bashkëjetesës në klasë është gjëja e parë që i shqetëson prindërit dhe mësuesit.

Ata duhet të japin llogari përpara të gjithë atyre që iu dhanë votën, sepse kemi zgjedhur një sistem ku populli e jep votën, jo që ta marrësh e të bësh çfarë të duash me të, por që ta marrësh si besim dhe si detyrim për ta përfaqësuar popullin atje. Nuk mund të thotë deputeti, unë po iki nga Parlamenti, se unë jam popull.

Jo, ti nuk je popull. Ti je një shërbëtor i popullit që nuk mund ta përdorësh popullin si mish për top, duke e nxjerrë rrugëve.

Ti nuk je popull. Ti je një shërbëtor i popullit që nuk mund të fshihesh mes popullit, duke nxjerrë disa të verbër përpara, që të përplasen me policinë, të gjuajnë me gurë, të gjuajnë me bojë dhe të nxijnë Shqipërinë në sytë e të gjithëve.

Ti nuk je popull. Ti je një shërbëtor i popullit që ke shumë llogari për të dhënë dhe janë ato llogari që ke për të dhënë që ta kanë marrë mendjen, që ta kanë errësuar shikimin dhe të kanë bërë që, në vend se t’i shërbesh popullit, t’i besosh filxhanit.

Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që të mos vinte dita që zgjedhjet të bëheshin pa pjesën më të rëndësishme të opozitës, sepse Partia Demokratike, bashkë me partinë e filxhanit, sidoqoftë janë të dy pjesë të rëndësishme të opozitës. Për këtë arsye, në 2017-ën, pavarësisht se e gjithë bota i dënoi publikisht dhe tha zgjedhjet duhet të bëhen dhe do bëhen edhe pa ata, ne këmbëngulëm deri në fund, pikërisht sepse ne besojmë dhe unë besoj që e mira e vendit në atë moment ishte që ata të futeshin në zgjedhje. E për t’i futur ata në zgjedhje, ne bëmë diçka që nuk e bën askush, i dhamë Lulit gjithçka që kërkoi.

I dhamë Lulit gjysmën e qeverisë dhe gjysmën më të rëndësishme të qeverisë, me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë. I dhamë drejtimin e të gjithë agjencive më të rëndësishme shtetërore, që nga OSHEE-ja, deri te hipotekat dhe Drejtoria e Burgjeve.

Ia dhamë jo se demokracia është një kopsht, ku fëmija që bërtet më shumë merr lodrat që të pushojë, por ia dhamë sepse ishte momenti, për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve, për perspektivën europiane, ne të sakrifikonim diçka nga pushteti ynë, që të mos paguante çmimin Shqipëria.

Pasi i mori të gjitha ato që kërkoi dhe pasi dha fjalën që nuk do t’i kontestonte zgjedhjet, u mësua keq dhe sa po afrojnë zgjedhjet e tjera, doli përsëri dhe i kërkon përsëri. Po çfarë është ky, kopsht!

Për çfarë na e keni dhënë votën ju, që të shkojmë në kopsht e të zihemi për lodrat e t’i marrë lodrat ai që bërtet më shumë, apo na keni çuar atje për të bërë sa të mundemi punët që duhen bërë për qytetin ku ju jetoni, për vendin ku ne jetojmë?

Sigurisht që na keni çuar për të dytën.

Imagjinoni ku janë katandisur ata, – se pashë profesor Spahon, – janë katandisur që festonin fitoren e Ajaxit, sikur kishin mundur Partinë Socialiste!

Një parti politike që feston fitoren e Ajaxit, ngaqë unë jam me Juventusin!

Edhe ku qëlloi që fitoi Ajaxi po atë ditë që u bë dhe ajo rezoluta për vizat në parlamentin holandez dhe profesori shkruan, siç ta bëri Holanda dhe Ajaxi, do ta bëjë edhe Luli!

Ky është profesor, a e kuptoni?

Ajaxi fitoi me lojë të bukur, nuk fitoi duke djegur gomat para stadiumit. Ajaxi fitoi me lojë të bukur, nuk fitoi duke thënë, ne nuk hyjmë në fushë, po nuk hoqët skuadrën e ta zëvendësoni me një skuadër tjetër dhe po nuk e çuat Cristiano Ronaldon në shtëpi.

