Postuar më: 6 Maj 2019

Ndryshimet në Kodin Penal – Siguria ushqimore, një sfidë e madhe

Kryeministri Edi Rama në takimin me operatorë në sektorin ushqimor:

 

Shumë faleminderit të gjithë të pranishmëve!

Është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme, me një peshë të jashtëzakonshme mbi opinionin publik në pikëpamje të ndjeshmërisë që kjo ka, por është dhe një temë shumë komplekse, e cila duhet të trajtohet në gjithë kompleksitetin e vet.

Unë dua ta filloj me një fakt. Në Shqipëri ka një numër të madh njerëzish, sipërmarrësish që i janë dedikuar prej vitesh, me pasion, me këmbëngulje dhe me shumë sakrifica këtij sektori, për të prodhuar, për të importuar, për të eksportuar ushqim. Është e dhimbshme që këta njerëz, këto sipërmarrje të futen të gjitha në një thes dhe të jetohet me idenë se në Shqipëri hahet helm.

Kjo është e pavërtetë. Sikundër është e dhimbshme që të ndëshkohen për shkak të këtij perceptimi që ushqehet edhe nga mediat, hera-herës, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, fermerët shqiptarë, sipërmarrësit që i janë kushtuar eksportit, të cilët vitin e kaluar kanë eksportuar rreth 300 mijë ton produkte shqiptare dhe nuk kanë marrë mbrapsht asnjë kamion nga vendet e Bashkimit Europian. Nëse ushqimet tona me origjinë bujqësore do të ishin produkt i hormoneve, do të ishte e pamundur që Shqipëria të kishte këtë trend shumë pozitiv të eksporteve dhe do të ishte absolutisht e pamundur që të kalohej filtri shumë rigoroz dhe këtu, të gjithë ata që eksportojnë e dinë shumë mire se çfarë heqin për të garantuar standardet e eksporteve në Bashkimin Europian.

Një gamë e gjerë produktesh bujqësore, e cila rritet, i shkon eksportit dhe e ka bërë Shqipërinë një vend të dëshiruar, për të cilin interesohen gjithmonë e më shumë lojtarë të fushës së tregtisë së produkteve bujqësore. Sikur Shqipëria të kishte sot një organizim, siç do ta kishte nëse organizimet që kanë nisur vitet e fundit, do të kishin nisur shumë vite më parë, me siguri edhe sasia e eksporteve do të ishte shumë më e madhe, por është fakt i patundshëm që asnjë kamion nuk është reklamuar nga vendet  Bashkimit Europian ku kanë shkuar produktet bujqësore shqiptare. Besoj se është dhe detyra jonë, që të bëjmë çmos që këtë gjë ta dëgjojë gjithë opinioni publik dhe për këtë të krijojë bindjen gjithë opinioni publik, por, mbase, edhe ju duhet të bëni pak më shumë në kushtet kur shpesh herë dëmtoheni padrejtësisht për shkak të zhurmave që krijohen. Pra, ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë të prodhosh për tregun europian.

Nga ana tjetër do të ishte e padrejtë që ne të përpiqeshim të mbulonim problemet, të mbulonim rreziqet reale që kërcënojnë shëndetin e njerëzve, nga produkte të pacertifikuara, apo nga produkte, të cilat janë problematike për shëndetin, gjë që nuk mund të mohohet dhe në këtë përpjekje të përbashkët janë vënë shumë faktorë kundër.

Është shumë e lehtë që të sensibilizohesh dhe të bësh atë pjesën tënde të shpërndarjes në rrjetet sociale, kur shikon se si një grup inspektorësh, apo një polici bashkiake nuk lejon dikë që të shesë në rrugë. Është shumë e lehtë të thuash që po i heqin bukën e gojës, por nga ana tjetër nuk duhet të jetë kaq e vështirë për t’u kuptuar se gjithë sa bëhet, për të larguar ushqimin nga rruga, për të larguar prodhimin e ushqimit nga hapësirat që nuk i përmbushin standardet, për të mos lejuar therjen e mishit jashtë standardeve, bëhet në emër të shëndetit. Aty ku hapësirat janë të standardizuara, aty garancia është e plotë.

