Eduard Shalsi

Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Z. Eduard Shalsi, ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1968. Ai është i martuar me znj. Eranda Shalsi dhe ka 3 fëmijë, Patrikun, Samuelin dhe Kler.

Z. Shalsi ka përfunduar studimet universitare në vitin 1990, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Biologji–Kimi, në Tiranë dhe ka punuar fillimisht si arsimtar në shkolla të ndryshme të Tiranës. Pas një largimi 3-vjeçar për në Greqi, kthehet dhe fillon punë në të parën bankë private në Shqipëri, Tirana Bank. Pas trajnimeve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë, ai punon pranë degëve të ndryshme të bankës në Shqipëri, në departamente të ndryshme si ai i depozitave, import-eksportit, kredisë etj.. Përpos certifikatave të shumta, ai pajiset me titullin ToT, si Trajner në Ekonominë Bankare nga Bankakademie Ndërkombëtare Gjermani & ISAB Shqipëri, gjë që e bën të ngjitet në nivelet më të larta të menaxhimit të bankës.

Z. Shalsi emërohet më pas, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë shtetërore shqiptare të sigurimeve, INSIG sha.. Brenda një periudhe të shkurtër, pasi fillon një reformë të thellë strukturore për modernizimin dhe përmirësimin e të dhënave financiare, bën të mundur zgjerimin e aktivitetit të kompanisë në Maqedoni, si dhe tërheq si investitorë me 40%, respektivisht, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore.

Në vitin 2004, z. Shalsi i bashkëngjitet ekipit të Edi Ramës në Bashkinë e suksesshme të Tiranës, fillimisht si shef kabineti i Kryebashkiakut dhe më pas si nënkryetar i Bashkisë, periudhë gjatë të cilës udhëhoqi disa projekte me rëndësi për kryeqytetin.

Z. Shalsi është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në vitin 2009 dhe ka marrë pjesë aktive në jetën parlamentare. Rizgjidhet deputet në zgjedhjet e vitit 2013, por kësaj here në qarkun e Beratit. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, anëtar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, anëtar i Komisionit të Asociim-Stabilizimit BE – Shqipëri. Në vitin 2017 ka shërbyer si Ministër i Shtetit për Çështjet Vendore, për një periudhë 6 – mujore.

Z. Shalsi zotëron gjuhën angleze, italiane dhe greke.
Gjithashtu, z. Shalsi, për shkak të pasionit dhe njohjes së mirë të shahut, është zgjedhur President i Federatës Shqiptare të Shahut.