Postuar më: 8 Maj 2019

KE do tregojë qartë progresin dhe konsolidim e punës me reformat

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pas takimit në Tiranë:

Kryeministri Edi Rama: Më vjen mirë që sot, në vigjilje të Samitit të organizuar për krerët e shteteve, pata mundësinë të kem një takim dypalësh me Përfaqësuesen e Lartë të Komisionit Europian, të cilën dua ta falënderoj për kohën, vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Folëm për tërësinë e reformave të ndërmarra, për pritshmëritë tona në vigjilje të daljes së Raportit të progresit të Komisionit Europian, si dhe për ecurinë e mëtejshme të të gjitha përpjekjeve në funksion të thellimit të reformave dhe të transformimit të të gjithë aspekteve të jetës së vendit, falë reformave.

Nuk është sekret që ne presim vetëm një përgjigje nga Komisioni Europian, pra, përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim. Natyrisht që këtë pritshmëri, ne e kemi të bazuar, jo sepse mendojmë që dikush duhet të na dhurojë diçka, por sepse i kemi kryer të gjitha detyrat dhe Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve mbi të cilat duhet edhe të gjykohet.

Nuk do të marr kohë për të bërë një listë të prioriteteve dhe të rezultateve përkatëse në raport me prioritetet, as për të nënvizuar ecurinë e reformës thelbësore në këtë proces, që është reforma në drejtësi dhe rezultatet e saj të prekshme, por dua ta rinënvizoj edhe njëherë atë që edhe diskutuam, apo më saktë, i shpreha Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, se ne jemi të vetëdijshëm që, në fund të ditës, gjykimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e Komisionit do të varet nga rrethanat specifike në vetë vendet anëtare.

Jemi të vetëdijshëm që vendimmarrjet për ne, në nivelin e vendeve anëtare, varen nga ne, po aq saç varen dhe nga faktorë jashtë nesh, por besojmë shumë që është koha për t’i dhënë fund, një përpjekjeje për një fazë, siç është faza e përgatitjes së negociatave dhe për t’i filluar zyrtarisht këto negociata.

Natyrisht, ne, falë rezultateve të pamohueshme të vitit të shkuar na u dha mundësia që të fillojmë punën për procesin screening, gjë që po bëhet intensivisht me Brukselin. Kështu që nuk kemi humbur kohë në raport me procesin teknik në vetvete, por çelja zyrtare e negociatave, sigurisht është guri që i mungon këtij themeli, për të vazhduar të ndërtojmë rrugën tonë europiane, përmes negociatave.

Diskutuam edhe për Samitin e Berlinit, edhe për sfidat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit rajonal, edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e patjetërsueshme e axhendës së përparimit të përbashkët të rajonit në rrugën e integrimit europian dhe të integrimit rajonal.

Edhe njëherë, shumë faleminderit e dashur Federika!

Dua ta mbyll duke të kaluar fjalën, me shprehjen e vetëdijes së gjithçka kemi bërë mjafton për të çelur negociatat, por është larg së qeni e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona, jo ndaj Bashkimit Europian, por, në radhë të parë, ndaj qytetarëve të vendit, në funksion të të ardhmes dhe të Shqipërisë që duhet të ndërtojmë për fëmijët tanë, që sigurisht do të reflektohet me patjetër edhe si rezultat konkret në fazën e re të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Znj. Mogherini: Faleminderit Edi!

Për mua është kënaqësi që jam kthyer sërish në Tiranë, edhe njëherë dhe të takohemi një javë pas takimit tonë të fundit në Berlin.

Përpara një viti, në fakt fiks përpara një viti kam qenë këtu për vizitën time të fundit dhe unë mbaj mend fare mirë, edhe emocionet që kam pasur në fluturimin që pata direkt nga Strasburgu, për të sjellë lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv që sapo kishte miratuar Komisioni Europian atëherë për Shqipërinë.

Pra, një vit më parë, ndoshta pikërisht në këtë sallë, unë ju përgëzova ju si Kryeministër, por në fakt të gjitha institucionet, si dhe qytetarët e Shqipërisë për arritjet tuaja dhe për faktin që morët një rekomandim pozitiv për të çelur negociatat dhe unë mendoj që ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për të dyja palë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bashkimin Europian. Unë besoj që ky mesazh inkurajmi dhe fakti që ne kemi njohur punën që është bërë, u meritua plotësisht prej jush.

