Postuar më: 26 Prill 2019

Agroturizmi, një eksperiencë e suksesshme

Fjala e Kryeministrit në bashkëbisedim me banorë të Kosanës, pas vizitës në një prej distilerive të esencave të bimëve medicinale, që ka ndihmuar edhe në punësimin e komunitetit të zonës: 

 

Respekte të gjithëve për mikpritjen!

Në fakt, sinqerisht më ka ardhur keq rrugës, kur kam parë në dy pika, dy grupe të vogla njerëzish, që ishin nxjerrë aty për të krijuar pikërisht ato trazime në anë të rrugës. Më vjen sinqerisht keq për të gjithë ata që kanë të gjithë të drejtën të mos jenë dakord me ne, me qeverinë, kanë të gjithë të drejtën të kenë 1001 kritika, apo të jenë edhe të mërzitur me ne, kanë të gjithë të drejtën që as të mos e kenë votuar, as mos e votojnë kurrë Partinë Socialiste, por, sidoqoftë, pak nga pak duhet ta kuptojnë që janë në një situatë ku fajin ua kanë udhëheqësit e tyre krejtësisht të verbër, ata që e futën në qorrsokak PD-në dhe tani orvaten të dëshpëruar të fusin në qorrsokak edhe Shqipërinë.

Por, nëse futjen në qorrsokak të PD-së e bënë me sukses, Shqipërinë në qorrsokak nuk e fusin dot kurrë. S’kanë asnjë shans të kenë sukses në këtë orvatje të dëshpëruar, që vjen si rezultat i faktit se e dinë që nuk fitojnë dot me Partinë Socialiste përballë. E dinë fare mirë që këtu në Malësi të Madhe, por dhe në shumicën dërrmuese të bashkive të Shqipërisë nuk kishin asnjë shans që të fitonin. Dhe e dinë nga ana tjetër që ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund Reformën në Drejtësi dhe ne jemi të vendosur deri në fund të luftojmë për Shqipërinë dhe ta bëjmë të mundur dhe hapjen e negociatave.

Në qorrazi, ata orvaten dhe besojnë se do t’i pengojnë këto dy objektiva kaq të rëndësishëm për të ardhmen, kaq të rëndësishëm për fëmijët tanë, në radhë të parë, por të jeni të sigurt që as njërin objektiv dhe as tjetrin nuk kanë për ta penguar dot.

Më vjen shumë mirë që jam këtu në Malësi të Madhe. Paulini [Sterkaj] më bëri vërejtje që kam bërë mungesa. Mbase ka të drejtë, por besoj që, sikur të mblidhni të gjithë vizitat e të gjithë kryeministrave bashkë, kanë bërë më pak vizita në Malësi të Madhe, seç kam bërë unë si Kryeministër, deri tani.

Nuk është se kam nevojë t’i bëj komplimente Paulinit në publik. Është e vërtetë, kemi një histori të gjatë, kemi qenë sportistë, me ndryshimin që ky ka qenë kampion, unë s’kam qenë kampion. Pastaj ky ishte në një sport individual, e kishte “o më rrafe, o të rrafa”, zakonisht i rrihte dhe dilte kampion. Unë kam qenë në një sport kolektiv dhe në fakt, me atë skuadër nuk dolëm asnjëherë kampion. Kishim një skuadër tjetër që ishte më e mirë, por asnjëherë nuk dolëm nga fusha të thonim, nxirrni dhe këta të tjerët nga fusha, sillni disa të tjerë, vishuni fanellat edhe këtyre dhe pastaj ne të dalim kampion. Nuk e bëmë këtë gjë.