Është shumë e thjeshtë të sensibilizohesh dhe të bësh edhe ti pjesën tënde të shpërndarjes në Facebook, kur shikon se si një grup inspektorësh, apo një polici bashkiake nuk lejojnë disa fshatarë të shesin qumësht në rrugë, me shishe plastike, por nuk duhet të jetë shumë e vështirë, për të kuptuar se në emër të mbijetesës, shitet një produkt i rrezikshëm për shëndetin. Shitet një produkt kërcënues për të gjithë ata që e konsumojnë. E nga ana tjetër, zgjidhja asnjëherë nuk ka qenë e nuk mund të jetë që të mbyllim sytë e ta lëmë të kalojë gjënë, në emër të faktit që dikush po shet në rrugë për bukën e gojës, sepse së pari, marrin pjesë në kërcënimin që i bëhet shëndetit të atyre që e konsumojnë atë produkt dhe së dyti, nuk e shtynë atë kategori individësh që të mendojnë ndryshe, që të futen në një sistem tjetër organizimi dhe që patjetër të fitojnë dhe më shumë në fund të ditës. Të dalin nga cikli i mbyllur, nga rrethi vicioz i mbijetesës, “prodho tek shtëpia, fut në shishe plastike, dil tek rruga”, se nuk ka shans që me atë cikël të prodhosh gjë tjetër, përveç varfërisë.

Thënë të gjitha këto, unë besoj shumë që ka dhe një element tjetër po kaq të rëndësishëm, që lidhet indirekt me aspektin e sigurisë, por që duhet shpjeguar dhe nuk është besoj shumë e vështirë për të kuptuar. Nuk rriten dot ashtu siç duhet, në mënyrë të shëndetshme, kompanitë serioze, nuk rritet dot seriozisht biznesi i vogël, i mesëm apo i madh në gjithë këtë sektor, nëse nuk garantohet siguria, pasi pasiguria stimulon konkurrencën e paligjshme, konkurrencën e pandershme, konkurrencën që pengon ata që janë seriozisht të investuar për të rritur gjedhë, ata që janë seriozisht të investuar për të prodhuar dhe për të përpunuar qumësht apo produkte të tjera blegtorale, sepse konkurrohen padrejtësisht dhe pengohen të jenë pjesë e një sistemi rregullash loje të garantuara. Kjo është prishje e rregullave të lojës, që në fund fare nuk i shërben as rritjes së kësaj ekonomie, nuk i shërben absolutisht as rritjes së standardeve të sigurisë.

E nisa nga ekonomia, mund ta nis nga siguria dhe anasjelltas, janë të dyja të lidhura bashkë.

Një mbijetesë njerëzish apo grupesh, një kategori që refuzon të pranojë mbas 30 vjetësh, logjikën e sistemit që kemi zgjedhur, nuk mund të preferohet në emër të keqardhjes, në raport me domosdoshmërinë që të kemi një sistem ku edhe ata që sot janë në ciklin e mbijetesës prej 30 vjetësh të mund të fitojnë më shumë.

E vërteta është dhe besoj që këtu, të paktën, të gjithë ata që e njohin sektorin nuk do to bënin gjë tjetër, përveçse do më mbështesnin, që sot kemi një siguri ushqimore më të lartë sesa kishim 4-5 vite më parë. Sot kemi kompani më të konsoliduara për meritë të tyre, për pasojë të suksesit të tyre në treg dhe në eksporte, sesa kishim 4-5 vite më parë. Sot kemi edhe një institucion që merret me këtë proces, që është më i fokusuar dhe më rezultativ, seç ishte 4-5 vite më parë.

Nga ana tjetër nuk diskutohet që jemi akoma larg së qeni në kushtet kur mund të themi që sot, ne e kemi garantuar plotësisht, së pari, sigurinë e produkteve që u shiten konsumatorëve; së dyti, konkurrencën e drejtë dhe së treti, rritjen e qëndrueshme të kompanive dhe të sipërmarrjeve të vogla qofshin, në kushtet e një tregu që nuk nxjerr para duke kërcënuar sigurinë ushqimore.