Një vit më pas, ju keni arritur që ta konsolidoni këtë ecuri dhe keni vazhduar të tregoni rezultate konkrete të angazhimit tuaj për reformat. Nuk do të jap këtu një listë të gjithë atyre fushave  në të cilat ju keni patur arritje, por dëshiroj t’ju përgëzoj për punën që keni bërë për tre zhvillime kryesore, të cilat unë do t’i përmend si shembull të gjithë asaj pune dhe ecurie që ka arritur Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Unë besoj në fakt që ju po kaloni tashmë një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi, transformimi në këtë vend dhe siç e thatë edhe ju, jo thjesht për të kënaqur institucionet e BE-së, por për pritshmërinë që kanë qytetarët e këtij vendi, që në fakt tregojnë shumë mbështetje që këto reforma të vazhdojnë.

Së pari, ajo që është arritur tashmë me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë, jo vetëm në këtë rajon. Ju shpesh ua thoni këtë kolegëve tanë në BE dhe unë jam tërësisht dakord me këtë, ju keni arritur që të keni një reformë në sistemin e drejtësisë, e cila do të ishte shembull edhe për disa nga shtetet anëtare të BE-së, në një proces, i cili nuk ka qenë aspak i lehë, por që ka filluar tashmë të tregojë rezultatet.

Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, pra, vettingu ka filluar tashmë të sjellë rezultate të prekshme dhe përkushtimi i anëtarëve të komisionit të vettingut është i qartë. Ne e shikojmë sesa krenarë janë qytetarët shqiptarë dhe kjo për të gjithë arsyet e duhura, pra, sa krenarë janë për këtë reformë dhe rezultatet që kemi publikuar ne si sondazh, një sondazh i madh që e nxori delegacioni i BE-së tregon që pothuajse 85% e qytetarëve të Shqipërisë e mbështesin këtë reformë dhe që shumica e tyre besojnë që kjo do sjellë rezultate pozitive në Shqipëri. E gjitha kjo është kyçe, është kritike për të rritur besimin në këto institucione të reja gjyqësore.

Së dyti, dëshiroj të përmend këtu edhe uljen drastike të kultivimit të kanabisit. Natyrisht që vëzhgimet ajrore të kryera nga Italia me mbështetjen e BE dhe me angazhimin e plotë të autoriteteve shqiptare për çrrënjosjen e këtij fenomeni po sjellin rezultate mbresëlënëse. Po ashtu dëshiroj të përmend që ka pasur një sërë operacionesh të mëdha që janë ndërmarrë gjatë këtij viti, të cilat kanë ndihmuar në shpërbërjen e këtyre grupeve kriminale. Janë veprime të këtij lloji, të cilat nuk janë vetëm përgjegjësia juaj, apo puna juaj, por edhe jona për t’i përmendur të gjitha këto hapa që keni ndërmarrë ju përpara dhe që keni ndërtuar e arritur. Pasi ju keni vazhduar të tregoni angazhim ndaj reformave, keni vazhduar të tregoni rezultate dhe unë besoj se ne na duhet që të vazhdojmë të jemi plotësisht mbështetës ndaj objektivit të Shqipërisë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE dhe unë e di që puna që po bëjmë ne në Komisionin Europian për paketën e ardhshme që do të publikojmë në fund të këtij muaji do ta tregojë qartë edhe këtë ecuri, progres dhe konsolidim të punës që keni bërë ju.

Ju e dini besoj që jo vetëm personalisht unë, por edhe në cilësinë time personale, unë e jap gjithnjë këtë mesazh dhe e bëj këtë gjatë vizitave të mia, por edhe nga ana juaj është përgjegjësi për të treguar dhe dhënë rezultate së pari, për qytetaret e Shqipërisë, por edhe për t’ju përgjigjur institucioneve të BE dhe nga ana jonë, është përgjegjësia jonë që ne të njohim arritjet që janë bërë dhe t’u përgjigjemi atyre me vendime pozitive. Kjo do të reflektohet në paketën e Komisionit Europian që do të miratohet dhe publikohet në fund të këtij muaji dhe siç e thatë edhe ju, pastaj topi do të kalojë tek shtetet anëtare dhe tek Këshilli. Dëshiroj ta them këtë qartësisht, unë besoj që ky është një objektiv i arritshëm, pra, çelja e negociatave në qershor, por nuk është i lehtë, nuk duhet marrë si i mirëqenë sot, pasi siç e përmendët edhe ju, secili prej shteteve tona anëtare duhet të bindet plotësisht, opinioni publik në ato vende duhet të jetë mbështetës dhe secili vend anëtar ka edhe procesin e vet të vendimmarrjes në këtë çështje.