E vërteta është që me Bashkinë e Malësisë së Madhe dhe me të gjithë këtë komunitet, pavarësisht sa herë unë vij këtu, kontakti është shumë intensiv për shkak të Paulinit. Kur dëgjoj ata që thonë, “s’ka debate në Partinë Socialiste”, sikur vetëm debatet e mia me Paulinin të jepeshin në televizion, do kishte më shumë debate, seç ka pasur debate në Partinë Demokratike që kur është themeluar Partia Demokratike. Sigurisht janë debate për punën, janë debate për Malësinë e Madhe, janë debate për të marrë investimet, për të bërë sheshin e Koplikut, për të bërë qendrën e Bajzës, për t’i çuar investimet deri lart në Vermosh, për të ndryshuar Tamarën, për të financuar kanalizimet, rrugën e Shkrelit e me radhë, për komunitetin. E në këtë debat Paulini është gjithmonë në avantazh, se është gjithmonë ai që kërkon dhe kush kërkon, është gjithmonë në avantazh se për të kërkuar mund të kërkosh sa të duash, kur vjen puna për të dhënë, nuk jep dot sa të duash, se do japësh aq sa mundesh.

Besoj se kemi bërë të mundur dhe unë këtu jam i gatshëm të bëj debat me këdo, atë që kemi premtuar sëbashku me Paulinin, sëbashku me Toninin, kur kemi ardhur për të kërkuar votën për Toninin, që do bëjmë në Malësinë e Madhe, në 4 vjet, çfarë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku për këtë komunitet. Po të marrim të bëjmë llogarinë, llogaria na jep të drejtë dhe po t’i drejtohemi njësisë matëse më të sigurt këtu në Malësinë e Madhe, që janë sytë e malësorëve, çdo malësor, edhe ata që na votojnë kundër, por që kanë sy për të parë dhe nuk shohin me sytë e partisë atje në Tiranë, do ta pranojnë që ndryshimi që ka ndodhur në të gjithë këtë territor në këto 4 vite nuk kishte ndodhur në 20 e ca vite përpara, të marra sëbashku.

Ana tjetër është ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë dhe do bëjmë edhe më shumë për njerëzit punëtorë të kësaj zone dhe për ata që kursimet apo fitimet e tyre i investojnë në këtë zonë. Kur kemi ardhur në qeveri mbaj mend shumë mirë një debat me Paulinin, si të nxisim dhe të çlirojmë sa më shumë energji në drejtim të bimëve medicinale. Në këtë aspekt kemi pasur dhe këtu shoh një nga ata që nuk na kanë votuar në fakt, por që tani tund kokën dhe thotë, “ke të drejtë”, – se këta që votojnë me PD-në kanë një gjë, këta thonë për punë kemi këta socialistët, për rrëmujë kemi veten tonë, kështu që ne votojmë që të bëhet rrëmuja, pastaj po nuk u bë rrëmuja, socialistët na i bëjnë ne punët. E kanë kollaj këta, – ka votuar PD-në gjithë jetën dhe sa ka punuar me ne, s’ka punuar me PD-në gjithë jetën. Se PD-ja s’është për punë, apo jo?

S’ka nevojë të bëhet socialist. Vazhdo voto për PD-në, ne do të mbështesim. Rëndësi ka të punësosh njerëz. Rëndësi ka të shtosh eksportet. Rëndësi ka të fitosh, të jesh i lumtur. Ne jemi në rregull. Edhe ti ke një të mirë, që vjen këtu, shikon punën, nuk shkon të bllokosh rrugën. Kjo është zgjuarsi prej malësori.

Më vjen shumë mirë që takova sot, për herë të parë, djalin që ka bërë këtë investim fantastik. Tani kemi në dispozicion në fond shumë të madh për të mbështetur iniciativat në bujqësi. Është fondi i Bashkimit Europian dhe nga ku ne mund të bëjmë shumë më tepër për sektorin dhe për njerëzit që investojnë në bujqësi, por jo vetëm në bujqësi, por dhe në agroturizëm. Unë besoj shumë dhe me Paulinin e kemi diskutuar këtë gjë dhe me Ditmirin e diskutojmë vazhdimisht, edhe me qeverinë, edhe me ministrin e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, që potenciali i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar që ka fshati ynë është agroturizmi, është mekanizmi për ta thyer në mes varfërinë, pa lëvizur nga shtëpia, duke e kthyer shtëpinë në një instrument fitimi. Malësia e Madhe, zonat që shkojnë deri lart në Vermosh janë një bukuri e jashtëzakonshme dhe ju e dini vetë sesa shumë turistë ka që kanë interes për këto zona, edhe në kushtet kur realisht nuk është se ka shumë infrastrukturë pritëse.

