Elisa Spiropali

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Znj. Elisa Spiropali ka lindur në Tiranë, më 15 mars 1983. Ajo është e martuar dhe ka një vajzë, Naltën.

Në vitin 1999, në moshën 16-vjeçare, nxënëse në gjimnazin “Qemal Stafa”, znj. Spiropali fiton një bursë studimi nga UWC (United World Colleges) si një nga 5 gjimnazistet më të mira në Shqipëri dhe diplomohet në Lester B. Pearson College, Kanada. Rezultatet e larta i japin mundësinë të fitojë një bursë universitare në Mount Holyoke College, Massachusetts, SHBA, ku diplomohet në vitin 2005, me titull nderi në dy degë universitare; Politikë dhe Ekonomi, me specializim në Ekonomi Politike dhe Ekonomi Zhvillimi.

Znj. Spiropali përmes bursash merite ka udhëtuar dhe studiuar në vende si Argjentina (bursë merite Mount Holyoke), Britania e Madhe (Chevening/ OSI) dhe ka fituar një eksperience multikulturale, të cilën e çmon si të pazëvendësueshme. Ajo ka qenë lektore në disa universitete në Shqipëri, drejtuese në organizata rinore, aktive në shtyp, autore e librit me publicistikë “Maska ra”.

Znj. Spiropali është angazhuar në politikë në vitin 2009 dhe është aktualisht deputete dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar Socialist, Sekretare për Aleancat dhe Bashkëqeverisjen, si dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Znj. Spiropali më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.