Unë besoj që tashmë, ky është objektivi ynë i përbashkët, që t’i përdorim këto javë në vijim për të punuar për këtë gjë dhe orientimi si në opinionin publik, por dhe në ata që marrin vendimet në shtetet anëtare të njohin rezultatet që janë arritur tashmë, ashtu siç e ka bërë dhe Komisioni Europian. Ndaj inkurajoj të gjithë në Shqipëri, jo vetëm Kryeministrin, i cili duket që nuk ka nevojë për përkrahje dhe jo vetëm qeverinë, por edhe institucionet e tjera, si dhe qytetarët e Shqipërisë që të vazhdoni të jepni kontributin tuaj, duke komunikuar me të gjithë miqtë që ju keni në BE e të gjitha shtetet anëtarë të BE-ë, që të ketë më shumë besim te Shqipëria dhe te e ardhmja jonë e përbashkët.

Besoj që kjo përpjekje kolektive e përbashkët kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për objektivin e integrimit europian të Shqipërisë dhe që për këtë të lihen mënjanë ndasitë, për këtë gjë pra, e cila unë besoj që është pikërisht ajo që qytetarët e Shqipërisë dhe në veçanti të rinjtë e Shqipërisë e kanë si përparësi, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, integrimin e Shqipërisë në BE.

Ju e dini që BE e ka përsëritur ngahera qëndrimin e vet dhe unë dëshiroj që ta theksoj edhe sot. Ne besojmë që partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre në proceset demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve që i kanë votuar dhe qytetarët nuk duhen privuar nga opsionet e ndryshme politike për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është një qëndrim që ne e kemi shprehur ngahera dhe të keni besim që ky është një mesazh i fortë dhe i bashkuar në të gjitha institucionet e BE, duke filluar nga Parlamenti dhe të gjitha grupet e partive politike atje.

Unë besoj që këtë presin qytetarët shqiptarë. Ata duan që të gjitha palët dhe partitë të mbështesin aspiratat e tyre legjitime. Edhe njëherë u referohem rezultateve të sondazhit që treguan që 88% e qytetarëve shqiptarë kanë një ndjesi pozitive ndaj BE-së dhe Shqipëria mbetet një nga vendet në Europë që ka nivelin më të lartë të besimit për BE-në dhe 92% e shqiptareve ndajnë të njëjtin objektiv: anëtarësimin në BE dhe kjo i ngarkon me përgjegjësi të mëdha të gjithë udhëheqësit në vend, pavarësisht nga ngjyrat e tyre politike, por tashmë te ana jonë, ky është një mesazh edhe për partitë politikë, udhëheqësit politikë dhe brenda BE dhe ne duhet ta dëgjojmë këtë mesazh.

Prandaj, për mua, në njëfarë mënyre, kjo është mënyra më e mirë për të festuar Ditën e Europës nesër, një vend europian që ka dhe mbështetjen më të lartë për Bashkimin Europian. Prandaj jam krenare që Ditën e Europës, unë do ta festoj në Tiranë, jo vetëm sot, por edhe nesër dhe ju e dini që tek unë mund të mbështeteni, tek të gjitha cilësitë e mia në institucionet e ndryshme, që unë të bëj të pamundurën për të arritur këtë objektiv të përbashkët. Ky është objektivi juaj, është objektiv ynë, është në interesin e përbashkët të BE-së që ne ta fillojmë këtë proces të çeljes së negociatave për anëtarësim.

Lejomëni të theksoj ashtu si dhe ju, dimensionin rajonal të punës tonë të përbashkët, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi, koordinimi i punës në rajon mbeten një element thelbësor i punës sonë, por edhe i procesit të zgjerimit. Unë mendoj që Marrëveshja e Prespës mund të jetë shembull në fakt për zgjidhjen e paqme të mosmarrëveshjeve, jo vetëm në rajon, por edhe më tej dhe ky nuk është vetëm suksesi i Maqedonisë së Veriut, apo i Greqisë, por besoj që është suksesi i të gjithë rajonit dhe i të gjithë Europës.

Shqipëria e ka shprehur tashmë mbështetjen e plotë ndaj fqinjëve të saj dhe ne do të mbështetemi te Shqipëria që ajo të vazhdojë të luajë këtë rol konstruktiv në rajon.