Atëherë çfarë bën agroturizmi?

Në një zonë të caktuar këtu nuk ke shans që me prodhime bujqësore e blegtorale të arrish të fitosh maksimalisht sa meriton dhe sa do mund të fitoje, për shkak se je larg tregut, je larg rrugës, je larg një sistemi që do ta bënte këtë të mundur. Ama ke një mundësi të artë, sepse je në mes të një mrekullie natyrore, je në vazhdë të një tradite mikpritjeje që është e jashtëzakonshme. Tradita shqiptare në të gjithë territorin, që e thonë të gjithë të huajt që vijnë, por që edhe ne e dimë, na e kanë thënë të parët tanë. E kemi bërë krahasimin si na presin ne kur shkojmë jashtë dhe si i presim ne ata, kur vijnë. E në vend se të prodhosh 10 kg patate e 10 kg domate, t’i fusësh në çantë e të dalësh te rruga t’i shesësh, t’i e transformon shtëpinë tënde, shtëpinë e të parëve të tu në një infrastrukturë pritëse, në një bujtinë, në një agroturizëm, me një fermë të vogël. Ajo ferma e vogël i shërben atij agroturizmi dhe pastaj lidhesh edhe me të tjerët rreth e rrotull, që t’i bien ty prodhimet dhe fiton.

Këtu ka një diasporë, shumica janë në Amerikë, të cilët janë shumë të lidhur me Malësinë e Madhe e të cilët çojnë para e duan të bëjnë investime. Nuk ka zonë më efikase dhe më të sigurt për të investuar kursimet sesa në agroturizëm dhe është e sigurt që me atë agroturizëm fiton më shumë në një vit, sesa fiton në një vit me punën në emigracion. Nuk ka nevojë të kthehesh, nëse s’do të kthehesh. Mjafton të investosh këtu, bashkë me familjen, ose me miqtë që ke këtu dhe kjo bën sukses.

Ne do bëjmë shumë përpjekje që ta nxisim. Në këtë aspekt, edhe qeveria, por dhe fondi që kemi marrë nga Bashkimi Europian janë një mundësi më shumë, sepse me një aplikim të mirë, me një projekt të mirë mund të marrësh para, jo borxh, por para në dorë që janë dhuratë, nuk ka nevojë t’i kthesh, pa interesa, pa asnjë gjë, pra, është kontribut për investimin tënd. Ti investon një pjesë, shteti të jep një pjesë tjetër dhe vazhdon përpara.

Kanë filluar të ndërtohen agroturizme në Shqipëri dhe të gjitha janë eksperienca qartësisht të suksesshme. Unë ju nxis të gjithëve, nxis të gjithë ata që na dëgjojnë nga kjo zonë, që ta mendojnë këtë gjë dhe në tokën e tyre, në trojet e të parëve të tyre të rikonstruktojnë shtëpi të vjetra, të ngrenë të reja me stilin e vjetër dhe të bëjnë bujtina, apo edhe infrastruktura pak më të mëdha. Një bujtinë me fare pak dhoma, merr një financim nga shteti, një agroturizëm me 12 dhoma, me 16 dhoma merr një financim nga shteti dhe pastaj fillon dhe ecën vetë. Ne kemi qenë lart në Vermosh dhe kemi parë aty se si njerëzit e bëjnë këtë gjë, por do pak më shumë bashkëpunim, do pak më shumë investime, në mënyrë që të bëhet realisht një infrastrukturë që jo vetëm ata që vijnë nga jashtë, por dhe nga ata që vijnë nga Tirana të ndihen realisht mirë e t’i kenë të gjitha kushtet për t’u kthyer përsëri.