Një nga aspektet më problematike është aspekti legjislativ në lidhje me ndëshkimin. “Sa” dhe “si” ndëshkohet dikush që e kërcënon sigurinë ushqimore dhe kërcënon shëndetin e njerëzve, sot, në Republikën e Shqipërisë.

Mjafton t’ju them një fakt, që është shprehje e vullnetit tonë për të luftuar për sigurinë ushqimore, por edhe e një pafuqie të sistemit për t’ju përgjigjur këtij vullneti. 95 referime janë bërë organeve të hetimit dhe të ndjekjes penale, me informacione të detajuara dhe dyshime të provuara për konsumimin e veprave penale në fushën e sigurisë ushqimore, vetëm në periudhën tetor 2017 – dhjetor 2018.

Jo nuk është ndëshkuar askush, se do të ishte treçereku i të keqes, por asnjë referim nuk është kthyer në një proces penal dhe nuk ka shkuar në gjykatë. Përkundrazi, ka shkuar në gjykatë AKU-ja, për të kërkuar nga gjykata që t’i kërkojë prokurorisë që të mos e mbyllë këtë çështje, duke e konsideruar nul. Që do të thotë se në kushtet kur kompani të caktuara kanë një fitim marramendës nga prishja e rregullave të konkurrencës, kanë një fitim marramendës nga shitja e produkteve me demek “të njëjta” me ata që i prodhojnë të sigurta dhe ju bie djersa, bashkë me gjakun në tokë që t’i prodhojnë për të bërë të mundur që edhe të fitojnë, edhe të eci biznesi, nuk kanë sot asnjë shtrëngesë të mjaftueshme për t’u vetëpërmbajtur. Sepse, në fund të ditës, edhe kur kapen, nuk u hyn gjemb në këmbë. Ky është një element.

Elementi tjetër është që nga pikëpamja e institucionit janë mijëra e mijëra inspektime që janë bërë. Një konsum i pafundëm kohe, energjie, letrash dhe stresi për ata që janë në rregull, – besoj që këtu, shumëkush nga ju mund të dëshmojë se mund të ketë pasur, nuk e di sa inspektime me vend dhe pa vend –  dhe rezultati është që ata që kanë hyrë në këtë fushë për të qenë në rregull, janë krejtësisht në rregull, pra, sigurisht ka luajtur një rol. Ata që kanë hyrë në këtë fushë për të bërë lojëra, vazhdojnë të bëjnë lojëra.

Inspektimi mbi bazën e riskut dhe goditja e atyre që kapen në kushtet e flagrancës me këtë element jetik të ekonomisë, që është ushqimi, janë shumë, për të mos thënë zero, shumë pak.

Kjo është një betejë e ndryshme, është më komplekse, më e vështirë, por e ngjashme me betejat e tjera që kemi bërë për të vendosur rend e për të vendosur ligj në sektorë të caktuar, po marr këtu energjinë e me radhë.

E përsëri vij tek e njëjta pikë. Kush merr përsipër të cenojë një rend ligjor, që garanton zhvillimin normal të një sektori, duhet të përballet me konsekuenca e këtu, kush merr përsipër të kërcënojë drejtpërdrejtë shëndetin, duhet të përballet me një konsekuencë shumë të fortë.

Si mundet të jetë në legjislacionin e sotëm, vdekja e provuar, argumenti për të ndëshkuar dikë? Do të thotë, duhet të vdesë dikush, duhet të provohet që ky vdiq nga ky produkt, që ai që e tregton këtë produkt të ndëshkohet.

Është e papranueshme, është absurde dhe i përket një kohe të largët, 20 e më shumë vjet, të legjislacionit tonë penal, i cili krijon kaq shumë mundësi për abuzim, për spekulim dhe për korrupsion, por krijon faktikisht, një shtet të mbyllur për të goditur fenomenin.