Ka edhe disa procese të tjera pajtuese në rajon, të cilat duhet të kenë mbështetjen e të gjithëve ne, në interes jo vetëm të palëve në fjalë, por dhe të stabilitetit, por edhe të begatisë dhe prosperitetit të të gjithë rajonit. Ne ndajmë një agjendë ambicioze për bashkëpunimin rajonal, për të cilën, roli pozitiv i Shqipërisë është thelbësor dhe ne presim që kjo të vazhdojë edhe në muajt në vijim.

Ne po ashtu ndajmë edhe objektivin e përbashkët të konsolidimit të bashkëpunimit për sigurinë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Gjatë muajve të fundit, ne kemi pasur rezultate, p.sh., gjatë muajve të fundit, Shqipëria ka treguar që vazhdon të jetë një partner i besueshëm në këtë fushë. Kështu u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me EUROJUST, por edhe me agjencinë tonë të rojës bregdetare, FRONTEX dhe e para me një vend që nuk është anëtar i BE-së.

Shqipëria ka qenë në pararojë të përcaktimit të përparësive për një plan veprimi dypalësh, për të fuqizuar planin që kemi ne për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Më lejoni që edhe njëherë të shprehim vlerësimin tonë për faktin që Shqipëria është në linjëzim, pra, në përputhje me linjën e Bashkimit Europian për politikën tonë të jashtme të përbashkët dhe atë të sigurisë, që tregon se sa shumë ndajmë ne, të njëjtat analiza dhe interesa.

Ndërsa, sa iu përket interesave thelbësore dhe themelore, unë besoj që kjo ka të bëjë dhe me vlerat thelbësore e themelore dhe besoj që ne ndajmë pikëpamje dhe të njëjtin fat, destinacion, sepse Shqipëria është pjesë e Europës dhe jo vetëm gjeografikisht.

Edhe njëherë më lejoni të theksoj se sa krenare jam që Ditën e Europës ta filloj nesër, në Tiranë, me ju!

Dëshiroj që në mbyllje të fjalës time, unë t’ju siguroj edhe njëherë që ju do vazhdoni të keni mbështetjen time të plotë, si gjithnjë, që ne të vazhdojmë të ecim përpara për objektivin tonë të përbashkët: anëtarësimin në BE për Shqipërinë.

Faleminderit!

 – Do të ishte zhgënjyese për vendet e Ballkanit nëse nuk hapen negociatat dhe nëse në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje siç pretendon opozita? Mendoni se kjo do të ishte zhgënjyese për vendet e BE?

Znj. Mogherini: Mendoj se kam qenë shumë e qartë, në të gjithë këto vite. E qartë sepse nuk është vetëm në interes të Shqipërisë, por është edhe në interes të Bashkimit Europian që të çelen negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE.

Kjo mbështetet tek vlerësimi i qartë i fakteve. E në fakt, vitin që shkoi patëm rekomandim pozitiv të Komisionit, – e që njihej kjo gjë, – që u rekomandonte shteteve anëtare që të çelen negociatat. Vitin që shkoi, shtetet anëtare vendosën që këtë vendim ta merrnin pas një viti, pas vlerësimit të mëtejshëm dhe pas punës së mëtejshme nga Shqipëria. E sot mendoj që Shqipëria e ka përdorur këtë vit për të konsoliduar përgjigjet dhe rezultatet e veta dhe për të konsoliduar punën në këtë fushë. Si gjithmonë mund të bëhet më tepër por është e qartë siç e tha zoti kryeministër, ju e keni bërë pjesën tuaj. Tani i takon së pari Komisionit dhe më pas shteteve anëtare që bëjnë pjesën e tyre. Për mua personalisht, do të ishte një zhgënjim shumë i madh nëse ky vendim nuk do të merrej tani, pra pas pak muajsh, por zakoni im i përgjithshëm është që të mos shqetësohem, le  të themi zhgënjehem se si do të jetë për sa i takon rezultateve negative, por që të mbështetem dhe t’i mbështes të gjithë përpjekjet e mia për të arritur rezultate pozitive. E thashë që nuk është punë e thjeshtë, nuk duhet të merret si e mirëqenë, megjithatë nuk mendoj që është e pamundur që të arrihet ky rezultat.

Kryeministri Edi Rama: Dua të them së pari, se do të ndihesha në pozitë të vështirë, në rast se do të kishim ne, Shqipëria dhe qeveria e Shqipërisë, si përgjegjëse për ta përfaqësuar vendin dhe drejtuar atë, përgjegjësi, në raport me detyrat e shkruar e zeza mbi të bardhë në proces, për ndonjë mosplotësim apo për ndonjë boshllëk, që në rast se do të konstatohej, patjetër që do të na bënte përgjegjës.