Ne do vazhdojmë të investojmë edhe në infrastrukturë, sepse nuk ka mbaruar historia me qendrat e njësive administrative, apo me rrugët kryesore që, tanimë, pak a shumë janë sistemuar. Ka nevojë për shumë më tepër. Plus, në këtë zonë ka edhe disa pika që janë pjesë e programit 100 Fshatrat. Edhe aty do të bëjmë kujdes që të jemi të vëmendshëm dhe të japim investime. Unë besoj shumë që, jo thjesht pse Tonini e meriton mbështetjen tuaj të mëtejshme, as thjesht pse besoj që ne i kemi mbajtur angazhimet që kemi marrë për Bashkinë e Malësisë së Madhe, por mbi të gjitha për atë që do bëjmë më shumë, sesa për atë që kemi bërë, në 30 qershor, të gjithë do të mbështesin Toninin, do të mbështesin Partisë Socialiste.

Ata kanë vendosur të mos hyjnë në zgjedhje. Është zgjedhja e tyre. Në demokraci ka rëndësi që të gjithëve t’u krijohen kushtet për të hyrë në zgjedhje, por nuk merren me detyrim njerëzit apo partitë të futen në zgjedhje me zor.

Natyrisht që ne do donim që t’i kishim në garë, se është më e bukur fitorja kur e mund tjetrin me gola, jo kur e merr 3 – 0 në tavolinë, ngaqë tjetri s’paraqitet në fushë, por kjo nuk është zgjedhja jonë. Ne i bëmë përpjekjet tona të gjitha, aq sa ne kemi mundësi, sepse ka një gjë që ata e kërkojnë, ne nuk ia plotësojmë dot. Luli do të bëhet kryeministër dhe thotë “ik ti, se do vij unë”. Normale, por duhet të marrë votat për këtë punë, sepse unë kam marrë votat nga ju dhe i kam marrë votat për të bërë punën, nuk i kam marrë votat që të punësoj Lulin. Kjo është e pamundur, nuk e bëjmë dot. Me shumë keqardhje për të gjithë ata që ia dhanë votat për të shkuar në Parlament dhe ai iku nga Parlamenti. E la dhe atë punë që kishte dhe tha unë jam popull dhe futet në mes të turmës dhe kërkon njerëz që të shkojnë t’i bien murit me kokë, që të thyejnë murin e të hapet rruga për këtë. Kjo nuk shkon. Kjo është e pakuptimtë. Kjo është qesharake dhe për të ardhur keq.

Nga ana tjetër shoh që shumëkush prej atyre që i shkojnë mbrapa edhe Lulit dhe Monikës, por ata që shkojnë mbrapa Monikës besojnë filxhan dhe atyre që besojnë filxhan është vështirë t’ua ndërrosh mendjen kollaj. Edhe këtu me siguri ka ndonjë që shikon filxhan në shtëpi, shkojnë shohin filxhan dhe është hall i madh. Po këta të tjerët që nuk besojnë në filxhan, këta mendojnë që vërtetë do shtyhen zgjedhjet, vërtetë do ndodhë përsëri ndonjë gjë që në fund fare që Luli do marrë gjysmën e qeverisë përsëri. Vërtetë do ndodhi ajo që do prishen zgjedhjet këtu e të tjera. Ju them që asgjë nga këto nuk ka për të ndodhur. Asnjë gjë. Në fakt, gjëja që duhet të ndodhi e unë jam i bindur që do ndodhi, është që pas zgjedhjeve duhet sinqerisht të rregullohet dhe të rilindi Partia Demokratike, por kjo është puna e tyre.