Këtu në Elbasan, ju kishit fallxhoren deputete dhe këtu është vendi për t’i thënë të gjitha. Përsëri do t’ju vijë, do t’ju hapë filxhanin nëpër shtëpi, do t’ju thotë, e keni një rrugë për jashtë shtetit, po nuk më votuat mua, prandaj më votoni mua, që të rrimë të gjithë këtu, se Shqipëria është shtëpia jonë.

Le ta çojë dorën njëri që nuk ka pasur frikë se do vijë fallxhorja t’i blejë votën. Le ta çojë dorën njëri që është me Partinë Demokratike, që nuk e ka pasur kryesor hallin se fallxhorja do na shkatërrojë Partinë Demokratike, duke na marrë votat, se këtu ka ardhur profesori, bashkë me Lulin, që iu thonin mos ia shisni votat sh.p.k.-së, ose merrjani lekët, po hajdeni në shtëpi.

Tani u bënë me fallxhoren bashkë. E kam parë në filxhan, – thotë fallxhorja, – Edi Ramës do i ndodhë diçka e keqe, infarkt, spital, është në Gjermani, është këtu, është atje. Për dreq, unë i dal përsëri përpara.

Do ndodhë në mars, do ndodhë në maj, do vijë shtatori, do vijë nëntori, do vijë dhjetori.

E kuptoni ku ka shkuar muhabeti!

Ndërkohë që ma thoni, çfarë të bëjmë ne?

T’iu themi përsëri, hajdeni merrni çfarë të doni.

Pse, këtë muhabet do bëjmë, sa herë ka zgjedhje?

Jo!

Kam dëgjuar edhe nga njerëzit tanët, që akoma mendojnë se këtu do gjendet një zgjidhje dhe do shtyhen zgjedhjet e ku di unë se çfarë. Në 30 qershor, këtu në këtë shesh do bëhet një festë e madhe. I gjithë Elbasani do falënderojë Qazim Sejdinin dhe do t’i japë bekimin e votave dhe të fitores pasardhësit së tij, Gledit, duke uruar që të vazhdojë në atë rrugë dhe të bëjë edhe më shumë.

Të jeni të bindur që edhe ju, edhe ne në Tiranë do të bëjmë për Elbasanin, 4 vitet e ardhshme, edhe më shumë seç bëmë në këto 4 vite.

Të jeni të sigurt për një gjë, Ajaxi mund të dalë kampion Europe, por kampion këtu ka qenë, është dhe do të mbetet Partia Socialiste e Shqipërisë!

Ajaxi mund ta marrë kupën e kampioneve dhe mund ta meritojë, se lozin shumë bukur, ndërsa bashkitë e Shqipërisë do t’i marrë dhe do t’i drejtojë Partia Socialiste e Shqipërisë në 30 qershor, nga Kukësi deri në Skrapar, nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë.

Thonë, pse të gjitha do i merrni ju? Po, të gjitha do i marrim.

Të gjitha do t’i marrim, sepse kudo, ne mund të bëjmë, duhet të bëjmë dhe do të bëjmë më shumë për njerëzit, sidomos aty ku deri më sot kanë qeverisur ata. Më tregoni një qytet që e kanë qeverisur ata dhe që është transformuar siç është transformuar Elbasani, siç është transformuar Vlora, siç është transformuar Fieri, Durrësi, Tirana, Korça, Librazhdi. Merre makinën, rrugës ke edhe Përrenjasin, edhe Librazhdin, ke edhe Belshin, edhe Cërrikun. Zgjidh e merr!

Është bërë Belshi, që nisen njerëzit nga Tirana për të shkuar në Belsh për fundjavë. Kush e imagjinonte këtë përpara! Kur kam shkuar për herë të parë në Belsh, ishte gropa më e madhe se unë dhe thashë po bie dhe nuk po më gjejnë, se të ishte Erjon Brace, nuk e kishin gjetur, është e sigurt. Prandaj çuam Musa Ulqinin atje, se Musai ecën gjithmonë në këmbë dhe nuk ka rrezik të bjerë me makinë, se është nga ata që në këmbë shkon i takon të gjithë, iu bën hyzmet të gjithëve, por në gropë nuk bie. Shkoi te Liqeni i Belshit për të pirë kafe? Liqeni i Belshit nuk dukej, i rrethuar nga ferra, nga ndërtime mizerje, nga bagëti, le që sa të shkoje deri atje, ishte histori më vete.

