Postuar më: 28 Shkurt 2019

Indeksimi i çmimeve të barnave, rritet numri i përfituesve nga skema e rimbursimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaratë për shtyp:

Jam këtu sot për të komunikuar me qytetarët vendimin më të fundit të Qeverisë, që reflekton indeksimin e çmimeve për barnat e listës së rimbursueshme, vendim i cili do të ketë një efekt kursimi të fondeve buxhetore prej 7.5 milion dollarë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave: “Për një ndryshim në Vendimin Nr. 218 datë 20.04.2018 për paketën e barnave të rimbursueshme është një hap i mëtejshëm që ne hedhim në kuadër të objektivit madhor të programit tonë qeverisës për mbulim shëndetësor universal.

7,5 milionë dollarë të kursyera nga fondet publike nëpërmjet këtij vendimi do të përdoren për rritjen e numrit të përfituesve nga skema e rimbursimit dhe zgjerimin e alternativave të mjekimit për të sëmurët kronikë.

Paralelisht, garantojmë cilësinë dhe sigurinë e barnave për këtë paketë të financuar çdo vit nga buxheti i shtetit në vlerën 100 milion dollarë.

Vendimi i miratuar dje nga qeveria shqiptare hyn në fuqi në 1 Mars 2019.

Për të siguruar ofrimin në kohë dhe me cilësi të shërbimit ndaj qytetarëve, janë njoftuar për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për reflektimin e çmimeve të reja të barnave, të gjitha subjektet farmaceutike që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Nga vendimi që ne miratuam dje do të përfitojnë më shumë qytetarë të siguruar, apo të pasiguruar, fëmijë, apo të moshuar, persona me aftësi të kufizuar, apo në ndihmë ekonomike për t’u trajtuar falas nga skema e rimbursimit të barnave.

Sot, në sajë të politikave të qeverisë për mbulimin shëndetësor universal përfitojnë barna tw rimbursueshme pa pagesë 498 mijë qytetarë.

24 milionë dollarë në vit iu kursyem qytetarëve të pasiguruar që deri dje paguanin nga xhepi për t’u trajtuar me barna për sëmundjet kronike.

Jemi të vendosur për të garantuar më shumë mbulim me medikamente dhe terapi mjekimi efikase nga skema e rimbursimit të barnave.

Ndaj, ashtu siç realizuam për herë të parë mbulimin 100% për trajtimin falas me barin herceptinë për gratë me tumor të gjirit nëpërmjet marrëveshjeve të posaçme, do të vijojmë edhe këtë vit në listën e re të barnave për vitin 2019 realizimin e marrëveshjeve të reja të posaçme për të siguruar një mbulim më të gjerë për sëmundjet kronike dhe tumorale.

Transparenca, llogaridhënia dhe siguria e qytetarëve janë parimet bazë të punës tonë, ndaj në çdo kohë ne do të informojmë qytetarët për çdo hap që do të ndërmarrim dhe që ndikon drejtpërdrejtë në shërbimet shëndetësore që ata përfitojnë.