Nuk dua të hyj në shumë detaje të kontradiktave dhe boshllëqeve që ka legjislacioni ynë dhe Kodi ynë Penal, por dua të them shkurtimisht; së pari, prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin. Sot referohen dhe janë faktikisht 95 materiale kallëzuese të tilla, që janë referuar në periudhën tetor 2017 – dhjetor 2018 dhe siç e thashë, përfundojnë në kosh. Ne jemi të vendosur që të vendosim në Kodin e ri Penal, ndëshkimin me heqje lirie, me ndalim përgjithmonë të personit për t’u marrë më me atë aktivitet në jetën e vet, për gjithë jetën nuk mundet të merret më me atë aktivitet dhe patjetër edhe me dëmshpërblimet përkatëse.

E njëjta gjë tek neni tjetër, importimi, prodhimi dhe tregtimi i ushqimeve, pijeve dhe barnave jashtë afatit të përdorimit. Këtu shoh edhe persona që merren me tregtinë në pika shitjeje të mallrave. Çdo mall ka një afat përdorimi dhe në momentin kur skadon afati i përdorimit, ato mallra hiqen menjëherë nga vitrina. Për këtë, AKU-ja ka konstatuar produkte jashtë afatit, – të skaduara quhen në shqip, – në sasi të konsiderueshme, makarona, nënprodukte të mishit, me tonelata në një operator biznesi ushqimor dhe Për fat të keq, çfarë ka ndodhur? Asgjë. Për prokurorinë kjo nuk përbën një çështje.

Mashtrimi me produktet është një tjetër nen ku ne do të bëjmë ndryshim të qenësishëm. Për shembull, nënproduktet e qumështit, ju i dini shumë mirë se si manipulohen me përbërës të ndryshëm nga përbërësit natyrorë, apo me shtimin e atyre auditiviteve të palejuara apo të padeklaruara, duke u zëvendësuar me përbërës bimorë, duke u shitur si produkte të drejtpërdrejta të qumështit e kështu me radhë. Edhe ky mashtrim do të trajtohet nga Kodi Penal. Për të gjitha këto nene nuk do kemi më gjobë, se kjo historia nga gjobë deri në… kjo bën gjithmonë një negociatë korruptive midis atij që kapet e atij që duhet ta çojë në gjykatë dhe më e keqja pastaj është që ajo nga gjobë deri në…. gjoba qesharake për dëme kolosale potenciale.

E fundit është thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore. Edhe ky është një element që e kemi ndeshur në praktikë si një element që përbën një nga mekanizmat për t’iu shmangur detyrimeve dhe faktikisht do të hyjë edhe ky në Kodin Penal.

Nuk fola këto konkretisht për sasinë e dënimeve, por do të shkojë deri në 15 vjet burg dhe më e rëndësishmja është se do të shoqërohen me heqjen përfundimtare të lirisë për t’u marrë me atë lloj aktiviteti, edhe pasi të dalësh nga burgu; Me gjobat përkatëse për demet e shkaktuara ndaj konsumatorëve dhe po diskutojmë edhe sekuestrimin e të gjitha aseteve të prodhimit, në mënyrë që kush merr përsipër të prodhojë ushqim, kush merr përsipër të eksportojë ushqim, apo të importojë ushqim, duhet ta dijë që po hyn në një sektor që lidhet drejtpërdrejtë me një detyrim themelor, moscenimin e shëndetit të atij që konsumon.

Duke qenë se u fokusova kryesisht tek problemi, dua ta përsëris, nga eksperienca personale, nga të gjithë rastet pozitive të zhvillimeve shumë pozitive në këtë sektor në vitet e fundit, nga shifrat konkrete të eksporteve që janë në rritje të vazhdueshme, është edhe detyrim në raport me ata që janë të angazhuar seriozisht, me sakrifica, se e dinë shumë mirë se çdo të thotë të investosh në këtë sektor, nuk është si të investosh për të ndërtuar një pallat që sot e nis, nesër e shet dhe pasnesër ikën, por është të investosh në një treg shumë kompetitiv, shumë brishtë, shumë kompleks dhe për këtë, dua t’ju them se ne jemi absolutisht të keqardhur, unë personalisht jam shumë i keqardhur jo vetëm pse çdo goditje mediatike e pamotivuar krijon një alarm shumë të madh dhe drejtpërdrejtë ju godet ju, sipas sektorëve, por edhe sepse është e padrejtë që, ndërkohë që ushqimet tona kërkohen, ato që eksportohen, gjithnjë e më shumë në tregun europian dhe përtej tregut europian, të krijohet këtu ideja se gjithçka që hahet është pleh, është realisht kriminale.