Shkoni shikoni Belshin sot! Këta thonë është fasadë. Po, se plehra është përmbajtje, pastërtia është fasadë. Gropa është përmbajtje, kurse rruga drejt është fasadë. Se gjëja e shëmtuar është përmbajtje, gjëja e bukur është fasadë.

Kështu në të gjithë Shqipërinë. E ne nuk e zgjodhëm këtë gjë, vendosën ata. Sigurisht që ne nuk i kemi bërë të gjitha dhe nuk i kemi bërë të gjitha mirë. Kjo nuk diskutohet. Ne kemi bërë sa kemi mundur. Kemi bërë sa kemi ditur. I kemi bërë gjërat si kemi mundur dhe si kemi ditur dhe kemi bërë patjetër gabime, kemi bërë gjëra që s’duheshin bërë, por nuk i kemi bërë kurrë me qëllim për t’iu ngulur njerëzve dhe për t’i ngulur vendit thikë pas shpine.

Ndodhi një tragjedi në spitalin e Elbasanit. Sigurisht nuk duhet të ndodhte! Ka probleme me rendin dhe me kriminalitetin në Elbasan, patjetër. Ka plot njerëz akoma, edhe këtu ka njerëz që na kanë votuar, na kanë besuar, na mbështesin e janë pa punë. Por asnjë nga këto nuk tregon që ne i kemi tradhtuar njerëzit, sepse, po të krahasosh spitalin e Elbasanit si ishte dhe si është sot, është njësoj si të krahasosh si ishte dhe si është sot, opozita, në raport me ne. Do bëjmë investime të reja në spitalin e Elbasanit.

Do të punojmë e do të shikoni ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji që edhe problemet me rendin dhe me sigurinë në Elbasan do të adresohen e do të zgjidhen. Por mos më thonë që problemet me shëndetësinë, problemet me rendin, problemet e tjera lindën kur erdhëm ne në qeveri, këtu e në gjithë Shqipërinë. Përkundrazi, qëkurse ne kemi ardhur në qeveri, kemi pasur kurajën t’i adresojmë problemet dhe sot problemet janë shumë më nën kontroll sesa ishin dhe do të jenë edhe më tepër nën kontroll. Kemi përgjysmuar numrin e vrasjeve në Shqipëri. Ata kishin një mesatare, 100 – 110 vrasje në vit. Ne e kemi midis 50-60 mesataren e këtyre viteve. Është gjysma. Duhet akoma më e ulët, pa diskutim.

Para se të vinim këtu ishim në disa fabrika të reja që po ndërtohen. Një fabrikë për bateritë e makinave, e cila është një investim që do të shkojë në 20 milionë dollarë, ka filluar investimin. Një fabrikë tjetër për prodhimin e të gjithë profileve metalike, fabrikë që punon për llogari të “Alstom” në Francë, -“Alstom” prodhon centrale bërthamore, – është këtu. Një fabrikë tjetër, e cila do të punojë dhe do të prodhojë pjesë të këmbimit për Renault, Peugeot, Maserati e kështu me radhë.

Pastaj ishim tek Qendra e Formimit Profesional. Janë 400 vajza e djem të regjistruar në këtë qendër, që edhe sot shkojnë marrin trajnime profesionale dhe që janë nga listat e punëkërkuesve. Janë 20 000 njerëz, të regjistruar në listat e punëkërkuesve në zyrat e punës, që do trajnohen në qendrat tona profesionale brenda këtij viti. Kush është marrë ndonjëherë me ta! Kush u ka thënë ndonjëherë atyre ejani të mësoni gjërat bazë, që të shkoni e ta merrni punën, jo të shkosh me duart në xhepa, mos dish të bësh asgjë dhe pastaj biznesi ankohet, unë kam punë, por nuk kam njerëz.

Por të gjitha këto duan kohë.

Po shkollat, si ishin dhe si janë në Elbasan?