Puna jonë është që të bëjmë zgjedhje dhe duhet t’jua kujtojmë këtyre njerëzve të zakonshëm,  – që kanë të gjithë të drejtën e tyre që të mos na duan ne, të duan skuadrën e tyre, – që ka një ligj të shkruar dhe të votuar nga Partia Demokratike, nga Partia Socialiste dhe nga të tjerët, që të çon në burg në rast se shkon dhe prek qendrën e votimit, në rast se prek procesin zgjedhor, të çon në burg. Unë nuk e di ku do gjendjen budallenjtë që do shkojnë të bëjnë burg për Lulin, mund edhe të gjenden disa, por të dalësh nga shtëpia, duke pasur hallet e tua, duke pasur problemet e tua, duke pasur edhe fëmijët e tu për të ushqyer e të shkosh të bësh burg se Luli apo Monika, apo të dy bashkë duan patjetër pushtet, ky është një budallëk që unë besoj që pak nga pak të gjithë do e kuptojnë që nuk mund ta bëjnë, nuk duhet ta bëjnë.

– Unë jam Xhavid Hysenaj nga kompania ALBKALUSTYAN . Kur u takuam për herë të parë tek Pallati i Brigadave, na kishe ftuar për një darkë, realisht aty ishim të gjithë punëtorë. Aty për herë të parë pashë që nuk ishte punë partish se ishim të gjithë punëtorë. Ne ju besuam dhe ju e mbajtët premtimin dhe 28 milionë ka qenë vlera e eksporteve shqiptare në 2014. Me ato që bëtë ju zoti kryeministër, – ka filluar në pallatin e brigadave, në darkën ku keni ftuar gjithë agrobiznesin, -mbështetët me subvencione, mbështetët me AZHBR, mbështetët me 20%, mbështetët fermerët dhe e vetmja që mund të themi 28 milionë dollarë eksporte, u arritën 45 milionë dollarë në 2018. Kjo është e vërteta, por ne iu vumë punës, nuk iu vumë rrugëve. Kërkuam herë pas here duke të shqetësuar me sms, me letra, por gjetëm një mbështetje dhe ja arritëm.

E dyta, në Malësinë e Madhe si Landi dhe shumë të tjerë, kanë gjetur një mbështetje tjetër, nuk ka pyetur se nga vjen investitori. I ka thënë bujrum, ja ku janë fushat, ja krahët e punës, na shtoni pagat dhe unë me Landin, kompanitë që janë këtu që kanë bërë një punë të jashtëzakonshëm, duke na hequr ju ato ferra, – keni dhe ca të tjera për të hequr se nuk hiqen të gjitha. Nuk kërkojmë mbështetjen tuaj siç keni bërë nga 2014 në 2018 se nuk do mbahemi me lekët e juaja, do mbahemi vetë, por mjafton që ato që biseduam me zotin Klosi të hiqen ato ferra, mjafton që industria e bimëve aromatike mjekësore të futet në skemat njësoj si agrobiznesi tjetër dhe masterplani që ka bërë shoqata e bimëve aromatike mjekësore me Universitetin Bujqësor çon kapacitetet për 10 vitet e ardhshme, 200 milionë eksporte dhe 43 mijë të punësuar në 12 muaj. Se ka abuzime, 80 mijë, 100 mijë. Nëse llogarisim një ditë pune part time na dalin 2-3 milionë të punësuar, por industria e bimëve sot punëson 12 500 dhe mund të shkojmë me masterplanin që kemi bërë, në 43 000 të punësuar dhe 200 milionë eksporte, nëse hiqen këto ferra. Nuk kërkojmë asnjë fond shtesë nga shteti. Unë them që edhe Tonin vërtetë e mbështes fuqimisht, por dhe e falenderoj për mbështetjen që ka bërë. Kjo është e vërteta dhe ne jemi partia e punëtorëve që punojmë, mjafton të na hiqen ferrat, i jepemi punës, punësojmë njerëz dhe do arrijmë masterplanin.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, aritmetikën e kishe të saktë, jo si kryetari i partisë. Ai tani ka probleme edhe me gjeografinë, se i tha Paulinit deputeti i Dukagjinit. Se mirë aritmetikën 7 x 7=42, por doli Paulini nga Dukagjini. Unë do doja që t’i kërkoja nëse mundet, djalit që ka bërë këtë investim këtu, t’i thotë dy fjalë.