Po, e kam thënë dhe e përsëris, ne kemi detyrë të bëjmë tonën deri në fund dhe se sa e bëjmë apo nuk e bëjmë, këtë e vlerëson Komisioni Europian, i cili është struktura e përzgjedhur dhe e financuar nga të gjithë vendet anëtare që të bëjë këtë punë. Në rast se ne vjet, morëm rekomandimin pozitiv pa kushte nga Komisioni Europian, do të thotë që ne i kishim kryer detyrat. Në rast se Këshilli Europian, në nivelin politik vendosi që vendimin ta marrë në qershorin e ardhshëm, pra në këtë qershor që është në prag, do të thotë se bëhet fjalë për një vendimmarrje jashtë nesh. Vendet anëtare kanë legjitimitetin e tyre të marrin vendimet e tyre dhe vlerësimi i rrethanave të brendshme në vendet anëtare i takon qeverive të tyre, i takon lidershipit të tyre. Por, për sa na takon ne, ne e kemi merituar që vjet çeljen në qershorin e kaluar të negociatave dhe presim me padurim daljen e raportit tw Komisionit për të marrë atë që ne mendojmë se meritojmë; rekomandimin pa kushte që konfirmon se detyrat e lëna janë bërë dhe që i kërkon Këshillit që meqë e ka shkruar vetë, këtë qershor, në këtë qershor të marrë vendim.

Për sa i përket zgjedhjeve, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe të jeni të sigurt të gjithë që në 30 qershor do të zgjidhen të 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat e rinj bashkiak. Kjo është pak, por e sigurte. Ne kemi detyrë që të bëjmë gjithçka na takon në këtë proces. Institucionet e tjera kanë detyrë të bëjnë gjithçka u takon në këtë proces dhe se kush merr pjesë e se kush nuk merr pjesë në zgjedhje, kjo është zgjedhje e lirë e gjithsecilit. Por ajo që ka rëndësi të nënvizohet pas kësaj pyetjeje, është që qytetarët do të votojnë në 30 qershor për zgjedhjet vendore.

– Zonja Mogherini, ju keni ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e thirrur nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu dhe për disa festime për ditën e Europës. Siç e ka thënë dhe ambasadori i BE-ë, ju nuk keni asnjë plan në axhendën tuaj të negocioni zgjidhjen e situatës politike në vend. E keni bërë në 2017 kur situata nuk ishte dhe kaq e rëndë. Opozita parlamentare thjesht kishte bojkotuar parlamentin, por nuk kishte djegur mandatet. Pse nuk ka nga BE një inciativë të tillë, siç ndodhi në 2017? Jeni shumë besimplotë që palët politike në Shqipëri mund ta gjejnë vetë zgjidhjen siç ndodhi në 2017 apo jeni të zhgënjyer nga palët politike në vend që prodhojnë kriza të tilla?

Pas Samitit të Berlinit duket sikur ka pasur një regres në procesion e dialogut Kosovë – Serbi. Presidenti i Serbisë Vuçiç ka deklaruar një ditë më parë që nuk do e njohë Kosovën edhe sikur ta varnin, ndërkohë që kryeministri i Kosovës ju akuzon ju, kryeministrin Rama, presidentin e Kosovës dhe presidentin Vucic se jeni pjesë e një plani për ndarjen e Kosovës.

Znj. Mogherini: Zakonisht unë kam një rregull, që në rast se gazetari bën dy pyetje, unë zgjedh se cilës pyetje do t’i përgjigjem, por sot do ti përgjigjem të dyjave. Për pyetjen e parë, unë asnjëherë nuk promovoj ose nuk hyj në negociata apo në ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar, qoftë brenda BE-së apo jashtë tij. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE-së është që të ketë marrëdhënie me institucionet, me të gjithë qeverinë, presidentin, parlamentin, shoqërinë dhe ky është roli, të cilit unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Kështu që nuk kam bërë negociata apo ndërmjetësime në 2017 në dinamikën e brendshëm të politikës shqiptare dhe nuk e kam bërë këtë kurrë as në vendet e tjera. Kjo nuk është qasja jonë për marrëdhëniet institucionale dhe politike me vendet tona partnere. Kështu që besoj që kjo i jep përgjigje pyetjes tuaj të parë. Në lidhje me pyetjen tuaj të dytë për dialogun. Dialogu ka sjellë rezultate që kanë qenë të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin, ashtu dhe për Prishtinën, por dhe për rajonin në fakt dhe muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive. Objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe mbetet i tillë, objektivi i të arriturit me një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit, vendimi i qeverisë së Kosovës për të përcaktuar 100% tarifa për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve, të cilat ka nënshkruar Kosova. E nga ana jonë, e Bashkimit Europian, por dhe e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe në fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetet anëtare, ne kemi kërkuar që të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që dialogu të rifillonte. Unë jam e bindur që nëse do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes, unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë si zakonisht, e dhimbshme si zakonisht, por ndoshta produktive, frytdhënëse.