Na duhet të punojmë bashkërisht. Unë do t’ju lutesha shumë të jepni kontributin tuaj edhe mbi këtë paketë. Të vetmen gjë që nuk do pranojmë është propozime për ulje të dënimeve. Çdo propozim për rritje të dënimeve është i mirëseardhur. Që të jemi të qartë në këtë pikë. Edhe unë jam shumë dakord se mbase duhen shtuar, se varet edhe nga neni, se ka edhe 6 muaj, p.sh. Përveç kësaj, ne jemi absolutisht të gatshëm, bashkë me ju të ndërmarrim çdo lloj përpjekjeje publike për të mbështetur një të vërtetë të madhe. Të vërtetën që sot, stadi i prodhimit në bujqësi, në blegtori është një stad i ri, me shumë potencial e me shumë arritje pozitive.

Më vjen thellësisht keq, sepse e ndjek me shumë vëmendje e me shumë pasion këtë fushë, kur shoh që bie pikiatë çmimi i një produkti për shkak të një sulmi në televizor. Ashtu sikundër kur shoh apo shohim dhe e dimë shumë mirë se nga vjen sulmi dhe pse organizohet sulmi dhe kujt i shkon sulmi. Flas për raste të caktuara, por, kur ata që sulmohen preferojnë të shkojnë të negociojnë e të paguajnë pronarët, apo kush i organizon ato sulme e jo t’i denoncojnë, ne nuk kemi çfarë bëjmë. Nga ana tjetër është njëkohësisht për t’u vlerësuar dhe është njëkohësisht për t’u marrë me shumë seriozitet, çdo përpjekje xhenuine e mediave që ngre këtë problem.

Ky problem është kaq kompleks, kaq delikat, sa do t’i bëja thirrje edhe mediave që të na mbështesin në këtë përpjekje, për të sensibilizuar maksimalisht lidhur me këto masa që do marrim. Të na mbështesin në këtë përpjekje për të çuar prapa hekurave çdo spekulant, çdo mashtrues, çdo kriminel, sepse këto janë krime kundër shëndetit të njeriut, se mund të sjellin pasojë vdekjen, por nuk është vetëm vdekja, mund të sjellin pasojë sëmundje që krijojnë rëndesa të mëdha psikologjike në një familje, rëndesa të mëdha morale tek njeriu dhe rëndesa të mëdha financiare për t’u kuruar, por të bëjnë çmos për të ruajtur atë që duhet ruajtur, që është pasuria e gjithë dijes dhe e gjithë përpjekjeve tuaja dhe shumëkujt tjetër që nuk është këtu sot, sepse janë 23 mijë operatorë në Shqipëri që operojnë në fushën e ushqimit. 23 mijë dhe për disa dhjetëra nga këta nuk mundet dot të hidhet poshtë gjithë puna dhe gjithë vlera e të tjerëve, ashtu sikundër edhe qindra qofshin, duhet t’u shkojmë nga pas e duhet t’i çojmë prapa hekurave.

Ky është zotimi im dhe jemi shumë të gatshëm ta fillojmë këtë betejë, sapo të kalojë Kodi Penal, sepse edhe dihet se kush janë përveç të tjerave. Nuk është se janë kaq misteriozë dhe kaq të pakapshëm. Nuk është e vështirë, por, sigurisht, një pjesë prej tyre vetvetiu do të tërhiqen nga ky aktivitet i paligjshëm e do të futen në binarët e ligjit, normalisht. Në fund të fundit, sistemi e ka mundësuar këtë gjë dhe ndryshimi i sistemit do ta pamundësojë dhe jam i bindur që spekulantët do të pakësohen e do ta mendojnë shumë mirë, kur të bëjnë krahasimin midis shumës së fitimit dhe viteve prapa hekura, që do t’u rezervohen në rast se do të shkojnë pas fitimit të paligjshëm.

Shumë faleminderit të gjithëve!