– Përshëndetje! Zoti Kryeministër mirë se erdhe! Kam nderin t’ju them mirë se erdhën të gjithë paçka se këta këtu janë pothuajse përditë. Ne jemi një biznes që e filluam në Tiranë në vitin 2011, jemi shtrirë tani në Sarandë, Elbasan, Korçë dhe baza jonë kryesore është Kopliku. Për shumë arsye, dy kryesoret janë, këtë tokë e ka falur Zoti për bimët medicinale, këtë zonë e ka falur Zoti se dinë të punojnë për bimët medicinale. Ju mund ta shikoni, investimet tona nuk do ndalojnë. Unë personalisht si biznes nuk e kam hallin tek subvencionimet që mund të marrim, e kam hallin tek hallka kryesore që janë fermerët. Në dy vitet e fundit kemi pasur shumë mbështetje. Fermerët tanë e kanë rritur prodhimin më shumë se sa parashikohej dhe shpresoj që mbështetjet dhe subvencionimet për fermerët të vazhdojnë. Për sa i përket planit, unë po flas për planin tim. Plani im është që Kopliku të bëhet qendra kryesore e esencave vajore dhe të furnizojnë Francën, Anglinë, Gjermaninë, Amerikën po e furnizoj tani dhe të vazhdoj edhe më tek nga Australia. Kemi mundësinë ta bëjmë. Unë do bëj të pamundurën, por edhe kolegët këtu duhet të ecin me hapa gjigand dhe shpresoj që këtu të vijën turistët e mos shkojnë në Francë për të parë fushat me lavander. Dëshiroj ti jap fjalën disa nga fermerëve tanë.

– I nderuar kryeministër, mirë se ke ardhur! Ardhja jote këtu, ne shpresojmë që do na ndihmosh. Na ke ndihmuar, por shpresojmë që do na ndihmosh edhe më tepër. Këtu ka qenë një zonë e thatë. Unë kam shpresë tek pronari që na ka lidhur disa kontrata, këto kontrata të na i zmadhojë. Se shumë janë fshatarët që nuk kanë pasur mundësi t’i lidhin kontrata. Në rast se ne na merren këto bimë, dihet që jetesa jonë do përmirësohet e nuk do jetë nevoja për të parë portat nga me ik e nga me dalë. Unë me bimët që kam mbjellë dhe disponoj, jetoj shkëlqyeshëm. Po të vish vitin tjetër, unë besoj se do na gjesh më të fuqizuar. Ne pjesa më e madhe e këtij vendi ka tokën pa tapi dhe ato letrat diku janë djegur, diku janë tretur. Tapia e tokës na duhet. Unë kam 6-7 parcela. Do donim nga ana juaj të na ndihmonit në këtë drejtim. Si për tapitë, si për shtëpitë.

Kryeministri Edi Rama: Kjo historia e tapive këtu është histori që e kemi dëgjuar prej vitesh dhe ju e dini shumë mirë, por edhe unë e kam mësuar duke e dëgjuar, që lidhet me faktin se në një pjesë të madhe të kësaj zone, por dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë, ligji 7501 nuk ka funksionuar, por ndërkohë ju i keni, si të thuash, kufijtë e mirëkuptuar. Pra, nuk është se keni konflikte me njëri-tjetrin. Ky ka qenë një debat shumë i madh, i vazhdueshëm edhe në qeveri, edhe me grupet e ekspertëve, edhe me institucionet ndërkombëtare. Ne kemi bërë më në fund një projektligj. E kemi çuar për konsultim në Bruksel. Ma the vetë, kur e thua fjalën, duhet me e mbajt, se unë jam dhe i gjatë, nuk kam ku fshihem, se ata që janë më të shkurtër edhe fshihen, por edhe i gjatë dhe nuk mban fjalën ngatërrohet puna. Unë po të them këtu, në sytë e të gjithëve, që tapinë do vij të ta sjell vetë personalisht. Nuk e di kur, por, sigurisht, duke qenë në detyrë. Do vij do ta sjell personalisht, sepse besoj shumë që ne do ta marrim aprovimin nga Brukseli për ligjin dhe pastaj do ta zgjidhim këtë problem, se është në Tropojë, është në Malësinë e Madhe, është në disa zona të Dibrës, është në disa zona të Kukësit, është në disa zona poshtë në Jug dhe kam besim se do ta zgjidhim. Sa për pronarin nuk di çfarë të them. Kështu duket goxha djalë. Investimi është i madh. Ambicia është e madhe. Ne jemi gati të mbështesim, patjetër.