Në mungesë të këtij mjedisi, unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë kështu që përgjegjësinë tashmë e kanë në dorë ose është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që, siç e thashë më parë, një mjedis ushqyes që sjell pikërisht këtë gjë, do të thoshte edhe pezullimin e këtyre fushatave për njohjen e Kosovës. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne po heqim dorë nga lehtësimi i këtij dialogu dhe me sa di unë, ne nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë që të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne dhe jo vetëm që ne respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë dhe unë marr seriozisht rolin tim personal të të mos përcaktuarit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme, por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies dhe ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Unë shpresoj që do dominojë zgjuarsia, mençuria pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia, por as pjesa tjetër e rajonit, pasi pajtimi dhe normalizimi është ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE dhe na e ka treguar historia jonë, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin dhe unë e di se sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Ndaj mendoj që askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithëve ne për rifillimin e këtij dialogu, në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.

Kryeministri Edi Rama: Në 2017 negocimi dhe zgjidhja ka qenë tërësisht e palëve në Shqipëri. Sigurisht, miqtë dhe partnerët tanë kanë qenë të shqetësuar dhe të interesuar të ndihmojnë komunikimin, të mundësojnë lidhjen e komunikimit, por vendimmarrja ka qenë e jona. Këtë herë, unë mund të them dy gjëra. Së pari, nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Natyrisht, jo sepse çka ka ndodhur nuk është shqetësuese, por sepse çfarë ka ndodhur i tejkalon të gjithë kufijtë e të durueshmes, nga pikëpamja e kornizës demokratike, të bashkëjetesës dhe për sa më takon, ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, t’i qëndrojmë rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji sepse me sa duket, zgjidhjet për të kaluar një krizë të krijuar për t’u zgjidhur dhe për të përfituar diçka nga zgjidhja, nuk na kanë ndihmuar të rritemi më shpejt dhe të bëhemi më të fortë nga pikëpamja e konstitucionit tonë demokratik si shoqëri dhe si politikë. Kështu që zgjidhjet e asaj natyre i kemi provuar.  2017 ishte maksimumi që mund të bëjë  një maxhorancë për opozitën, për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar dhe afatgjatë. Nuk funksionuan.

Tani, sistemi, kush qëndron në sistem, qëndron, kush nuk qëndron në sistem, ka zgjedhjen e vet të lirë. Ama nuk ka shans të pengojë të tjerët që të qëndrojnë në sistem.

Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës, më kujton atë shprehjen që sa pa dalë Facebook-u, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte, nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme, është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në të gjitha nivelet, duke përfituar pikërisht nga Facebook-u dhe nga mundësia për torolisur gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe me budallallëqe të rrezikshme. Unë nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë, por dua të them kaq në fund. Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshijnë parlamente, që përfshijnë parti politike, që përfshijnë shoqëri, që përfshijnë votime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund, por unë besoj që jo. Unë besoj që çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me dy fije mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme, që pikërisht të mund të shitet e të blihet në territorin e marrëzisë online.

Për më shumë, unë do të angazhohem dhe do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia, por me kaq sa thashë, besoj që mjafton për sot dhe edhe një herë dua ta falënderoj Federiken, dua të falënderoj të gjithë ata në Komisioni që po punojnë për raportet e progresit dhe kam shumë besim që ne do të marrim rekomandimin pozitiv pa kushte. Pjesa tjetër, mbetet beteja e përditshme dhe e vazhdueshëm për të bindur sa më shumë të mundemi, ata që pastaj do të marrin vendimin politik, bazuar jo më në çfarë ka arritur Shqipëria, por në çfarë nuk kanë arritur ata në zgjedhjet parlamentare europian apo në çfarë duan të arrijnë ata në zgjedhjet e ardhshme në vendet e tyre.

Faleminderit!