Konvikti i Universitetit të Elbasanit është për turp, siç është ai i Universitetit të Shkodrës, siç janë konviktet në Tiranë, siç është konvikti i Vlorës. Kështu janë, për turp, por ne nuk kemi ndenjur duarkryq e nuk mund t’i bënim të gjitha përnjëherë. Ama brenda këtij mandati, të gjitha konviktet e të gjitha universitetet do transformohen. Do të investojmë për gjithë universitetin dhe për konviktet, më shumë sesa është investuar në 30 vjet të marra sëbashku. Po bëjmë projektet, kemi filluar punën, 5 konvikte kanë përfunduar në Tiranë, 11 të tjera janë në punë dhe punët bëhen me radhë. Mund të duket sikur po bën punë ti, kur fiton Ajax, por nuk është puna jote ajo. Mund të jetë faji imi kur rrihet Juvja, por nuk është merita e profesorit, kur fiton Ajax, se këta janë të çuditshëm.

Duan ta pengojnë Shqipërinë që të marrë hapjen e negociatave, sepse i tmerron fakti që sa më shumë ne shkojmë në atë rrugë, aq më e ngushtë bëhet rruga për t’i shpëtuar përballjeve me drejtësinë. Nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta penguar Reformën në Drejtësi. E për t’ju kthyer prapë 2017-s, morën të gjitha që të vinin të votonin vettingun. Nuk votonin vettingun gjallë në botë. Mirëpo të gjitha u bënë dhe të gjitha do bëhen, hap pas hapi, me durim, me punë, me sakrifica.

Në fund fare, të paktën në një pikë, ne nuk ka shans të na krahasojnë dot me asnjë nga ata që janë e që kanë qenë, sepse ne i dëgjojmë njerëzit. Kemi dëgjuar dhe ata sa kemi plasur, na e kanë rrokanisur kokën për ditë e për ditë dhe kanë folur në Parlament më shumë se ne. Luli ka munguar 6 muaj në Parlament, ka folur 3 orë më shumë se unë dhe thotë nuk kemi të drejtë fjale në Parlament. Ngatërrojnë të drejtën për të folur me të drejtën tonë për të vendosur. Ne jemi të detyruar t’i dëgjojmë, por nuk jemi të detyruar të vendosim ato që kërkojnë ata.

Tani gjërat janë të qarta. Ata kanë vendosur të ikin, dolën nga Parlamenti me festë dhe çdo të enjte vinin tek dera për të hyrë me zor. Gjithë ajo festë për të dalë e pastaj sherri sherr për të hyrë. Si e shpjegoni këtë? Shyqyr që jeni në Elbasan e nuk jeni në Tiranë, se do i kishit nëpër pemë sot, se hipin edhe nëpër pemë. Pse hipin nëpër pemë, e ka kuptuar ndonjëri? Vjen opozita për protestë, hipin nëpër pemë dhe tundin pemët dhe këta të tjerët rrinë poshtë e thonë “bravo, bravo”; “ik, ik”. Dhe mua më dridhet zemra se ata thonë të iki unë, por po bie ai tjetri nga pema. U nisën për të më rrëzuar mua, rrëzuan Myslym Murrizin.

Sot, qëkur ne kemi marrë besimin dhe mandatin për të qeverisur vetëm, pa ata, pa fallxhoren, 41 000 njerëz i kemi dëgjuar drejtpërdrejtë në Platformën e Bashkëqeverisjes. Janë halle të përditshme për të cilat njerëzit, deri dje nuk i dëgjonte askush. Ne i dëgjojmë.

Edhe studentët, kush i dëgjonte më përpara? Në të gjitha lëvizjet studentore, e vetmja që kishte këtë karakteristikë, dalin studentët në protestë dhe thonë, e para, mos na afrohet opozita, fare; e dyta, këto duam të na i zgjidhi Edi Rama. Ndërkohë që po të ishin ata normalë dhe po të ishin njerëzit budallenj, do thonin, të iki Edi Rama, të iki qeveria e të vijnë këta. Jo, ata thonin mos na u afroni fare dhe këta maskoheshin e futeshin nëpër protestë. Opozitë që vë kapele, vë gjyzlykë, vë shall që mos ta njohin, për t’u futur në protestë! Ja këta janë!