Kryeministri Edi Rama: Një detaj doja të sqaroja lidhur me atë elementin, se e pashë që pati një buzëqeshje kuptimplotë kur tha Frida, duhet dokumenti i pronësisë. Ka një mundësi dhe unë e kam folur me të gjithë kryetarët e bashkive. Në rast se ju bëni një aplikim për të mbjellë p.sh, bimë medicinale në tokën tuaj, por që nuk keni dokumentin e pronësisë, mjafton të nënshkruani një kontratë qeraje me bashkinë. Bashkia t’ju japi juve me qera dhe është ajo skema me 1 euro. Për shembull, shteti jep toka me qera 1 euro për investitorë, kur janë tokat e veta, kështu që ti tokën e ke tënden, por duke qenë se nuk ke akoma dokumenti e pronësisë për shkakun që folëm, atëherë bën një kontratë qeraje për 10 vjet me 1 euro, jo 1 euro në vit, 1 euro e gjitha. 10 vjet kontratë qeraje minimumi dhe me atë kontratë 10 vjeçare, ti e bën aplikimin sepse toka konsiderohet që është në dispozicionin tënd. Pastaj mund të jepet ai fondi i mbështetjes. E meqë e lavdëruat shumë dhe meqë e duartrokitët shumë Toninin, Tonini t’i dali për zot kësaj pune, t’ju bëjë kontratat e qerasë dhe të aplikoni.

Ju falënderoj shume dhe do vij përsëri të kompensoj dhe mungesat që më ka marrë Paulini, por ju siguroj për një gjë, që në vazhdimësi e kam mbështetur me gjithë zemër dhe do vazhdoj ta mbështes gjithë këtë zonë, që është një zonë e bekuar për nga pasuritë natyrore, por dhe për faktin që ka njerëz që e duan punën. Tonin tha jemi fshatarë dhe malësorë. Jo, në fakt, ju jeni malësorë, unë jam katundar. Unë jam nga Surreli, kështu që ka një ndryshim. Ju e dini ndryshimin mes malësorit dhe katundarit, kështu që unë si katundar kam shumë respekt për ju si malësorë dhe ju them që realisht do të bëj çfarë është e mundur e të gjithë bashkë do bëjmë çfarë është e mundur, që me aq sa kemi mundësi, por ama mos të lëmë asnjë mundësi pa shfrytëzuar, që ju të keni mbështetje maksimale e të mos ndiheni asnjëherë vetëm në rrugën e transformimit që ka filluar dhe që do  vazhdojë në gjithë këtë zonë, edhe me ndihmën e këtyre demokratëve të partisë punëtore, që tha. E dëgjuat ju? Ne jemi partia e punës, tha. Me këta demokratët e partisë së punës dhe me ne të tjerët socialistët dhe me të tjerët që pak nga pak do ikin nga rruga e do vijnë drejt punës, ndërkohë që kush i nxjerr në rrugë, do ngelë pa punë se nuk fusim dot në punë Flamur Nokën, se nuk ka fermer që e përdor për hu gardhi Flamurin, ju falenderoj shumë!