Postuar më: 5 Shkurt 2019

Mbyllja e kazinove, vetëm në një muaj iu kursyem familjeve shqiptare 50 milionë dollarë

Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën e përjavshme për mediat:

Përshëndetje të gjithëve!

Jam këtu për konferencën e përjavshme dhe dua ta përdor këtë mundësi për të folur për një temë me ndjeshmëri të lartë për qytetarët.

Në janar 2018 në bastet sportive dhe kazinotë elektronike janë shpenzuar zyrtarisht 13 milionë dollarë, ose 1.3 miliardë lekë, pra një shifër e jashtëzakonshme.

Në rast se do të shtonim projeksionin e aktivitetit të bixhozit në të zezë, atëherë jemi në rreth 35 milionë dollarë shtesë.

Pra, në janar 2019, për shkak të ndalimit të bixhozit, afro 50 milionë dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve.

Rezultojnë të mbyllura, sipas bazës së të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, 4364 adresa ku zhvillohej veprimtari bixhozi.

Në anën tjetër, në dhjetor-janar rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja, të vogla, ku një pjesë e konsiderueshme janë biznese të krijuara në mjediset e basteve sportive dhe kazinove elektronike.

Ne jemi krenarë që, me vendosmëri ndërhymë në këtë aktivitet të vesit, në këtë gosti që ushqehej kryesisht me të varfrit dhe të pamundurit në lagjet tona.

Krijimi i bizneseve të reja në ish-mjediset e bixhozit është dëshmia më e qartë se si ky ligj po rezulton në favor të shëndoshjes së ekonomisë dhe çlirimit të familjeve shqiptare nga një barrë e rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike.

Ndërkohë, për ndryshimet në paketën fiskale në tërësi, edhe pse nuk mund të kalkulojmë xhiron për muajin janar 2019, pasi nuk është bërë ende deklarimi i biznesit që bëhet në mars, ne parashohim një rritje të ndjeshme.

Ashtu sikundër futja e bizneseve deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit në kategorinë e tatueshme vetëm me 5% do të sjellë më shumë formalizim, më shumë punësim gjatë këtij viti.

Nga kjo politikë përfitojnë, jo pak, por 11.450 subjekte.

Ashtu siç dëshmuam me paketën fiskale, jemi të vendosur të thellojmë politikat që shkojnë në favor të biznesit të vogël, të mesëm dhe të ndershëm që gjenerojnë ekonomi dhe punësim për pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Është një nismë për t’u përshëndetur kjo e qeverisë, por një pyetje për sa i përket personave që kanë qenë të punësuar në kazino dhe lloto, aktualisht çfarë politike po ndiqet për punësimin e tyre?

Të gjitha zyrat tonë të punësimit janë në gatishmëri përmes një projekti të posaçëm për ripunësimin, ritrajnimin dhe rikualifikimin e personave të cilët kanë qenë të punësuar në këtë aktivitet.

Po ju them vetëm një fakt, që, shumica e këtyre punonjësve në fakt kanë qenë skllevër në këtë aktivitet, sepse shumicën e të ardhurave që ata fitonin përmes punës, e linin po në këto qendra të basteve, bixhozit dhe kazinove. Kështu që, për ne kjo është një mundësi për ta shndërruar aktivitetin në një aktivitet më të shëndetshëm për ekonominë.

Në rastin konkret, fakti që shumica e këtyre ambienteve që mbaheshin peng nga lojëra fati, apo baste tashmë janë kthyer në biznese të vogla, që, po ashtu, punësojnë njerëz.

Në fakt, unë e ndiej të nevojshme që të flas edhe për rastin e minorenes në Kavajë. Është një rast tmerrësisht i rëndë, i cili ka nevojë për të gjithë vëmendjen e Prokurorisë për tu hetuar deri në fund dhe fajtorët të vihen përpara ligjit.

Ama ajo që ndodh me përdorimin e këtij rasti në teatrin e ulët politik që kemi parë këto ditë, – nuk u besoja syve kur lexova deklaratën e Partisë Demokratike, – është vetëm një dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar që nuk nguron të përdorë edhe raste të tilla për ushqimin politik të ditës.

Policia e Shtetit, në momentin që ka marrë denoncimin për rastin e minorenes të abuzuar ka filluar menjëherë hetimin. Personat e përfshirë janë duke u hetuar nga Prokuroria dhe jemi të sigurt që Prokuroria do bëjë detyrën e saj, ashtu sikundër Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve e ka marrë vajzën në kujdes psikosocial dhe kujdes shëndetësor. Pra, autoritetet janë duke bërë detyrën e tyre.

Raste të tilla, fatkeqësisht ndodhin edhe në vende të tjera shumë të zhvilluara, ka raste në Amerikë, Suedi, Finlandë e kudo tjetër, bëhen edhe filma për raste të tilla, të tmerrshme që kanë një ndjeshmëri të lartë sociale, ama kurrë, asnjë parti politike në këto vende nuk del për ta përdorur rastin për politikë dhe për të gjetur fajtorin, shkaqet dhe pasojat tek qeveria e një vendi.

Faleminderit!