I dëgjuam studentët dhe kishin të drejtë dhe ju dhamë të drejtë. Ashtu sikundër ju kemi dhënë të drejtë të gjithë atyre që, kur kanë folur, kur janë ngritur, kur kanë protestuar, kanë të drejtë, por jo gjithmonë e jo për të gjitha dhe sot, prindërit paguajnë 50% të tarifës për një student. Prindërit që i kanë studentët e shkëlqyer, apo që janë me ndihmë ekonomike nuk paguajnë asnjë gjë, se i paguan të gjitha qeveria. Madje marrin edhe bursë, 1 milionë e 200 mijë lekë në vit, ose 200 mijë lekë në muaj. Më falni, 100 mijë lekë në muaj, se u bëra dhe unë si Luli, 7×7 = 42. Se kështu është, më thuaj me kë rri, të të them se kush je. Po çfarë të bëj, u detyrova të rri me atë, se doja me e fut në zgjedhje. Tani, ai do prapë që të rri me atë. Kam unë kohë të merrem me Lulin, prapë?

Unë mund të merrem prapë, por atë nuk e lë fallxhorja, se tani janë bërë dy. Unë i them hajde, ajo i thotë jo, edhe pak, se filxhani thotë, E-ja po bie, L-ja po ngrihet, edhe pak se kam parë E-në përmbys, hë pije edhe një. E mbyti me kafe turke, e shkatërroi. Është rritur konsumi i kafes turke në gjithë zonën e SHQUP-it. Pyetini ata, piq kafe, fut filxhan, ndiz furnelat, edhe icik, shoh një pemë këtu, ai po bie dhe hipin nëpër pemë.

Kemi këtu disa njerëz që janë dëshmitarë të platformës, do dëshiroja që të vinin e ta thonin edhe ata fjalën e tyre.

– Përshëndetje të gjithëve! Ne kemi patur një problem lidhur me vonesën e pagesave të disa faturave tek doganat. Me gjithë dëshirën e mirë që kishim, nuk u zgjidh. Ajo që nuk u zgjidh për 6 muaj u zgjidh për 10 ditë nëpërmjet kësaj platforme. Besoj që çdo gjë mund të zgjidhet dhe kushdo që mund të ketë probleme mund ta zgjidhi nëpërmjet platformës pa humbur kohë, pa angazhuar shumë njerëz dhe pa humbur vetë kohën e punës së tij.

– Përshëndetje! jam këtu në vend të xhaxhait tim që nuk mund të ishte i pranishëm. Ne kishim një problem me legalizimin e një prone dy katëshe që kishte më shumë se 10 vjet që ishte bllokuar. Vendosëm të shkruanim në portalin e bashkëqeverisjes dhe për një kohë rekord është zgjidhur. Ju falenderoj!

– Përshëndetje! Unë kisha një ankesë për ditët e punës për pensionin. Fola me portalin dhe ma zgjidhi problemin. Ju falenderoj dhe punë të mbarë!

– Përshëndetje! Problemi i familjes time vijonte që në vitin 2005 me hipotekën e Elbasanit për tu pajisur me certifikatën e pronësisë nuk regjistronin vendimin e 2005 të gjykatës së apelit. Pas shumë zvarritjesh dhe lodhjesh, iu drejtova platformës brenda 10 ditëve morëm përgjigje pozitive dhe u pajisëm me certifikatën e pronësisë. Shumë faleminderit!

– Përshëndetej! Unë pata një problem me tokën, e pata marrë tapinë më përpara, por në tapi nuk shkruhej dynymët e tokës e pata vajtur disa herë në kadastër. Ju shkrova ju dhe përveç se mora tapinë e tokës, mora dhe tapinë e shtëpizave. Ju falenderoj!

– Përshëndetje! Kisha një problem me pensionin e gruas. Tre vjet ngela gjykatave. Nuk e mora dot. më dërguan në gjykatën e apelit në Durrës. Atje e përfitova dhe pastaj lekët mi vonuan 5 muaj. Shkruajta tek portali, për 10 ditë mora përgjigjen dhe për 1 orë i futën lekët. Nuk e di si e bënë, por ju faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Është koha për t’ju kujtuar edhe njëherë që, ju lutem shumë, kur gjendeni përballë një punonjësi të një zyrë, një drejtuesi të një zyre që nuk ju përgjigjet si duhet, nuk ju jep të drejtën, ju kthen mbrapsht, mos humbi kohë, mos kërkoni miq lart e poshtë, mos fusni dorën në xhep. Thjesht shkruani tek Shqipëria qe Duam dhe aty më keni mua dhe të gjithë qeverinë në dispozicion. Kjo është për ne, rruga për të zgjidhur problemet dhe për të identifikuar këta të papërgjegjshëm që janë nëpër zyra. 600 e kusur prej tyre i kemi larguar nga puna, pikërisht sepse i kemi gjetur në shkelje e pikërisht sepse i kanë trajtuar keq njerëzit si ju.

Kush është koalicion dhe forcë më e besueshme?

Nuk po them për veten time. Për kë voton kushdo që na ndjek në televizor, për këtë djalin e ri, Gledin, apo për Fatmir Mediun? Se ka dalë dhe Fatmir Mediu tani. Janë regjistruar 40 parti në zgjedhje. Është futur edhe kjo partia tjetër e Saliut. Se Saliu nga njëra anë i thotë Lulit “hip në pemë”, nga ana tjetër i thotë Astrit Patozit “futu ti” se nuk dihet, po na ra Luli nga pema, të kemi ty. Del Fatmir Mediu e thotë partitë serioze. Fatmiri ka vetëm veten e vet dhe gjithmonë është futur tek treni i PD-së. Si thoni ju, më mirë me zotërinë, apo me Dash Shehin? Pastaj nuk po ju krahasoj zonjat me fallxhoren, se ajo dihet.

Ndjesë për gjithçka që nuk kemi bërë dot si duhet, apo nuk kemi bërë dot akoma dhe kini shumë besim dhe mos e harroni asnjëherë, nuk ka skuadra që i fitojnë të gjitha ndeshjet. Nuk ka skuadra që nuk kanë edhe dështimet e tyre. Nuk ka skuadra që nuk bëjnë gabime gjatë një ndeshjeje, por, ama, kampionët nga humbësit dallohen se kampionët në fund gjithmonë fitojnë. Ne jemi kampionët dhe ata që nuk dalin dot kampionë, kanë zgjedhur rrugën të ikin nga stadiumi e të thonë, ose dilni edhe ju nga stadiumi e pastaj ta zgjedhim ne se kush futet në stadium, ose nuk ka. Jo, kështu nuk ka dhe ne do vazhdojmë rrugën tonë. As mos kini merakun më të vogël që këta do bëjnë rrëmuja. Maksimumi që do bëjnë këta është ajo që bëri profesori sot, për turpin e vet, për turpin e atyre që i kanë dhënë gradën profesor dhe për turpin e të gjithë studentëve që kanë marrë mësime prej tij, që si profesor në ekonomi mund t’i ketë dhënë mësimet e duhura, por si profesor në rrugë, sot i dha një mësim shumë të shëmtuar.

Ne nuk jemi parti rrugore, ne jemi parti demokratike parlamentare, quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe në 30 qershor, ne do të marrim përsipër të vazhdojmë më tutje punën për Elbasanin dhe për të gjitha bashkitë. Kjo është pak, por e sigurt dhe askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël për këtë, sepse mbi të gjitha, nuk i kemi rënë në qafë askujt, jemi në të drejtën tonë.

Po kur thonë që na blenë votat, nuk futemi në zgjedhje se na blenë votat dhe merren me Durrësin. Po në 2007-n kur ishte Saliu në qeveri, kur i kishte të gjitha pushtetet, fitoi apo humbi në Durrës? Po në 2011-n, fitoi apo humbi në Durrës? Po në 2013-n fitoi apo humbi në Durrës? Ka ndonjë që mund të thotë Partia Demokratike e Saliut, e Jozefina Topallit dhe e gjithë atyre të tjerëve me radhë, e Sokol Olldashit që e keni pasur ju këtu, ishte më e dobët se partia e Lulit, Mulit dhe nulit? Nuk ka!

Atëherë, ne që paskemi mundur atë parti, me gjithë atë pushtet që kishte kur kërciste kallashnikovi në bulevard, tani u dashka t’i blejmë votat këtyre! Po pse t’i blejmë votat këtyre? Se nuk kemi vota? Ne jemi shumica, sepse ne jemi partia e njerëzve. Jemi partia juaj dhe ne themi çfarë do bëjmë dhe bëjmë çfarë themi. Diku më shpejt, diku më vonë, diku edhe duke u rrezuar, diku edhe duke gabuar, por ama gjithmonë me synimin që të ecim drejt e ta bëjmë këtë vend shtet me punë, me mirëqenie e mos të lejojmë që fëmijët e sotëm ta pësojnë siç e pësuan fëmijët e viteve ’90-të, që ngelën rrugëve me diplomat e Kristalit dhe Vitrinave të Saliut.

Shumë faleminderit të gjithëve!